Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

India lidhet ngushtë me Perëndimin

Në një kthesë të madhe gjeopolitike, Nju Delhi po afrohet në shumë fronte.

Me deklarimin, javën e kaluar, se “Katërshes i ka ardhur koha” në samitin e parë të Dialogut Katërpalësh me Shtetet e Bashkuara, Japoninë dhe Australinë, kryeminstri indian Narendra Modi ka dërguar sinjal të qartë se India nuk ngurron më që të punojë me Perëndimin në arenën globale, përfshi fushën e sigurisë. Gatishmëria e re e vendit për të marrë pjesë në forumet perëndimore shënon kthesë të rëndësishme në botëkuptimin e Indisë së pavarur. Ai botëkuptim ka qenë për një kohë të gjatë i përkufizuar nga ideja e mosangazhimit dhe i versionit të saj të mëvonshëm, autonomisë strategjike – ku të dyja kishin të bëjnë me të qenit të ndarë, nëse jo kundër, nga aleancat perëndimore të pasluftës së Dytë Botërore. Por sot – e shtyrë nga ndryshimi i ekulibrit të pushtetit në Azi, qasja e kthjellët e Indisë ndaj interesit kombëtar, dhe e përpjekjeve të suksesshme të presidentëve amerikanë – India po ndërmerr hapa gjithnjë e më të rëndësishëm drejt Perëndimit.

Katërshja [The Quad] nuk është institucioni i vetëm Perëndimor me të cilin India mund të ndërlidhet së shpejti. Nju Delhi është bërë gati të angazhohet me një gamë edhe më të gjerë të forumeve perëndimore në ditët në vazhdim, përfshi G-7 dhe Pesë Sytë [Five Eyes]. Këtë verë, Britania ka ftuar Indinë që të marrë pjesë në takimin e G-7 në Londër, së bashku me joanëtarët e tjera: Australinë dhe Korenë e Jugut. Ndonëse India ka qenë ftuar për disa vite me radhë në takimet e G-7 – një a dy nivele më poshtë se samitet – takimi i Londrës pritet të jetë test për krijimin e “Grupit të Dhjetë Demokracive,” ose D-10.

Sot në Uashington ka ide të shumta për koalicionet e teknologjisë të udhëhequra nga SHBA-ja, që ta zvogëlojnë varësinë e tanishme të Perëndimit nga Kina. Dy nisma që u bënë të ditura në samitin e Katërshes – grupi punues për teknologjitë kyçe, dhe nisma e vaksinave për të furnizuar Azinë Juglindore – nënvizojnë prospektet për një rol të Indisë në zinxhirin e besueshëm të furnizimit me teknologji, të Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve të saj.

Së bashku me Japoninë, në tetor të vitit 2020, India i është bashkuar gjithashtu takimit të Pesë Syve – aleancës për shkëmbimin e inteligjencës me Shtetet e Bashkuara, Kanadasë, Britanisë, Australisë dhe Zelandës së Re – për të diskutuar mënyrat për t’i dhënë qasje agjencive për zbatimin e ligjit në komunikimet e koduara në platformat si WhatsApp dhe Telegram. Pesë Sytë është aleancë shumë e ngushtë, dhe ka pak gjasa që India të bëhet anëtare në të ardhmen e afërt. Megjithatë, është shumë e mundshme që të paramendohen konsultime të afërta mes Pesë Syve dhe institucioneve indiane të inteligjencës.

Duhet thënë se angazhimi i Indisë me institucionet perëndimore nuk është tërësisht i ri. India iu bashkua Komonuelthit të udhëhequr nga Britania më 1947, por vetëm pasi kryeministri i parë i Indisë Jawaharlal Nehru u sigurua që forumi të mos kishte asnjë rol të sigurisë në botën e pasluftës. Refuzimi për t’iu bashkuar aleancave ushtrake ishte pikë kryesore e politikës indiane të mosangazhimit.

Nehru-ja iu drejtua Shteteve të Bashkuara kur politika e tij e miqësisë me Kinën u shemb në fund të viteve 1950. Duke u përballur me konfliktin ushtarak me Kinën në kufirin e gjatë dhe të kontestueshëm më 1962, Nehru-ja kërkoi asistencë masive mbrojtëse nga presidenti amerikan John Kennedy. Me vdekjen e Kennedy-t dhe Nehru-së menjëherë pas tij, prospektet për bashkëpunim strategjik mes Nju Delhit dhe Uashingtonit u shuan shpejt.

Në vitet 1970, India u largua nga Perëndimi në tre nivele. Në aksin Lindje-Perëndim, ajo u afrua me Bashkimin Sovjetik. Në aksin Veri-Jug, u bë kampione e Botës së Tretë. Kjo u përforcua nga kthesa e majtë e politikave vendore të Indisë dhe dëmtimi i qëllimshëm i bashkëpunimit tregtar me Perëndimin.

Në vitet 1970, shumë erdhen në përfundim se antiamerikanizmi qe i gdhendur në kodin gjenetik të Indisë. Në fund të fundit, gjatë Luftës së Ftohtë India kishte votuar më shpesh në Kombet e Bashkuara kundër Shteteve të Bashkuara, se sa kundër Bashkimit Sovjetik. Ideja se India është në kundërshti të papajtueshme me Shtetet e Bashkuara ishte vlerësim dominant i kryeqyteteve të të dy vendeve. Shumica e akademikëve të politikës së jashtme indiane supozuan se sido që të ndodhte – brenda a jashtë vendit – India do të jetë përgjithnjë e tjetërsuar nga Perëndimi.

Por, historia e marrëdhënieve ndërkombëtare të Indisë në tre dhjetëvjeçarët e fundit ka qenë e karakterizuar me përparime të ngadalshme, por definitive, drejt bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara dhe Perëndimin. Samiti i Katërshes nuk është vetëm kulminacion i asaj trajektoreje të gjatë, por gjithashtu një hap i madh përpara.

Ishte reforma e ekonomisë indiane në fund të Luftës së Ftohtë, së bashku me shembjen e Bashkimit Sovjetik si partnere superfuqi e Indisë, që krijoi themelet për përtëritjen e lidhjeve mes Nju Delhit dhe Uashingtonit. Por edhe kur lidhjet e zgjeruara tregtare filluan të stabilizoheshin dhe të thellojnë marrëdhëniet dypalëshe në vitet 1990, aktivizmi i Uashingtonit në Kashmir dhe padurimi për ta denuklearizuar Indinë, i vështirësoi gjërat për Nju Delhin. E goditur nga trazirat dhe një epokë e qeverive të koalicioneve të dobëta, Nju Delhi ndoqi një strategji për të minimizuar rreziqet, duke iu bashkuar nismës ruse për të ashtuquajturin trekëndësh strategjik me Moskën dhe Pekinin, që me kohë evoluoi në Forumin BRICS, pas bashkimit të Brazilit dhe Afrikës së Jugut.

Sidoqoftë, presidenti amerikan George W. Bush revolucionarizoi politikën amerikane ndaj Indisë në vitet 2000, duke hequr dorë nga impulsi ndërmjetësues i Uashingtonit në Kashmir, duke e shkëputur angazhimin me Nju Delhin prej atij me Islamabadin, dhe duke zgjidhur mosmarrëveshjet rreth mospërhapjes së armëve bërthamore. Bushi kuptoi që India është kyçe për ndërtimin e një ekuilibri të qendrueshëm të pushtetit në Azi, si kontinent që po transformohej nga ngritja e shpejtë e Kinës.

Porsa Uashingtoni ishte i gatshëm të transformonte marrëdhënien me Nju Delhin, India u paralizua nga vetëdyshimi dhe pasiguria. Nëse ish-kryeministri i atëhershëm Atal Bihari Vajpayee kishte quajtur Indinë dhe Shtetet e Bashkuara “aleatë të natyrshëm” më 1998 – në kohën kur askush nuk dukej i interesuar në Uashingtonin – pasardhësi i tij, Manmohan Singh, u rikthye në pikën e mëparshme. Qeveria e tij filloi ta ringjallte politikën e mosangazhimit, të mbante largësi nga Shtetet e Bashkuara, dhe të ritheksonte parimin e autonomisë strategjike. Madje edhe kur tensionet indo-kineze u shtuan pas vitit 2008 – kur kriza globale financiare dukej se e kishte bindur udhëheqësinë kineze se Shtetet e Bashkuara ishin në shuarje e sipër, ku për pasojë Pekini mveshi një pozicion më kategorik ndaj fqinjëve – qeveria e Singh-ut vazhdoi t’i bishtnonte pushtetit amerikan.

Modi, i cili u bë kryeministër më 2014, filloi të kthente mbrapsht rezistencën e Nju Delhit për një partneritet më të thellë me Uashingtonin. Pohimi i tij gjatë fjalimit të vitit 2016 në Kongresin amerikan, se “ngurrimeve historike” të Indisë për t’u angazhuar me Shtetet e Bashkuara u kishte ardhur fundi, nuk ishte thjesht lojë retorike.

Modi zgjidhi çështjet e mbetura që kishin parandaluar zbatimin e marrëveshjes historike bërthamore mes Indisë dhe SHBA-së më 2008, rijetësoi marrëveshjen e vitit 2005 për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes, dhe nënshkoi të ashtuquajturat marrëveshje themeltare të mbrojtjes, që kanë mundësuar ndëroperueshmërinë mes forcave të armatosura të të dy vendeve. Ai zgjeroi stërvitjet e përvitshme dypalëshe, duke përfshirë Japoninë më 2015 dhe Australinë më 2020, ndihmoi në ringjalljen e Katërshes së fjetur më 2017, krijoi versionin e tij të strategjisë së Lirë dhe të Hapur të Indo-Paqësorit më 2018, dhe iu bashkua samitit të Katërshes më 2021.

Përtej marrëdhënies me Shtetet e Bashkuara, Modi gjithashtu ringjalli interesin strategjik të Indisë në Komonuelth, përforcoi lidhjet me Bashkimin Europian, dhe iu bashkua Aleancës Europiane për Multilaterizëm. Ai u përpoq ta bënte Indinë pjesë të zgjidhjes së problemit të ndryshimit klimatik, përkrahu “shumësinë e palëve të interesit” në qeverisjen globale të internetit, inicoi Aleancën Ndërkombëtare Solare dhe partneritetin detar të Indo-Paqësorit me Francën, dhe është i gatshëm të ndërtojë themelet për partneritet të rëndësishëm strategjik me kryeministrin britanik Boris Johnson në takimin e muajit të ardhshëm në Indi.

Secila prej këtyre lëvizjeve shkoi kundër instinkteve mbizotëruese të klasës politike të Indisë, establishmentit burokratik, dhe komunitetit të politikës së jashtme.

Dy faktorë i kanë ndihmuar kësaj. Së pari, Modi ka bartur shumë pak ngarkesë ideologjike antiperëndimore të nacionalistëve që lulëzojnë në partinë e tij ose në qendrën dhe të majtën politike, të cilët parapëlqejnë të rrinë larg Uashingtonit. Gjykimi i Modi-t se Indisë i duhet një marrëdhënie më produktive me Shtetet e Bashkuara dhe Perëndimin është i rrënjosur në përllogaritjen e thjeshtë të interesit kombëtar, e jo në ndonjë arsyetim tjetër.

Së dyti, meritë për këtë kanë disa presidentë amerikanë – Bill Clinton në mandatin e tij të dytë, George W. Bush, Barack Obama, dhe Donal Trump – i cili këmbëngulte në kohën kur Nju Delhi luftonte me demonët antiperëndimorë. Nëse kërkoni shembull tipik të “durimit strategjik” – ky është ai. Biden-i duket i vendosur të vazhdojë këtë trashëgimi.

Edhe pse si Nju Delhi ashtu edhe Uashingtoni, e mohojnë se Katërshja është aleancë ushtarake, kjo sigurisht se mund ta afrojë Indinë më shumë se kurrë më parë në një koalicion të sigurisë me Perëndimin. Ndonëse, India kishte nënshkruar një pakt aleance me Bashkimin Sovjetik në 1971, ajo u tërhoq menjëherë pas shkëputjes së Bangladeshit nga Pakistani, dhe ku pasoi një krizë e menjëhershme. Nëse India i ka shmangur aleancat përveç një rasti, ideja e pjesëmarrjes indiane në koalicione të ndryshme me vende të ndryshme perëndimore nuk është më tabu në Delhi.

Natyrisht, India do të jetë partner shumë i ndryshëm për Shtetet e Bashkuara se aleatët e tanishëm europianë e aziatikë. India është shumë e gatshme të ndajë barrën amerikane të sigurisë në Indo-Paqësor në terma që sjellin përfitime të ndërsjella. Duke marrë parasysh madhësinë dhe potencialin e saj afatgjatë, kontributi i Indisë mund të jetë mjaft i rëndësishëm në sigurimin e Azisë. Në fakt, strategji e Indo-Paqësorit të Lirë e të Hapur dhe Katërshja janë garanci për këtë pohim. Ashtu mund të thuhet edhe për padurimin në Uashington, Toki dhe Kanbera, për të bashkuar “Indo-n” me “Paqësorin” dhe për të sjellë Indinë e parreshtuar në grupime të aleatëve.

Por për sa kohë që shohim historinë e Indisë, asgjë nga këto që u thanë nuk duhet të jetë befasi. Në fund të fundit, India kontribuoi mjaft në fitoret e Aleatëve në Luftën e Parë dhe të Dytë Botërore – gati një milion ushtarë indianë shërbyen në Luftën e Parë dhe më shumë se dy milionë në të Dytën. Që India nuk ishte pavarur atëherë nuk do të thotë se ushtarët dhe resurset indiane nuk luajtën rol të rëndësishëm në rezultatin e atyre luftërave.

Do të kishte qenë më e arsyeshme të paramendohet se kontributi i rëndësishëm i Indisë në fitoret e Aleatëve do të ishte përkthyer në partneritet me Perëndimin në ndërtimin e një rendi të ri global pas Luftës së Dytë Botërore. Por shkurtpamësia e sunduesve kolonialë britanikë, konfrontimi i tyre i hapur me lëvizjet kombëtare indiane në periudhën mes dy luftërave, ndarja e nënkontinentit, animi angloamerikan kah Pakistani, shkëputja aktive e Nehru-së nga aleancat Perëndimore, dhe orientimi nga brenda ekonomik i Nju Delhit, zvogëloi dukshëm spikatjen e Indisë në institucionet e pasluftës. Katërshja na jep të kuptojmë se mund të jemi më afër vendit ku filluam. Ka kaluar kohë e gjatë, por India mund të rishfaqet si partner i natyrshëm për Perëndimin në Lindje – kësaj here në kushte që një Indi shumë më e fortë negocion me Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj.

***

Artikulli origjinal në Foreign Policy, më 19 mars, 2021.

***

 

Ky artikull mbështetet nga “Sbunker” përmes projektit të financuar nga Ambasada Amerikane. Mendimet e shprehura këtu janë të autorit dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.