Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Inflacioni që nuk po raportohet

Parashikimet që paralajmërojnë rritjen e nivelit të çmimeve nuk janë të pakta. Politikëbërës e njerëz të akademisë kanë ngritur shqetësimin se intervenimet fiskale e monetare anë e mbanë botës do të stimulojnë inflacionin. Në mesin e tyre, Charles Goodhart nga London School of Economics, dhe Morgan Stanley, kanë publikuar një libër të titulluar “Përmbysja e Madhe Demografike”, ku parashikojnë që në vitin 2021 do të vërehet rritja e madhe e çmimeve, e cila mund të shkoj deri në 10%. Sipas tyre, vendet me popullsi më të vjetër janë më të ekspozuara ndaj këtij fenomeni. Në anën tjetër, edhe bizneset nëpër botë i kanë rritur pritjet për një përballje me inflacionin. Kompanitë amerikane kanë filluar të japin sinjal alarmi për rritjen e ardhshme të çmimeve, e cila me gjasë do të jetë më e ndjeshme sesa normat e rritjes që kemi përjetuar në dy dekadat e fundit.  Por, çka ndodhë nëse vazhdon trendi i rritjes së çmimeve në Kosovë dhe a kemi statistika të besueshme që e shfaqin këtë trend?

Rritja e vazhdueshme e nivelit të çmimeve, apo inflacioni, zvogëlon fuqinë blerëse të konsumatorëve. Kjo ndodh pasi në periudhë afatshkurtër pagat nuk iu përshtaten nivelit të inflacionit. Në mungesë të sovranitetit monetar, Kosova mundet që vetëm nëpërmes politikës fiskale të tentoj ta kontrolloj rritjen e çmimeve. Megjithatë, mbajtja e çmimeve nën kontrollë nuk është një sfidë e lehtë, pasi siç është thënë shumë herë, inflacioni në Kosovë është i importuar. Kjo pasi shumica e kërkesës agregate për mallra plotësohet nga importi. Kështu, një rritje e çmimeve në vendet prej nga blejmë, do ta ndjehet shumë shpejtë edhe tek ne. Në raportin e çmimeve të Agjencisë së Statistikave (ASK) për muajin mars 2021, norma e inflacionit ishte 1.2% më e lartë sesa për periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Norma e rritjes, në vetvete, nuk është shqetësuese, por janë dy arsye që na bëjnë të dyshojmë mbi saktësinë e numrave të prezantuar: artikujt e shportës së konsumit dhe peshat e përcaktuara për elementët agregues.

Fillimisht duhet thënë troç: matja e inflacionit nuk është shkencë ekzakte dhe si rezultat, çdo herë ka hapësirë për debate e mospajtime. Pra, përtej metodave statistikore, çdo herë është i nevojshëm gjykimi racional i personave që merren me këtë punë. Ndonëse ASK punon duke u bazuar në metodat e Eurostatit, në matjet e çmimeve për vitin 2020 dhe 2021 nuk ka arritur të fus efektet potenciale të pandemisë. Në vitet e fundit, ASK-ja kalkulon rritjen e çmimeve duke u bazuar në 91 klasa të konsumit, dhe rreth 420 produkte. Në këtë shportë të konsumit nuk është përfshirë ndryshimi i preferencave të konsumatorëve që ka derivuar nga situata me koronavirusin.

Në Angli, Zyra Kombëtare e Statistikave e ka përditësuar shportën e konsumit, duke futur dhjetëra produkte në shportë. E thënë ndryshe, produktet si veshje të thjeshta për shtëpi, dezinfektues për duar, pajisje shtëpiake për ushtrime sportive, pajisje të teknologjisë së mençur dhe të tjera të ngjashme, janë shtuar në shportën e konsumit. Ky përditësim ka ardhur si pasojë e ndryshimit të sjelljes së konsumatorëve gjatë periudhës së krizës shëndetësore. Ashtu si në Angli, edhe në Kosovë ka ndryshuar kultura e konsumit. ASK-ja duhet t’i ketë parasysh këto ndryshime kur bën vlerësimin e nivelit të çmimeve, pasi gjatë mbylljes totale, kërkesa së bashku me çmimet për produktet ushqimore ishte më e madhe.

Përveç futjes së produkteve të reja në shportën e konsumit, është e nevojshme të merren parasysh edhe devijimet nga mesatarja e çmimeve të produkteve dhe shërbimeve. Richard Davies, profesor në Universitetin e Bristolit në Britani, argumenton që ndër vite, dallimet e çmimeve nga mesatarja kanë vazhduar të rriten. Për shembull, mediana e çmimit të çorapeve për meshkuj është 2 funta – e pa ndryshuar që nga viti 1988. Ndryshe nga viti 1988, tani në dyqane ka llojllojshmëri më të madhe të çorapeve, çmimi i të cilave ndryshon nga 1 deri në 10 funta. Është evidente që një shtresë e konsiderueshme e shoqërisë blen produkte më cilësore, gjë e cila duhet ta merret për bazë nga analistët e statistikave.

Ngjashëm ndodh edhe në Kosovë. Përderisa një palë këpucë kushtojnë mesatarisht 25 Euro, një pjesë e madhe e shoqërisë blen mbathje mbi 50 Euro. Me pak fjalë, pabarazia në të ardhura ka tendencë ta paraqes normën e inflacionit më të vogël sesa ajo është në të vërtetë.

ASK-ja, duke u bazuar në Anketën e Buxhetit Familjar dhe Llogarive Kombëtare, vendos peshat brenda kategorive të konsumit. Pra, llogaritja e inflacionit bazohet në një sistem të ponderuar ku një kategorie i vendoset pesha që e ka në kalkulimin e përgjithshëm.

Efekti i pandemisë nuk është vërejtur në peshat e vendosura nga ASK-ja. Shëndetësia, për shembull, ka rreth 2% peshë në shportën e konsumit. Me mbi 80 mijë të infektuar e afër 2 mijë të vdekur, rëndësia e sektorit të shëndetësisë në shportën e konsumit nuk ka ndryshuar. Natyrisht, një numër i madh e kanë kaluar virusin pa ndonjë komplikim apo vështirësi, por nuk është numri i vogël i atyre që kanë marrë trajtim mjekësor. E ky trajtim, ka prekur thellë gjepat e tyre. Fatkeqësisht, indeksi i çmimeve nuk i jep peshë të mjaftueshme këtij sektori.

Veç kësaj, gjatë mbylljes totale të vitit të kaluar, transporti ka pasur 15% të peshës të vlerësimit final të inflacionit. Në një kohë kur lëvizja ishte e kufizuar, ku transporti ndër urban i autobusëve i ndaluar, rëndësia në shportën e konsumit nuk do të duhej të ishte e njëjtë. Për më tepër, pesha që i është vendosur kësaj komponente do të ketë ndikim të madh në normën e përgjithshme të inflacionit.

Në mënyrë që të kemi një pasqyrë të qartë për rritjen e çmimeve, zyrtarët e statistikave duhet t’i përditësojnë gjykimet e tyre të brendshme mbi nivelin e peshave për kategoritë e konsumit. Nëse jo, atëherë do të vazhdojmë të mbesim të pa informuar për nivelin më të saktë të inflacionit në vend.

Mospërkthimi i tkurrjes së buxhetit të qytetarëve në numra, do ta linte edhe Qeverinë në mjegull. Me fjalë të tjera, hapi i parë është të kuptohet problemi, e pastaj do të mund të diskutohet si ta zvogëlojmë efektin e rritjes së çmimeve në ekonomi.

You May Also Like

Disinfo

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.