Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Grua, Majtas

Për më se tre çerek shekulli, politika ka mbështetur pabarazinë sociale brenda së ciles gruaja është viktimë parësore. Kjo gjendje mund të ndryshojë vetëm me mobilizim politik.

Nga perspektiva e shtetit të mirëqenies dhe barazisë sociale, gruaja kosovare mbetet strukturalisht në situatë të pafavorshme. Kushtet kufizuese, së pari, krijohen nga mungesa e institucioneve direkte që në mënyrë domethënëse do ta forconin pozitën materiale të gruas. Dhe, së dyti, vetë fakti që pabarazia shoqërore mbizotëron në përgjithësi, nuk i ndihmon kauzës së barazisë gjinore.

Në definimin më të thjeshtë, shteti i mirëqenies përfshin politikat e rregullimit të punës dhe të rishpërndarjes. Shtetet më të suksesshme të mirëqenies, matur me nivelin e barazisë sociale, ndjekin politika të punësimit të lartë dhe rishpërndarjes së lartë – duke i ndërlidhur ato në kuptim të gjerë – që t’i kontribuojnë ndarjes së rreziqeve dhe të drejtave.

Pas Luftës së Dytë Botërore, dhe sidomos me fillimin e periudhës së vetëqeverisjes socialiste (1952), në Kosovë ishte instaluar qasja Bismarck-iane si në gjithë Jugosllavinë, duke e mbërritur shkallën më të lartë të zhvillimit në periudhën e hershme të autonomisë. Kjo lloj qasjeje ndërlidhte punën dhe rishpërndarjen (taksat dhe transferet) në mënyrë të ngushtë, duke u dhënë rol kryesor ndërmarrjeve, punëdhënësve dhe punëtorëve; transferet për varfërinë ose ndërhyrja e shtetit kufizohej vetëm në raste të “dështimeve sociale”.

Dështimi më i madh i socializmit vetëqeverisës në Kosovë ishte shkalla e punës. Asnjëherë nuk arriti të krijonte më shumë se 23% punësim brenda popullatës në moshë pune. Si pasojë, nga një shoqëri që synonte t’i jepte fund dallimit klasor, socializmi vetëqeverisës krijoi dallime midis të punësuarve në industri dhe burokraci (që me kalimin e kohës u bë një shtresë më urbane), dhe të papunësuarve e shtresave që jetonin kryesisht nga bujqësia dhe remitancat (kryesisht rurale). Përfshirja e tërësishme maksimale e gruas në këtë shkallë punësimi ishte 21%.

Përveç dallimeve inherente etnike, duke qenë të ndërlidhura në kuptim të ngushtë me punësimin, politikat sociale rishpërndanin kryesisht tek njëra klasë: pensionet nuk mbulonin më shumë se 12% të popullatës mbi 65 vjeç, shtesat e fëmijëve jo më shumë se 37% të të gjithë fëmijëve, dhe sigurimi shëndetësor jo më shumë se 57% të popullatës (këtu shifra më e lartë vjen nga madhësia e familjeve kosovare). Në anën tjetër, transferet sociale që nuk ndërlidheshin me punë nuk mbulonin më shumë se 3% të kosovarëve.

Modeli i socializmit vetëqeverisës i ka pasur anët e veta të mira – siç kanë qenë të ardhurat e larta të pensionistëve dhe shtesat e fëmijëve që kanë krijuar një lloj solidariteti brenda klasës punëtore, por në kuptim të përgjithshëm dallimet në të ardhura nga puna shkaku i statusit (57%) dhe dallimet e përgjithshme në të ardhura të disponueshme të familjeve (38%), kanë qenë deri në njëzet pikë përqindjeje më të larta se mesatarja jugosllave. Të dhënat e pabarazisë janë të vitit 1978, përpara fillimit të krizës ekonomike më 1980, prej së cilës kohë gjendja ekonomike vetëm është keqësuar.

Kështu, ndonëse gjendja arsimore e përgjithshme u rrit, gruaja fitoi pak nga vetëqeverisja socialiste kryesisht shkaku i strukturës së punësimit. Në përgjithësi, gjithashtu, ka një ndërlidhje evidente mes dallimit klasor në socializëm dhe koncentrimit territorial të luftës së fundit në Kosovë (1998-99).

Pas luftës, administrata ndërkombëtare e UNMIK-ut ndoqi politikën e privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore, fleksibilitetit në punë dhe rishpërndarjes së kufizuar. I dizajnuar nga Banka Botërore, shteti i mirëqenies u organizua në atë mënyrë që të punësuarit ta gjejnë veten në treg, kurse qeveria të ndërhyjë duke dhënë për të gjithë (pra, edhe për të papunët) një të ardhur bazë në moshë pensioni dhe, varësisht prej vlerësimit të saj, të ndërhyjë edhe me ndihmën e varfërisë ndaj atyre që s’mund t’ia dalin në treg.

Ndonëse të ardhurat u shpërndanë më mirë se në socializëm sa i përket mbulimit të të gjithë territorit, politika e re mbeti problematike për gruan në veçanti dhe shoqërinë në përgjithësi.

Po bëhen gati dy dekada që kur besimi se tregu do të krijojë vetë vende pune pa qasje pro-aktive të qeverisë jep rezultate të njëjta: shkalla e punësimit të kosovarëve në moshë pune mbetet e ulët dhe nuk ka kaluar 25.1% (2015). Për dallim prej socializmit, punësimi nuk krijon asnjë lloj solidariteti mes punëtorëve (në të ardhura) dhe mes punëtorëve e pjesës së shoqërisë pa punë sa i përket pensioneve (transfere: kursimet janë individuale). Prej gjithë tërësisë së të punësuarve të pasluftës, më shumë se 70% janë prapë meshkuj. Kjo do të thotë se dallimet e sotme materiale do të barten në moshën e pensionit.

Për ndryshim prej socializmit, puna është e mbrojtur minimalisht, ndërsa gruaja nuk ndihmohet (duke e liruar në mënyrë indirekte) as me skemën e transfereve dhe kujdesit për fëmijët. Ndonëse prej vitit 2006 ekziston skema e mbrojtjes së lehonisë për gratë e punësuara, trajtimi i pabarabartë eksplicit institucional i grave në përkujdesje të fëmijëve, mungesa e madhe e solidaritetit mes punëtorëve dhe struktura e trashëguar historike e punësimit, e bën pozitën e gruas të pafavorshme si gjendje materiale dhe parimore.

Gruaja nuk ndihmohet as nga pabarazia në nivel të shoqërisë. I vetmi lloj solidariteti prej atyre që marrin paga me të tjerët vjen prej taksës në të ardhura personale. Por, shpenzimi social i Kosovës është në përgjithësi më i vogli në Europë, me diku 5.5% të GDP-së në pagesa që nuk vijnë nga kursimet personale. Ndonëse rreth 20% e popullatës merr transfere minimale sociale, mbi 70% e të varfërve nuk mbulohen nga ndihma sociale. Shpenzimi i vogël është i programuar të rezultojë i këtillë me politikat sociale, ndërsa mbulimi i kufizuar i varfërisë vjen edhe prej programimit edhe prej cilësisë së qeverisjes. Duke financuar pothuajse gjithçka prej taksës në konsum dhe pagesave direkte (në shëndetësi), ka edhe elemente të rishpërndarjes perverse (prej të varfërve kah të gjithë).

Në vitet e fundit, modifikimet në institucionet për ish-punëtorët kontributdhënës në kohën e socializmit, kategoritë e luftës (sidomos veteranët) dhe ish të përndjekurit politikë – për arsye të trashëgimisë strukturore dhe mënyrës si janë instaluar – shkojnë sërish kundër balancës gjinore në të ardhura, barazisë etnike dhe shoqërore. Zbritja e progresivitetit në taksat e të ardhurave personale gjithashtu shkon kundër solidaritetit.

Më 2014, pabarazia e përgjithshme në të ardhura në Kosovë arriti 43.7%. Edhe dallimet ndërmjet viseve rurale dhe urbane filluan të kthehen, me thellim të varfërisë në zona larg qyteteve. Gjithashtu, koncentrimi i të ardhurave në 20 Përqindëshin (klasën) më të pasur është rritur duke kaluar 50% të të gjitha të ardhurave.

Të gjitha këto disproporcionalitete dhe mungesa solidariteti, ndërlidhen dhe ridefinojnë të konceptuarit e nënshtetësisë (ose qytetarisë). Gjithnjë e më shumë ato nuk janë duke krijuar ndarje të rreziqeve dhe të drejtave sociale, por dallime gjinore, rajonale, etnike dhe të meritave – që të gjitha në thelb dallime klasore materiale prodhuar prej pushtetit politik. Në këtë hegjemoni disproporcionalitetesh, pabarazia ndaj gruas tentohet të legjitimohet.

Treçerek shekulli na ka mësuar se dallimet e mëdha me kohë sfidojnë bashkëjetesën, autoritetin e rendit publik dhe vetë njerëzinë.

Nëse kërkohet një shoqëri e barabartë, me të drejta ekuivalente sociale, këto politika duhet të ndryshojnë: duke krijuar institucione që forcojnë direkt pozitën e gruas (barazia në punësim dhe të ardhura), në mënyrë indirekte (kujdesi ndaj fëmijëve dhe arsimi), dhe politika që përkrahin shtimin e punës, barazinë e përgjithshme dhe të konceptuarit e nënshtetësisë si model jetese dhe të drejtash ekuivalente. 

Treçerekë shekulli na ka mësuar se për këtë duhet vetëm mobilizim politik.
Prandaj, grua, rruga jonë drejt 8 Marsëve tjerë është: majtas.
Sjellshin sa më shumë pushtet politik. 

_____________

Shënim: Artikulli është botuar fillimisht në “Koha për gratë” / Qendra Kosovare për Studime Gjinore, më 8 mars 2017. Kalkulimet e mbulueshmërisë së transfereve sociale dhe pabarazisë janë të autorit dhe bazohen mbi të dhënat burimore të Agjencisë (Entit) së Statistikave të Kosovës.

Bllogu mbështetet nga Friedrich-Ebert-Stifftung, zyra në Kosovë. Mendimet e shprehura në këtë bllog nuk paraqesin medoemos besimet e Friedrich-Ebert-Stifftung.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.