Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Grahmat e mbrame të humanizmit religjioz

Jeta s’ka kuptim por asht pa fund madhështore.

Njeri e don jetën madje edhe kur asht i kputun prej dhimbjeve që i pëson. E don edhe kur e shan me tërbim ose kur me dorën e tij, e vret. Për njifarë kohe, njeri për të cilin po flas mun’ me shiju madhështinë e saj, e mandej nuk mundet ose s’mundet prej nga vjen fjala sëmundje e gjuhës sonë standarde. Smuja lëshon dhimbje dhe na e sjell pa shumë bujë vdekjen. Sado i zhurmshëm a i potershëm koftë dikush, jeta e braktisë pa asnji fjalë. Vdekja shenjon ndamjen tonë prej saj. Ky asht fati ynë i mbramë që na ndjell shumë ankth tanë kohën. Duhet forcë me përballu pamjen që e shfaq realiteti.

Ama, islami dhe krishterimi (e jo veç kto) dolën nga realiteti, i mbyllën sytë para vuejtjes, e ndërtuen nji narrativë që e ‘kuptimsonte’ jetën dhe i ‘bishtnonte’ fatit të mbramë. Ne vuejmë por kjo jetë asht kalimtare – thonë me nji za ato.

Kollaj shihet edhe ktu nji dashni e madhe për jetën, veçse kto fe dojnë me disiplinu dhe me robnu përgjithnji. Shembull, fjala përjetësi e tregon nji robnim diskursiv të jetës (nënkupton jetën që s’ka fund). Ndërkohë me disiplinë dojnë me kadalsu ritmin zakonisht të hallakatun që e ka ajo. Dojnë me vendosë nji ritëm të cilin e përballon i dobti, mjerani, shndetligu e do tjerë që s’i ka dashtë fort natyra e fati. Kto fe e kanë nji humanizëm që i kthen kundër natyrës. Njeri të cilin e himnizojnë asht i dobët por me njifarë thelbi eleastik, që e quejnë shpirt. Kështu u tejkaluen njiherë e mirë kufijtë e vendosun nga natyra (vdekja, vuejtja, përthyemjet e kështu me radhë). Ka diçka tjetër, mas asaj që duket – rrejnë ato rrëfime. Madje, rrena u përpunu aq shumë sa s’mun’ shprehej nji pohim aq i thjeshtë si ky i Sartre-it: “Ajo që ekziston, është pikërsht ajo që shfaqet”.

Te humanizmi religjioz frymon nji përpjekje e përhershme për tjetërsimin e pamjes që na shfaq rrethanën e mjeranit, të dobtit, shndetligut ose ma shkurt, rrethanën e atij që s’mun’ jeton, që asht tu’ vdekë. Njerzimi, nuk don me i pa kta njerëz ashtu siç janë sepse i ndjellin dhimbje lemeritse për veten. Humanizmi i rrëfimeve në fjalë asht ndërtu si kundërshtim ndaj fatit që na pret. Ai na shtyn të përftojmë te pamja që shohim nji element shtesë tejnatyror, të quejtun shpirt.

Pamja e tmerrshme e nji lebrozi që dergjet, merr ngjyra tjera. Realiteti i pamjes kapërcehet. Tashma, lebrozi megjithse dergjet, rënkon e vuen – në sytë e nji humanisti asht nji qenie e mbinatyrshme, e pavdekshme, që ka shpirt. Vuejtja e ktyne qenieve tejbartet nga realiteti në njifarë horizonti të përziem realo-ideal. Anash reales asht vizatimi i imagjinatës që na e nxisin ato rrëfime. Me u marrë me vuejtjen e tyne nënkupton me u marrë me dhimbjen tonë. Asht vizatimi i imagjinatës ai që na çliron nga dhimbja dhe frika.

Kështu vijmë në rrethanën që u ndërtu prej rrëfimeve fetare, ku ka ma pak tutë, ma pak lojë e ma pak jetë. Nji rrethanë që i përngjanëspitalit ku vëmendjen e kanë njerzit pa shndet.

Pra, rrëfimet e diktojnë ritmin e jetës me nji normativë të ngushtë që i ndrydhë krejt instinktet ma jetsore. Kjo ndrydhje e disiplinon dhe njikohshëm e rrudhë jetën.

Kto rrëfime u idealizuen aq shumë sa kushdo që i kundërshtonte përndiqej, që në fund të ditës, të vritej me stile mizore. Mbrohej me ngulm shëmtia e jetës. Mbrohej me ngulm, ajo që nuk dukej te dukja. Me të vetmin qëllim, që jeta të zgjerohej matanë kufijve të saj natyrorë, që vdekja e papranueshme të vdiste.

Ama, erdhi nji kohë e re që e solli nji epistemë të re. Të dyja fetë, të kundrueme prej asaj episteme duken banale e naive. Në fill të shekullit XX, Vatikani e pranoi që rrëfimi i tij kishte shumë mangsi teorike dhe s’mun’ përligjej me arsye. Disa ligjërime islame po e vazhdojnë terrorin me nji zell të habitshëm edhe sot, por kapitullimi duket në sfond. Edhe ata do ta pranojnë që rrëfimi i tyne s’gjen mbështetje në arsye dhe kështu, do t’u duhet t’i përkushtohen nji jete thjesht spirituale. Ama, e keqja asht që besimi se njeri asht në qendër të gjithçkaje asht shpërnda gjithandej. E besojnë në padijeni edhe ateistët, agnostikët e ku ta di unë.

Në gjeocentrizmin e provuem fals, ku thuhej se toka asht qendra e botës dhe gjithçka sillet rreth saj, fshihej dëshira që njerzimi të ishte në qendër. Pra, kur thuhej toka asht në qendër, mendohej për njerin, njerzimin. Falë Zotit, Koperniku na mësoi që dielli nuk sillet rreth tokës (planeti ynë asht veç nji ndër miliarda trupa tjerë qiellorë) dhe iluzioni se njeri asht në qendër, u çorr. Njeri asht thjesht nji krijesë e vogël me randsinë e nji mize. Rrëfimet në fjalë, tu’ i dhanë randsi iluzore ekzistencës individuale të secilit prej nesh, veç sa na larguen ma shumë prej pranimit të vdekjes. E keni pa, sa e vështirë ishte për monarkët e diktatorët që ta pranonin se kishin nevoja fiziologjike, që ishin të vdekshëm e kishin dhimbje, e që në përgjithësi i nënshtroheshin natyrës. Pra, e vështirë asht për njerin që beson te randsia individuale, te shpirti, me kuptu se i përket natyrës dhe kurrgja ma shumë se kjo.

Nji tjetër mbeturinë me peshë e humanizmit religjioz asht bamirësia. Ajo e zgjaton ma andej jetën spitalore, ku modeli për t’u ndjekë asht ai që s’mun. Për ta kuptu ma kjartë thelbin bosh të bamirësisë, le të udhtojmë me mendje për në Indi ku në shekullin e shkuem ndodhi njifar bamirësie kolosale që e mori vëmendjen e botës.

India asht vend i madh me kulturë të lashtë. Feja e ktij vendi, nuk asht e sertë si islami e krishterimi. Ajo nuk beson që njeri ka shpirt e që njerzia mun’ m’i ikë vuejtjes. Ktu asht pika kulmore e saj.

Gandhi – nji personalitet i shquem hindu – nuk ka besu te kura e mjekut, te ndihma që dikush i jep nji shndetligu, te bamirësia. Nuk ka dashtë spitale nëpër Indi. Ka mendu se njeri që s’mun’, duhet me vujtë  si ndëshkim për gjynahet në jetën e maparshme. Bamirësia veç e vonon shpagimin – simas tij.

Ky asht me pak fjalë besimi i Gandhit dhe i popullit indian (78% prej tyne janë hindu). Secili – prej jush –  ka ndi për Buddhën, karmën, nirvanën ose ndoshta për Siddhartën e Hermann Hesses. Kjo kulturë gjendet kahmos në tokën e perëndimit. Edhe te Nietzsche, Hitleri e Platoni që besojnë se atij që ka shndet të lig duhet me ia shpejtu vdekjen. Edhe te Borgesi që e sheh budizmin gojëhapun, i mahnitun prej tij. Me nji fjalë: epitetin ‘primitive’ për kulturën në fjalë, duhet me hjekë prej mendjes.

Megjithatë, mbas pavarsimit prej Britanisë, India asht ballafaqu me nji ndërhymje tjetër në kulturë. Tu’ e tërheqë zvarrë kufomën e qelbun të humanizmit, Nanë Tereza shkoi me ripushtu Indinë. Ajo s’pati kurrfarë konsiderate për kulturën e atij vendi… me nji eksitim të rrallë e nisi nji mision bamirësie që vilte shumë përfitime ama edhe i lehtonte dhimbjet e njerzve që vdisnin. Sidoqoftë, ajo e kishte nji të përbashkët me kulturën hindu: në momentin kur merrej me lehtimin e vuejtjeve e harronte veten, e shkrinte unin. Por, ekzistonte edhe nji moment i dytë në të cilin ajo e ‘ngjallte’ veten për t’u paraqitë nëpër evente të ndryshme ku merrte shpërblime të ndryshme.

Kështu, ajo mbeti ajo (vetja e saj) dhe fitoi shumë famë! Shumë medalje nderi iu dhanë, tu’ përfshi edhe çmimin Nobel për paqe. Udhëtoi me avionin privat të mashtruesit Charles Keating, poshtë e përpjetë. U dyshu për keqpërdorime me fonde. U dyshu për trajtime joadekuate mjeksore (me nji shiringë i jepte injeksion krejt spitalit). E madje, edhe për hipokrizi sepse n’do shkrime e pranon që asht ndi jobesimtare ndërsa, në emën të Zotit e ka udhëheqë misionin bamirës. As miqsia me diktatorin Jean Claude Duvalier dhe shtetin komunist shqiptar nuk shihet me sy të mirë. Ky asht profili i bamirëses!

Punë e madhe! Kjo s’ka ndonji të keqe serioze, nëse flasim drejt. Paragrafi nalt e kallxon veç nji ftyrë egoisteje e të papërsosun të humanistes. Fundja, askush s’asht i përkryem. Anipse, dikush edhe mun’ me u mrekullu prej vetes sa herë që e kqyrë pasqyrën ose sa herë që e ndihmon dikend për “sevapë”.

Dalëkadalë Nanë Tereza u ba edhe figurë e fuqishme politike. Donte me e shtri ndikimin e saj nëpër botë. Nisi luftën kundër abortit, divorcit dhe çashtjeve tjera që i mbronte katolicizmi. Nisi të merrej shumë me lotët e fmive të palindun, e ma pak me lotët e fmive që po vdisnin kohë mbas kohe në shpitë e saj ndihmuese në Kalkutë. Ajo luftoi që njeri të mbeste i shenjtë, e kështu të glorifikohej vuejtja e tij.

Simbas saj, pa marrë parasysh kushtet ekonomike a sociale, fmija i nisun duhet me u lindë. Çdo spermë – thotë kjo logjikë – e meriton nji emën. Çdo sesion seksi, duhet me mbaru me mbarsje. S’ka lidhje nëse kjo bjen ma shumë dhimbje në botë. Sa ma shumë fmi të vuejtun, aq ma shumë ‘klientë’ bamirësie të cilëve para se me i mblu vorri, Nanë Tereza vetë, do t’ua rrëfente përrallën e Krishtit për jetën tjetër. Ky asht humanizmi religjioz!

Vepra e saj i dha nji epërsi morale (asht fjala për moralin e rrëfimeve) katolicizmit e me ktë, krejt Evropës që s’ndihej mirë mbasiqë e terrorizoi botën me luftna, eksploatime e me nji kulturë dekadente ama që vijon me operu me kategoritë morale të rrëfimeve.

Njerzit vuejnë dhe shuhen vazhdimisht. S’mun’ kapërcehet asnjiherë dhimbja. Humanizmi asht nji koncept i pakulluem që pikon kahdo naivitet e tutë. Bamirësia veç e arrnon të keqen. Asht nji luftë dëshprimtare kundër makthit që e sjell vdekja. Bamirësia mundohet me shndoshë tutën tonë për vdekjen. Kur e shohim nji varfanjak tuj dekë, na e paramendojmë veten tonë në atë pozitë – kish thanë Freud-i. Dhe përveç kësaj, asht koha që m’u kuptu se njeri nuk ka shpirt! Njeri asht i vdekun – kumtoi Foucault tu’ e pasë ndërmend krijesën imagjinare të rrëfimeve.

Nëse flasim pa ngurrim atëherë e shohim që humanizmi i bartun në Indi prej Nanë Terezës asht kolonial. Ajo edhe sot akuzohet nga klerikë fetarë hindu, se ka konvertu hinduistë në katolikë. Ama, kjo anë e pasme e saj s’ka ndonji të keqe serioze, po e përsëris. Ballina e veprës, po!

Të marrim tani rastin e refugjatëve sirianë. Kërkohet me ngulm, një ndihmë qorre për ta, nga shtetet e perëndimit. Pa marrë parasysh çka ndodh, kemi të bajmë me jetë njerzish – arsyetojnë do-do, tu e shenjtru vleftën e çdo ekzistence individuale. Tu’ e rikthy mendimin në baltën moçalore ku ishte dikur. Po, kemi të bajmë me njerëz ama para kësaj kemi të bajmë me jetën që merr fund. Kemi të bajmë me rende të papërkryeme politike që pashmangshëm prodhojnë kriza e pore tensioni. Ndërsa përpjekjet për krijimin e nji rendi të përkryem politik sot i emnojmë si utopi.

Njerzit vdesin tanë kohën, masivisht. Edhe në momentet që po i lexoni kto fjalë (shpresoj që nuk po flas vetmevete) shumë njerëz janë tu’ vdekë. Asht e natyrshme! Mos-pranimi i ktij pohimi asht naiv. Njeri duhet me u ba pjesë e përllogaritjeve politike çdo herë. Kjo se, kanjiherë si rrjedhojë e mosllogaritjeve kanë vdekë pesë njerëz, që me u shpëtu dy. Njeri asht i hedhun në botë, pa u pvetë hiç për qejfet a mendimet e tij. Kjo asht jeta, se kështu na shfaqet!

Sartre-i na fton çiltërsisht ta zbrazim dukurinë nga ajo që nuk shfaqet prej saj. Ai beson që dualizmi qenie-dukuni e ka humbë të drejtën e qytetnisë në filozofi. Ajo që nuk duket, asht veç iluzion e gabim. Humanizmi religjioz bazohet në atë çka nuk shihet, e ajo çka nuk shihet asht nji rrenë e vërtetueme, tashma.

“Nëse njëherë i shkëpusim marrëdhëniet me atë që Nietzsche e quante “iluzioni i botëve të pasme” dhe nëse nuk besojmë te qenia prapa dukurisë, ky i fundit, përkundrazi bëhet plotësisht pozitiv, thelbi i saj është “dukshmëria”” – thotë Sartre te Qenia dhe Hiçi. (vëllimi 1, f.10)

Ndërkaq, Stalini e ironizonte moralin e perëndimit tuj thanë: “Të vrasësh nji njeri, asht tragjedi, Të vrasësh mijëra, asht thjesht statistikë!” Përnjime’, duhet me dalë prej ktij kuptimi të vyshkun që e ofron humanizmi religjioz. Asht nevojë urgjente, që të mos tingëllojmë patetik.

T’i kushtojmë randsi ekzistencës dhe jo karikaturave të demaskueme të saj! Ta mësojmë veten me vdekjen – ky asht mësimi themelor.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.