Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Filozofia në shkollat osmane te shqiptarët – Pjesa I

Pas vdekjes së Profetit, myslimanët patën filluar të përballeshin me probleme të shumta, që derivoheshin prej vrojtimeve diverse kundrejt shumë fenomeneve dhe çështjeve fetare e jofetare. Temat si: trashëgmia apo zëvendësimi i udhëheqjes së myslimanëve pas vdekjes së Profetit, statusi i personit që ka vepruar në gjynah të madh, çështja rreth lirisë dhe detyrimit në veprat e njeriut, e shumë tema si këto, qenë pikënisjet e dallimeve të myslimanëve në interpretime, që më pas rezultuan në ndarje socio-politike. Dallimet u shtuan edhe më kur ata pushtuan territore të reja dhe u ballafaqaun me kultura dhe fe më të sofistikuara, të cilat kishin arritur të zhvillonin një traditë të dijes, siç qenë qytetërimet egjiptiane, iraniane dhe greke, si dhe fetë e mëdha, si budizmi, hebraizmi dhe krishterimi. Të gjitha këto ndikuan që myslimanët t’i rreken sofistikimit të arsyetimit dhe interpretimit të besimit të tyre, gjë që rezultoi me daljen në skenë të qasjeve dhe metodologjive plurale, e ndonjëherë edhe krejt të kundërta me njëra-tjetrën. Natyrisht, që diversiteti buronte nga qasjet ndaj dijes, njohjes dhe të kuptuarit, si dhe prej metodave e mekanizmave të arritjes deri tek ato. Sipas shkollarëve myslimanë, për të arritur deri te kuptimi i së vërtetës, duhet ndjekur njërën nga këto rrugë: ndjekjen e Tekstit të shenjtë (nass) dhe traditën profetike (nakl), arsyen ( ‘akl), argumentimin (istidlal), zbulimin shpirtëror (keshf) dhe insprimin (ilham). Varësisht nga prioriteti dhe rëndësia që i jepnin këtyre mënyrave dhe kanaleve për të arritur deri te e vërteta, ata u ndanë në drejtime dhe shkolla të ndryshme interpretimesh. Prandaj, në tre shekujt e parë të historisë islame ka pasur shkolla, lëvizje dhe mendimtarë me botëkuptime fetare e filozofike krejtësisht të kundërta me njëri-tjetrin. Për shembull, mund të përmendet ndarja e madhe midis sunizmit dhe shiizmit, bashkë me nëndegët e sektet e tyre. Ndërsa hegjemoninë e shtrinte ai mendim ose ajo shkollë që arrinte ta bënte për vete pushtetin apo kalifin e kohës, ose e kundërta, dominonte mendimi apo shkolla e preferuar e pushtetit a kalifit. Shembull i kësaj është  zyrtarizimi i shkollës mutezila (shkollë racionaliste) në kohën e kalifëve abasit Ma’mun dhe Mu’tasim, e cila më pas ra nga pushteti vetëm kur erdhi kalifi Mutavakkil – për të cilin thuhet se urrente racionalizmin – dhe pas ardhjes në pushtet bëri pakt me hanbelitët (literalistët/puritanët). Padyshim se këto shkolla derisa ishin në pushtet bënin çmos që të pengonin zhvillimin dhe përhapjen e mendimeve rivale dhe alternative.

Nga një pikëpamje përgjithësuese, studiuesit, diskurset islame i ndajnë në katër sosh: tradicionalist (selefezimi), teologjik (kelami), filozofik dhe mistik. Në këtë shkrim do të fokusohem sipërfaqësisht vetëm në trashëgiminë e filozofisë në shkollat osmane, si zgjatim të shkollave të mëhershme perse, të cilat u shtrinë edhe në trojet shqiptare. Studiuesi Shahab Ahmad shkruan se nga Ballkani deri në Bengal, sistemi i arsimit dhe i mendimit fetar mysliman ka qenë shumë i ngjashëm, dhe nëpër shkolla mësoheshin e studioheshin të njëjtat vepra shkencore, filozofike dhe teologjike. (Ahmad, 2015:76)

Në fillim kur myslimanët u drejtuan kah shkencat dhe dijet greke, përkthyesit më shumë qenë të prirë të përkthenin vepra nga fusha e mjekësisë dhe astronomisë. Por pa kaluar shumë kohë, me të dalë në pah polemikat intelektuale dhe doktrinore midis myslimanëve dhe ndjekësve të religjoneve të tjera, sidomos pas daljes në skenë të shkollës mutezilite, filozofia, veçanërisht Logjika gjeti përkrahës të mëdhenj të mesin e tyre. Përveç ndikimit të Logjikës së Aristotelit si elementi themelor në metodën e të menduarit te myslimanët, lirisht mund të thuhet se mbi gjysma e asaj që sot quhet filozofi islame është produkt i trashëgimisë filozofike të Aristotelit. Madje, edhe filozofia neoplatoniste, e cila pati një influencë të madhe në krijimin e mendimit filozofik mysliman, ka depërtuar në emër të filozofisë aristoteliane. Ndikimi dhe rëndësia e Logjikës aristoteliane te myslimanët është aq e madhe, saqë filozofi dhe komentuesi i madh i veprave të Aristotelit, Ibn Rushd në lidhje me Aristitotelin shkruante: “E falënderoj Zotin që Aristotelin e ka dalluar prej të tjerëve në përsosmëri, dhe e ka vendosur në shkallën më të lartë të madhështisë njerëzore, shkallë në të cilën askush nuk arriti asnjëherë”. Ndërsa në një vend tjetër thoshte: “Jam i mendimit se natyra Aristotelin e ka krijuar si model për të treguar fundin e përsosmërisë njerëzore. Ai është njeri, tek i cili e vërteta arriti kulmin.”

Kështu, filozofia e Aristotelit, sidomos Logjika formale e tij gjeti mbështetje të pakompromis te myslimanët, dhe në mënyrë sistematike u mësua nëpër shkollat dhe medresetë e tyre. Edhe në shkollat osmane, mësimit të Logjikës i kushtohej një kujdes i veçantë, ku metodologjia e mësimit të Logjikës si dhe temat e saj nuk dallonin fare nga ajo greko-myslimane. Ndërsa njëra nga veprat kryesore të Logjikës që mësohej dhe studiohej nëpër medreset osmane, dhe sigurisht edhe në ato shqiptare, ishte vepra “Risale-i Ethirije fi’l Mantik” apo siç njihet më shumë me emrin “Isaguxhi” (Isagugi), e shkruar nga Esiruddin Ebheri. Kjo vepër ishte adaptim dhe përkthim i veprës “Eisaguge” (gr. Eisagoge-Hyrje) e Porporiusit (Porphyry) (304-234 p.e.s.), filozof neoplatonist dhe nxënës i Plotinit. Kurse, Isaguxhi e Ebheriut përmbledh të gjitha temat e veprës Organon të Aristotelit, si dhe Isaguxhinë e Porporiusit, por temat i ka të radhitura sipas veprave të Farabiut dhe Ibn Sinasë, ndërsa konceptin e shënjueshmërisë e trajton para pesë koncepteve thelbësore të trajtuara nga Porporiusi. Ngjashmëria më e madhe e veprës së Ebheriut me atë të Porporiusit është shqyrtimi  – edhe pse shumë shkurt – i koncepteve themelore që gjenden edhe te Eisaguge e Porpurisit. Duke i qëndruar besnik traditës aristoteliane të Logjikës, Ebheriu njëjtë si Ibn Sina, veprën e tij e fillon me analizën e gjuhës dhe fjalës, e jo të objekteve. Pastaj trajton llojet e fjalës dhe shënjimit të definicionit nga pesë fjalë, dhe kalon te llojet, aksidencat e veçanta, diferenca, analogjia, analogjia kategorike dhe ajo hipotetike – hipoteza. Ndërsa pasi diskuton për karakteristikat e secilës prej tyre, del te argumentimi, te mbështetja e argumentit në dije të saktë, dhe më pas diskuton për të vërtetën dhe hipotetiken. Kurse libri përfundon me definicionet e analogjisë dialektike, retorike, poetike dhe sofistike. Brenda librit hasen pjesët e logjikës të radhitura në mënyrë sistematike, ku njihemi me përshkrimin, definimin dhe analizën e shkurtër të të gjitha koncepteve të Logjikës. Gjithashtu pas çdo definiconi dhe përshkrimi jepet edhe shembulli për të.

Edhe shkollat klasike osmane (medreset) e trojeve tona funskiononin sipas planeve dhe programeve mësimore të medreseve të Perandorisë Osmane. Po ashtu tekstet mësimore, metodologjia e mësimit dhe organizimi i medreseve shqiptare nuk dallonin aq nga medreset osmane. Hulumtimi nëpër bibliotekat e dijetarëve myslimanë shqiptarë të gjeneratave të vjetra, si dhe librat e botuara dhe dorëshkrimet nëpër arkivat dhe bibliotekat shqiptare, dëshmojnë se librat që janë mësuar nëpër medreset e botës islame mësoheshin edhe tek ne. Në mesin e këtyre vërehet edhe libri ‘Isaguxhi’ i Ebheriut. Pra, ekzitojnë fakte empirike se vepra Isaguxhi e Esiruddin Ebheriut është mësuar edhe në medreset shqiptare, madje në rajonin e Preshevës është mësuar deri në vitet 80-ta të shekullit të kaluar. Këtë vepër e posedon gati se secili nxënës shqiptar që ka mësuar në medreset e vjetra. Kopje të saj gjenden edhe nëpër shumë arkiva e biblioteka në trojet shqiptare.

Në intervistat që pata zhvilluar më herët me nxënësit (talebet) e gjeneratës së fundit të këtij sistemi të shkollimit në Preshevë, këta teologë tashmë në moshë të shtyrë, përpos veprave tjera që i kanë mësuar e studiuar, flasin edhe për Isaguxhinë e Ebheriut. Krahas kësaj vepre, ata prej librave të lëndës së Logjikës përmendin edhe “Mugni’t-tullab”, të cilin e kishin mësuar si komentim të Isaguxhisë. Sipas tyre, edhe kjo vepër ashtu si librat tjerë, është lexuar në gjuhën arabe, pastaj është komentuar dhe shpjeguar në gjuhën turke dhe shqipe. Ndërsa, ajo që kanë mbajtur në mend nga kjo libër është zbërthimi i emrit Isaguxhi, të cilën shprehin në këtë mënyrë: Is-ente, agu – ene dhe exhi ose xhi– fi hadhel meqan. (d.m.th.: Is-ti, agu-unë dhe xhi-në këtë vend). Këtë shprehje e hasim edhe në librin “Mugni’t-tullab”, por sigurisht që një zbërthim apo interpretim i tillë i emrit Isaguxhi është i gabueshëm, ngase siç u tha edhe më sipër, Isaguxhi është vokacion arab i fjalës greke “eisaguge”, në kuptimin e hyrjes. Interpretime të tilla të paqëndrushme mund të shihen në shumë komentime dhe analiza që i kanë bërë kësaj vepre përgjatë historisë.

Metoda e mësimit të kësaj vepre ishte e tillë: në disa raste, mësimdhënësi e ka lexuar tekstin në arabisht, pastaj e ka zbërthyer atë fjalëpërfjalë në aspektin morfologjik, dhe në fund e ka komentuar në gjuhën turke ose në shqipe. Kurse ndonjëherë teksti është lexuar nga ndonjëri prej nxënësve dhe më pas është komentuar nga mësimdhënësi. Sipas këtyre hoxhallarëve, mësimi i këtyre veprave si kjo e Isaguxhisë, ndihmonte gjithashtu kuptimin e teksteve fetare islame, sepse pa mësuar mantikun (logjikën), ilmul-bejanin (retorikën) e lëndë të tjera si këto, nuk mund të kuptohej Kurani. “Mantikun (Logjikën, A.R.) e mësonim për me mundë me dallu të mirën nga e keqja, të vërtetën nga jo e vërteta dhe të drejtën nga e shtrembta”, – thoshin ata.

Prezenca e kësaj vepre në biblotekat e secilit hoxhë të shkolluar në sistemin e medreseve të vjetra është një dëshmi për pozitën e lartë që ka patur Logjika në sistemin e atyre medreseve. Një gjë e tillë më shtyn të mendoj – sidomos nëse kihen parasysh edhe veprat e tjera të Logjikës në biblotekat e  tyre – rëndësinë që ata i kushtonin Logjikës në shkollimin, mendimin dhe më pas në veprimtarinë e tyre. Po ashtu është interesant fakti se gjatë bisedave ata përmendnin emrat e filozofëve dhe logjicienëve më të mëdhenj të botës myslimane, si Kindi, Farabi, Ibn Sina, Rrazi, Taftazani etj., madje i kujtohej dhe Aristoteli (Aristu – siç e thoshin ata). Duke pasur parasysh kushtet dhe rrethanat politike të kohërave të fundit kur funksiononin këto medrese, veçanërisht ajo e Preshevës, do të duhej ulur pritjet për ndojë ndikim të ideve e koncepteve të mëdha logjike-filozofike te këta persona. Por nga biseda me ta, rezultonte se kishin njohuri për dialektikën, retorikën, estetikën dhe analogjinë. Për atë dhe, ata sot, më mirë se çdo i shkolluar në botën arabe, mund t’i kuptojnë veprat klasike arabe, sidomos poezinë dhe prozën klasike. Edhe kjo nuk duhet harruar se Logjika dhe Filozofia që mësohej në atë kohë, në të gjitha medreset ishte në shërbim të teologjisë dhe apologjisë fetare, dhe jo ndonjë veprimtari e pavarur intelektuale. Por kjo nuk do të thotë se nuk ka pasur prej atyre që i janë përkushtuar vetëm filozofisë dhe shkencës, siç ishin Mehmed Esad Janina, njohës dhe komentues i Aristotelit në Perandorinë Osmane në shek. 18-të, dhe Hasan Tahsini, filozofi i parë modern shqiptar, për të cilët do të flitet në shkrimin vijues.

—–

Burimet:

–  Intervistë me Mulla Shenasi Fejzullahin, Mulla Xhemal Musliun, Mulla Behxhet Idrizin dhe hfz. Avni Ahmetin nga komuna e Preshevës dhe Bujanocit.

– Ahmed, Shahab (2015). What Is Islam? – The Importance of Being Islamic. Princeton University Press.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.