Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

I fuqishmi i dobët i Rusisë (pjesa I)

Pazaret e rrezikshme që e mbajnë Putin-in në pushtet.

Për 21 vjet, Vladimir Putin ka mbizotëruar politikën ruse. Si manipulator i zoti i opinionit publik, ai përdor dhunën brenda vendit dhe pushtetin e mprehtë të operacioneve kibernetike dhe fushatat e spiunimit kundër armiqve të jashtëm. Gjithnjë e më shumë, analistët dhe zyrtarët perëndimorë e portretizojnë si një ish agjent të gjithëpushtetshëm e të pamëshirshëm të KGB-së, që imponon vullnetin e tij mbi Rusinë prej prapa syzeve të errëta të diellit. Ky narrativ, të cilin Kremlini bën ç’mundet që ta përforcojë, është tërheqës për t’u besuar. Putin-i ka burgosur njëriun që më së shumti i afrohet konceptit të rivalit politik – liderin e opozitës Alexei Navalny – dhe ka shtypur valën e protestave të përkrahësve të Navalny-t. Agjencitë e inteligjencës të Putinit hakuan pafytyrësisht qeverinë amerikane dhe trupat e tij po gërryejnë gradualisht ndikimin amerikan çdoku, që nga Libia, në Siri, në Ukrainë.

Sidoqoftë, nëse Putini nuk ka rivalë në shtëpi, nuk do të thotë se është i plotfuqishëm. Ashtu si të gjithë autokratët, ai përballet me kërcënimet e dyfishta të grusht shtetit nga elitat përreth tij dhe nga revoltat popullore nga poshtë. Për shkak të kompromiseve që i është dashur të bëjë për të konsoliduar kontrollin personal mbi shtetin, veglat e Putin-it për ekuilibrimin e qëllimeve garuese të shpërblimit të elitave që ndryshe do të mund të komplotonin kundër tij dhe kënaqjes së publikut, po bëhen githnjë e më pak të efektshme. Ai ka dobësuar institucionet si gjykatat, burokracitë, zgjedhjet, partitë dhe legjislaturat, ashtu që të mos kenë mundësi ta përmbajnë, që do të thotë se nuk mund të mbështetet tek to për të gjeneruar rritje ekonomike, zgjidhur konflikte sociale, madje as të ndihmojnë në dorëzimin paqësor të postit që mban. Kjo e bën të varur Putin-in në komoditetin kalimtar të popullaritetit personal dhe metodat e rrezikshme të shtypjes dhe propagandës.

Ata që kuptojnë këto dobësi shpesh vërejnë se Putin-i “po luan mirë një dorë të dobët”. Megjithëkëtë, Putin-i ka zgjedhur dorën e tij dhe kjo është e dobët kryesisht për shkak të shkëmbimeve që janë pjesë e regjimeve si ky që ka ndërtuar. Me kohë, ai do të duhet të vendosë se a do të vazhdojë me të njejtën lojë ekuilibrimi, duke e luajtur me shkathtësi dorën e dobët edhe nëse kjo e zvogëlon gradualisht pushtetin e tij, apo të provojë të përforcojë dorën duke nisur reforma ekonomike që do t’i kërcënonte njerëzit e tij në shërbimet e sigurimit, burokraci, dhe sektorin privat.

Putin-i ishte mbështetur nga një rritje e madhe ekonomike e nxitur nga nafta, që ngriti dukshëm standardet e jetesës në dhjetëvjeçarin e parë në pushtet dhe nga një valë e sentimentit nacionalist pas aneksimit të Krimesë në dhjetëvjeçarin e dytë. Me venitjen e shkelqimit të këtyre arritjeve në dhjetëvjeçarin e tij të tretë, Putin-i po mbështetet gjithnjë e më shumë tek shtypja për të neutralizuar si kundërshtarët e mëdhenj, ashtu edhe të vegjlit. Ky trend me gjasë do të rritet për sa kohë që rriten problemet e Rusisë, duke përshpejtuar një cikël të dhunës politike dhe sëmundjes ekonomike që mund të ngulfasë ambiciet e Putinit për fuqi të madhe dhe të testojë shkathtësinë e tij politike.

Rreziqet e putinologjisë

Narrativi i Putin-it si i gjithëpushtetshëm mbështetet pjesërisht nga analistët që besojnë se për të kuptuar autokracinë, duhet të kuptojmë autokratin. Për të gjetur të dhëna për politikat e tij, putinologët gjurmojnë prapavijën e liderit rus, karrierën e tij, madje edhe çfarë i pëlqen të lexojë. Analizat e tyre tregojnë një storie të pëlqyeshme të Rusisë së Putin-it, por nuk shpjegojnë dot edhe aq shumë. Në fund të fundit, Putin-i ishte po ai ish- agjent i KGB-së në vitet e para të këtij shekulli, kur mbështeste politika ekonomike liberale dhe marrëdhënie më të mira me Perëndimit, që është edhe sot, me qendrimin e vendosur antiperëndimor. Më e rëndësishme, politika ruse ndjek modele të njohura të një grupi regjimesh autoritare që shkencëtarët politikë i quajnë “autokraci personaliste.” Mënyra më e mirë për të kuptuar Rusinë e Putin-it është të studiuarit e këtij lloji të sistemit, në vend se të studiuarit e vet njeriut.

Siç kuptohet nga emri, autokracitë personaliste udhëhiqen nga individë të vetëm. Ata shpesh kanë parti politike, legjislatura dhe ushtri me ndikim, por pushteti mbi personelin e rëndësishëm ose vendimet politike gjithmonë i përket njeriut në krye. Shembujt bashkëkohorë të këtij lloji të regjimit përfshijnë Viktor Orban-in e Hungarisë, Rodrigo Duterte-n e Filipineve, Recep Tayyip Erdogan-in e Turqisë, dhe Nicolas Maduro-n e Venezuelës. Ish hapësira sovjetike është dëshmuar posaçërisht mikpritëse ndaj autokratëve personalistë: liderë të tillë sundojnë me Azerbajxhanin, Bellorusinë, Kazakstanin, Kirgistanin, Taxhikistanin, Turkmenistanin dhe Uzbekistanin. Globalisht, autokracitë personaliste tash janë tipi më i përhapur i autokracisë, duke ia kaluar me numër edhe regjimeve njëpartiake, sikurse ato në Singapor dhe Vietnam, edhe regjimeve ushtarake, si ai në Mianmar.

Autokracitë personaliste shfaqin një numër patologjish që janë të njohura për vëzhguesit e Rusisë. Ato kanë nivele më të larta të korrupsionit se sa autokracitë njëpartiake ose ushtarake dhe rritje më të vogël ekonomike, shtypje më të madhe dhe politikë më pak stabile. Sundimtarët në autokracitë personaliste kanë gjithashtu një mënyrë të përbashkët veprimi: ata ndezin sentimentet antiperëndimore për të mobilizuar përkrahësit, shpërfytyrojnë ekonominë në shërbim të miqve të tyre, shënjestrojnë kundërshtarët politikë duke shfrytëzuar sistemin ligjor dhe zgjerojnë pushtetin ekzekutiv në kurriz të institucioneve tjera. Shpesh, ata mbështeten tek një rreth i brendshëm joformal i vendimmarrësve që ngushtohet me kohë dhe emërojnë lojalistët ose anëtarët e faimljes në pozicione kyçe në qeveri. Ata krijojnë organizata të reja të sigurisë që u raportojnë drejtpërdrejt atyre dhe kërkojnë përkrahje popullore, në vend se zgjedhje të lira dhe të drejta për të legjitimuar autoritetin e tyre.

Këto prirje shpjegohen lehtë, kur kihet parasysh çfarë mund të humbin autokratët personalistë në rast se largohen nga pozita. Udhëheqësit e diktaturës ushtarake mund të tërhiqen në barakat e tyre dhe kryetarët e diktaturave njëpartiake mund të marrin poste të parëndësishme në parti, por diktatorët personalistë e gëzojnë pasurinë dhe ndikimin e tyre vetëm për sa kohë që të qendrojnë në pushtet. Me ta braktisur pushtetin, ata janë në mëshirën e pasardhësve të tyre, të cilët rrallëherë kursejnë rivalët e tyre të dikurshëm. Përgjatë 70 viteve, autokratët personalistë që kanë humbur pushtetin ose kanë përfunduar ose në azil, ose në burg, ose të vdekur.

Edhe pse mund të mos e shfaqë, sigurisht se Putin-i është i vetëdijshëm për këtë rrezik. Siç pat thënë ish-këshilltari dhe tash kritiku i liderit rus Gleb Pavlosvsky, në një intervistë të vitit 2012:

“Në establishmentin e Kremlinit… ka pasur bindje absolute se me të ndryshuar qendra e pushtetit, ose nëse ka presion në masë, ose në u shfaq një lider popullor, atëherë të gjithë do të asgjësohen. Është ndjesi e brishtësisë së madhe. Me t’iu dhënë mundësia dikujt – jo doemos popullit, ndoshta guvernatorëve, ndoshta një fraksioni tjetër –do ta shkatërrojnë fizikisht establishmentin, ose neve do të na duhet të luftojmë që t’i shkatërrojmë ata”.

Ngjashmëritë mes Putin-it dhe diktatorëve të tjerë personalistë nuk përfundojnë me brengat e tij për largimin nga pushteti. Ashtu si homologët e tij filipinas, hungarez, turk, venezuelas dhe të Azisë Qendrore, ai ka gërryer gradualisht fuqinë e legjislaturave, ka nënshtruar mediat e pavarura, ka manipuluar zgjedhjet, ka uzurpuar autoritetin e zyrtarëve të fuqishëm rajonalë. Vitin e kaluar, Putin ka nxitur ndryshimet kushtetuese të Rusisë që do t’i lejojnë të kandidojë në vitet 2024 dhe 2030. Marrë parasysh aspektet negative të mundshme nga lënia e postit si autokrat personalist, kjo përpjekje për të zgjatur sundimin e tij nuk është aq befasuese. Përball kufizimeve të ngajshme të mandateve, secili autokrat personalist në ish Bashkimin Sovjetik ka bërë të njejtën zgjedhje.

Megjithatë, duke dobësuar ato institucione politike që kufizojnë pushtetin ekzekutiv, Putin-i ka reduktuar sigurinë rreth politikave dhe ka rritur cënueshmërinë e elitave. Për pasojë, investitorët parapëlqejnë të dërgojnë kapitalin e tyre në vende të sigurta jashtë Rusisë dhe shumë të rinj rusë kanë dërguar kapitalin e tyre njerëzor jashtë vendit. Madje edhe rusët më të pasur ndjehen të cënueshëm: ata kanë tepër shumë para të thata nga pasuria e tyre dhe të ardhura më të paqëndrueshme se sa bashkëmoshatarët e tyre në vende të tjera, ndërkohë që i kanë rezistuar thirrjeve të Kremlinit që të kthejnë kapitalin e tyre në shtëpi.

Pa institucione të forta formale për të legjitimuar qeverisjen e tij, Putin-i mbështetet tek popullariteti i madh personal për të frenuar sfidat nga elitat dhe për t’i mbajtur protestuesit larg rrugëve. Përgjatë 20 vjetëve të fundit, përkrahja për Putin-in ka qenë 74 për qind dhe ka pak arsye për të besuar që rusët po i gënjejnë anketuesit në masë të madhe. Megjithatë, kjo përkrahje e madhe ka qenë pasojë e zhvillimit ekonomik që dyfishoi madhësinë e ekonomisë ruse në vitet 1998 dhe 2008 dhe suksesi unik në politikën e jashtme i aneksimit të Krimesë më 2014. Që prej 2018, popullariteti i Putin-it ka rënë. Përkrahja për të mbetet diku rreth 60 për qind, por rusët tregojnë shumë më pak besim në të se sa në të kaluarën. Në një sondazh të nëntorit 2017, kur u pyetën se cilët janë pesë politikanët që u besojnë më së shumti, 59 për qind e të anketuarve përmendën Putin-in; në shkurt 2021, vetëm 32 për qind u përgjigjen ashtu. Gjatë këtij intervali, përkrahja për mandatin e pestë të Putin-it ra nga 70 për qind në 48 për qind, me 41 për qind të rusëve të anketuar që thonë se do të parapëlqenin që të dorëhiqej.

Pafuqia e plotfuqisë

Putin-i kufizohet jo vetëm nga nevoja për përkrahje të gjërë në opinion, por gjithashtu nga sfidat e qeverisjes së një shoqërie moderne me një burokraci të ngathët. Te Khrushchev: Njeriu dhe Epoka e tij, shkencëtari politik William Taubman përmend se si Nikita Khrushchev, i cili udhëhoqi me Bashkimin Sovjetik prej vitit 1953 deri më 1964 dhe kontrolloi Partinë Komuniste dhe aparatin burokratik me ndikim shumë më të madh mbi shoqërinë se sa që ka Putin-i, u ankua në liderin kuban Fidel Castro rreth kufizimeve të pushtetit të tij:

“Mund t’ju shkojë mendja se unë mund të ndryshoj gjithçka në këtë vend. Assesi nuk është ashtu. Pa marrë parasysh çfarë ndrshime propozoj dhe bëj, gjithçka mbetet njësoj. Rusia është si legen plot me brumë, e fut dorën brenda, deri në fund, dhe mendon se je i zoti i situatës. Kur nxjerr së pari dorën, mbetet një vrimë e vogël, por pastaj, përpara syve të tu, brumi zgjerohet në një masë sfungjerore e të fryrë. Ashtu disi është Rusia”.

Madhësia e jashtëzakonshme e Rusisë dhe kompleksiteti burokratik do të thotë se Putin-i duhet të delegojë pashmangshëm një pjesë të autoritetit vendimmarrës tek zyrtarët e nivelit të ulët, ku secili prej tyre ka interesat e veta. Meqenëse institucionet shtetërore të Rusisë janë të dobëta, Putin-it i duhet të punojë gjithashtu me biznesmenë të fuqishëm, të cilat janë të prirur që të akumulojnë pasuri më shumë se sa t’i shërbejnë shtetit. Me kanalizimin e autoritetit të Putin-it nëpër këtë zinxhir burokratësh, biznesmenësh dhe spiunësh, të cilët mund të kenë ose mund të mos kenë preferenca të njejta me të, lëshimet ngjajnë pashmangshëm dhe politikat nuk zbatohen ashtu siç do të parapëlqente ai.

Problemi ndërlikohet edhe më kur Kremlini kërkon të mbajë mohueshmëri të pëlqyeshme. Për shembull, që të furnizojë fshehtas rebelët në Ukrainën lindore, Putin-i u lidh me oligarkun rus Konstantin Malofeev, i cili ka financuar një bandë mercenarësh privatë, të cilët kanë mbajtur lidhje indirekte me ushtrinë ruse. Sidoqoftë, në korrik të vitit 2014, këta rebelë duket se kanë rrëzuar aeorplanin e Malaysian Airlines, duke vrarë gati 300 pasagjerët që ishin në bord. Në mënyrë që të kamuflojë sulmet kibernetike, Kremlini mbështetet tek hakerët që punojnë për firma të sektorit privat, por të cilët nuk i përgjigjen shërbimeve ruse të sigurisë. Më 2016, ishte pikërisht pakujdesia e këtyre hakerëve që i mundësoi Shteteve të Bashkuara që të identifikojnë Rusinë si burim të hakimit të Komitetit Kombëtar të Partisë Demokratike. Analisti i Rusisë Mark Galeotti e ka quajtur “adhocraci” delegimin e punëve të pista nga Kremlini te grupet me lidhjet të errëta me pushtetin.  Kjo metodë e punëve të shtetit fsheh dorën e Moskës, por gjithashtu dobëson kontrollin mbi politikat.

Kremlini ka telashe poashtu me kryerjen e punëve të përditshme. Më 2012, Putin-i shpalli një grup të detajuar caqesh për të shtuar rritjen ekonomike, përmirësuar efiçencën burokratike dhe përkrahur programet sociale. Se këto dekrete u formuluan keq ishte indikacion i dobësisë së burokracisë (mes shumë të metave, ato supozuan në mënyrë optimiste se do të kishte rritje vjetore prej shtatë për qind). Edhe më treguese ishte mungesa e zbatimit të tyre. Në pesë vjetorin e këtyre dekreteve, kryetari i atëhershëm i partisë së afërme me Kremlinin Rusia e Drejtë Sergei Mironov, raportoi se burokracia kishte zbatuar vetëm 35 nga 179 dekretet e monitoruara nga komisioni i tij parlamentar. Autokratët kanë pasur shumë telashe që të nxjerrin informata nga vartësit e tyre dhe të sigurohen që politikat e tyre zbatohen, dhe Putin-i nuk paraqet ndonjë përjashtim nga kjo.

***

 

Ky artikull mbështetet nga “Sbunker” përmes projektit të financuar nga Ambasada Amerikane. Mendimet e shprehura këtu janë të autorit dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.