Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Filozofi John Gray: Perëndimi nuk po vdes – idetë e tij rrojnë në Kinë (I)

Ajo me të cilën ballafaqohet bota perëndimore nuk është përparimi kërcënues i qytetërimeve të huaja, por hijet e veta të errëta që lëvizin përmes Kinës dhe Rusisë.

Zmbrapsja e Perëndimit filloi me rënien e komunizmit më 1989. Elitat tona ngadhënjyese humbën sensin e realitetit dhe në një varg përpjekjesh për ta rindërtuar botën sipas shëmbëlltyrës së tyre braktisën disa prej rajoneve më strategjike të planetit. Rezultati përfundimtar i përpjekjeve për ta eksportuar sistemin e tyre të qeverisjes është që shtetet perëndimore janë më të dobëta dhe më të rrezikuara sesa ishin ndonjëherë gjatë Luftës së Ftohtë.

Megjithatë, ta shohësh këtë debakël si disfatë për idetë dhe vlerat perëndimore është gabim themelor. Ideologjitë perëndimore vazhdojnë ta sundojnë botën. Në Kinë, Xi Jinping ka përqafuar një soj të nacionalizmit integral jo të ndryshëm prej atyre që u shfaqën në Evropën e mes dy luftërave, ndërkaq Vladimir Putini ka përdorur me shkathtësi metodat leniniste për ta ringjallur një Rusi të molisur në një fuqi globale. Idetë dhe projektet që kanë zanafillën në perëndimin joliberal vazhdojnë ta formësojnë politikën globale. Në të njëjtën kohë dhe me një sinkronizëm interesant, liberalizmi perëndimor është bërë edhe vetë joliberal. Tatëpjeta gjeopolitike e Perëndimit u bë e dukshme pas pushtimit të Irakut më 2003 dhe është e qartë nga tërheqja e forcave amerikane nga Afganistani. Irani është tash fuqia mbizotëruese në Irak. Me tretjen e shtetit dhe ushtrisë afgane pas tërheqjes së SHBA-së, e ardhmja do të vendoset nga talebanët dhe shtetet fqinje të cilat tërhiqen nga gjendja e vakumit të pushtetit. Pas vitesh ndërhyrjeje perëndimore dhe vdekjes së qindra-mijëra njerëzve, Bashar al-Assad është ende në pushtet në Siri dhe Rusia është forca vendimtare atje. Pas rrëzimit nga pushteti të orkestruar nga Perëndimi të Muammar al-Gaddafit më 2011, Libia është hapësira e paqeverisur dhe portë e kontrabandimit të njerëzve në Evropë.

Në muajt e fundit, ritmi i zmbrapsjes perëndimore është përshpejtuar. Takimi i Joe Bidenit me Putinin në Gjenevë në qershor i dha presidentit rus atë që ai dëshironte më së shumti. Duke pranuar përfundimin e gazsjellësit Nord Stream 2, Bideni ka fuqizuar Rusinë që t’i ndërpresë furnizimet me ernergji në vendet tranzite. Ukraina është lënë lakuriq në shi dhe Polonia e shtetet baltike janë ekspozuar ndaj fuqisë ruse.

Arsyetimi për atë që në fakt është disfatë e madhe gjeopolitike është me sa duket që t’i lejohet Gjermanisë t’i sigurojë furnizimet e saj të energjisë si shkëmbim për mbështetjen e përpjekjeve të SHBA-së për t’i mbajtur frenat Kinës. Mirëpo, mundësitë që Gjermania t’i rrezikojë marrëdhëniet tregtare me Kinën kanë qenë gjithmonë të vogla. Vitin e kaluar, Gjermania eksportoi gati 100 miliardë euro mallra në Kinë – pak a shumë gjysmën e vlerës së të gjitha eksporteve të BE-së atje. Jo vetëm që Kina është bërë tregu më i madh i eksportit gjerman, por gjithashtu edhe me rritjen më të shpejtë.

Politika e jashtme gjermane diktohet kryesisht nga faktorët vendorë, ndërsa lobistët industrialë do të sigurohen që lidhjet tregtare me Kinën të mos kompromentohen. Për të Gjelbrit me ndikim, dalja e Gjermanisë nga energjia e qymyrit dhe nukleare tejkalon çdo kosto gjeopolitike. Njëzëri me presidentin francez Emmanuel Macron, Angela Merkel e ka bërë të qartë se Berlini dëshiron ulje të tensionit me Rusinë. Në çdo betejë mes fuqive të mëdha, Gjermania – prandaj edhe BE-ja – është e prirë të rrijë mënjanë, neutrale dhe e pareshtuar, ndërkohë që në praktikë qëndron në zonën e influencës ruse. Jo aq e kufizuar prej diplomacisë evropiane pas Brexitit, Britania po i reziston kësaj prirjeje. Mirëpo, pa përkrahjen e fuqive të mëdha evropiane nuk është e qartë se sa mund të bëjë Mbretëria e Bashkuar më shumë sesa t’i mbrojë interesat e saj kombëtarë.

Dekompozimi i Perëndimit nuk është vetëm fakt gjeopolitik, por gjithashtu edhe kulturor e intelektual. Vendet kryesore të Perëndimit përmbajnë organe të fuqishme të opinionit që e konsiderojnë qytetërimin e tyre si forcë veçanërisht të dëmshme. Në këtë pikëpamje hiperliberale, e cila përfaqësohet fuqishëm në arsimin e lartë, vlerat perëndimore të lirisë dhe tolerancës nënkuptojnë pak më shumë se dominim racor. Nëse ekziston ende si bllok qytetërues, Perëndimi duhet të bëhet copash.

Ky hiperliberalizëm nuk prezentohet si një prej pikëvështrimeve të shumta që mund të shqyrtohen dhe të kritikohen përmes debatit të hapur. Është katekizëm i kontrolluar nga presioni i të tjerëve dhe sanksionet profesionale. Ata që e zbatojnë atë pëlqejnë t’i hedhin poshtë praktikat si “anulimi”, si makthe të një mendjeje djathtiste dhe pa bazë në fakte. Në të njëjtën kohë ata besojnë se mospajtimi është mënyrë e shtypjes.

Në kredon hiperliberale tolerohen vetëm ato që konsiderohen të thjeshta, të qarta, të vërtetat pa të meta morale. Vlerësimi i kostove dhe përfitimeve të mundshme të perandorive perëndimore për popujt që kanë qeverisur nuk është larg prej të qenët totalisht i ndaluar, ashtu si edhe shqyrtimi i përfshirjes së shteteve joperëndimore në skllavëri. Disa djathtistë kanë krahasuar kufizimet e tilla ideologjike me ato të zbatuara në komunizëm. Dallimi është se në shoqëritë perëndimore këta frena të hulumtimit të lirë janë të imponuara ndaj vetvetes.

Rezultati është që Perëndimi liberal është më shumë subjekt i hetimit historik sesa realitet bashkëkohor. Ata që besojnë se njerëzimi mblidhet rreth vlerave liberale anashkalojnë faktin se shoqëritë perëndimore po i flakin me shpejtësi ato. “Harku i historisë” tregon për një model që nuk ekziston më.

Kjo nuk do të thotë se hiperliberalizmi ka fituar. Për sa kohë funksionon, demokracia i imponon kufij fanatizmit ideologjik. Me gjithë papërmbajtjen e tij, tregu prodhon alternativa. Hapësirat që inkurajojnë pluralizmin intelektual vazhdojnë të mbijetojnë – disa prej tyre edhe lulëzojnë.

Hiperliberalizmi është ideologji e një klase që aspiron të sundojë dhe që synon të grumbullojë pasuri dhe poste, ndërkohë që lëvdohet me kredencialet e papërlyera progresive. Luftërat e pazgjidhshme kulturore dhe një krizë vlerore në të cilën çështje kyçe faktike dhe shkencore janë politizuar dhe janë bërë pjesë e një lufte për pushtet nga këto kundër-elita. Por, përveç në Zelandë të Re dhe në Kanadanë anglishtfolëse, nuk ka shenja se ato kanë arritur hegjemoninë.

Prapëseprapë, shkollave u bëhet presion që të mësojnë një version të vetëm të historisë, korporatat private pushojnë punëtorët nga puna për opinione devijante dhe institucionet kulturore sillen si gardianë të fanatizmit. Prototipi për këto praktika është në SHBA, e cila e konsideron historinë dhe ndarjet e saj si diçka që përkufizon çdo shoqëri moderne. Në pjesën më të madhe të botës, lëvizja vigjilente [woke movement] shihet me indiferencë apo me sy të keq – si në rastin e Francës, ku Macroni e ka dënuar si diçka që ‘racializon’ shoqërinë. Mirëpo, kudo që mbizotëron kjo agjendë amerikane, shoqëria nuk është më liberale në asnjë kuptim të njohur historik.

Shuarja e liberalizmit perëndimor nuk do të thotë se po jetojmë në një botë pas-perëndimore. Argumentet për rënien perëndimore janë zakonisht versione të përpunuara të spekulimeve të teoricienit politik të Harvardit Samuel Huntington lidhur me përplasjen e qytetërimeve, së bashku me parashikimet për supremacinë e pashmangshme kineze. Pretendimet e tilla kanë peshë për aq sa pasqyrojnë tkurrjen e dukshme të fuqisë perëndimore. Mirëpo, ato huqin veçorinë më të shquar të skenës bashkëkohore: mbizotërimin e vazhdueshëm të ideve perëndimore moderne. Jo ato të liberalizmit siç kuptohet tradicionalisht, por përzierjes së fashizmit, komunizmit dhe nacionalizmit integral.

Edhe Kina edhe Rusia – rivalet e njohura të Perëndimit – qeverisen nga ide që vijnë nga burimet perëndimore. (E njëjta mund të thuhet për nacionalizmin e Narendra Modit në Indi dhe për disa lëvizje islamiste.) Ajo me të cilën ballafaqohet bota perëndimore nuk është përparimi kërcënues i qytetërimeve të huaja, por hijet e veta të errëta.

***

Artikulli origjinal në New Statesman, më 28 korrik 2021.

***

Image

 

Ky artikull mbështetet nga “Sbunker” përmes projektit të financuar nga Ambasada Amerikane. Mendimet e shprehura këtu janë të autorit dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.