Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Interesi në marrëdhëniet ndërkombëtare: rasti i Kosovës

Këshilltari i ministrit të Punëve të Jashtme (MPJ) të Republikës së Kosovës, z. Adri Nurellari, kishte marrë mundin të bënte një përgjigje të gjatë ndaj shkrimit tim mbi konceptet që orientojnë politikën e jashtme të Kosovës.

Shkrimi im, “Marrëdhënie katundare apo marrëdhënie ndërkombëtare”, nuk ishte menduar si kritikë ndaj protagonistëve të MPJ-së konkretisht, por ftesë për një reflektim rreth skemave publike interpretuese mbi të cilat vlerësohen marrëdhëniet e jashtme dhe, në veçanti, vendit që ka kategoria e interesit në politikën e jashtme të Kosovës. Jam i lumtur që, megjithatë, kjo ftesë bëri jehonë edhe tek z. Nurellari, si zyrtar i kësaj ministrie.

Z. Nurellari kishte vendosur të hidhte poshtë gjithë shkrimin tim përmes dy tezave. E para, se krahasimi im i marrëdhënieve katundare me bërjen e politikës së jashtme të Kosovës është “në rastin më të mirë një forcë zakoni apo deformim profesional e në rastin më të keq një sjellje snobë për të përbaltur elitën politike kosovare me nofkën ‘katundare’”.

Teza e dytë është se unë, si sociolog me përgatitje akademike, nuk kam aftësi (ose kompetencë) që të gjykoj rreth çështjeve të marrëdhënieve ndërkombëtare, pasi që kjo është fushë që, siç lë të kuptojë z. Nurellari, unë nuk e njoh.

Tek në fund mund të gjurmohen ca mospajtime konceptuale e politike, që do t’i adresoj për aq sa mundem, duke marrë parasysh se z. Nurellari do t’i drejtohem kryesisht sipas thirrjes së tij zyrtare, pa dëshiruar ta ngarkoj lexuesin me një trajtesë të gjatë.

Së pari, duhet të shpreh keqardhje që z. Nurellari, si intelektual i ngritur, nuk e kishte arritur ta lexonte shkrimin tim në nivelin konceptual në të cilin është shkruar. Ai, qoftë nga nxitimi, qoftë qëllimisht, keqlexon trajtimin tim të katundarizmit, duke e krahasuar atë me përdorime të ndryshme pezhorative të fjalës “katundar” në qarqet shoqërore në të cilat mbase kalon kohën z. Nurellari.

Në këtë kontekst, duke kujtuar se shkrimi im e precizoi qartë (të paktën, sipas mendimit tim) përdorimin e termit, nuk mund ta them se nga reagimi i z. Nurellari e kuptova se ku qëndronte problemi i tij me përdorimin tim të termit katundar dhe marrëdhënie katundare.

Ndonëse Sbunker-i nuk është medium akademik, megjithatë, tentoj kryesisht t’i përmbahem ca normave të vlefshme akademike të shkrimit analitik. Ndër këto është preciziteti i termave dhe përdorimi i tyre sipas definicioneve normative.

Në këtë kontekst, pasi konsultova sërish Fjalorin e Gjuhës Shqipe, nuk pashë se fjala “katund” ose “katundar” ka kuptimin e një fjale fyese.

Sipas fjalorit etimologjik të gjuhës shqipe, nga Vladimir Orel, fjala “katund” në domethënie historike ka kuptimin e një bashkësie barinjshë. Kanuni i Lekë Dukagjinit, një etnografi e pasur e jetës katundare shqiptare, i referohet katundit si njësi bazë shoqërore e politike. Z. Nurellari duhet të jetë i njohur me rëndësinë e shoqërive katundare në historinë agrare, shoqërore e politike shqiptare, që unë mbase nuk kam nevojë t’ia përsëris këtu.

Historikisht, për bashkësitë e vogla e të pavarura agrare, organizimi shoqëror katundar ka qenë mjet i rëndësishëm i qëndresës, autonomisë politike dhe vetë-organizimit. E ftoj z. Nurellari që ta lexoj The Art of Not Being Governed: An Anarchist History of Upland Southeast Asia (2010) të politikologut të njohur James C. Scott që të kuptojë se katundarizmi si formë e organizimit shoqëror e politik nuk është veçori e shqiptarëve, nuk është veçori madje vetëm e Ballkanit dhe, përkundër dallimeve të veçanta, i nënshtrohet një lloj gjeneralizimi sociologjik që unë e paraqita, duke u mbështetur në studimin e Pierre Bourdieu-së të shoqërive kabile të Algjerisë (duke marrë parasysh se Bourdieu, në studimet e tij të mëvonshme, elementet antropologjike të katundarizmit, i aplikon analitikisht edhe në kulturën urbane, moderne, kapitaliste të Francës).

Pra, nuk ka të bëjë përdorimi i konceptit “katundar”, me ndonjë dallim rural-urban, siç duket ta ketë kuptuar z. Nurellari. Në shprehjen e sotme, katundarizmi është një dukuri moderne kulturore shqiptare që nuk ka të bëjë thjeshtë, me origjinën gjeografike të personave ose individëve, apo me ekonominë rurale (bujqësinë e blegtorinë tradicionale). Madje, katundarizmi si metodë efektive, moderne politike e ekonomike gjen “vendbanimin” dhe shprehjen e vet kryesisht në zonat urbane, moderne, vendimmarrëse të shoqërive shqiptare, pra në kryeqytete dhe jo në fshat. Në këtë linjë, përdorimi im i termit ndjek mënyrën që ai është zhvilluar fillimisht nga Prof. Shinasi Rama, që është i cituar në tekst. Me sa duket, z. Nurellari nuk kishte marrë mundin ta konsultonte librin e Prof. Ramës dhe vendosi të interpretojë qasjen time sipas disa paragjykimeve të veta.

Mund të jetë deri dikund edhe i shpjegueshëm keqleximi i z. Nurellari të kësaj pjese të shkrimit, duke qenë se ai, nuk është specialist në sociologji. Mirëpo, z. Nurellari pretendon superioritet të njohjes së fushës së marrëdhënieve ndërkombëtare. Po supozojmë se është kështu, pavarësisht se për mua nuk janë të njohura punimet shkencore të z. Nurellari në këtë fushë, ku ai pretendon specialitet ekskluziv.

Po i kthehemi atëherë disa tezave të z. Nurellari në këtë fushë dhe lidhjen që ai ia bën këtyre politikës së jashtme të Kosovës. Ajo që më intereson mua, duke qenë se kjo ka edhe rëndësi politike (si këshilltar ministri, politikën e jashtme të Kosovës e përcakton më shumë mendimi i z. Nurellari se imi), dhe lidhet drejtpërdrejtë me objektin e shkrimit tim të shkurtër, është qasja e z. Nurellari ndaj kategorisë së interesit.

Z. Nurellari nuk diskuton këtë çështje në mënyrë të drejtpërdrejtë. Në vend të kësaj, ai ofron një diskutim të gjatë mbi atë që quan “marrëdhënie ndërkombëtare të shteteve të vogla”. Po i drejtohem shkurtimisht këtij diskutimi të z. Nurellari, para se t’i kthehem disa çështjeve substanciale e konkrete të politikës së jashtme të Kosovës, të cilat z. Nurellari, si përfaqësues i MPJ-së, është më se kompetent që t’i diskutojë.

Teza e z. Nurellari bazohet në një tezë, mbase edhe triviale, se shtetet e vogla nuk mund ta ndjekin politikën e jashtme të shteteve e mëdha. Ai thotë se shtetet e vogla, që nuk mund të jenë neutrale e as vetëmjaftuese, duhet të ndjekin aleanca me shtetet e fuqishme. Pastaj thotë se me rëndësi të veçantë për shtetet e vogla është multilateralizmi. Kjo, ndër të tjera, sepse pesha e shteteve të vogla në organizata multilaterale bëhet më e madhe se që është në realitet, për shkak të formave të votimit, përzgjedhjes së zyrtarëve drejtues në këto organizata etj.

Për ta zhvilluar këtë tezë, z. Nurellari na prezanton një çorbë teorike të realizmit, neorealizmit, liberalizmit e konstruktivizmit, duke marrë ngapak nga të gjitha. Përfundimi është se shtetet e vogla duhet të ndjekin aleanca dhe multilateralizëm. Megjithatë, aleanca dhe multilateralizëm ndjek pothuajse çdo shtet në botë, prandaj nuk mësuam se çfarë na qenka diferencia specifica në rrafshin e marrëdhënieve ndërkombëtare, e konceptit të z. Nurellari të shtetit të vogël. Dhe z. Nurellari, çuditërisht, në gjithë shkrimin e tij, nuk shpenzon asnjë sekond në konceptin e hegjemonisë, të cilin unë e kam përdorë në shkrimin tim e i cili, siç duhet ta di z. Nurellari, rrjedh pikërisht nga fusha e marrëdhënieve ndërkombëtare.

Në fakt, ky ushtrim akademik i z. Nurellari nuk besoj se ka qëllim të zhvillojë ndonjë pikëpamje të re në marrëdhëniet ndërkombëtare. (Nëse është kështu, edhe unë i dëshiroj shumë sukses z. Nurellari në këtë orvajte dhe pres t’i shoh studimet e tij të botuara akademike mbi temën e politikës së jashtme të shteteve të vogla.) Ajo çfarë bën z. Nurellari është që të mobilizojë teori të ndryshmë të marrëdhënieve ndërkombëtare, për ta mbrojtur politikën e MPJ-së në formë, por jo në përmbajtje.

Çfarë domethënë kjo?

P.sh., sipas z. Nurellari, për Kosovën, si shtet i vogël, “aleanca me SHBA-të dhe vendet e NATO-s është prioritet i pashmangshëm”. Natyrisht, pyetjes se pse SHBA-të dhe pse NATO-ja, mbase z. Nurellari duhet t’i jepte përgjigje përmes teorisë së hegjemonisë, por z. Nurellari mbase nuk është i interesuar të shkojë aq larg, sepse aty hapen një sërë problemesh tjera që na nxjerrin përtej një pikëpamjeje statike (p.sh., burimet e hegjemonisë, ciklet dhe rënia hegjemonike etj.). Këto probleme mbase janë të pakëndshme për z. Nurellari. Sidoqoftë, unë po bëhem pak më teknik në analizën time, dhe do të pyes z. Nurellari, si specialist i marrëdhënieve ndërkombëtare, se çfarë mendon kur, në raport me Kosovën, flet për “aleanca”?

Z. Nurellari, si specialist i marrëdhënieve ndërkombëtare, duhet ta di se në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, fjala “aleancë” ka një kuptim të caktuar. Ajo ka të bëjë, në radhë të parë, me një traktat midis dy shteteve për mbrojtje të përbashkët ushtarake nga një sulm i një pale të tretë. Si praktikant i marrëdhënieve ndërkombëtare, z. Nurellari duhet ta di se ndër aleancat e para të njohura në histori është aleanca midis monarikve absolutiste të Anglisë dhe Portugalisë, e nënshkruar më 1386, ku, në rast rreziku të njërit, “aleati është i përkushtuar që t’i japë ndihmë dhe mbështetje tjetrit”. Oxford Companion to Politics of the World (2001), konceptin “aleancë” (alliance) e përkufizon (sipas përkthimit tim): “një marrëdhënje kooperative e sigurisë midis dy ose më shumë shteteve, që zakonisht merr trajtë të një përkushtimi ushtarak i bërë në formë të shkruar”.

Nuk e di unë, në terma të marrëdhënieve ndërkombëtare, se për çfarë aleance e ka fjalën z. Nurellari, kur mes SHBA-ve dhe Kosovës nuk ekziston një traktat i mbrojtjes së përbashkët.

Nuk gjej dot, në arkivin diplomatik të Kosovës e as të SHBA-ve, një dokument të tillë.

Në rastin më të mirë, për Kosovën, një aleancë me SHBA-të, në kuptimin e drejtë të termit, përbën një aspiratë. Besimi se aleanca tashmë ekziston, siç lë të kuptojë z. Nurellari, është huqje e pafalshme për një specialist të marrëdhënieve ndërkombëtare.

Me këtë po dalim në çështje përmbajtësore.

Në bashkëbisedim me një zyrtar të MPJ-së për marrëdhëniet ndërkombëtare, e ndjej obligim publik që të merrem më saktësisht me politikat që i zbaton po kjo ministri.

Z. Nurellari në trajtimin e tij nuk na përçon qartë se cilat janë interesat e Kosovës në rrafshin e marrëdhënieve ndërkombëtare. Ai flet për aleancat dhe multilateralizmin, por për asnjë shtet që ndjek politikë racionale, aleancat dhe multilateralizmi nuk janë qëllime në vete. Megjithatë, unë një përkufizim të këtyre interesave e gjeta në web-faqen e MPJ-së, ku mund të shkarkohet dokumenti “Objektivat e politikës së jashtme të Republikës së Kosovës”. Dokumenti nuk ka datë, pra nuk di nëse dokumenti është punuar nga ekipi i z. Nurellari, apo është trashëguar nga kjo ministri nga drejtuesit e kaluar. Sidoqoftë, sipas këtij dokumenti, një nga synimet kryesore të politikës së jashtme të Kosovës është, siç shkruan në dokument, “konsolidimi i shtetit të Kosovës”. Ky synim ndahet në dy komponenta, “përmbyllja e procesit të njohjes ndërkombëtare dhe anëtarësimit në organizatat kryesore ndërkombëtare” dhe “forcimin e sigurisë dhe stabilitetit të brendshëm dhe të mirëqenies sociale e ekonomike”.

Siç thekson edhe dokumenti i MPJ-së, politika e jashtme e Kosovës është e lidhur drejtpërdrejtë me konsolidimin e shtetësisë së Kosovës, si në aspektin e subjektivitetit të jashtëm, ashtu dhe të brendshëm. (Pra thirrja e z. Nurellari që të ndahet politika e brendshme nga ajo e jashtme bie ndesh me vetë strategjinë e ministrisë ku vepron z. Nurellari.) Pra, politika e jashtme duhet të jetë në funksion të konsolidimi të kësaj shtetësie.

Le të themi se, këta objektiva i konsideroj parimisht në rregull. Pyetja është nëse ky formulim vazhdon të jetë paradigma e politikës së jashtme të Kosovës sot dhe veçanërisht në raport me angazhimin kryesor diplomatik të qeverisë së Kosovës, negociatat me Serbinë.

Shkrimi im paralajmëroi rrezikun që ndryshimi i konstelacioneve rajonale mund ta rrezikojë pikërisht këtë proces. Nëse unë personalisht duhet të zgjedh midis konsolidimit të shtetësisë së Kosovës dhe normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, përsa kohë këto janë (siç janë sot) dy procese përjashtuese, unë detyrimisht do të zgjedh të parën. Ndërkaq, në pamundësi për të zgjedh të parën, të paktën nuk do ta zgjedhja të dytën.

Unë insistova në shkrimin tim të parë, dhe insistoj sërish, se si për SHBA-të, ashtu dhe për BE-në, Serbia është shtet më i rëndësishëm në rajonin e Ballkanit se sa Kosova. Udhëheqja serbe, e cila është e vetëdijshme për këtë, i jep Serbisë atë që në anglisht quhet leverage.

Unë pyes se çfarë masa parashikon politika e jashtme kosovare, në rast se Serbia vazhdon ta përdorë ketë leverage, tashmë edhe si kandidat për anëtar i BE-së, pranues i qindra miliona eurove investime nga BE-ja dhe SHBA-ja, me tri brigada ushtarake të vendosura përreth kufirit të Kosovës, me struktura të organizuara politike e parapolitike brenda Kosovës, për të minuar shtetësinë e Kosovës? Nuk kuptova, nëse z. Nurellari, sheh politikën aktuale të Serbisë si rrezik për qëllimin themelor të MPJ-së së Kosovës, që është “konsolidimi i shtetit të Kosovës”? Në këtë llogari, dhe në situatën aktuale ku ndjej unë se retorika për “aleanca” e miqësi, e obligime nuk mjafton, unë insistoj në kategorinë e interesit.

Për z. Nurellari kjo është e rrezikshme. Aq më tepër, ai thotë se të insistosh në kategorinë e interesit për të definuar politikën e jashtme të Kosovës, dhe ndjekjen e tij edhe kundrejt kundërshtive të caktuara, paraqet “naivitet intelektual ose një papërgjegjshmëri politike”.

Kjo është habitëse kur vjen nga z. Nurellari. Ai sikur ka ndjekur shembullin tim të “naivitetit intelektual” dhe “papërgjegjshmërisë politike” (që në asnjë rast nuk më takon mua, sepse unë nuk jam zyrtar politik), në të paktën dy raste. Në këto raste, z. Nurellari kishte temë politikën e jashtme të Shqipërisë, një vend që, ndonëse nuk i ka problemet e ndërkombëtare të Kosovës lidhur me njohjet dhe pjesëmarrjen formale në arenën ndërkombëtare, besoj se i takon konceptit të z. Nurellari mbi “shtetet e vogla”. Këtu, regjistri i z. Nurellari sikur ndryshon dhe ai nuk flet për miqësi, aleanca e multilateralizëm me çdo çmim, por për interesa.

Në një shkrim të botuar në janar të vitit 2013, lidhur me politikën e jashtme të Republikës së Shqipërisë, z. Nurellari ngritte shqetësime ndaj synimeve të politikës së jashtme të Partisë Socialiste, asokohe në opozitë. Rast ishin kritikat që kjo parti ia bënte kryeministrit të atëhershëm Sali Berisha, lidhur me një deklaratë që ai kishte bërë në Shkup, mbi mbetjen e territoreve shqiptare jashtë Shqipërisë më 1913. Mbrojtjen e interesave të shqiptarëve jashtë Shqipërisë, z. Nurellari aty e quan plotësisht legjitime, ndërsa kritikonte PS-në për “hiper-ndjeshmëri ndaj interesave të ndërkombëtarëve dhe shpërfillje ndaj interesit kombëtar shqiptar” (!). Ai sugjeron që, “Ka ardhur koha që partia kryesore e opozitës të distancohet nga ky kompleks inferioriteti ndaj të huajve dhe të zgjedhë të jetë përfaqësuese e denjë e interesave kombëtare shqiptare” (!) (theksi im).

In the key një punim tjetër, z. Nurellari sikur shpreh rezerva mbi atë që pohon në reagimin ndaj meje, se interesat e shteteve ose organizatave hegjemone të sistemit ndërkombëtar janë gjithmonë të dobishme dhe pozitive për shtetet e vogla. Në një raport të bërë për European Institute, më 2006, z. Nurellari ngritë kritikë serioze ndaj BE-së, duke thënë se (sipas përkthimit tim), “BE-ja është treguar e gatshme ta sakrifikojë demokracinë në Shqipëri për hir të stabilitetit të Ballkanit”. Vazhdon më tej z. Nurellari në këtë punim, “BE-ja nuk është sjellur me Shqipërinë në mënyrë paternaliste, bazuar në parimin bujar të demokratizimit, por i ka imponuar Shqipërisë prioritetet që BE-ja ka patur për rajonin e Evropës juglindore”, se BE-ja ka “shpërblyer qëndrimet anti-nacionaliste të Partisë Socialiste”, për hir të interesave të veta “ka njohur rezultate e një sërë zgjedhjesh të manipuluara”, etj. etj. Në këtë rast, sikur z. Nurellari distancohet nga doktrina e tij se multilateralizmin duhet synuar me çdo kusht.

Ka raste tjera kur z. Nurellari ka alarmuar se kundërshtia ndaj kërkesave të caktuara të SHBA-ve, do të ketë pasoja të rënda.

Kështu, z. Nurellari, para ca viteve, në disa paraqitje televizive, kishte alarmuar se kundërshtimi, nga Republika e Shqipërisë, për shkatërrimin e propozuar të armëve kimike siriane në territorin e saj, do të këtë pasoja të rënda dhe të pandreqshme për marrëdhëniet diplomatike mes Republikës së Shqipërisë dhe SHBA-ve. Ai kishte paralajmëruar se kundërshtia ndaj shkatërrimit të armëve kimike ishte “populliste” dhe se refuzimi është shfaqje “kapadai e prepotent me aleatin kryesor, të cilit i jemi përjetë borxhli”. Po e lëmë mënjanë idolatrinë e shprehur në këtë fjali nga z. Nurellari, që nuk ka vend në një konsideratë racionale e analitike të marrëdhënieve ndërkombëtare. Sido që të jetë, parashikimet e z. Nurellari për prishjen e marrëdhënieve Shqipëri-SHBA si pasojë e refuzimit të qeverisë shqiptare që të pranojë mjetet kimike në territorin e saj, nuk dolen të sakta.

Ajo që është interesante është se, asohohe, z. Nurellari i sugjeronte kritikëve të tij se, “[n]ëse do të duhej të rimëkëmbej krenaria e sovraniteti kombëtar shqiptar, ky proces nis nga vënia në vend e dinjitetit me vendet fqinje dashakeqe”.

Nuk po shoh arsye ta zgjas më tepër.

*

Nuk kam ndërmend të merrem me arrogancën e z. Nurellari për sa i përket pretendimeve të tij për “deformime profesionale” apo përqeshjen e tij për “fuzionin teorik mes sociologjisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare”. Nuk mund ta besoj se z. Nurellari nuk di se konstruktivizmi, si qasje në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, mbështetet krejtësisht në tradita sociologjike. Ai përbuzë përdorimin tim të sociologjisë për të interpretuar marrëdhëniet ndërkombëtare, kurse nga ana tjetër citon Alexander Wendt, duke harruar se kapitulli i parë i librit të Wendt-it, Social Theory of International Politics, mban titullin “Katër sociologji të marrëdhënieve ndërkombëtare” (“Four sociologies of international politics”). Njashtu, si duket z. Nurellari nuk është i njohur me ekzistencën e fushës së sociologjisë politike ndërkombëtare (international political sociology), e cila ekziston edhe si sekcion i organizuar pranë International Studies Association (ISA), shoqatës më të madhe akademike për studimin e marrëdhënieve ndërkombëtare në botë, ku edhe nxjerr revistën e saj International Political Sociology. Ai e quan fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare një “fushë të konsoliduar”.  Ndërkaq, pamundësia për ta ndarë studimin e marrëdhënieve ndërkombëtare nga disiplinat tjera është një problem thelbësor i vetë kësaj fushe. P.sh., në shënimin e Patrick Thaddeus Jackson, në enciklopedinë e ISA mbi rolin e teorisë në marrëdhëniet ndërkombëtare, ai thekson se “nuk ekziston akoma një konsenzus i gjerë mbi atë se çfarë do të thotë të kesh një ‘teori të marrëdhënieve ndërkombëtare’, lëre më një koncenzus mbi atë se çfarë ajo teori duhet të përmbajë apo çfarë qëllime duhet t’i avancojë”. Autoriteti me të cilin flet z. Nurellari bën të kuptosh ndryshe, por është e qartë se ai flet nga pozicione që nuk pranohen nga shumica e praktikantëve të disiplinës të cilën ai mëton ta përfaqësojë. Mirëpo, këto janë çështje të dorës së dytë sepse me sa kuptova unë z. Nurellari nuk ishte i interesuar kryesisht për të zhvilluar debat akademik.

________________

Ky shkrim është ribotuar nga redaksia pas një tërheqje për shkaqe teknike.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.