Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Historia komplekse e marrëdhënieve Kosovë-Rusi (II)

Kozyrev, Primakov, Ivanov dhe Lavrov

Ministria e Punëve të Jashtme ruse rezulton një nga më të vjetrat në botë. Ajo qe themeluar në vitin 1802 nga një manifest politik i carit Aleksander I. Që nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik dhe formimit të Federatës Ruse e deri më tani, diplomacia ruse është drejtuar nga katër personalitete ruse me prioritete të ndryshme të politikës së jashtme. Përderisa, Andrey Kozyrev (1991-1996) dhe Igor Ivanov (1998-2004) akuzoheshin nga ultra nacionalistët rusë për lëshime ndaj Perëndimit dhe mos pengim të zgjerimit të NATO-s në drejtim të kufijve rus, Jevgeny Primakov (1996-1998) mëshironte sentimentet nacionaliste e pansllaviste, ndërsa Sergej Lavrov, një diplomat i rryer nga shkolla ruse, njihet para së gjithash për qasje anti NATO dhe për rikthim të rolit multidimensional e global rus.

Në raport me zhvillimet në Ballkan, Kozyrev ishte një partizan i përfarimit të Rusisë me Perëndimin. Ai madje kishte përkrahur ultimatumin e vitit 1994 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ndaj Beogradit, duke përçuar qëndrim unik me Perëndimin për Bosnjën. Për këtë vendim ai ishte kritikuar ashpër nga ultra nacionalistët rusë në Duma, që në emër të përfarimit me Perëndimin, ai po tradhton mbrojtjen e interesave pan sllaviste dhe ortodokse. Gjatë luftës së Bosnjës vlen të përmendet se, atë që shtetet perëndimore prej vitesh nuk arritën ta bënin me Beogradin dhe me serbët e Bosnjës, Kozyrev arriti që përmes zëvendësit të tij Vitali Tschurkin, të ndërmjetësojë me serbët e Bosnjës (Radovan Karagjiqin dhe Ratko Mlladiqin) për pranimin e marrëveshjes së ofruar nga ndërmjetësit ndërkombëtarë në vitin 1994.

Më këtë manovër diplomatike ruse, Rusia përpos që u rikthye në Ballkan si fuqi politike, dëshmoi peshën politike dhe ndikimin historik e religjioz që posedon tek serbët, ndikim i cili ishte i mirëseardhur atëbotë për ndaljen e tragjedisë në Bosnje. Me këtë sukses diplomatik ndërmjetësues, Federata Ruse ia siguroi vetës – në mënyrë indirekte – të bëhet pjesë e Grupit të Kontaktit për Bosnjën nga 1994. Por, në anën tjetër edhe shtetet perëndimore me në krye SHBA-të ishin mjaft të interesuara ta përfshinin Rusinë si partnere në rendin e ri botëror të pas Luftës së Ftohtë, sikurse që ishte rasti i mbështetjes sovjetike kundër invadimit të Irakut ndaj Kuvajtit në gusht të vitit 1990.

Lufta e Kosovës dhe ambivalenca ruse

Me shpërthimin e luftës së Kosovës u riaktivizua edhe formati i Grupit të Kontaktit për Kosovën, në të cilin grup diplomacia ruse përfaqësohej nga Igor  Ivanov. Sidoqoftë, me përkeqësimin e situatës në Kosovë, qëndrimi konstruktiv i Moskës po bëhej më i vështirë dhe toni i saj ndaj Perëndimit gjithashtu ashpërsohej. Si rezultat i spastrimit etnik dhe dëbimit të shqiptarëve të Kosovës, NATO kërcënoi Beogradin me veprime ushtarake. Kur NATO tregoi vendosmërinë e saj të fortë përmes manovrave ushtarake në Shqipëri dhe në Maqedoni, Moska kaloi në ofensivë diplomatike duke ndërhyrë drejtpërdrejt në çështjen e Kosovës edhe atë në nivelin më të lartë shtetëror.

Në qershor 1998 presidenti Jeltsin ftoi për herë të parë presidentin jugosllav Millosheviq në Moskë, me të cilin arriti një marrëveshje që ndryshe njihet si “Marrëveshja Jeltsin-Millosheviq”. Në këtë kontekst, është e rëndësishme të theksohet se kjo manovër politike u ndërmor nga Jeltsin, nga njëra anë për të qetësuar qarqet pro-sllave, ortodokse dhe nacionaliste që vlonin në Rusi dhe, nga ana tjetër, për të mos lënë skenën gjeopolitike të Ballkanit vetëm në duar të Perëndimit.

Kështu që, për Jeltsin çështja e Kosovës ishte padyshim çështje e brendshme jugosllave, por me marrëveshjen e tij me Millosheviqin në Moskë, me të cilin marrëveshje për herë të parë Millosheviqi bindet, se çështja e Kosovës nuk përbënë më vetëm çështje të brendshme të Beogradit. Jeltsin në këtë takim thuhet se ia ka bërë të qartë Millosheviqit se ai nuk mund të llogarisë në ndihmën ruse, nëse Serbia nuk e merr parasysh këshillën e Kremlinit. Realisht, me këtë marrëveshje hapet edhe rruga e themelimit të Misionit Diplomatik Vëzhgues për Kosovën (KDOM) në vjeshtë të vitit 1998, në të cilin mision Rusia, së bashku me BE-në dhe SHBA-të, do të marrin pjesë me një kontingjent.

Me gjithë kërcënimin e NATO-s dhe paralajmërimin e Jeltsinit, Millosheviqi vazhdoi rrugën e tij, që e njihte më së miri: dhënien e urdhrit për vrasje, masakrime, përdhunime e dëbime. Kështu që pas përkeqësimit drastik të situatës në Kosovë, Grupi i Kontaktit hapi rrugën për negociata në formën e një Daytoni të dytë, përkatësisht drejt Rambouillesë franceze. Përfshirja e Rusisë në negociatat ndërkombëtare ishte mjaft e rëndësishme për Perëndimin. Kështu që, Federata Ruse duke u konsideruar partnere e barabartë me SHBA-të dhe BE-në, por me qëndrime të përafërta me Beogradin, u përfshi edhe në procesin e bisedimeve në Rambouillet përmes diplomatit Boris Majorksi.

SHBA-të tashmë kishin riangazhuar Richard Holbrooke, i cili që nga viti 1993 kur Clinton kishte hyrë në Shtëpi të Bardhë bënte thirrje për angazhim më të madh amerikan në Ballkan. Edhe pse mendimi i tij vlerësohej në administratën Clinton, ai megjithatë nuk kishte ndonjë ndikim të veçantë, ngaqë nuk ishte në rrethin e vendimmarrjes në Washington.

Si një njeri që kishte nuhatur punët në Jugosllavi, Holbrooke kishte arritur që shqetësimin e tij për Bosnjën t’ia transmetonte Hillary Clintonit, se “Bosnja do të jetë kancer i presidencës Clinton”. Paralajmërimi i tij, doli të jetë i vërtetë. Me eksperiencën e tij personale me Millosheviqin gjatë negociatave për Bosnjën dhe përvojën e tij si ambasador amerikan në Kombet e Bashkuara, Holbrooke ishte një kafshatë e rëndë, jo vetëm për Millosheviqin, por edhe për diplomacinë ruse.

Si rezultat i mosnënshkrimit të Marrëveshjes së Rambouillesë nga pala serbe, dhe rrjedhimisht edhe ajo ruse, mbeti i pashmangshëm opsioni i ndërhyrjes së NATO-s. Opsion i cili u cilësua ilegal, ngaqë nuk e kishte dritën e gjelbër të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për ndërhyrje, por legjitim sepse kishte për synim mbrojtjen e jetës së njerëzve nga makineria shtetërore e Beogradit (intervenim humanitar).

Lufta e Kosovës ishte çarja më e madhe ndërmjet Perëndimit dhe Rusisë që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë dhe për disa muaj raportet e tyre ishin në nivelin më të ultë. Këtë e pohonte edhe ministri i Jashtëm rus Ivanov në librin e tij “Diplomacia e re ruse. Vështrim dhe vizione”, sipas të cilit veprimi ushtarak i NATO-s kundër Jugosllavisë përfaqësoi “krizën më të vështirë ndërkombëtare që nga fundi i Luftës së Ftohtë”. Inatin me Perëndimin dhe përçmimin që ia bëri NATO-ja, Rusia nuk e kishte direkt me Kosovën, por ajo ndikonte ndaj Kosovës. Realisht, në të gjitha rezolutat e miratuara nga Kombet e Bashkuara edhe Rusia e dënonte përdorimin e forcës ndaj civilëve shqiptarë të Kosovës nga Beogradi, sikurse që dënonte aksionet ushtarake të UÇK-së.

Që nga emërimi i tij si president, Clinton ishte i interesuar për mbajtjen afër të Rusisë. Ai i kishte ftuar Rusinë t’i bashkangjitet për herë të parë G8-tës në vitin 1997, që ishte parë si një hap i rëndësishëm në përafrimin me kundërshtarin e dikurshëm sovjetik. Clinton kishte shpenzuar shumë energji që të krijojë një raport personal me homologun e tij rus Jeltsin, i cili çuditërisht dhe haptas kishte shprehur simpati gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 1992 për presidentin Bush.

Megjithatë, Jeltsin ishte nga të parët që e kishte uruar Clintonin për fitoren e tij dhe nuk kishte hezituar që t’i kërkojë ndihmë atij për përkrahje për reformat demokratike në Rusi dhe për ta nxjerrw vendin e tij nga kriza e rëndë ekonomike që e kishte trashëguar nga koha e Bashkimit Sovjetik. Clinton nuk kishte hezituar. Ai ishte motivuar edhe më tutje nga ambasadori amerikan në Moskë, Bob Strauss, që të bashkëpunojë direkt me Jeltsinin dhe ta këshillojë politikisht. Clinton kishte shkuar aq larg, saqë kishte menduar që vizitën e parë si president ta bënte në Moskë, por një vendim i tillë për Tony Lake, këshilltar për Siguri Nacionale, do të ishte kontraproduktiv. Ashtu edhe mbeti.

Për t’i bashkuar administratës së tij, Clinton kishte ftuar një njohës të mirë të Rusisë, të cilin në librin e tij “Jeta ime” e quante “njeriun më të plotësuar” për Rusinë. E ai ishte Strobe Talbott, shoku i tij i studimeve nga koha e Oxfordit, i cili kishte përkthyer në anglisht edhe kujtimet e Nikita Khrushchev. Talbott e kishte shoqëruar Clintonin në 18 takimet e tij me Jeltsinin. Talbott shkruan në librin e tij “Dora e Rusisë: Një kujtim i diplomacisë presidenciale”, se në dy nga takimet ndërmjet Clintonit dhe Jelstinit në vitin 1998 (në Birmingham në maj dhe në Moskë në shtator), Jeltsin nuk kishte interesim për Jugosllavinë apo Kosovën, ngaqë ai ishte më shumë i zënë me problemet e tij të brendshme në Rusi dhe çështja e Kosovës ishte një “shpërqendrim i bezdisshëm” nga fokusi i tij. Por, disa ditë më vonë Ivanov ia bënë më dije Talbottit se, Jeltsin i ka dhënë instrukstione personalisht atij, se Rusia “nuk do të tolerojë” sulmet ajrore kundër Beogradit.

Një refuzim kategorik ndaj sulmeve ajrore të NATO-s do ta shpreh Jeltsin edhe gjatë një bisede telefonike me Clinton më 5 tetor 1998. Për më tepër, Jeltsin në mënyrë të pasjellshme dhe pa përshëndetje protokollare e kishte mbyllur lidhjen telefonike me homologun e tij amerikan. E përgjigja e Clinton ishte: “Unë mendoj se ne kemi një problem real këtu”. Ashtu edhe doli.

Author

  • Faruk Ajeti

    Dr. Faruk Ajeti është bashkëpunëtor shkencor në Institutin Austriak për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Vjenë. Gjatë vitit akademik 2019/20 ishte visiting scholar i Fondacionit Austriak të Planit Marshall në Institutin për Politikë të Jashtme në Universitetin Johns Hopkins në Washington DC.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.