Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Fantazma e osmanizmit që qarkullon nëpër Ballkan (I)

Ky artikull do ta analizojë shkurtimisht ndikimin e (neo)osmanizmit si identitet, ideologji dhe si mjet në politikën e jashtme në kornizën e Ballkanit, temë shpeshherë e diskutuar me tone joshkencore te ne. Në paragrafët e mëposhtëm do të hidhet një vështrim i përgjithshëm se si u shfaq osmanizmi si identitet dhe çfarë trajektore historike ndoqi deri në kohën e përfundimit të Luftës së Ftohtë. Por, para së gjithash, duhet të koncentrohemi në dy konceptet mbi të cilat bazohet ky artikull dhe brenda të cilave ai interpreton (neo)osmanizmin dhe politikën e jashtme të Turqisë: fantomologjinë dhe identitetet imagjinare.

Fantomologjia (hauntology) është një koncept që i referohet kthimit ose qëndrueshmërisë së sendeve nga e kaluara si fantazma. Fantomologjia është një neologjizëm i prezantuar për herë të parë nga filozofi francez Jacques Derrida në librin e tij 1993 Spektret e Marksit, të cilin  ai e përdori këtë term për t’iu referuar natyrës së përjetshme të marksizmit dhe tendencës së tij për të “infektuar shoqërinë perëndimore nga varri”. Koncepti rrjedh nga metoda e tij dekonstruktive, ku çdo përpjekje për të përcaktuar origjinën e identitetit ose historisë duhet të jetë e pashmangshme e varur nga një sërë kushtesh gjuhësore që janë gjithmonë-tashmë të pranishme. Autori e ilustron këtë si sakrifikimin e së kaluarës për të tashmen dhe kthimin si një fantazmë.

Identitetet imagjinare është një koncept i zhvilluar nga Benedict Anderson në librin e tij të vitit 1983 me të njëjtin emër, që analizon nacionalizmin. Anderson portretizon kombin si një komunitet i ndërtuar shoqërisht, i imagjinuar nga njerëz që e perceptojnë veten si pjesë e atij grupi. Anderson e përshkroi kombin si “një bashkësi politike imagjinare”. Siç thekson Anderson, një komb imagjinohet sepse anëtarët edhe të kombit më të vogël nuk do ta njohin, takojnë apo dëgjojnë shumicën e anëtarëve të tjerë, por do të respektojnë imazhin e bashkimit të tyre në mendjen e secilit. Anëtarët e komunitetit ndoshta nuk do të njihen me secilin nga anëtarët e tjerë ballë për ballë; megjithatë, ata mund të kenë interesa të ngjashëm ose të identifikohen si pjesë e të njëjtit komb. Anëtarët mbajnë një imazh mendor të intimitetit të tyre në mendjet e tyre.

Nëse kthehemi te tema, mund të themi që osmanizmi nuk është as i vdekur por as i gjallë. Ai nuk ka vdekur sepse fundi i tij është i panjohur dhe nuk është gjallë sepse nuk është plotësisht në mes nesh. Për këtë arsye, osmanizmi është aty e këtu diku. Me vetë faktin që në shoqërinë tonë, sikur në shoqëritë e tjera ballkanike dhe në Turqi, tema e osmanizmit kthehet për diskutim hera-herës, dëshmohet që osmanizmi e ruan një prezencë disi mitike, fantome, por, megjithatë, është këtu.

Megjithatë, duhet të kuptohet që osmanizmi, si një formë e përkatësisë dhe si identitet, nuk ka ekzistuar gjithmonë. Osmanizmi si ideologji, deri në fund të shekullit XIX mund të thuhet që nuk ekzistonte, pasi Perandoria Osmane funksiononte deri në këtë periudhë mbi parimet e besnikërisë/lojalitetit dhe meritave. Pikërisht në këtë periudhë i duhej një formë e tillë e përkatësisë kur filloi të humbte legjitimitetin e saj në shekullin XIX. Jo vetëm kaq, por kur marrim parasysh dinamikën e modernitetit (veçanërisht lindjen e shtetit modern), mund të kuptojmë pse i duhet një gjë e tillë. Osmanizmi ishte një formë nacionalizmi që u frymëzua dhe u formësua, ndoshta si një reagim ndaj ideve evropiane të nacionalizmit dhe përfshirjes në rritje të Perëndimit në Perandorinë Osmane.

Pas reformave të Tanzimatit, që filluan në 1839, osmanizmi lindi nga nevoja për të bashkuar Perandorinë. Osmanët menduan se nëse e bashkonin Perandorinë nën një shtet të vetëm, ata do të ishin më të fortë dhe se do të ishte më e vështirë për evropianët të hynin në tokat osmane. Para kësaj, perandoria ndahej kryesisht në shumë bashkësi të vogla vetëqeverisëse. Sulltani mbikëqyrte këto bashkësi, por shumica e rajoneve u përmbaheshin ligjeve dhe besimeve të tyre.

Kjo shpjegon pjesërisht suksesin e Perandorisë Osmane: sulltani nuk detyronte ndonjë ndryshim të madh identitar në popullsitë lokale kur i pushtonte ato. Sidoqoftë, me shfaqjen e  nacionalizmit,  shteteve-kombe me identitet të përbashkët kombëtar në Evropë dhe, pastaj, veçanërisht me Luftën e Pavarësisë Greke të 1821-1830 kundër Perandorisë, e cila gjithashtu filloi të prekte popuj të ndryshëm të tjerë të Perandorisë Osmane, osmanizmi u zhvillua si një reagim shoqëror dhe politik me shpresën për ta shpëtuar Perandorinë nga kolapsi.

Ky fenomen i osmanizmit, i cili nuk përfundoi me Luftën e Parë Botërore, ishte gjithashtu një armë e rëndësishme ideologjike për të organizuar dhe motivuar njerëzit në Luftën e Pavarësisë turke kundër pushtuesve grekë, që gjatë dhe pas Luftës së Parë Botërore e pushtuan gati gjysmën e Anadollit, Turqisë së sotme. Në fakt, ligjërimi i Luftës së Pavarësisë turke ishte i ndërtuar tërësisht mbi osmanizmin. Kjo shihet në fjalimet dhe deklaratat e bëra gjatë Luftës së Pavarësisë, në krye me udhëheqësin e Luftës për Pavarësi dhe më pas themeluesin e Turqisë moderne, Mustafa Kemal Ataturk.

Sidoqoftë, me heqjen e sulltanatit dhe kalifatit, osmanizmin u përpoqën ta margjinalizonin. Pas vitit 1922, republikanët turq, që ishin udhëheqësit e Luftës së Pavarësisë turke, u përpoqën t’i bëjnë njerëzit të kuptojnë se ata po luftonin jo vetëm kundër imperialistëve, por edhe kundër Perandorisë monarkike Osmane. Për më tepër, projekti i Republikës së re Turke u përpoq të zbulohej si tjetri i Perandorisë, jo si një vazhdimësi e saj. Tendenca për të margjinalizuar dhe poshtëruar Perandorinë Osmane u përhap nga politika e deri në art dhe letërsi. Kjo prirje tanimë deklarohej si një projekt modernizimi kundër osmanëve reaksionarë. Kjo tendencë vërehet edhe në Tezën e Historisë Turke dhe Teorinë e Gjuhës së Diellit, të cilat ishin versionet zyrtare të shtetit sa i përket historisë dhe gjuhës, të cilat injoronin Perandorinë Osmane ngjashëm me historigrafinë komuniste shqiptare.

Sidoqoftë, megjithëse ky revolucion u krye me qasjen nga lart-poshtë (përkundër shoqërive evropiane të cilat modernizmin e realizuan nga poshtë-lart), elitat republikane turke nuk ekzistonin në vakum, por ishin të lidhura me Perandorinë Osmane në një mënyrë ose në një tjetër. Përveç kësaj, njerëzit e thjeshtë, masat, vazhduan ta duan Perandorinë Osmane.

Në fakt, ndërsa njerëzit në Anadoll u bënë më myslimanë në numër siç nuk ishin më parë për shkak të shkëmbimeve të popullsisë dhe politikës së homogjenizimit të popullsisë, dallimi midis elitës (sundimtarëve) dhe jo elitave (njerëzve) u bë më i mprehtë. Fantazma e osmanizmi kështu, si një formë imagjinare e përkatësisë/identitetit, vazhdonte të jetonte në mentalitetin e njerëzve, në këngë popullore, romane, muzikë dhe më pas dikur filloi të shfaqej edhe në ligjërimin e politikanëve. Megjithëse nganjëherë në mënyrë të mbyllur diskursi osmanist shfaqej edhe më herët, prej fundit të viteve ‘80 duke vazhduar në vitet ‘90 ky diskurs do të marrë dhenë.

Në pjesën e dytë të kësaj serie shkrimesh do të analizohet reflektimi i osmanizmit si identitet dhe si ideologji në vendet e Ballkanit.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.