Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Fuqitë Perëndimore duhet të bëhen më kreative kundrejt Rusisë

Lëmshi i Republikës Çeke rreth diplomatëve shpërfaq nevojën për të menduar në mënyrë më kreative kur është çështja te përgjigjja ndaj sulmeve kibernetike.

Margaret Thatcher nuk ishte grua e masave gjysmake. Në shtator 1985, pasi kishte vendosur se Bashkimi Sovjetik e kishte tepruar me spiunimin e Mbretërisë së Bashkuar, kryeministrja britanike përzuri 31 spiunë sovjetikë. Bashkimi Sovjetik u hakmor me shpejtësi duke përzënë 25 britanikë që i konsideronte spiunë.

Në mesin e prillit, Republika Çeke ndërmori një operacion edhe më të guximshëm, duke përjashtuar hiç më pak se 18 rusë (siç pritej, Moska u përgjigj duke përjashtuar 20 çekë). Përplasja erdhi pas shpalljes së ndëshkimeve të reja për regjimin rus nga presidenti amerikan Joe Biden. Edhe Shtetet e Bashkuara edhe Republika Çeke iu përgjigjen agresionit, ndërsa veprat e tyre ilustrojnë një dilemë urgjente: si të merret hak kundër agresionit që është i patolerueshëm – por që nuk është luftë.

“Me siguri se kemi thyer zemrën e aktiviteteve të papranueshme të inteligjencës në Londër”, kishte thënë Thatcher menjëherë pas përjashtimit të spiunëve. Në mesin e prillit, gjatë hetimit të shpërthimit misterioz të një depoje municioni në vitin 2014, autoritetet çeke njoftuan se kishin identifikuar fajtorët: kush tjetër pos zyrtarëve të agjencisë ruse të inteligjencës GRU Ruslan Boshirov (emri i vërtetë Anatoly Chepiga) dhe Alexander Petrov (emri i vërtetë Alexander Mishkin), të cilët janë akuzuar gjithashtu për tentimvrasjen e rusëve Sergei dhe Yulia Skripal në Salisbury të Anglisë më 2018. Kryeministri çek Andrej Babis mund të kishte parafrazuar Thatcher-in gjatë shpalljes së përjashtimeve, meqenëse aktivitetet e deposë së armëve kishin qenë të papranueshme.

Përderisa Thatcher-i ishte përgjigjur ndaj spiunimit të madh, qeveria çeke u desh të merrte hak për shpërthimin që vrau dy vendas. Përjashtimi i 18 diplomatëve, të cilët dyshohen të jenë zyrtarë të inteligjencës, nga një vend relativisht I vogël si Republika Çeke (popullsia 10.7 milionë) është hap i guximshëm, por edhe edhe logjik. “Ambasada Ruse në Pragë është një prej vendeve me pëqendrimin më të madh të stafit të inteligjencës ruse”, thotë Jan Padourek, ish zëvendësdrejtori i agjencisë së inteligjencës Zyra Çeke për Marrëdhënie së Jashtme dhe Informacion. “Sipas inofmatave publike të shërbimeve çeke të inteligjencës, stafi i inteligjencës mund të përbëjë gati 50 për qind të numrit total të të punësuarve në Ambasadën Ruse në Pragë dhe dy konsullatave të përgjithshme në Brno dhe Karlovy Vary, ku punojnë rreth 130 njerëz”.

Falë këtij përqendrimi të madh, Republika Çeke ka gjetur një mënyrë të drejtpërdrejtë për t’i bërë me dije Rusisë se nuk do të tolerohen shpërthimet vdekjeprurëse nga zyrtarët rusë në tokën e saj. “Aftësitë e inteligjencës së Rusisë në Republikën Çeke janë dëmtuar, por sigurisht se nuk janë paralizuar ende”, thotë Padourek.

Sidoqoftë, vendet Perëndimore të cilat nuk posedojnë mjete të tilla në dispozicion përballen me një dilemë edhe më urgjente: si të merret hak për aktivitetet që nuk përbëjnë luftë, por që gjithsesi janë të patolerueshme? Sigurisht, Shtetet e Bashkuara janë përballur me këtë dilemë që prej vitit 2016 dhe shumë vite më përpara, kur u bë e qartë ndërhyrja ruse në zgjedhjet amerikane. Megjithatë, të paktën më 2016, Shtetet e Bashkuara pothuajse nuk dhanë fare ndonjë përgjigje. Një arsye ishte se presidenti i atëhershëm amerikan Donald Trump nuk pati gatishmëri të ndëshkojë Rusinë, por tjetra është se ishte e paqartë se në çfarë mënyrë saktësisht një demokraci liberale do të mund të merrte dot hak ndaj agresioneve të tilla të zonës së hirtë, siç janë vrasjet, ndërhyrjet në zgjedhje dhe sulmet kibernetike?

Patjetër që edhe Shtetet e Bashkuara do të mund të hakonin atë shtet, por një demokracie liberale nuk i shkon për shtati që të hakmerret për një vrasje përmes vrasjes në tokë të një vendi tjetër. Është natyrisht ilegale që qeveritë të vrasin njerëz në vende tjera në paqe,ndonëse ky fakt nuk e ka frenuar CIA-n dhe organizata të tjera prej përpjekjeve të tilla. Pastaj është edhe një sfidë tjetër poashtu: kur është një agresion i zonës së hirtë mjaftueshëm serioz sa të detyrojë vendin e shënjestruar që të përgjigjet dhe kur do të duhej thjesht të pranonte agresionin si çmim që duhet paguar për faktin e të qenit pjesë e botës së globalizuar?

Javën e kaluar, Biden deklaroi se nuk do të pranonte më valën e sulmeve ruse, të paktën këtë radhë. Sulmi kibernetik i vitit të kaluar SolarWinds në programet kompjuterike që kanë përdorur disa burokraci qeveritare, së bashku me ndërhyrjen në zgjedhje më 2020 dhe posaçërisht më 2016 nuk është e assesi pranueshme. Megjithatë, është e rëndësishme të mbahet mend se sulmi kibernetik SolarWinds që i atribuohet rusëve nuk ishte vepër e shkatërrimit, por operacion i mbledhjes së të dhënave dhe se Shtetet e Bashkuara dhe vendet Perëndimore angazhohen gjithashtu në kësolloj spiunazhi kibernetik. Ashtu si me Mbretërinë e Bashkuar më 1985, spiunazhi thjesht është bërë shumë i madh. Qeveria amerikane duhej të bënte diçka pa dënuar vetë praktikën e spiunazhit.

Në fjalën e tij, Biden-i tha se kishte përzënë 10 diplomatë të ambasadës ruse në Uashington dhe kishte sanksionuar 6 firma ruse – gjë e zakontë kur një vend tenton të shprehë pakënaqësinë ndaj një vendi tjetër. Ai gjithashtu sanksionoi borxhin qeveritar rus, qe do të thotë se bankat amerikane nuk do të jenë në gjendje të blejnë obligacione të huave ruse. Kjo do t’i dhembë Rusisë më shumë se përjashtimet e diplomatëve, të cilat janë aq të zakonshme sa që vendet supozojnë se ato do të ngjajnë dikur. Në një kuptim më të gjërë, Biden-i tregoi se demokracitë liberale mund të bëhen më inovative kur është çështja te hakmarrja ndaj agresionit të zonës së hirtë dhe se mund ta bëjnë këtë duke përdorur mjete ligjore.

Në fakt, ndëshkimi më inovativ deri më sot ka ardhur nga Britania – jo ajo e Thatcher-it, por e Theresa May-t. Brenda disa ditëve pas tentimvrasjës së Skripal-ëve nga ana e Chepiga-s dhe Mishkin-it, qeveria britanike nën udhëheqjen e May-t kishte bërë lidhjen e aktit me qeverinë ruse dhe kishte mbledhur një koalicion ndërkombëtar që kolektivisht përjashtoi 153 diplomatë rusë; Shtetet e Bashkuara përjashtuan më së shumti (60), pasuar nga Mbretëria e Bashkuar (23). Rusia u kundërpërgjigj duke përjashtuar 189 diplomatë të atyre vendeve dhe të të tjerave që përzunë rusët në shenjë solidariteti. Por, kjo nuk ishte pjesa kreative.

Ç’është e vërteta, më vonë u zbulua se Britania kishte bërë shumë më shumë se kaq. “Ne përzumë tërë rrjetin e inteligjencës ruse nga MB-ja”, tha këshilltari i atëhershëm i sigurisë kombëtare Mark Sedwill për gazetën Times of London. “Por gjithashtu ndërmorëm një varg masash të tjera diskrete”. Sedwill nuk ishte aq i hapur sa t’i emëronte ato, por shpjegoi se “do të përdorim teknika të ndryshme. Duhet të shfrytëzojmë pikat tona të forta dhe të përqendrohemi në dobësitë e tyre. Nuk do të ndërmarrim operacione ilegale, por ka gjëra që mund të bëjmë. Ka disa dobësi që mund t’i eksploatojmë, gjithashtu.” Dobësitë përfshinin “ndërprerjen e disa prej rrjedhjeve të jashtëligjshme të parave jashtë Rusisë, dhe masa të tjera të fshehta, poashtu”. Qeveria nuk ka zbuluar se cilat qenë saktësisht ato masa.

Marrë parasysh aktivitetin e jashtëligjshëm financiar që është karakteristikë e vendeve autoritare, ndërprerja e rrjedhjeve të jashtëligjshme të parave është strategji premtuese kur është çështja te përballja me Rusinë, Kinën dhe cilindo shtet tjetër autoritar që do të provojë të dëmtojë vendet Perëndimore. Përjashtimet e diplomatëve nuk janë vetëm të parashikueshme; vendet rrezikojnë të mos kenë më diplomatë për të përzënë – dhe ambasadat e tyre do të zbrazen gjithashtu. “Përjashtimi i 20 punëtorëve të Ambasadës Çeke në Moskë do të gjymtojë plotësisht aktivitetet e misionit diplomatik çek në Rusi”, thotë Padourek. “Të gjithë diplomatët nga sektorët politikë dhe ekonomikë të ambasadës, u dërguan në shtëpi, përfshi zëvendësambasadorin. Vetëm stafi i konsullatës mbeti. Diplomatët e deportuar u desh të lëshonin Moskën brenda 24 orëve”.

Goditje të tilla vështirë të pranohen nga një komb sovran. Këtë javë, Republika Çeke njoftoi se do të përjashtonte gjigantin energjetik rus Rosatom nga tenderimi për ndërtimin e termocentralit bërthamor të Çekisë. Kjo më gjasë do të nxisë një tjetër kundërpërgjigje nga Moska, qoftë edhe sa për sy e faqe. Në fakt, zona e hirtë është fushëbetejë po aq e ndërlikuar sa edhe ajo tradicionale. Republika Çeke as për së afërmi nuk sheh të njejtën sasi të rrjedhjes së jashtëligjshme të parave që kanë zanafillën në Rusi, sesa MB-ja. Megjithatë, ajo ka aleatë: ç’është e vërteta, këtë javë ajo i kërkoi aleatëve të Bashkimit Evropian dhe NATO-s që edhe ata të përjashtojnë diplomatët rusë. Në këtë rast, ajo mund të kopjojë May-n dhe të kërkojë nga aleatët e saj ndihmë të llojllojshme. Për çështje të agresionit që nuk është luftë, aleatët mund të ndihmojnë njëri tjetrin në mënyra të reja dhe të papritura.

***

Artikulli origjinal në Foreign Policy

***

 

Ky artikull mbështetet nga “Sbunker” përmes projektit të financuar nga Ambasada Amerikane. Mendimet e shprehura këtu janë të autorit dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.