Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Gjërat më të mira në jetë janë falas. Përfshi detin Jon.

Si çdo vit, sa më shumë që nxehet moti, së bashku me vështirësitë në frymëmarrje rritet dhe numri i pushuesve të acaruar që ankohen e afishojnë foto faturash për shërbimin në bregdetin shqiptar kryesisht, por dhe në vendet e tjera të pushimit nëpër Shqipëri.

“1500 lekë për një pjatë karkaleca ?!” “1000 lekë çadra në rresht të parë??” Edhe parkimi paska shkuar “300 lekë”? “Nuk mbusha dot telefonin! Nuk thaje dot flokët! Më mirë të lahesh me shishe ose mos u laj fare, se me atë dush pa pikë presioni!” “Mohito me grenza 700 lekë”… etj., i dimë të gjitha.

Të njëjtat frustrime ndaj dhe unë. Ngjitesh për në dhomë duke shpresuar që do ketë shtypje uji. Shkon drejt bankomatit duke uruar që do e kenë furnizuar me lekë a euro a jen po qe nevoja. Pyeta një fast food: “me çfarë është salca?” dhe më tha: “po deshe provoje”. Këto janë problemet e Shqipërisë. Është një vend jo i pasur, pa histori turizmi e shërbimi, dhe pa infrastrukturë për të përballuar qindra mijëra turistë që zbarkojnë në Shqipëri në periudhën korrik-gusht.

Por gjithashtu, është po i njëjti vend që çdo vit zhvillohet e përmirësohet. Jo më larg se në 2007 ishin thjesht 3 restorante në Dhërmi ku në vend që të porosisje ti, merrje ti porosi nga shefi që mos të porosisje më se iu ça koka atij. Jo më larg se 2008, nuk kishe rrugë për Sarandë e as Drimadhe. Jo më larg se 2009 shumica e çadrave ishin lecka që i merrte era e të vinin fytyrës. Plehrat mblidheshin një herë në Shën Llesh. Banorët e fshatrave duke mos pasur pikën e idesë se ç’është turizmi, i trajtonin të gjithë vizitorët si kriminelë a priori. Dhe nuk kishe zgjedhje për dhoma pushimi më luksoze, ngado që të përplaseshe, do përfundoje te banuesit e zonës që i kishte zënë turizmi tërësisht pa përgatitur.

E kuptoj që edhe kjo rritja eksponenciale e çmimeve na erdhi pak si papritur të gjithëve. 700 lekë janë çadrat më të lira larg ujit dhe bën mirë t’i rezervosh. 800-900 lekë për pasta të thjeshta. 400 lekë frape, 700 lekë koktej. Se edhe pa qenë ekonimist/e, nuk do mend të kuptosh se rrogat nuk po na rriten në përpjestim të drejtë me këto çmime. Dhe për shqiptarët, nuk është se ka shumë zgjedhje. Prapë se prapë këto mbeten pushimet më të lira për ne. Dhe për më tepër, jemi të bekuar me natyrë e me plazhe të atilla që njerëzit fluturojnë mijëra kilometra për t’i shijuar.

Mirëpo para se të mërzisim veten dhe t’ia bëjmë bajat pushimet njëri-tjetrit, duhet të konsiderojmë disa faktorë:

1 – Këto ankesa janë për plazhe private dhe restorante luksoze, të paktën në krahasim me çfarë ofrohet aty, jo çfarë ka në botë. Gjithë zhvillimet që kanë ndodhur 10 vitet e fundit – kryesisht shtrimi i asfaltit nëpër shumicën e gjireve –  kanë sjellë dhe shumë mundësi zgjedhje, që as që konsideroheshin 8 vjet më parë. E ke zgjedhjen të mos e paguash çadrën aq shtrenjtë; merr tënden dhe ngule. E ke zgjedhjen mos të hash 1500 lekë karkaleca; ka restorante të lira edhe mensa plot, dhe shumica e dhomave ofrojnë edhe kuzhinë. Nëse po paguan 3000 – 4000 lekë për një dhomë bazike, ku futeni 3-4 vetë, nuk ke shumë ç’të presësh, as nga fuqia e rrymës elektrike: i ke parë me sy stacionet elektrike, të cilat sivjet më në fund po shtohen për të përballuar fluksin e madh të njerëzve? Gjërat po ecin, por ngadalë.

2 – Nuk mund të ndajmë me krenari bukurinë e vendit dhe reklama të tipit “Visit Albania” pa i pësuar vetë pasojat e kësaj thirrjeje. Ardhja e turistëve do të thotë më pak hapësirë për ne vendasit dhe rritje çmimesh, kjo vjen me formulën e thjeshtë të ofertës dhe të kërkesës.

3 – Nuk mund të ulesh në një restorant me ballkon mbi një ndër detet më të bukura në Europë, i cili përpiqet të ofrojë pjata çdo vit e më të shijshme dhe pëpiqet (pavarësisht sa ia del!) të shërbejë me standard, e të presësh të paguash sa restorantet e peshkut nëpër rrugicat me pluhur të qyteteve jobregdetare.

Megjithatë rashë dakord më sipër që jam dhe unë e frustruar me çmimet marramendëse, po për këtë pikë së pari kam veten për të gjykuar, sepse unë jam nga ato që herë pas here zgjedh vendet e shtrenjta, dhe pse i di mirë skutat e lira. Një ndër arsyet që i zgjedh është dhe sepse më jep lumturi që Shqipëria tashmë ofron gjithçka, mendoj se është shenjë zhvillimi.

Dhe pikë së dyti, kam menaxhimin e këtyre vendeve për të gjykuar, sepse po shoh çdo vit e më shumë sesi po luajnë një lojë të pasinqertë me ne pushuesit, ngado qofshim. Po rrisin çmimin çdo vit më shumë për meritat që ka deti, gurët dhe shkëmbinjve, sesa meritat që ka faktori njeri.

E ke ndarë mendjen që do ma japësh 1000-1500 lekë me qira çadrën me 2 shezllonge në rend të parë? Pse, sepse deti? Po detin nuk e bëtë ju aq të bukur. As shkëmbin, as perëndimin e diellit. Ama, ju mund të bëni të bukur përvojën time në këtë plazh. Së pari, mos më lër ngjitur me çadrën tjetër, dhe së dyti, ofro diçka nga shtëpia në këtë çmim, përfshi dhe buzëqeshjen e aq pritur të shërbimit, që shpesh sillen sikur i hymë në gjak që u ulëm aty.

I ke veshur në mënyrë elegante kamarierët të cilët përpiqen shumë të jenë të sjellshëm më standarde? Krenohesh me pjatat e tua? E ke ballkonin buzë detit, dhe me këtë rast e ke 900 lekë pastën me fruta deti? Po mirë për këto erdha dhe unë. Por mos ma vono 45 minuta ushqimin sepse je plot. Ose në qoftë se të rrëshqiti situata nga duart, që të gjithëve u ndodh tani në gusht, eja kërko falje, ma jep falas pjatën (ose një ofertë tjetër!) dhe bëj çmosin që unë të kthehem prapë, dhe jo të ndihem e turpëruar që u ankova së bashku me zorrët e mia.

E bleva 700 lekë mohiton? Sepse vjen nga një bar me emër në Tiranë apo Prishtinë? Po mirë, ku është akulli? Ah, s’paska rrymë për momentin! E qartë, nuk është në dorën tënde. Po as në timen nuk është, dhe unë e pagova me çmim të plotë. Më jep të dytën falas, apo jo?

Po ashtu dhe ti dhoma 110 euro buzë detit, që i ke çarcafët e patharë mirë dhe ke një sapun që nuk shkumëzon, dhe në mëngjes të mbarohet reçeli dhe kamerieri ngre supet. Nëse të ka dalë situata nga duart dhe ty, nuk e kam ndërmend të them si ta parandalosh, por kërko falje dhe bëj oferta edhe ti, se ke një çmim për të justifikuar.

Kjo që po ju kërkoj nuk është asgjë tjetër veçse pjekuri. Nuk po ua kërkoj fshatarëve vendas apo plazheve e restoranteve modeste pa prepotencë që kanë funksion vetëm të ushqejnë njerëzit. Po jua kërkoj juve bizneseve që vini nga kryeqytetet, që keni vlerësim të lartë për veten, që keni bërë një investim më serioz se të tjerët, dhe që keni fituar kulturën e turizmit në perëndim.

Ju po më kërkoni të paguaj cilësi, me çmim të plotë, ndërkohë që vetë po e ofroni gjysëm.

Detin Jon nuk e bëtë ju, as gurët e bardhë, e as shkëmbinjtë. Ju keni në dorë të bëni përvojën, ndaj përvishini mëngët seriozisht, sepse ne jemi për t’u marrë seriozisht.

 

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.