Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Gjykimi i radikalizimit si mohim i përgjegjësisë shoqërore

Si pasojë e kuptimit të gabuar të dukurisë së radikalizimit, ose ekstremizmit të dhunshëm, që e sheh atë si dukuri të huaj dhe të botës së cmendurisë, ai po luftohet me masa të dhunshme dhe me një qasje shkishëruese, duke refuzuar ta pranojmë në vetëdije se radikalizimi është prodhim i shoqërisë sonë dhe të radikalizuarit pjesëtarë të shoqërisë sonë. Ky gabim është i qëllimshëm dhe me të synojmë ta heqim përgjegjësinë nga vetja si shoqëri për këtë problem dhe ta projektojmë atë jashtë nesh.

Mënyra sesi po e adresojmë problemin e radikalizimit është e gabuar. Kur kjo dukuri na tronditi së pari, e quajtëm “çmenduri”, ndërsa radikalistët “të krisur”.[1] Me këtë klasifikim, sikur donim të thonim se këto akte janë irracionale dhe se për to nuk mund të ketë shpjegim shkencore. Por, kur e pamë se kjo nuk pin ujë dhe me këtë nuk mund ta mashtrojmë as vetveten, tani radikalizimin e dënojmë si të huaj, e radikalistët sikur të mos ishin pjesëtarë të shoqërisë sonë. Dhe ky gabim është i qëllimshëm. Është strategji me anë të së cilës mohojmë se kjo dukuri lëshoi rrënjë dhe u zhvillua mu në gjirin e shoqërisë sonë dhe se radikalistët janë pjesëtarë të shoqërisë sonë: të rinj, nxënës, studentë, fqinj tanë, fëmijë tanë, vëllezër e motra tona, pjesëtarë të komunitetit tonë, shkurt bashkëqytetarë tanë. Por, ne nuk duam ta pranojmë në vetëdijen tonë se ata janë tanët.

Autoritetet shtetërore, duke dashur të heqin përgjegjësinë nga vetja, fajin ia hedhin të “krisurve” në mesin tonë ose të radikalizuarve që në shoqërinë tonë janë të huaj, duke dashur ta projektojnë si diçka të jasthme që na importohet në shoqëri, e shkaqet të kërkohen nga jashtë shoqërisë, tek investimi dhe infiltrimi i të huajve. Nga ana tjetër, Bashkësia Islame e Kosovës (BIK), duke qenë e paaftë të përfytyrojë dhe të udhëheqë një model fetar në shoqëri dhe të ofrojë një politikë pozitive të edukimit e afrimit të pjesëtarëve të komunitetit, me një fjalë të udhëzojë, zgjedh një qasje shkishëruese ndaj pjesëtarëve të radikalizuar (dhe ndonjëherë viktimave potencialë) në mesin e komunitetit. Edhe kjo organizatë, ngjashëm si shteti, sikur don të thotë se të radikalizuarit nuk janë tanët dhe se nuk mbajnë përgjegjësi për ta.[2] Qëndrime të këtilla kanë marrë edhe një numër komentuesish në media, që quhen e vetëquhen “analistë”. Këta, ndonjëherë i kanë paraprirë këtyre qëndrimeve, e ndonjëherë i kanë ndjekur pas ato. Mirëpo, këto dy qasje “negative”, domethënë që vetëm gjykojnë e ndëshkojnë, vetëm po cenojnë liritë[3] dhe po nëpërkëmbin dinjitetin e njeriut.

Mirëpo, as shteti e as BIK-u nuk mund ta heqin përgjegjësinë, ose së paku një pjesë të përgjegjësisë nga vetja dhe ta projektojnë atë tek “të krisurit” e shoqërisë, ose “të huajt e infiltruar”. Kjo është e rëndësishme të kuptohet e pranohet, nëse duam ta adresojmë drejt problemin. Dhe, që ta adresojmë në mënyrë të duhur atë, së pari duhet ta kuptojmë drejt. Mohimi i përgjegjësisë shoqërore për këtë dukuri, nuk ndihmon. Se radikalistët megjithatë, janë tanët. Njerëzit nuk lindin radikalistë a terroristë, por bëhen të atillë. Ajo që të rinjtë i radikalizon e i bën terroristë është kombinimi i gjendjes së pashpresë në mjedisin e veçantë socio-kulturor të vendit tonë, si edhe joshja që ofron ideologjia fundamentaliste radikalise islame. Me fjalë të tjera, shoqëria jonë i shndërroi të rinjtë e pashpresë, të paarsimuar, e të papunë në shpirtëra që urrejnë e makina që vrasin pa e ditur as vetë pse.

Shteti mundet sa të dojë që radikalistët t’i gjykojë si të krisur a të huaj, por një mjedis si i joni gjithnjë do të prodhojë ekstremist të dhunshëm pavarësisht se ne i klasifikojmë ata si “të krisur” e “të huaj”. Edhe BIK-u mund të shkishërojë sa të mundet pjesëtarët e komunitetit musliman, por në boshllëk të një edukimi të mbarë e të gjerë fetar, gjithmonë do të ketë ideologji “të huaja” për të plotësuar atë boshllëk. Andaj, për një qasje të duhur ndaj problemit në fjalë duhet të adresohen këto dy shkaqe: mjedisi social dhe boshllëku edukativ. Njëkohësisht, të radikalizuarëve dhe viktimave potenciale të radikalizimit duhet qasur me arsye, e jo emocion. Të rinjtë e pashpresë dhe të frustruar duhet mbajtur në gjirin e shoqërisë, e jo të demonizohen, përjashtohen, e tëhuajtësohen nga shoqëria e komuniteti duke i shpallur armiq të shtetit e duke i përjashtuar nga kupola e fesë. Nuk është mënyrë e sigurt që kësaj fuqie ideore t’i përgjigjemi me forcë dhe kësaj të lige me një të ligë tjetër.

Me kombinimin e qasjes negative të shtetit dhe BIK-ut, të rinjëve të radikalizuar po u përçohet porosia se janë të përjashtuar, të huaj e të poshtëruar dhe se nuk kanë të ardhme në shoqërinë tonë, dhe për më keq, as nëse pendohen dhe duan të ndihmojnë! Kështu, duke i kriminalizuar, futur në burgje dhe shkishëruar, të tillët nuk do të mund t’i kthejmë kurrë në gjirin e shoqërisë. Atyre po u themi: nuk jeni tanët, nuk keni vend në shoqërinë tonë! Mirëpo, ata janë njerëz, tekefundit. Dhe, si të gjithë njerëzit, kanë nevojë psikologjike bazike t’i përkasin një bashkësie e të pranohen si të barabartë në të. Nëse nevojën për përkatësi nuk e plotësojnë në komuntetin e tyre, atë do ta kërkojnë gjetiu në shoqëri të tjera e në botën virtuale.

Si reagim ndaj këtij problemi, është ndërmarrë strategjia që emërtohet me shprehjen “deradikalizim” e përcjellë me aktivitete standarde, si vetëdijësimi i të rinjve në shkolla për radikalizimin, përfshierjen e klerit fetar për të zhvilluar një kundërligjërim të radikalizimit, e të ngjashme. Mirëpo, “deradikalizimi” edhe si koncept është problematik dhe i papërshtatshëm, për sa kohë që me të së pari fetarizohet ekstremizmi i dhunshëm, e pastaj më kot tentohet ta zgjidhë atë në fushën fetare ekskluzivisht, në vend se të shohë faktorin fetar, ose më saktë ligjërimet e caktuara fetare, vetëm si lehtësuese a mundësuese (“facilituese”) të dukurisë në fjalë në një kontekst më të gjerë politik, social e kulturor. Aq më pak është e përshtshme strategjia e “luftës kundër radikalizimit” dhe madje kundërproduktive, për aq kohë sa, edhe kjo, së pari parasupozon praninë e radikalizimt si fakt i dhënë pa shikuar në faktorët e rrethanat që e sjellin ose shaktojnë atë dhe në dinamizmin e vetë dukurisë dhe, më pas, kësaj forme të dhunës i përgjigjet me dhunë shtetërore.

Dhe kjo nuk është vetëm hamendje, por e dëshmuar nga përvoja. Fati jonë në këtë fatkeqësi është se nuk jemi ndër shoqëritë e para që përballen me këtë problem. Në Lindje e Perëndim kjo dukuri është e pranishme më moti nga përvoja e të cilave mund të studiojmë mënyrat e ndryshme sesi shoqëritë e ndryshme i janë adresuar problemit dhe të vlerësojmë e të shohim efektet e tyre edhe nga perspektiva kohore. Model që nuk duhet ndjekur është ai i diktaturave të Lindjes së Mesme, se pikërisht në burgjet e Egjiptit, Sirisë e Irakut janë zhvilluar idetë radikaliste dhe kanë dalë ithtarët më të flaktë të tij. Model i mirë është drejtësia norvegjeze dhe trajtimi që ajo i bën Anders Breivikut, një ekstremisti të dhunshëm djathtist që kishte kryer një vepër të rëndë terroriste në vitin 2011, i cili u gjykua pa dhembshuri, por që megjithatë iu garantuan të drejtat themelore dhe dinjiteti njerëzor, si gjatë gjykimit ashtu dhe dënimit. Garancitë ligjore që mbrojnë të drejtat themelore të një vrasësi mizor ideologjikisht e fetarisht të motivuar si Breiviku dhe që respekton dinjitetin e tij njerëzor, përkundër veprës makabre të tij, assesi nuk mund të kuptohen si përligjje ose qëndrim i zbutur ndaj krimit të tij.[4]

Për të përmbledhur, gjykimi i ashpër dhe emocional që i bëjmë radikalizmit dhe radikalistëve, si “të krisur”, “të huaj”, “të shitur”, “lufta” që shteti i ka shpallë atij e që nënkupton ndjekje dhe burgosje të protagonistëve të supozuar, si edhe qasja shkishëruese e BIK-ut dhe ithtarëve të kësaj qasjeje,  që dënon lajmërimin e vdekjes dhe kryerjen e ritualeve fetare mortore për ekstremistin e dhunshëm Lavdrim Muhaxherin, e që parasupozon se kështu gjykojmë personin dhe veprat e tij mizore, ka për qëllim të pastrojmë veten si shoqëri nga përgjegjësia për krijimin e një mjedisi të përshtatshëm socio-ekonomik, politik, edukativ, kulturor, fetar e identitar për zhvillimin e radikalizimit.

Si përfundim, qëndrimi dhe reagimi ndaj një personi dhe veprave mizore të tij, mund të kundrohet nga dy anë. Nga njëra anë, individi është përgjegjës për veprat dhe zgjedhjet që bën, rrjedhimisht edhe subjekt i shqyrtimit ligjor dhe i gjykimit moral të shoqërisë për të dhe për veprat e kryera. Nga ana tjetër, sjellja e individit mund të shpjegohet në kontekst të formimit dhe të ndikimit të rrethit shoqëror dhe kontekstit të caktuar socio-kulturor. Ky artikull ka në fokus pikërisht këtë të dytën, pra. Na pëlqeu a jo, radikalizimi është problem i yni si shoqëri, ndërsa radikalistët, janë tanët. Se njeriut nuk lind mizor, por bëhet. Shoqëria e keqe e stërkeq, dhe e çnjerëzon atë. Duke e hedhur fajin tek individët “e krisur” a “të huaj”, nuk marrim përgjegjësinë që na takon si shoqëri, për këtë dukuri, dhe as nuk e adresojmë si duhet problemin.

______________________

[1] Ish-Ministri i MPB-së, Skënder  Hyseni, në një intervistë në RTKintervista e plotë.

[2] Për aq sa mund të bazohemi në raportimet e medias, si ilustrim dramatik i kësaj qasjeje është qëndrimi i BIK-ut ndaj një rasti tash së voni kur një imam në Kaçanik njoftoi për vdekjen e të dyshuarit për terrorizëm Lavdrim Muhaxherit , rast me të cilin udhëheqësia qendrore e BIK-ut shkarkoi kryetarin e saj në Kaçanik. Megjithatë, qëndrimi i BIK-ut ndaj është dykuptimësh, pasi që pjesëtarët e saj ngushëlluan familjen e L. Muhaxherit për vdekjen e  ndonëse janë deklaruar kundër kryerjes së ritualeve mortore fetare për tëtij,.

[3] Mbi farsën e “luftës kundër terrorizmit” në Kosovë të bazur në prova joserioze apo të paqena, duke ngritur dyshime për raste të motivuara politikisht është raportuar në media dhe për të kam shkruar më parë  në artikullin: “Burimet e radikalizimit islam”.

[4] Për model mund të merren edhe praktika të tjera se si policia daneze i adresohet radikalizimit të të rinjve myslimanë, si këtu.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.