Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

I fuqishmi i dobët i Rusisë (pjesa II)

Kërcënimet e dyfishta

Të rrezikuar dhe kufizuar nga po ato kompromise që u mundësojnë të grumbullojnë pushtet, autokratët personalistë kanë telashe me ekuilibrimin e mbrojtjes ndaj dy kërcënimeve kryesore për pushtetin e tyre: grushtshtetin e elitave politike dhe protestat e publikut. Ata që janë në rrethin e brendshëm të liderit zakonisht kanë dorë në mbijetesën e regjimit. Kjo është e vërtetë për të afërmit e Putin-it, të cilat janë bërë pabesueshmërisht të pasur. Megjithatë, këto elita paraqesin gjithashtu kërcënim të mundshëm. Të afërmit mund të kapin autokratët personalistë të cilët mbështeten më shumë se që duhet tek ta. Për më tepër, i rrallë është ai i afërm politik që mendon se, po t’i jepej mundësia, nuk do të kryente punën më mirë sesa shefi. Sipas shkencëtarëve politikë Barbara Geddes, Joseph Wright dhe Erica Frantz, mes viteve 1945 dhe 2012, liderët e jodemokracive kanë pasur më shumë se dy herë gjasa të zevëndësohen nga një grusht shtet i elitave, sesa nga revolta popullore.

Autokratët përballen gjithashtu me kërcënime nga poshtë në formën e protestave. “Revolucionet me ngjyra” rrëzuan sunduesit në Gjeorgji më 2003, Ukrainë më 2004 dhe Kirgistan më 2005. Pak brenga gjallërojnë Kremlinin më shumë sesa mundësia e kryengritjes popullore, dhe shumë analistë thonë se ishin pikërisht protestat e mëdha kundër korrupsionit dhe manipulimit zgjedhor më 2011 dhe 2012, që shtynë Kremlinin që të shtojë dukshëm ndëshkimet për pjesëmarrje dhe organizim të protestave.

Këto kërcënime të dyfishta e bllokojnë Putin-in, sepse hapat që do të mund të zvogëlonin rrezikun e grusht shtetit nga elitat, mund të rrisin rrezikun e revoltës popullore dhe anasjelltas. Investimi në shërbimet e sigurisë që blen besnikërinë e elitave mund të bëjë të domosdoshme shkurtesat në shërbimet sociale, të cilat nxisin zemërimin popullor dhe rrezikojnë të ndezin protestat. Anasjelltas, programet zemërgjëra sociale që kënaqin publikun dhe parandalojnë revoltën mund të kërkojnë shkurtesa në shpenzimet shtetërore, të cilat zemërojnë të afërmit e regjimit dhe e bëjnë më të mundshëm grusht shtetin. Në përgjithësi, Putin-i duhet të ecë nëpër një litar të hollë mes të lejuarit që të afërmit të përfshihen në korrupsion të mjaftueshëm për t’i mbajtur besnikë dhe promovimit të mjaftueshëm të rritjes së gjërë ekonomike për të mbajtur publikun larg protestave.

Në dhjetëvjeçarin e parë të mandatit të tij, çmimet e larta të energjisë dhe politikat e shëndosha makroekonomike fshehën këtë shkëmbim, duke i lejuar Putin-it të shpërblente edhe elitat edhe turmat me rritje spektakolare të të ardhurave. Por ditët e $100 për fuqi të naftës dhe ngritjes marramendëse të standardit të jetesës kanë mbaruar, dhe Putin-i tash duhet të zgjedhë mes shpërblimit të të afërmve dhe reformimit të ekonomisë. Luftimet mes elitave, ndonëse gjithnjë vështirë të maten, duket se po rriten, derisa bujaria ekonomike e regjimit bie. Katër vitet e fundit kanë shënuar burgosjen e një ministri për ryshfet, arrestimin e një senatori të Parlamentit Federal për vrasje, dhe burgosjen e një biznismeni të shquar amerikan për gati 2 vjet. Arrestimet për krime ekonomike, të cilat shpesh janë pasojë e bastisjeve të dhunshme të korporatave, u rritën për një të tretën më 2019. Ndërkaq, zënkat mes shërbimeve të sigurisë të Rusisë u rritën në masë të madhe në vitin 2018 dhe 2019, para pandemisë.

Edhe publiku nuk është rehat. Të ardhurat për familje ranë çdo vit prej 2013 deri në 2019. Reformat pensionale i shkaktuan rënie prej 15 për qind popullaritetit të Putin-it përgjatë vitit 2018 dhe rusët rregullisht përmendin vështirësitë ekonomike si problemin e tyre më të madh. Protestat e janarit në përkrahje të Navalny-t që u organizuan në më shumë se 100 qytete, kishin të bëjnë poaq me pakënaqësitë ekonomike sa edhe me kundërshtimin e Putin-it.

Putin-i përzallet me dilemë të ngjashme në politikën e jashtme. Politikat që duhen për të gjeneruar dinamizëm ekonomik – hapja e ekonomisë ndaj tregtisë së jashtme, luftimi i korrupsionit, përforcimi i sundimit të ligjit, rritja e garës dhe tërheqja e investimeve të huaja – vështirë se bëhen bashkë me politikën e tij të jashtme, prej së cilës kanë përfituar proponentët e linjës së ashpër në agjencitë e sigurisë dhe firmat e sektorit të importit. Politika e jashtme më konfrontuese e Kremlinit karshi Perëndimit, e ka kthyer Moskën si forcë globale dhe ka siguruar vendin Putin-it në historinë e Rusisë, por gjithashtu ka penguar reformat e nevojshme ekonomike që do të përforconin pozicionin e Rusisë jashtë vendit për një afat më të gjatë dhe do të kënaqte qytetarët rusë, shumica e të cilëve brengosën më shumë për standardin e tyre të jetesës sesa statusin e vendit si fuqi e madhe.

Aneksimi i Krimesë dhe ndërhyrja në Ukrainën lindore qoi te sanksionet amerikane dhe evropiane që kanë ngadalësuar edhe më shumë ekonominë. Këto masa kanë trembur investitorët e huaj dhe kanë reduktuar qasjen ruse në teknologjinë dhe financat e huaja. Fakti se elitat e Kremlinit vazhdojnë të bëjnë thirrje për heqjen e këtyre sanksioneve dëshmon për dëmet e konsiderueshme, edhe pse të kohëpaskohshme, që i kanë shkaktuar disa oligarkëve në veçanti.

Me gjasë Putin-i e di se mund të nxisë rritjen ekonomike duke hartuar një politikë të jashtme jo aq kategorike. Këshilltari i tij i kahershëm Alexei Kudrin, i cili shërbeu si ministër i financave prej 2000 deri më 2011 dhe tash është auditori kryesor i qeverisë, i tha Forumit Ekonomik Ndërkombëtar të Shën Peterburgut se suksesi i politikave ekonomike varet nga ulja e tensioneve me Perëndimin – koment që nxiti kundërshtim të menjëhershëm nga Ministria e Punëve të Jashtme e Rusisë. Putin-i vazhdon të sfidojë Perëndimin dhe Shtetet e Bashkuara në veçanti, që të rrisë popullaritetin e tij mes votuesve nacionalistë. Megjithëkëtë, ashtu si me të gjithë strategjitë e Putin-it për të menaxhuar kërcënimet ndaj pushtetit të tij, nxitja e sentimenteve patriotike ka një kosto të caktuar – në këtë rast, rritjen e përgjithshme ekonomike.

Rreziqet e shtypjes

Ashtu si të gjithë autokratët personalistë, Putin-i posedon vegla relativisht të vrazhda për të menaxhuar shkëmbimet që janë pjesë e pandashme e pushtetit të tij. Ai ka arritur të ushtrojë kontroll mbi mediat, por nuk është ndonjë manipulator i hatashëm. Po të ishte ashtu, opinioni publik do të pasqyronte më për së afërmi linjën e Kremlinit në politikën e jashtme. Aneksimi i Krimesë ka qenë jashtëzakonisht popullor, por përkrahja për përdorimin e trupave ruse në Ukrainën lindore dhe Siri ka qenë gjithnjë modeste. Përkundër retorikës së ashpër anti ukrainase të Kremlinit, shumica e rusëve kanë pikëpamje pozitive për Ukrainën dhe vetëm 15 për qind e përkrahin bashkimin e saj me vendin. Kremlini ka ndërmarrë gjithashtu një fushatë të zhurmshme anti amerikane në vitet e fundit, por rusët kanë po aq pikëpamje negative për Shtetet e Bashkuara, sa edhe pikëpamje positive. Sipas një sondazhi të janarit 2020, dy të tretat e rusëve besojnë se qeveria e tyre duhet të shohë Perëndimin si partner, më shumë sesa rival apo armik. Përpjekjet e Kremlinit që të fajësojë vendet e huaja për sëmundjen ekonomike të Rusisë nuk kanë pirë ujë dhe shumë pak rusë besojnë se qeveria e tyre është e zonja të përmirësojë situatën e tyre ekonomike. Në atë që rusët e quajnë “beteja me televizionit dhe frigoriferit”, po fiton kjo e fundit.

Pjesë e problemit të Kremlinit është se manipulimi i informacionit ndonjëherë ka efekt të kundërt. Nëse njerëzit besojnë se informacioni që pranojnë po manipulohet, ata do të humbin besimin në atë burim. Përderisa televizioni rus u politizua edhe më shumë në dhjetëvjeçarin e fundit, shikuesit rusë u bënë më dyshues. Sipas një sondazhi të opinionit publik, besimi i shikuesve për ato që i kanë parë në televizion ra nga 79 për qind më 2009, në vetëm 48 për qind më 2018. Ndërkohë, përqindja e rusëve që përmendën televizionin si burim kryesor të lajmeve ra nga në 69 për qind mes viteve 2009 dhe 2020.

Putin-i ende mban kartën e forcës, kartë të cilën e ka luajtur gjithnjë e më shpesh përderisa ekonomia ka ngecur dhe aura e ngrohtë e aneksimit të Krimesë është venitur. Që prej 2018, Kremlini është përballur shumë më ashpër me opozitën politike sesa në të kaluarën, duke e bërë më të vështirë për kandidatët e pavarur që të kandidojnë për mandate lokale dhe ushtrimi i dhunës kundër protestuesve ka qenë më shumë rregull sesa përjashtim. Në fund të vitit 2020 dhe në fillim të 2021, Kremlini kufizoi edhe më tej aktivitetin e protestave, rriti dukshëm ndëshkimet për protestat e pasanksionuara, zgjeroi përkufizimin e “agjentëve të huaj,” dhe e bëri shpifjen në Internet të dënueshme me dy vjet burgim. Arrestimi i Navalny-t, dënimi i tij me gati tre vjet burgim dhe trajtimi brutal i atyre që protestuan, paraqet zgjerimin logjik të këtij trendi shtypës.

Mbështetja e Putin-it te shtypja është shenjë se veglat e tjera po dështojnë. Rreziku për Kremlinin është se shtypja merr vrullin e vetëfuqizimit. Siç ka argumentuar shkencëtari politik Christian Davenport, regjimet autoritare që përdorin shytpjen zakonisht mbështeten gjithnjë e më shumë në të, për shkak të prirjes së tyre për të përtëritur problemet që nxisin kundërshti. Shtypja e protestave të nisura për shkak të uljes së standardit të jetesës vetëm sa e rrit pakënaqësinë popullore mes atyre që janë në disavantazh ekonomik dhe fortifikon edhe më shumë ata që përfitojnë nga statuskuoja. Shtypja rrit gjithashtu varësinë e sundimtarit në shërbimet e sigurisë dhe lë jashtë mjetet tjera për t’u marrë me opozitën.

Shtypja e shkathët e ka ndihmuar Putin-in që të mbajë pozitën dhe ka shtyrë në margjina opozitën politike, por ka bërë shumë pak për të zgjidhur problemin që kërcënon pushtetin e tij. Nuk ka promovuar rritjen ekonomike, përforcuar të drejtat pronësore, ose zvogëluar korrupsionin. Përkundrazi, i ka përkeqësuar problemet duke fuqizuar shërbimet e sigurisë dhe zyrtarët e korruptuar qeveritarë që përfitojnë më së shumtin nga to, si dhe ka inkurajuar ikjen e kapitalit njerëzor dhe ekonomik, që është thelbesor për rritjen ekonomike dhe qeverisjen e mirë. Emblematike për këtë çështje është fakti se më 2018, Rusia ka shpenzuar më shumë në burgje dhe më pak në të burgosur se çdo vend tjetër në Europë.

Një ngritje e ardhshme e çmimeve të energjisë që rriti të ardhurat e qirave për elitat dhe solli prosperitet për publikun e gjërë do t’i ofronte Putin-it njëfarë çlirimi. Në anën tjeter, nëse çmimet e energjisë mbesin siç janë, e ardhmja e tij duket e pasigurt. Marrë parasysh kompensimet gjithnjë e më të vogla që sjell manipulimi i mediave, intensifikimi i shtypjes dhe kufizimet shtesë mbi të drejtat politike duket se kanë shumë gjasë të ndodhin. Duke qenë se ka anuar fushën e lojës zgjedhore kundër opozitës dhe ka rritur drastikisht ndëshkimet për protesta, Kremlini ka filuar të lëvizë kundër platformave të mediave sociale, të cilat kundërshtarët e Putin-it i kanë përdorur për të fituar terren. Në mars, Kremlini njoftoi se ka ngritur padi kundër Facebook, Twitter, YouTube, TikTok dhe mediat vendore Vk dhe Odnoklassniki, nën pretekstin se kanë dështuar të largojnë materiale të dëmshme për fëmijë. Veprime të tilla do të bëjnë shumë pak për ta përmirësuar pozitën e Putin-it karshi rusëve të rinj, të cilët tashmë duket se do të kundërshtojnë pushtetin e tij.

Zgjedhjet parlamentare të planifikuara për shtator me gjasë se do të jenë të tensionura. Përkrahja për partinë në pushtet Rusia e Bashkuar është më e vogël se ndonjëherë, dhe prandaj Kremlini do të duhet të shtypë opozitën dhe njëkohësisht të mbajë në kallëp partitë e afërta me pushtetin si Partia Komuniste dhe Partia Liberal Demokrate. Ndërkaq, të mbështeturit në vjedhjen masive të votave do të ishte e rrezikshme. Pas zgjedhjeve të vjedhura të vitit të kaluar, Bellorusia fqinje përjetoi muaj protestash, fat të cilin Kremlini do të donte ta shmangë.

Në aspektin afatgjatë, pritja se Putin-i do të qendrojë në pushtet si president pas vitit 2024, vetëm sa do të përforcojë ngecjen ekonomike të Rusisë dhe do të rrisë frustrimin popullor rreth paaftësisë së Kremlinit që të ngrisë standardin e jetesës apo përmirësojë qeverisjen. Pasojë e kësaj sipas të gjitha gjasave do të jetë rritja e vazhdueshme e presionit mbi regjimin dhe shtypjës së kundërshtarëve.

E madhe por e zvogëluar

Rusia mbetet fuqi e madhe, edhe pse e zvogëluar. Ndonëse ish kryesuesi i Bashkimit Sovjetik në majat e fuqisë së saj globale Leonid Brezhnev, do të ishte i tmerruar nga aftësitë e tashme ushtarake dhe statusit gjeopolitik, Boris Yeltsin, i cili trashëgoi një vend në shembje e sipër, do t’i shihte me lakmi. Fuqia bërthamore e Rusisë, gjeografia dhe ulësja në Këshillin e Sigurimit të KB-së, e sigurojnë rangimin e saj mes fuqive të mëdha – ashtu si edhe aftësitë e saj arsimore, shkencore dhe energjetike. Rusia ka më shumë të diplomuar në proporcion me popullatën e saj sa gati çdo anëtar i OSBE-së. Ajo ka prodhuar një vaksinë të efektshme në më pak se një vit dhe do t’i ofrojë Europës energji me kosto të lirë për vitet në vazhdim, si dhe mbetet lojtar kyç në tregjet globale të energjisë. Gabohen ata që nuk e marrin parasysh Rusinë si fuqi rajonale.

Putin-i nuk përballet me kërcënim të mënjehershëm ndaj pushtetit të tij. Ai është manovrues i shkathët me resurse financiare të konsiderueshme që përballet me një opozitë të paorganizuar. Prapëseprapë, nuk ka mendjemprehtësi që mund të tejkalojë shkëmbimet e ankthshme të drejtimit të Rusisë në mënyrën e tij. Mashtro në zgjedhje aq sa të mos rrezikosh humbjen, por jo aq sa të shfaqësh dobësi. Ndez përkrahësit me lëvizje antiperëndimore, por jo në atë masë që të provokojë konflikt me Perëndimin. Shpërble të afërmit përmes korrupsionit, por jo aq sa të shembet ekonomia. Manipulo lajmet, por jo deri në pikën ku njerëzit të humbin besimin në media. Shtyp kundërshtarët politikë, por jo mjaftueshëm për të ndezur kundërplasje popullore. Fuqizo shërbimet e sigurisë, por jo aq sa të mund të të kthehen kundër. Mënyra se si i ekuilibron Kremlini këto shkëmbime do të përcaktojë të ardhmen e afërt të Rusisë. Megjithatë, trendi drejt shtypjes më të madhe përgjatë katër vjetëve të fundit dhe vazhdimi i shumë i mundshëm i saj nuk është ogur i mirë për Rusinë dhe liderin e saj.

***

Artikulli origjinal në Foreign Affairs, edicioni maj-qershor 2021

***

 

Ky artikull mbështetet nga “Sbunker” përmes projektit të financuar nga Ambasada Amerikane. Mendimet e shprehura këtu janë të autorit dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.