Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Historia komplekse e marrëdhënieve Kosovë-Rusi (III)

Për Rusinë, rasti i Kosovës kishte një ngjashmëri me probleme tjera ruse: Çeçeninë apo Tartarinë, të cilat me shumicë myslimane shiheshin nga prizmi rus në analogji me Kosovën. Të paktën këtë ia kishte thënë ministri i Jashtëm Ivanov homologës së tij amerikane: “Madeleine, nuk e kupton ti, se ne kemi shumë Kosova në Rusi?”.

Por, gjatë një takimi ndërmjet Albrightit dhe Ivanovit pas shfaqjes “La Traviata” në teatrin Bolshoi në Moskë, Albright kishte qenë direkte me Ivanovin, duke ia bërë me dije se, nëse Millosheviqi nuk do të pranojë marrëveshje me NATO-n për ndaljen e vrasjeve ndaj kosovarëve, atëherë NATO-ja do të jetë e detyruar që pa autorizim të Kombeve të Bashkuara të ndërhyjë kundër Jugosllavisë. E përgjigja e Ivanovit ishte se “Rusia asnjëherë nuk do të pajtohet me sulme ajrore kundër serbëve”. Ky ishte qëndrimi i Ivanovit, të cilin e përshkruan Albright në biografinë e saj (“Madam Secretary – A memoir”).

Intervenimi i NATO-s kundër Jugosllavisë i kishte ftohur raportet ndërmjet dy presidentëve të dy fuqive globale. Clinton e merr iniciativën dhe më 14 prill 1999 e thërret në telefon Jeltsinin, të cilit i ofron që edhe rusët të dërgojnë një kontingjent në Kosovë si pjesë e trupave paqeruajtëse ndërkombëtare. Jeltsini ndodhej nën presion të madh politik. Kundërshtarët e tij tashmë ishin në ofensivë politike kundër tij, saqë në mes të muajit maj, Jeltsini i shpëton votës së mosbesimit në Dumën ruse.

Në bisedën telefonike ndërmjet Clintonit dhe Jeltsinit ata dakordohen për rinisjen e një ndërmjetësimi ndërkombëtar me qëllim të ndaljes së luftës dhe arritjes së një marrëveshje. Jeltsini angazhon Viktor Chernomerdin, i cili së bashku me të dërguarin e BE-së, presidentin finlandez Marti Ahtisaari dhe atë amerikan, Talbott, do të hartojnë planin ndërkombëtar të paqes, plan i cili do të marrë parasysh qëndrimet e Perëndimit.

Telefonatën e parë për të qenë pjesë e negociatave Ahtisaari e kishte marrë nga Talbott. E për t’ia bërë me dije Millosheviqit duhej gjetur një personalitet i fuqishëm evropian, i cili nuk duhej të ishte sllav e as amerikan, ngaqë SHBA-të ishin në luftë me Jugosllavinë. E Ahtisaari e njihte Millosheviqin si një negociator të vështirë dhe të drejtpërdrejtë gjatë kohës kur Ahtisaari drejtoi Grupin Punues për Bosnjën në Konferencën Ndërkombëtare për ish Jugosllavinë në vitin 1992 në Gjenevë. Këtë e bënte të ditur Ahtisaari në biografinë e tij “The Mediator” të shkruar nga dy gazetarët finlandez, Katri Merikallio dhe Tapani Ruokanen.

(Largimi i Primakovit nga funksioni i kryeministrit të Rusisë në maj të vitit 1999, i cili mëshironte linjën ruse për një qëndrim të ashpër ndaj SHBA-ve, duhet parë si lehtësim për përafrimin e qëndrimeve ruse me Perëndimin për arritjen e një zgjidhje për Kosovën. E pikërisht Chernomerdin ishte antiteza e Primakovit). Kur Chernomerdin dhe Ahtisaari takojnë Millosheviqin në Beograd, ky i fundit tashmë e kishte të qartë, se “vëllai i madh” dhe i dërrmuar nga gjendja e rëndë ekonomike nuk kishte në plan të hynte në luftë me NATO-n për Serbinë. Millosheviqi e kishte kuptuar tashmë mesazhin dhe nga kjo vizitë e vetme e ndërmjetësuesve, ai dorëzohet, të cilin dorëzim nuk e quan humbje, por fitore ndaj agresionit amerikan.

Me intervenimin e NATO-s kundër Jugosllavisë, Rusia kishte zgjedhur “konfrontimin verbal” dhe jo atë ushtarak me NATO-n. Megjithatë, vendimi i Jeltsinit për dërgimin e një kontingjenti të 250 ushtarëve rus nga Bosnja për ta zaptuar Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, pa paralajmëruar NATO-n, gati sa shpiu në një luftë me pasoja katastrofale.

Kështu do t’i shprehej gjenerali Mike Jackson shefit të tij (Ëesley Clark) në librin e tij “Solder”, se “nuk do ta fillojë për ju një Luftë të Tretë Botërore”. Dhe i gjithë ky debat i karakterit gjeopolitik ndërmjet fuqive të mëdha bëhej për Kosovën.

Realisht ky incident ka shpërfaqur edhe një dimension tjetër, se sa e pa koordinuar ishte politika e jashtme ruse. Nga publikimet e memoareve të ndryshme, kuptohet se ministri i Jashtëm rus Ivanov nuk kishte asnjë ide se çfarë po ndodhte. E ajo manovër ishte organizuar nga Jeltsini me disa gjeneralë rusë.

Por, pak ditë më parë koka e mençur amerikane për Rusinë  që ishte padyshim Talbott, ishte vënë tashmë në dijeni se rusët po vazhdojnë të mos pajtohen që të vendosën nën komandë të KFOR-it në Kosovë dhe gjenerali rus Ivashov i kishte  paralajmëruar amerikanët, së në rast të hyrjes të ushtarëve amerikanë nga Maqedonia në Kosovë pa finalizimin e pjesëmarrjes ruse, atëherë trupat ruse në mënyrë unilaterale do të futen në Kosovë nga Veriu përmes Serbisë.

E ylli në ngritje i politikës ruse, Vladimir Putin, e kishte qetësuar Talbottin duke i thënë se trupat ruse do të bashkëpunojnë me NATO-n dhe komentin e gjeneralit rus Ivashov e kishte quajtur reagim emocional. Përfundimsiht, SHBA- të, BE-ja dhe Rusia ishin pajtuar tashmë (përmes Grupit të Kontaktit dhe G8) se rruga e ndalimit të luftës së Kosovës do të kalojë përmes Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, përkatësisht rezolutës 1244, e cila do të jetë udhë rrëfimi i bashkësisë ndërkombëtare ndaj Kosovës.

Federata Ruse nën Jeltsinin, sipas diplomatit rus Oleg Levitin, nuk kishte treguar ndonjë qëndrim konstant dhe vëmendje të veçantë ndaj Serbisë. Angazhimi rus në Jugosllavi më shumë ishte i një shikuesit pasiv, se sa i një vendimmarrësit serioz apo i një të interesuarit për stabilizim të rajonit. Për më tepër, Jeltsini nuk kishte hezituar gjatë një bisedë telefonike me Clintonin ta quaj Millosheviqin “xhuxh” dhe një “diktator komunist”. Përveç kësaj, Jeltsini kurrë nuk kishte vizituar Beogradin dhe kurrë nuk e kishte ftuar Millosheviqin në Moskë për të bërë një vizitë shtetërore.

Në të vërtetë, Millosheviqi e kishte vizituar Moskën dy herë, por vetëm në vizita pune edhe pse pas Daytonit ai ishte konsideruar si një partner afatgjatë. Vitet e qeverisjes së Jeltsinit ishin shoqëruar nga luftërat e brendshme dhe të ashpra politike me qëndrimet zë ngulitura (të elitës politike, mediale dhe ortodokse) anti-perëndimore. Dhe, bombardimi i Jugosllavisë ishte parë si poshtërim i mëtutjeshëm i Rusisë dhe goditje e përpjekjeve të Jeltsinit “për ta kthyer popullin tim [rus] në drejtim të Perëndimit”. Kështu e kujtonte Clinton bisedën me homologun e tij rus në librin e tij “My life”.

Për më tepër zgjerimi i NATO-s me shtetet e Evropës Lindore gjatë vitit 1999 dhe planet e saj për zgjerime të mëtutjeshëm ishin një shuplakë për perandorinë e rrënuar ruse. Nga gjykimi i Moskës, SHBA-të dhe aleatët e saj po e shfrytëzonin pamëshirshëm situatën e rëndë ekonomike e politike në të cilën ndodhej Rusia. E për Rusinë dhe historinë e saj, diktati nga dikush tjetër nuk duhej lejuar, pavarësisht që bota prej vitesh ishte futur në një “moment unipolar” të dominuar nga SHBA-të (Fareed Zakaria).

Author

  • Faruk Ajeti

    Dr. Faruk Ajeti është bashkëpunëtor shkencor në Institutin Austriak për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Vjenë. Gjatë vitit akademik 2019/20 ishte visiting scholar i Fondacionit Austriak të Planit Marshall në Institutin për Politikë të Jashtme në Universitetin Johns Hopkins në Washington DC.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.