Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Gjermania po hedh ujë të ftohtë mbi romancën Biden-Europë

As ardhja e administratës amerikane pro-europiane nuk mund të meremetojë dot çarjen brenda koalicionit trans-atlantik.  

Pas katër viteve të armiqësisë së pandëprerë të presidentit Donald Trump ndaj Europës, inaugurimi i Joe Biden-it javën e kaluar kishte të gjitha tiparet dalluese të një filmi epokal të harmonisë trans-atlantike. Në anën tjetër të Atlantikut, ndjenja e lehtësimit ishte e dukshme – dhe askund më shumë se në Gjermani, e cila vazhdimisht ka qenë objekt i tërbimit të Trump-it. Në sondazhin e fundit të YouGov dhe Friedrich Ebert Stiftung, 73 përqind e gjermanëve pëlqejnë Biden-in, krahasuar me vetëm 62 përqind në Francë dhe 50 përqind në vetë Shtetet e Bashkuara.

Në Berlin, zgjedhja e Biden-it u prit me fjalime pasionante nga kancelarja gjermane Angela Merkel, presidenti Frank-Walter Steinmeier, ministri i jashtëm Heiko Mass, dhe ministrja e mbrojtjes Annegret Kramp-Karrenbauer – të gjithë duke ofruar variante të Marrëveshjes së Re trans-atlantike. Grupe ekspertesh gjermanë e amerikanë shkruan raporte me rekomandime të imta se si të ringjallen marrëdhëniet SHBA-Europë. (Edhe unë mora pjesë në dy përpjekje të tilla, si kjo and kjo.)

Ndërkaq në Uashington, yjet kanë vazhduar të shndërrisin për Europën. Sekretari i ri i Shtetit Antony Blinken, në seancën e konfirmimit në Senat, i thuri lavde “aleancave themelore” të Shteteve të Bashkuara dhe u zotua për lidership me “përulësi”, duke shtuar se “asnjë prej sfidave që kemi përpara nuk mund të tejkalohen nga një vend i vetëm.” Kjo është muzikë për veshët e europianëve – dhe jo vetëm në Berlin. Ekipi i politikave të jashtme dhe sigurisë i administratës Biden përbërhet nga një grup europianistësh të ditur, me përvojë, e të përkushtuar.

Sidoqoftë, janë ca çarje që po shihen përbrenda koalicionit trans-atlantik, të cilat nuk i meremeton dot madje as ardhja e administratës amerikane pro-europiane. Dhe kjo çarje po vjen nga Gjermania. Tre kundërthënie të veçanta që kanë dalë në pah që prej zgjedhjes së Biden-it, ilustrojnë faktin se sa të vështirë e ka ekonomia më e madhe europiane që të bashkërendojë instinktin e saj të thellë pë të kërkuar marrëdhënie të mira si me miqtë dhe armiqtë, me faktin e parehatshëm se një peisazh i zymtë strategjik mund ta detyrojë Gjermaninë të rreshtohet më afër Perëndimit – dhe ta paguajë çmimin për këtë.

Së pari, Gjermania është forca kryesore shtytëse e marrëvëshjes jo të mirëpritur mes Bashkimit Europian dhe Kinës, e cila me gjasë do të jetë burim kryesor dhe jetëgjatë i mosmarrëveshjes mes SHBA-së dhe Europës. Krejt në fund të vitit 2020, nën presidencën gjermane dhe e udhëhequr nga vetë Merkel-i, BE-ja nënshkroi Marrëveshjen Gjithëpërfshirëse për Investime (CAI) me Kinën, duke shkaktuar pakënaqësi të mëdha në të dy anët e Atlantikut.

Së dyti, zgjedhja e Armin Laschet-it pasardhës të Merkel-it në Partinë KristianDemokrate, që faktikisht e bën kandidat për kancelar në zgjedhjet e shtatorit në Gjermani, shënon një tjetër burim të çarjes trans-atlantike. Guvernatori i tanishëm i shtetit të Nordrhein-Westfalen Laschet është nën mbikëqyrje lidhur me respektin që ka treguar në të kaluarën për presidentin rus Vladimir Putin dhe diktatorin sirian Bashar al-Assad.

Telashja e tretë e nënvizon edhe më tej pushtetin e Rusisë mbi politikën gjermane, dhe aftësinë e saj që të shkaktojë çarje mes Gjermanisë, partnerëve të saj europianë dhe Shteteve të Bashkuara. Manuela Schwesig, guvernatorja socialdemokrate e shtetit Mecklenburg-Vorpommern, është promovuese e palodhsme e gazsjellësit kontroverz Nord Stream 2, që do të sjellë gazin rus në Gjermani përmes shtetit të saj. Ajo po kritikohet për shkak të krijimit të të ashtuquajturit fondacion ambiental të financuar me 20 milionë Euro nga pronari rus i gazsjellësit, Gazprom. Një zëdhënës i Schwesig-ut u shpreh hapur se fondacioni u krijua si front për të shmangur sanksionet amerikane ndaj firmave të përfshira në projekt.

Është tunduese që të tre rastet të lexohen si variacione të një motivi të vetëm, e të mirënjohur: nacionalizmi gjeoekonomik i Gjermanisë dhe përpjekja e saj për baraslargim mes Perëndimit, të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, dhe Lindjes, që sot nënkupton Rusinë dhe Kinën. Kjo kritikë është sheshuar me kohë nga akademikë gjermanë si Hans Kundnani. Megjithatë, e verteta është sa e rëndomtë, aq edhe e ndërlikuar.

Koha kur Putin-i dhe qeveria e tij kishin ndonjë kredit në Berlin ka kaluar, falë aneksimit të Krimesë nga Rusia më 2014, luftës në Ukrainën lindore, hakimit të kompjuterëve të parlamentit gjerman më 2015, vrasjes së disidentit çeçen më Berlin vitin e kaluar, dhe tentimvrasjes së fundit të liderit të opozitës ruse Alexei Navalny. Prapa dyerve të mbyllura, politikanët dhe biznesmenët gjermanë e pranojnë me mundim se kostoja politike e Nord Stream 2-shit e tejkalon çdo përfitim ekonomik. Por, Gjermania është vend federal: Schwesig-u qeveris një shtet të varfër dhe është në hall për çfarëdo investimi, ndërsa autoriteti qendror nën Merkel-in po zbehet para zgjedhjeve kombëtare. Presioni i sanksioneve amerikane – pale letrën plot zemërim të tre senatorëve amerikanë që kërcënonte kryetarin e komunës së një porti të vogël baltik i cili është nikoqir i gazsjellësit në anën gjermane – i ka vënë gjermanët, përfshi edhe kritikët vendas të projektit, në pozicion defanziv.

Si kancelar i ardhshëm i mundshëm, Laschet-i mund të jetë arsye më serioze për brengosjen trans-atlantike. Ai shpesh përshkruhet si version mashkull i Merkel-it, por kjo është e pasaktë. Me gjithë maturinë dhe ftohtësinë në dukje, Merkel-i ka transformuar rrënjësisht politikën gjermane. Përkundrazi, Laschet është rikthim në politikën e Gjermanisë Perëndimore para bashkimit, që mbizotërohej nga rrjetët e njejtë të pushtetit rajonal, kryesisht të meshkujve katolikë, prej të cilave ka dalë Laschet-i. Bindja e tij se Gjermania mund të jetë europiane dhe trans-atlantike, dhe njëkohësisht e gatshme të ndërtojë marrëdhënie të afërta me Rusinë e Kinën, është vazhdimësi e dëshirës së vjetër gjermanoperëndimore për të ekuilibruar Perëndimin dhe Lindjen – politikat e Luftës së Ftohtë të Westbildung and Ostpolitik. Në mënyrë të pashpjegueshme, Laschet-i duket se nuk e sheh nevojën për të përmirësuar qasjen në politikën e jashtme, që të ballafaqohet me realitetin e ri të përkeqësimit të ambientit strategjik të Europës – ku një akt i tillë i ekuilibrimit po shihet me dyshim nga partnerët e Gjermanisë – ose edhe me ngritjen e tij në skenën kombëtare.

Kohët e fundit në Berlin, perceptimet e Kinës nën Xi Jinping-un janë mprehur gjithashtu, kryesisht si kundërpërgjigje ndaj paraqitjes agresive dhe eksploatuese të Kinës globalisht, por edhe në Europë. Megjithëkëtë, përderisa marrëvesha e re e investimeve mes BE-së dhe Kinës po festohet si fitore strategjike në Pekin, diplomatët në Bruksel dhe Berlin e mbrojnë CAI-në si përparim të madh në përpjekjen për ta shtyrë Kinën të adoptojë standarde ndërkombëtare të transparencës dhe të të drejtave të punës, përkundër dosjes së dobët të Kinës në përmbushjen e zotimeve në të kaluarën. Europianët vënë gishtin te marrëveshjet e ngjashme me Kinën të nënshkruara nga administrata e Trump-it dhe një sërë qeverish aziatike, dhe thonë se vetëm po e bëjnë lojën më fer për firmat europiane që të kenë qasje në tregun e madh të konsumatorëve në Kinë. Por Merkel-i kishte nevojë gjithashtu për një fitore për industrinë e automjeteve, të varur gati krejtësisht nga eksporti dhe të goditur thellë nga pandemia. Përderisa siguroi përkrahjen e presidentit francez Emmanuel Macron, disa qeveri të tjera europiane janë të brengosura dhe kritike. Kritika e zëshme u dëgjua gjithashtu nga Parlamenti Europian, i cili duhet ta miratojë marrëveshjen.

Emëruesi i përbashkët i këtyre tre episodëve nuk është as noacionalizmi cinik gjeopolitik, as naiviteti strategjik, por, fatkeqësisht, shkurtpamësia. Të bësh sikur Europa dhe Shtetet e Bashkuara në njërën anë, dhe Rusia e Kina në anën tjetër, mund të trajtohen si ekuivalente dhe të mbahen në ekuilibër, ose që projektet si Nord Stream 2 dhe marrëveshjet si CAI janë ekonomike dhe reciproke për nga natyra – kur në të vërtetë ato janë politike, strategjike dhe të shpikura nga Moska dhe Pekini për të armatosur ndërvarësinë – të gjitha këto dëmtojnë unitetin europian dhe kohezionin trans-atlantik, duke i tjetërsuar partnerët dhe aleatët e Gjermanisë. Në fund të fundit, këto janë autogola – vepra që nuk janë madje as në interesin e Gjermanisë. Liderët gjermanë e dinë këtë, e prapëseprapë vazhdojnë.

Sido që të jetë, ende nuk është vonë të paramendohet një politikë më e vendosur strategjike europiane karshi Rusisë dhe Kinës, e tillë ku Gjermania si ekonomi kryesore e Europës do të luante rol kyç. Breshëria e kritikës mund ta shtyjë Gjermaninë në atë drejtim. Një politikë e tillë kurrsesi nuk do të nënkuptonte përjashtimin e bashkëpunimit me Rusinë dhe Kinën rreth çështjeve transnacionale si pandemia apo ndryshimi klimatik. Një politikë e tillë do të pranonte ndërvarësinë si realitet gjeografik, ekonomik dhe teknologjik. Krahas kësaj, do të vendoste fuqishëm bashkëpunimin global dhe angazhimin ekonomik në kontekst të rivalitetit sistemik, do të këmbëngulte në reciprocitet dhe vija të kuqe, dhe do të kishte gatishmërinë të përdorte me më shumë vendosmëri përparësinë substanciale ekonomike dhe politike të Europës. (Punimet e fundit akademike mbi strategjinë e Indo-Paqësorit të botuara nga disa kombe të BE-së, përfshi Gjermaninë, janë fillim i mbarë.) Dhe një politikë e tillë do të merrte parasysh mbështetjen ruse për diktatorët në Bellorusi dhe Siri, dhe se shtrëngimi kinez i fqinjve demokratikë si Korea e Jugut dhe Taivani kanë ndikim mbi vlerat dhe sigurinë e Europës. Në fund, ajo do t’i jepte fund fantazive të autonomisë europiane përballë ose Rusisë ose Kinës – temë e parapëlqyer jo vetëm në Berlin, por edhe në Paris.

Pikërisht këtu mund të ndërhyjë administrata e Biden-it. Europianët kanë nevojë për sigurinë amerikane karshi bullizmit rus dhe kinez – dhe supozimi i kësaj sigurie u shkund me themel në katër vitet e fundit. Ndërkaq, Shtetet e Bashkuara kanë nevojë për bashkëpunimin diplomatik, ekonomik dhe rregulativ të BE-së. Por ekipi i Biden-it – ndonëse më miqësori ndaj BE-së në dekadat e fundit – është i ndarë mes optimistësh dhe pesimistësh, kur vjen puna te mundësia e bashkëpunimit me Europën, veçanërisht rreth Kinës, çështjes më të rëndësishme për ta. Kolegu im Thomas Wright nga Brookings mendon se CAI mund të ketë lëvizur ekuilibrin drejt pesimistëve. Së paku, barra e argumentimit të Nord Stream 2 dhe CAI bie mbi Brukselin, dhe më së shumti mbi Berlinin, për të dëshmuar se janë seriozë rreth një qasjeje më strategjike dhe gjithëpërfshirëse karshi forcave autoritare që sfidojnë Perëndimin dhe rendin global.

A janë gati dhe a kanë vullnet politikbërësit gjermanë të ftojnë homologët e tyre amerikanë në këto bisedime? Thuhej dikur për liderin palestinez Yasser Arafat se kurrë nuk humbte mundësinë që të humbte mundësinë. Do të ishte për keqardhje nëse Gjermania, do ta humbte mundësinë në Uashington – posaçërisht duke pasur parasysh se mundësia mund të jetë kohëshkurtër. Por liderët e Gjermanisë duhet të kenë parasysh se një pozicion më proaktiv dhe strategjik mund t’iu jepte më shumë përparësi jo vetëm ndaj rivalëve, por edhe miqve të tyre.

***

Artikulli origjinal në Foreign Policy

****

 

Ky artikull mbështetet nga “Sbunker” përmes projektit të financuar nga Ambasada Amerikane. Mendimet e shprehura këtu janë të autorit dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.