Lufta civile në Jemen dhe nga një perspektivë më e gjerë, përplasja e ftohtë Iran-Arabi Saudite, nuk pati se si të kalonte e palagur prej interferimeve të Fuqive të Mëdha, posaçërisht ShBA-së e Rusisë.
Mediat izraelite pretendojnë se disa luftanije ruse po manovrojnë brigjeve të Gjirit të Adenit për t’ua lehtësuar luftanijeve iraniane furnizimin me armë të rebelëve Huthi. Vetë zëvendësministri i jashtëm rus Genadji Gatillovi deklaroi se Rusia kundërshton çdo ndërhyrje tokësore në Jemen të koalicionit të prirë prej sauditëve. Së fundi, Rusia ka pranuar pas pesë vite hezitimesh t’i shesë Iranit sistemin mbrojtës raketor rus S-330. Ndonëse më 20 prill Obama pati thënë për MSNBC-në se ShBA-të mund t’i penetrojnë S-330 iranianë nëse ka nevojë, dy ditë më pas, ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov ka deklaruar se “secili shtet do të mendohet dy herë para se ta sulmojë Iranin”, duke aluduar në sistemin e ri mbrojtës S-300 që Irani do ta blejë nga rusët. Kjo padyshim që do ta shqetësojë para së gjithash Izraelin. Kryeministri Netanjahu së fundi ka kërcënuar rusët se nëse ia shesin iranianëve sistemin raketor mbrojtës S-300, Izraeli do t’iu shesë armë ukrainasve. Po aq të alarmuar janë edhe sauditët. Për t’i qetësuar gjakërat dhe për t’u sqaruar rreth situatës në Jemen, më 20 prill, presidenti rus Putin ftoi publikisht mbretin e ri saudit, Selmanin, që të bëhet mbreti i parë saudit që e viziton Moskën. Pos Iranit e Jemenit, temë diskutimi mund të jetë edhe ngritja e çmimeve të naftës. Më 22 prill, agjencia ruse e lajmeve “Sputnik” raportonte se çmimet e naftës po biejnë pas raportimeve se koalicioni kishte përmbyllur fushatën e tij ajrore në Jemen.
Por, kjo gjë duket që fare pak e shqetëson Iranin, i cili me këtë sistem të ri raketor do të ndjehet shumë komod. Më 21 prill, Hossein Deghdan, ministri iranian i mbrotjes tha se “do ta përkrahim idenë e një bashkëpunimi të shumëanshëm mes Kinës, Iranit, Rusisë e Indisë për të kundërshtuar zgjerimin e NATO-s drejt lindjes.” Në fakt, pos Rusisë, edhe Kina po shton interesimin në Lindjen e Mesme, ndonëse vazhdon ta ndjek politikën e saj tradicionale të jashtme të mosndërhyrjes dhe mosanimit. E nxitur kryekëput nga interesa katërcipërisht gjeoekonomike, Kina ka refuzuar të marrë palë politikisht. Kina po mundohet që edhe në konfliktin iraniano-saudit të qëndrojë neutrale dhe ta ketë mirë me të dy shtetet. P.sh., për fillim të muajit prill ishte paralajmëruar se presidenti kinez Xi Jimping do ta vizitonte Arabinë Saudite dhe Egjiptin, por pas nisjes së luftës në Jemen vendosën ta anulojnë vizitën. Revista e njohur “Foreign Policy” e quajti këtë veprim dhe qasjen neutrale kineze në rajon “më mirë krejt jashtë kuzhinës, sesa të hash në nxehtësinë e saj” /. Kinës nuk i konvenon që të marrë anë në kundërvënien iraniano-saudite, pasiqë Arabia Saudite e ka Kinën importuesen kryesore të naftës së saj, gjersa Irani e ka Kinën partnerin më të madh tregtar. Kështuqë, Kina synon të realizojë në Lindje të Mesme një diplomaci të stilit “win-win cooperation”, ndonëse presidenti Xi Jimping ka thënë se në mandatin e tij, Kina do të ketë përgjithësisht politikë të jashtme më proaktive sesa më parë. Presidenti amerikan Obama e quajti Kinën kohë më parë si një “kalorës të lirë” (“free rider”) që për 30 vite ka pasur qasje të lirë ndaj Lindjes së Mesme. Por, ajo nga çfarë Kina frikësohet më së shumti në rajon janë rrymat e ekstremizmit fetar, të cilat paskëtaj po arrijnë gjer në Kinë dhe po ndikojnë në rritjen e seperatizmit në radhët e minoriteteve myslimane në Kinën perëndimore.
Por, falë rritjes së saj ekonomike, Kina po tërheq gjithnjë e më tepër aleatë në Lindjen e Mesme. Irani, Arabia Saudite, Egjipti, E.B.A, Katari, Pakistani, Azerbajxhani, Jordania, Kuvajti dhe Omani janë vendet e rajonit që do të jenë shtete themeluese të AIIB-së (Bankës Aziatike për Infrastrukturë dhe Investime), bankë e propozuar nga qeveria kineze dhe që do të fillojë të operojë në fund të këtij viti. AIIB-i konceptohet si konkurrente dhe barazpeshë e FMN-së dhe BB-së së kontrolluar prej amerikanëve dhe deri më tash 57 shtete kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre si shtete themeluese, ndër të tjera Gjermania, Rusia, Britania e Madhe, Franca, Turqia, Suedia, Italia, India, Indonezia, Malajzia, Australia, Spanja, Korea Jugore, Singapori, Zvicra, Portugalia, Norvegjia, Danimarka, Finlanda, etj. Kjo flet për një rritje të vazhdueshme të Kinës, jo vetëm ekonomikisht, por edhe politikisht. Në raportin e saj gjeopolitik edhe ekonomiko-politik me ShBA-të, mjafton të japin këto të dhëna të FMN-së: gjersa vetëm dhjetë vite më parë, më 2005, ShBA-ja i jepte ekonomisë botërore 139% më shumë se Kina, sot, vetëm dhjetë vitë më vonë, Kina i jep ekonomisë botërore 39% më shumë sesa ShBA-ja. Gjersa më 1945 ShBA-ja kishte 50% të GDP-së globale, sot, më 2015, ka vetëm 20% të GDP-së globale. Rritja mesatare vjetore më 2015 e ShBA-së ka qenë vetëm 2.4%, gjersa e Kinës 7.4%. Pos kësaj, Kina është kthyer në partnerin tregtar më të madh në botë dhe importuesin më të madh botëror. Në aspektin gjeostrategjik, ajo që e ka ndihmuar jashtëzakonisht shumë Kinën, është themelimi i BRICS-it, së bashku me Rusinë, Brazilin, Indinë dhe Afrikën Jugore. Tërë këto, flasin se përkundër hamendësimeve kineze, prapëseprapë ajo po fiton rol të rëndësishëm në Lindjen e Mesme, sikurse edhe gjetiu.
Në anën tjetër, edhe ShBA-ja vazhdon ta ketë rolin primar në Lindjen e Mesme. Më 2013, presidenti Obama pati deklaruar se një “dekade luftërash po i vinte fundi”, e, megjithatë, dy vite më pas, administrata e tij involvoi ShBA-të në pesë konflikte të tjera. Presidenti Obama i ka ofruar Arabisë Saudite dhe aleatëve të saj ndihmë logjistike për fushatën ajrore në Jemen. Madje, më 20 prill nisi aeroplanmbajtësen “Teodor Ruzvelt” dhe një kryqëzor raketor në ujërat pranë Jemenit (të cilat i largoi më pas më 25 prill). Sipas zëdhënëses së Stejt Departamentit, Mari Harf, kjo ndodhi nga frika se luftanijet iraniane do të përfshiheshin në luftë. Kësisoj, gjersa Arabia Saudite po bombardon Jemenin, ShBA-ja po luan rolin e gardianit të saj. ShBA-ja kohëve të fundit ka hasur në mospëlqime të hapura prej vendeve e popullsive lokale të Lindjes së Mesme, veçanërisht në lidhje me fushatën e saj të bombardimeve nga ajri përmes dronëve. P.sh., sipas “Long War Journal”, mes viteve 2010 dhe 2015, vetëm në Jemen, ShBA-ja ka zhvilluar 109 sulme me drons, në emër të luftimit të celulave të al-Kaidës, por që shumëherë ka pasur pasoja fatale edhe për popullatën civile, me ç’rast kemi 105 civilë të vrarë “paqëllimshëm”.
Sa i përket në veçanti fushatës në Jemen, pos ShBA-së, edhe Britania e Madhe afërisht aty ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë drejtpërdrejt në të, por se do të ofrojnë ndihmë në logjistikë dhe intelegjencë. Izraeli, poashtu, haptazi e ka përkrahur fushatën ajrore “Stuhia vedimtare”. BE-ja, edhepse ka dënuar avancimin e shiitëve Huthi, njëherit ka deklaruar se fushata ajrore vetëm sa e ka përkeqësuar dramatikisht situatën politike, kështuseashtu fragjile, në Jemen.
Kryeministri irakien, Hajder al-Abadi, gjatë takimit të javës së kaluar me presidentin Obama, e paralajmëroi këtë të fundit se intervenimi saudit në Jemen mund të provokojë një kataklizmë rajonale sektare. Por, në anën tjetër, edhe vetë intervenimi saudit duhet parë me thjerrëzat e frikës saudite prej një “sirianizimi” të fqinjit të saj jugor, gjë që do të mund të kishte pasoja të llahtarshme për vetë Arabinë Saudite, sidomos po morrëm parasysh faktin që në lindje të Arabisë Saudite, mu aty ku shtrihen shumica dërmuese e fushave saudite të pasura me naftë, jeton një minoritet i madh shiit, me lidhje shpirtërore me Republikën e Iranit, që sikurse në Irak, Liban apo Siri, edhe në Jemen e Arabi Saudite mund të nxis luftë civile sektare. Një raport i “The Middle East Media Reasearch Institute” (MEMRI) akuzonte Iraninse po përkrah rebelët shiit Huthi. Raporti bazon pretendimet e veta në fakte, përkundër që Tehrani zyrtar vazhdimisht ka mohur se po ndihmon ushtarakisht huthët.
Pas negociatave të Lozanës, ku ShBA-ja e Irani ranë dakord rreth programit bërthamor iranian, Arabia Saudite, sikurse edhe Izraeli, gjithnjë e më tepër po e sheh me sy dyshues e me frikë mundësinë e një aleance të mundshme, apo qoftë edhe mundësinë e shtensionimit të marrëdhënieve ShBA-Iran. Këtë frikë mund ta ketë ushqyer edhe qasja izolacioniste e Obamës, i cili, në dallim prej Xhorxh Bushit, shqyrton problemet globale përmes organizatave ndërkombëtare. Për më tepër,sipas “Nju Jork Tajmsit”, zyrtarët e Stejt Departamentit amerikan po i bëjnë presion Arabisë Saudite që t’i ndalojë bombardimet e hërëpas’hershme në Jemen dhe t’i jap fund embargos mbi Jemenin, pasiqë ndihmat ndërkombëtare humanitare nuk po arrijnë të depërtojnë tek popullsia civile në nevojë.
ShBA-ja për mbi 33 vite ka përkrahu në Jemen Ali Abdullah Salehun, pastaj përkrahën Hadin, më vonë shiitët Huthi (në luftën kundër celulave të al-Kaidës) dhe tani po përkrahin fushatën ajrore saudite kundër huthëve. ShBA-të, që me përfundimin e Luftës së Dytë Botërore, kanë përkrahur forcat politike reaksionare të Lindjes së Mesme dhe i kanë fryrë divergjencave sektare dhe fundamentalizmit fetar. Tani, që roli hegjemon i ShBA-së po zbehet (siç e pamë nga shifrat e lartshënuara të FMN-së), e bashkë me të edhe rendi global unipolar, edhe vetëbesimi i marionetave të saj në Lindjen e Mesme po zbehet. Tjetër faktor: në dallim prej viteve ‘80, më nuk është ShBA-ja, por Kina, blerësi kryesor i naftës saudite, njëjtë siç nuk është më Arabia Saudite, por Kanadaja, shitësja më e madhe e naftës për ShBA-të. Por, edhepse lidhjet amerikano-saudite po dobësohen, prapseprap Arabia Saudite ngelet partneri kyç i amerikanëve në Lindje të Mesme.
Por, afria amerikane me iranianët, nuk po i bind lehtë sauditët. Madje, për shumëkënd, sulmi ajror saudit duhet lexuar si ekspozim muskujsh nga ana e sauditëve përballë ShBA-së dhe si shenjë mosbesimi ndaj saj. (Çuditërisht, sauditët kësaj radhe nuk i kishin paralajmëruar fare zyrtarët amerikan rreth planit për sulme ajrore në Jemen). E ky mosbesim po shihet jo vetëm nga ana saudite, por edhe prej aleatëve të tjerë tradicionialë në Lindje të Mesme – Egjiptit, Pakistanit, Izraelit dhe petromonarkive të Gjirit. (Kryeministri Netanjahu ka deklaruar se “duhet t’i jepet fund boshtit Iran-Lozanë-Jemen” – ku me “Lozanë” në mënyrë implicite nënkupton afrimi e ShBA-ve me Iranin.) Mosbesimi i thellë ndaj ShBA-së prej aleatëve të saj ka nisur që me Luftën në Irak më 2003, me akuzat ndaj ShBA-së se po i përkdhel dhe po flirton me komunitetin shiit dhe se po e toleron ekspansionizmin iranian. Ky mosbesim është thelluar me marrëveshjen e para pak javëve në Lozanë, ku sekretari amerikan i Shtetit Xhon Kerri dhe ministri i jashtëm iranian Mohamed Xhavad Zarifi arritën marrëveshje për programin bërthamor iranian.
Tjetër indikator në Lindje të Mesme është edhe tëhollimi i lidhjes tradicionale ShBA-Izrael. Kanë kaluar kohët kur ndihmat amerikane mbushnin gjer në 30% të GDP-së së Izraelit (sot mezi arrijnë në 2%). Asnjëherë më parë marrëdhëniet amerikano-izraelite nuk kanë qenë më të zbehta sesa sot. Izraeli në shumë lëmi po saboton politikën e jashtme amerikane. Lidhja dhe përkrahja – herë e hapur, herë e fshehtë – për al-Kaidën, sabotimi (përmes Kongresit amerikan të kontrolluar prej republikanëve) i negociatave të administratës së Obamës me Iranin, intensifikimi i marrëdhënieve me Rusinë e Putinit, etj., janë vetëm disa raste kur – siç nuk ka ndodhur më parë – Izraeli është në diskrepancë me politikën e jashtme amerikane.
Kësisoj, ShBA-ja, paçka që nuk e ka ndërmend të ndërpres marrëdhëniet me aleatët e saj tradicional, sidoqoftë ka nevojë për Iranin si aleat stabilizues në rajon. Shumë strategë e quajnë këtë qasje si “paradigmë e re” në një Lindje të Mesme dhe në një botë multipolare.
7. Përmbyllje
Tani që pamë qëndrimet e akterëve ndërkombëtarë, fqinjëve, e posaçërisht Fuqive të Mëdha kundruall Luftës Civile në Jemen, e përgjithësisht raporteve të ndërsjella Iran-Arabi Saudite, mund t’i japim një përmbyllje përmbledhëse tërë kësaj analize.
Arabia Saudite, pos pasigurisë rajonale, po përballet edhe me destabilitet të heshtur së brendshmi. 15.000 pjesëtarët e familjes mbretërore, “rojtarët e dy vendeve të shenjta”, të zhytur për vete në llumin e ekstravagancës, dekadencës, imoralitetit, korrupsionit e lluksit, për pjesën tjetër të popullit ushtrojnë restriksione të rrepta ekonomike, sociale, fetare, morale, etj. Rinia dhe klasa punëtore nuk është se ka besnikëri ndaj familjes mbretërore dhe ideve e klerit vehabi njëjtë sikurse brezat paraardhës. Këtu shpjegohet fakti përse Ushtria Saudite asnjëherë s’ka guxuar të dërgoj të rinjtë në luftë jashtë vendit. Dy intervenimet e vetme në histori të Armatës saudite – në Bahrejn më 2011 dhe në Jemen më 2015 – janë bazuar kryekëput në mercenarë të huaj, kresisht pakistanezë (së fundi, Arabia Saudite ka ftuar Armatën Pakistaneze për t’ia ruajtur edhe kufirin me Irakun).
Arabia Saudite dhe familja mbretërore është rrezikuar dukshëm nga vala e Pranverës Arabe, e cila është parë si hakërrim për vetë rendin monarkik saudit. Heqja dorë në çastet e fundme e ShBA-ve prej aleatit të saj, Mubarakut në Egjipt, vetëm sa e ka shtuar frikën dhe paranojën e familjes mbretërore. Një situatë e tillë dëshpëruese – së brendshmi e së jashtmi – patjetër që shpien në masa dëshpëruese të monarkisë. Tërë despotët e sheikët e “arit të zi” të Gjirit Persik janë në lemeri nga humba eventuale e privilegjeve e salltaneteve. Kjo paranojë është përbashkuesi i tyre dhe motori i lëvizjeve shkeleshko të kohëve të fundit.
Më mirë situata nuk është as brenda Iranit. Tek gjeneratat e reja dhe klasa puëntore nuk po flen më miti dhe trashëgimia “e lavdishme” e “madhështisë” së revolucionit islamik të 1979-s. Një rini e papunë, një varfëri që po thellohet, monopoli financiar në duart e pushtetarëve, izolimi ndërkombëtar dhe shumë faktorë të tjerë lënë për të shpresuar.
Por, së paku në raport me Lindjen e Mesme, aktualisht Irani ka reputacion politik më të mirë. P.sh., u mirëprit nga rinia e “Pranverës Arabe” thirrja e Liderit Suprem të Iranit, Ali Hamenejt, i cili më 2011 thoshte se popujt arabë duhet që të dalin rrugëve e t’i rrëzojnë qeveritë e korruptuara e represive. Në rritjen e simpatisë ndaj Iranit të të rinjve arabë ka ndikuar edhe paraqitja e Iranit si mbrojtëse e Islamit, empatia dhe përkrahja e madhe që i bën palestinezëve, zhvillimi makroekonomik apo edhe fakti që Tehrani zyrtar paraqitet si flamurtare e luftës antiimperialiste. Sipas të përditshmes “The Guardian”, 75% e respodentëve të një ankete të vitit 2006 në shtetet arabe kanë shprehur simpati me politikat iraniane. Madje, për befasi, në Arabinë Saudite, simpati karshi Iranit kanë shprehur 85% e të anketuarve (http://www.theguardian.com/commentisfree/2015/mar/29/iran-saudi-arabia-yemen-conflict). Por, s’mund të flasim për të njëjtën simpati të monarkisë saudite. Madje, kjo e fundit, me shumë veprime të saj, vetëm sa ndjell antipatinë e popujve fqinj. P.sh., në raport me Jemenin, jo vetëm me fushatën e fundit ajrore, por edhe ngritjen e një barriere në vitin 2003. Barriera Arabi Saudite-Jemen është një barrierë fizike e konstruktuar nga sauditët, në anën e tyre të kufirit. Barriera është ndërtuar nga gypat e gazit të larta 3 metra dhe të mbështjellura me pajisje me energji elektrike. Konstruksionin e barrierës sauditët e kanë arsyetuar me shkarkinë e mbrojtjes prej terroristëve që po e kalojnë kufirin me Jemenin dhe ka mohuar çfarëdo analogjie me murin izraelit në Rripin e Gazës. Por, kjo barrierë me fqinjin e saj jugor, nuk shihet me sy të mirë prej masave të thjeshta popullore arabe.
Edhe sa i përket momentumit aktual të Luftës në Jemen, përderisa Arabia Saudite mobilizon 150.000 ushtarë e dërgon 100 avionë kundër Jemenit, Irani ka një qasje më bashkëkohore e tolerante, duke bërë thirrje për negociata e konsultime të gjera.
Sa i përket gjendjes ekonomike-shoqërore, nuk është vetëm ShBA-ja që ka një dekadë që po përballet me humbje të njëpasnjëshme ushtarake, demoralizim të Armatës, krizë ekonomike të brendshme, recension financiar, thellim të pabarazisë sociale, rritje të konflikteve racore, etj. Edhe Lindja e Mesme, me tërë atë varfëri, papunësi, pabarazi sociale, varësi imperiale dhe ndarje fetare, sektare e shtetërore, vështirë se do ta ketë të gjatë kohën e shpërthimeve shoqërore, sikur të “Pranverës Arabe”, apo edhe më të fuqishme.
Pranvera Arabe ia ka pamundësuar amerikanëve intervenimet direkte ushtarake në rajon dhe me gjasë, Irani do ta luaj rolin e mëkëmbësit amerikan në këtë drejtim. Shenjë e kësaj aleance të heshtur e të nënkuptuar është edhe detanti i kohëve të fundit mes ShBA-së dhe Iranit. Poashtu, lufta e shiitëve kundër ISIS-it në Irak, lufta e Hezbollahut kundër fundamentalistëve sunitë në Liban, roli i Iranit në Siri, e njëkohësisht, anaprapthi, përkrahja nga Turqia, Jordania, Izraeli e petromonarkitë e Gjirit për anën tjetër (dmth organizatat ekstremiste), ka përforcuar afrinë amerikano-iraniane. Përkundër sloganeve antiimperialiste e antiamerikane të rebelëve shiitë Huthi, prapseprap ShBA-ja e ka të qartë se huthët janë të vetmit që mund t’i bëjnë ballë në Jemen e Gadishullin Arabik kampit të fuqishëm të al-Kaidës.
Si përfundim mund të thuhet se kjo luftë thuajse nuk ka fare gjasa të fitohet nga Arabia Saudite. Në fakt, sulmet ajrore vetëm sa e kanë çelnikosur pozicionin e huthëve shiitë brenda e jashtë Jemenit dhe e ka izoluar diplomatikisht familjen mbretërore saudite. Lufta e hapur ndaj shiave të rajonit, duke marrë parasysh prezencën shiite në lindjen e pasur me naftë të Arabisë Sauditëve, vetëm sa mund ta shenjojë fillimin e fundit të unitarizmit dhe monarkisë në vend.
Ndërkohë që krizat ciklike ekonomike e shoqërore të kapitalizmit në Lindje të Mesme po shpiejnë në kriza politike diplomatike e ushtarake, tensionet kombëtare e fetare njashtu po i nxjerrin në shesh kontradiktat klasore përbrenda secilit shtet veçeveç dhe tërë Lindjes së Mesme si të tërë. Teksa tensionet sektare e nacionale shënojnë rritje, në dukje, lufta klasore po ndrydhet përkohshëm e po i nënshtrohet atyre tensioneve. Por, në fakt, Turqia, Egjipti apo Irani janë shembuj se si ndarjet e thella klasore çojnë krye herë pas here, me pasoja të rrezikshme për rendin në fuqi. Sa kohë që pushteti e pasuria mbesin të akumuluara në duart e vetëm disa parazitëve dhe forcave regresive e retrograde, çdo stabilizim në rajon do të jetë veç afatshkurtër e i përkohshëm dhe veç sa do ta shtyjë për ca katrahurën, kataklizmën e përmbysjen e madhe revolucionare sociale. E vetmja zgjidhje afatgjatë për Lindjen e Mesme është të ngjarit e krejt të kundërtës së asaj që e thotë titulli i kësaj analizeje e krejt e kundërta e asaj që ka ndodhur në histori të këtyre popujve – bashkimi i klasës punëtore dhe klasave të shtypura të të gjithë rajonit, lufta e përbashkët kundër despotizmit feudal të sheikëve, diktatorëve e autokratëve në pushtet, nacionalizimi i burimeve e pasurive natyrore, rishpërndarja e pasurisë dhe tekembramja, krijimi i një Federate apo Konfederate të Lindjes së Mesme, e cila do t’i bënte ballë çfarëdo imperializmi të jashtëm në rajon.