Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Europa nuk mund të rrijë neutrale në betejën mes SHBA-së dhe Kinës

Kina synon të krijojë një botë që nuk është e sigurt për Europën – strategjikisht, ekonomikisht, dhe ideologjikisht

Europa mund të mos ketë dëshirë të mbajë anë mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës. Deshën apo jo, udhëheqësit e saj me kohë do të duhet të bëjnë zgjedhjen e vendosur: të qëndrojnë pas SHBA-së, ose të bëhen aktorë të dorës së dytë në skenën ndërkombëtare.

Kjo nuk është ajo çfarë duan të dëgjojnë europianët. Disa udhëheqës politikë dhe të biznesit vazhdojnë të këmbëngulin se qasja konfrontuese e Uashingtonit është përgjigje e gabuar ndaj ngritjes së Kinës dhe ata parapëlqejnë të mos përfshihen.

“Një situatë ku bashkohen të gjithë kundër Kinës, ky është skenari i konfliktualitetit më të madh të mundshëm,” tha presidenti francez Emmanuel Macron, duke shtuar se beson që kjo do të ishte “kundërproduktive.”

Gjithsesi, europianët kanë arsye të forta për të ngrënë me dy grazhda. Ata nxjerrin përfitime të paçmueshme nga marrëdhëniet miqësore me dy fuqitë e mëdha: marrëveshjet e kahershme të sigurisë me SHBA-në ofrojnë stabilitet dhe mbrojtje kundrejt kanosjeve të vazhdueshme, sikurse Rusia e Vladimir Putin-it, ndërkaq ekspansioni ekonomik i Kinës i ofron firmave europiane thesare mundësish për rritje, që nuk mund t’i gjejnë në shtëpi.

Europa mund të jetë në gjendje të mbajë këtë ekuilibër për një kohë. Megjithatë, kjo me gjasë do të bëhet gjithnjë e më e paqëndrueshme. Me gjithë ngujimin në fushën e golfit të ish presidentit luftarak Donald Trump, pozicionet në të dy anët e Paqësorit po ashpërsohen.

Administrata e presidentit amerikan Joe Biden dha sinjale që në ditët e para se synon të vazhdojnë presionin mbi Pekinin, duke deklaruar se trajtimi i tmerrshëm i ujgurëve nga qeveria kineze përbën “gjenocid” dhe se SHBA-ja duhet të “përgatitet të veprojë, si dhe të vendosë sanksione” mbi Kinën, për shkak të shtypjes së dhunshme të lëvizjes pro demokratike në Hong Kong dhe intimidimin e Tajavanit.

Ndërkohë, në një fjalim të ashpër në fillim të shkurtit, anëtari i Politbyrosë së plotfuqishme të Partisë Komuniste të Kinës (CCP) Yang Jiechi, ligjëroi për “gjykimin e gabuar strategjik” të Uashingtonit i cili ka shkaktuar tensione mes dy vendeve dhe kërcënoi se kur bëhet fjalë për çështje kyçe si Tajavani, Hong Kongu, dhe politikat kundrejt ujgurëve, atëherë kjo përbën “vijën e kuqe që nuk duhet të kalohet.”

Marrë parasysh që afrimi mes dy vendeve nuk duket gjëkundi, edhe Kina edhe SHBA-ja do të përpiqen të tërheqin Europën në mënyrë gjithnjë e më agresive.

Biden ka deklaruar hapur se synon të rigjallërojë aleancat tradicionale të Uashingtonit që t’i bëjë ballë Kinës. Presidenti kinez Xi Jinping mund të ankohet sa të dojë për këtë qasje “ne kundër atyre,” duke e quajtur “mendësi të Luftës së Ftohtë”, por edhe ai është fajtor për këtë: vendimi i qeverisë së tij që të finalizojë paktin e investimeve me Bashkimin Europian në dhjetor, ishte një përpjekje e hapur për të tërhequr europianët më afër, vetëm disa ditë para inaugurimit të Biden-it.

Në vështrim të parë, të zgjedhurit mes SHBA-së ose Kinës duket zgjedhje e pamundur: mes përkushtimit historik të europianëve ndaj SHBA-së dhe vlerave demokratike që e kanë mbështetur, dhe joshjes nga pasuritë e reja që vijnë nga superfuqia e re ekonomike, edhe pse autoritare, që mund të sigurojë të ardhmen e tyre ekonomike. Me fjalë të tjera, kjo është zgjedhje mes parimeve dhe profiteve.

Por ky është dallim i rremë. Zgjedhja në të vërtetë është mes interesave afatgjatë dhe afatshkurtër.

Realiteti është se Kina synon të krijojë një botë që nuk është e sigurt për Europën – strategjikisht, ekonomikisht, ose ideologjikisht.

Xi po përpiqet aktivisht të dëmtojë pozicionin e demokracive në rendin global. Në fjalimin që dha në Forumin Ekonomik Botëror në janar, ai shtroi argumentin se e liga e vërtetë e shoqërisë globale sot është promovimi i të drejtave themelore të njeriut, dhe jo shypja brutale e tyre. Nëse udhëheqësit europianë mendojnë se mund të vazhdojnë të predikojnë vlerat demokratike dhe të bëjnë biznes normal me Kinën, atëherë ata nuk janë duke lexuar gazetat.

Sa më shumë pushtet të grumbullojë Kina, aq më pak tolerante do të bëhet me çdo qeveri që nuk pajtohet me të. “Ne i trajtojmë miqtë me verë të mirë, ”tha ambasadori kinez në Suedi gjatë përplasjes së fundit diplomatike, “por për armiqtë kemi shotganë.”

Kina paraqet gjithashtu kërcënim afatgjatë ekonomik për Europën – jo thjesht sepse është garuese e fuqishme në ekonominë globale të tregut, por sepse politikat e Pekinit janë krijuar për të shfrytëzuar dhe abuzuar atë ekonomi të hapur botërore dhe me kohë për ta dominuar atë.

Lidershipi i Pekinit nuk e fsheh qëllimin për të shtyrë përpara industritë e teknologjisë dhe kompanitë vendore që të tejkalojnë rivalët e tyre perëndimorë, të fuqizuara nga miliarda dollarë ndihmë nga shteti.

Sipas një vlerësimi, qeveria kineze ka derdhur më shumë se $100 miliardë në sektorin e automjeteve elektrike, përmes subvencioneve për blerësit, përkrahjes për hulumtim dhe zhvillim dhe ndihma të tjera. $49 miliardë të tjera janë dedikuar për krijimin e një garuesi kinez për Airbus-in.

Partneritetet me firmat europiane janë jetike për suksesin e agjendës së Kinës. Pekini i sheh sipërmarrjet e përbashkëta dhe bashkëpunimet tjera me firmat e huaja si mënyrë për të nxjerrë teknologji të parparuar dhe dijen e nevojshme për Kinën që të barazohet dhe pastaj ta tejkalojë botën perëndimore.

Një raport i Fondacionit për Mbrojtjen e Demokracive tregon se si kinezët po shënjestrojnë sektorët kyç të ekonomisë gjermane – përfshi pajisjet industriale dhe elektronike – me qëllimin për t’i plaçkitur. Marrëdhëniet ekonomike të Kinës me Gjermaninë janë “mostër për strategjinë e CCP-së për të dominuar ekonominë e shekullit 21 dhe për të vendosur rregullat për botën moderne,” pretendon raporti.

Me fjalë të tjera, duke vazhduar angazhimin me Kinën, Gjermania fiton sot, por shtron rrugën për fatkeqësinë e saj nesër.

Ka shumë pak mundësi që politikanët europianë ta bindin Kinën për një marrëdhënie më të mirë.

Pas shtatë vite negociatash, marrëveshja e fundit e investimeve e BE-së me Kinën “do të thotë shumë pak,” ankohen në analizën e tyre autorët e think-tankut Bruegel në Bruksel. E mbushur me zotime të vagullta dhe pa metoda të zbatimit, Bruegel vërejti se edhe në qasjen në treg, fokus parësor i marrëveshjes, “janë bërë vetëm disa lëshime dypalëshe dhe që të gjitha prej tyre janë të limituara.”

Të shpresosh se Kina do të luajë fer është naive. Përderisa Pekini kërcënon dhe shfryn se europianët duhet t’i hapin tregjet për pajisjet 5G të Huawei-it, kinezët po menjanojnë firmat europianë të telekomunikacionit nga tregu kinez.

Përfundimisht, Kina thjesht nuk është partner i vërtetë për Europën. Sa më shumë kohë të kalojë që europianët ta kuptojnë këtë, aq më i dobët pozicioni i tyre. Kina do të vazhdojë të shfrytëzojë ndarjet mes demokracive për të përparuar interesat e saj. Politikanët europianë do të dëmtojnë marrëdhëniet e tyre me SHBA-në duke mjelë në mënyrë cinike përfitimet ekonomike nga Kina, përderisa Uashingtoni lufton i vetëm.

Kur të kuptojë Europa se ka nevojë për ndihmën e Amerikës, do të zbulojë se Uashingtoni ka gjetur miq të tjerë, më të besueshëm.

Përfundimisht, zgjedhja mes SHBA-së dhe Kinës duhet të përcaktohet nga ajo se cili do të jetë roli i europianëve në botë.

Ata mund të mbrojnë rendin liberal të cilin ndihmuan ta krijojnë dhe të vazhdojnë të marrin pjesë në udhëheqësinë globale. Ose mund të rrinë e të shikojnë Kinën autoritare tek rrëzon shyllat e rendit ekzistues, dhe bashkë me to edhe burimet e ndikimit europian. A është vërtet kaq e vështirë zgjedhja?

***

Artikulli origjinal në Politico

***

 

Ky artikull mbështetet nga “Sbunker” përmes projektit të financuar nga Ambasada Amerikane. Mendimet e shprehura këtu janë të autorit dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.

 

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.