Ky është konkurs.
Për studentë e aktivistë të përkushtuar në komunitet.
Po kërkojmë të rinj të moshave 17-22 vjeç (nuk e kqyrim për pak) që besojnë në ndryshim dhe dëshirojnë të ndikojnë në krjimin e lëvizjeve, në formësimin e shoqërisë. Po kërkojmë tru aktivë.
Për çka po bëhet fjalë?
TruAktiv është program alternativ i edukimit që synon avansimin e mendimit kritik dhe qasjeve kritike në të kuptuarit e shoqërisë dhe angazhimit qytetar në komunitet e shoqëri. Këtë e bëjmë përmes seancave që udhëhiqen nga studiues e ekspertë, ku njohuritë shkëmbehen përmes diskutimeve interaktive mes pjesëmarrësve. Mjeti primar i ligjëruesve në TruAktiv është diskutimi, i cili shoqërohet me prezantime të shkurta, punë në grupe, video-materiale apo prezantimeve përmes telekonferencave.
Në modulin e radhës, Angazhimi Civil, pjesëmarrësit do të nisen nga eksplorimi i praktikave të mira të lidershipit në komunitet, duke vazhduar tek menaxhimi strategjik i nismave qytetare, themelimi dhe funksionimi i organizatave jo-qeveritare si dhe zhvillimin e formave të komunikimit publik (PR & Avokim) për ta përçuar mesazhin e tyre. Për më tepër, duke punuar me trajnerë me përvojë, pjesëmarrësit do të trajnohen edhe në metodat e hulumtimit – metodologji.
Kur dhe ku?
Sesionet do të mbahen përgjatë muajit dhjetor, në datat 02-14, në Prishtinë.
Kush ligjëron?
Ligjëruesit tanë janë studiues, kryesisht nëpër universitete evropiane, profesionistë të shquar dhe personalitete të jetës shoqërore, të cilët janë të përkushtuar për përmirësimin e kapaciteteve menduese në shoqëri. Shumë shpejt do të publikohen edhe emrat e ligjëruesve.
Si të aplikoni?
Plotësojeni pyetësorin e përgatitur këtu, më së largu deri më 29 nëntor, në ora 22:00.
Inkurajohen të aplikojnë sidomos të rinjtë nga zonat rurale, vajzat dhe gratë e reja, personat me aftësi të kufizuara dhe pjesëtarët e komuniteteve pakicë.
Ilustrimi: Big Eye
——-
TruAktiv mbështetet nga projekti ‘Përkrahja e Luksemburgut për shoqërinë civile në Kosovë’, financuar nga Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).