Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

ISIS si totalitarizëm dhe rreziku për shoqërinë tonë

Kohëve të fundit krimet e ISIS-it kanë zënë qendrën e vëmendjes së medieve botërore dhe opinionit publik shqiptar. Ajo që e bën akoma më shqetësuese këtë situatë është numri alarmant i bashkëkombasve tanë që janë rekrutuar nga ky formacion terrorist dhe që me gjasë nëse kthehen do të importojnë me vete ideologjinë, dhunën e terrorin duke kërcënuar seriozisht paqen dhe rendin tonë publik. Mirëpo diskutimet mbi ISIS-in shpesh marrin një kah të gabuar fetar duke konfirmuar dhe promovuar në një farë mënyre axhendën e ISIS-it i cili pretendon të jetë përfaqësuesja e vërtetë e islamit të pastër. Jo më kotë ISIS e quan veten shtet islamik duke ngjarë shumë me farsën e Republikës Demokratike Gjermane dikur apo Republikën Popullore Demokratike të Koresë sot që kanë pretenduar konceptin demokratik formalisht në emër mirëpo nuk kanë pasur aspak të bëjnë me demokracinë.

Trajtimi i ISIS-it më shumë në rrafshin liturgjik  fetar duke folur për shkolla apo tendenca të islamit apo duke kaluar madje dendur edhe në stereotipizime islamofobe apo anti-imigrante, faktikisht është i mangët dhe nuk jep një shpjegim solid të këtij realiteti të ri politik si dhe nuk jep recetat e duhura për ta ballafaquar siç duhet këtë të keqe të kobshme që kërcënon botën e lirë sot. Mënyra më e mirë për ta analizuar këtë realiteti të ri tiranik është duke  e analizuar e mandej luftuar si një formë të re të një sistemi politik totalitar.

Historia e njerëzimit ka njohur në shekullin e kaluar (me një rudiment  që vazhdon edhe në këtë shekull  siç është Korea e Veriut)  ka njohur një sërë rastesh regjimesh totalitare që kanë shkaktuar mbi 150 milionë viktima që kanë tipare shumë të ngjashme me ISIS-in e sotshëm. Sikurse regjimet fashiste dhe komuniste dikur edhe ISIS-i sot karakterizohet nga sulme ndaj lirisë së fjalës, lufta ndaj demokracisë;  shkelja e ekonomisë së tregut; një urrejtje ndaj qytetërimit perëndimor në mënyrë të veçantë ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës; përdorimi i propagandës për të promovuar dhunën dhe mënyrën e tyre të shtrembër të të parit të botës; nocione të forta anti-semite dhe një urrejtje ndaj Izraelit; himnizimi i kultit të individit duke e quajtur udhëheqësin kalif dhe duke i dhënë pothuaj atribut hyjnor etj.

Prandaj më shumë sesa një rishfaqje e obskurantizmit mesjetar teokratik, ISIS-i duhet të shihet e trajtohet si një projekt politik totalitar.  Nëse nisemi nga retorika mund të thuhet se ngjashmëria e kryesore e ISIS-it dhe rastet e tjera historike të totalitarizmin ka të bëjë me pakënaqësinë dhe armiqësinë që kanë me rendin ekzistues ndërkombëtar dhe me refuzimin që i bëhet sistemit politik të liberal demokracisë si dhe të sistemit të ekonomisë së tregut.  Faktikisht në kryeveprën e saj “Origjinat e Totalitarizmit” Hannah Arendt merr në shqyrtim dy regjimet totalitare rivale, fashizmin dhe komunizmin, dhe gërmon në rrënjët e tyre historike për të kuptuar se ku buron totalitarizmi. Ajo e gjen origjinën e totalitarizmit tek disa elemente si  antisemitizmi,  zhgënjimi me sistemin ekzistues dhe gjendjen e shoqërisë, imperializmi dhe anti-imperializmi apo nihilizmi.  Një tjetër mendimtar i njohur që ka shkruajtur për totalitarizmin ka qenë Raymond Aron i cili ka parashtruar pesë shenja dalluese të totalitarizmit. Së pari monizmi apo sistemi një partiak dhe në rastin e ISIS-it është një palë që ka monopol dhe opozita eliminohet fizikisht. Ka një ideologji sunduese që shitet si e vërtetë e kulluar dhe në këtë rast dogma e terroristëve e një pseudo-islami nuk dallon shumë nga mendimi totalitar nazist apo ai komunist. Ka monopol shtetëror të informacionit sikurse ndodh në territoret e ISIS-it ku pluralizmi dhe zërat alternativë janë shuar me dhunë.  Ka një ekonomi shtetërore dhe qartazi terroristët kanë shtetëzuar vënë në kontroll kapilar ekonominë e zonave që kanë pushtuar. Ka terror dhe për makabritetet e ISIS-it ndaj pakicave fetare apo disidentëve janë bërë të përditshme në mediat ndërkombëtare. Me pak fjalë i përmbush kriteret që jep Aron për tu konsideruar një sistem politik totalitar.

Paralelizmat apo analogjitë me sistemet totalitare të kaluara janë të shumta. Në ISIS sikurse në një regjim tipik totalitar eliminohet ndarja mes pushteteve,  mes jetës private e publike, ndarja klasore duke konfiskuar pronat e pasanikëve disidentë, ndarja mes  fesë dhe shtetit dhe imponohet një konformizëm total për të ndërtuar një shoqëri të përbërë vetëm nga besimtarë të kulluar e besnik ngjashëm me njeriun e ri socialist apo me racën eprore arjane. Totalitarizmi pikësëpari nënkupton kontrollin total të normave morale dhe ligjore të territorit të sunduar Interpretimet e rrepta të Sheriatit imponohen me dhunë duke diktuar një kod veshje dhe stil jete që nuk dallon shumë prej luftës kundër shfaqjeve të huaja që bëhej në kohën e “xhaxhit” në Shqipëri.  Po ashtu indoktrinimi është gjithëpërfshirës dhe nuk mjaftohet vetëm tek ri-organizimi i kurrikulave arsimore por edhe me censurimin e informacionit që vjen nga jashtë. Nëpër shkolla për shembull janë anuluar prej programeve shkollore lëndë si arti, muzika, filozofia, sociologjia apo psikologjia. Në biologji ndalohet të flitet për evolucion ndërsa në letërsi në lëndën e gjuhës arabe ndalohet përmendja e veprave pagane.

Terrori është mbase edhe tipari më përfaqësues i këtij realiteti politik totalitar  ku zhvillohen gjyqe të përshpejtuara e të inskenuara publike dhe ekzekutime para popullit njësoj si ato të kohës së Stalinit, Enverit apo të kmerëve të kuq të Pol Potit në Kamboxhia. Dallimi është prania e mjeteve më të avancuara të komunikimit dhe këto krime katile sot përhapen nëpër gjithë botën nëpërmjet internetit e medieve sociale. Mandej mbizotëron hipokrizia sepse përfaqësuesit e regjimit totalitar justifikojnë ekseset dhe përdorimin e skajshëm të dhunës duke pretenduar se  ndjekin një kauzë fisnike dhe përfaqësojnë një autoritet moral sipëror.

Të gjitha raportet flasin gjithashtu për një aparat të konsoliduar të shërbimit sekret me një rrjet masiv informatorësh që nuk dallon shumë nga Sigurimi apo STASI.  Në territorin e ISIS vërtiten skuadra të vdekjes që ngjashëm me  apo detashmentet e Çekas bolshevike apo Einsatzgruppen të SS-ve naziste, organizojnë ndëshkime kolektive dhe vrasje masive të kundërshtarëve apo pakicave.  Çuditërisht ka edhe një përputhje për sa i përket uniformës sepse sikurse terroristët e ISIS-it sot në fillimet e veta pjesëtarët e Çekas visheshin me xhaketa lëkure të zezë e po ashtu uniformat e SS-ve dhe në përgjithësi fashistët kishin një preferencë për të zezën. Rastësisht dhe kriminelët e Pol Potit uniformë të zezë mbanin.

Dimensioni totalitar manifestohet edhe nga mënyra se si zhvillohet lufta e ISIS-it duke ndërmarrë një luftë totale. Ky koncept nënkupton mobilizimin total të të gjitha burimeve për të fituar luftën si dhe shpërfillja e të gjitha ligjeve të luftës duke goditur jo vetëm objektiva legjitim luftarak por edhe infrastrukturën civile si dhe duke mos bërë dallimin mes luftëtarëve dhe jo-luftëtarëve.

Një nga ngjashmëritë spikatëse është nevoja për tu shpërndarë ndërkombëtarisht si murtaja njësoj si fashizmi dhe komunizmi. Me dhjetëra mijëra kriminelë nga gjithë bota kanë shkuar në këtë kuazi-shtet. Përpos kësaj duket qartë përpjekja e këtyre terroristëve për të shtrirë tentakulat jashtë Irakut e Sirisë duke investuar në propagandë ndërkombëtare, duke u përpjekur që të mobilizojnë dhe rekrutojnë ushtarë kudo në botë dhe duke organizuar aksione terrori jashtë territorit që kontrollojnë.  Të tilla përpjekje ndërkombëtarizimi ka bërë edhe enverizmi ynë mediokër duke armatosur e stërvitur grupe marksiste latine e arabe, duke dhënë para për parti komuniste radikale në perëndim apo duke mbajtur një mjet propagande si Radio Tirana që në kohët e lavdishme të saja renditej në 10 më të fuqishme të botës me 21 gjuhë të ndryshme të huaja të transmetuara.  Ambicja për tu përhapur si epidemi ndërkombëtarisht duket edhe nga nisma e fundit e ISIS-it për të ndryshuar emrin nga ISIS që nënkuptonte Shtetin Islamik të Irakut dhe Sirisë në thjesht Shtet Islamik duke manifestuar një oreks për dominim global.

Një tjetër analogji është gatishmëria për të vrarë jo vetëm ata ndryshe por edhe njerëz të të njëjtit soj që manifestojnë elemente të zbehta disidence. Ashtu sikurse komunistët të cilët nuk kursenin të eliminonin në mënyrë mizore komunistë të devotshëm edhe terroristët e ISIS-it nuk e kanë për gjë që të eliminojnë muslimanë suni që manifestojnë më të voglën shenjë pakënaqësie me regjimin.  Tanimë që janë eliminuar apo dëbuar përfaqësuesit e pakicave apo kundërshtarët politikë vëmendja survejuese e ISIS ka kaluar tek muslimanët suni dhe mjafton që të vihet re një shenjë dallimi në veshje sjellje apo të folur që ta pësosh keq atje ngjashëm me dënimet në Shqipëri ku  mund ta humbje lirinë duke veshur pantallona tub, mbajtur flokë të gjata apo dëgjuar muzikë në gjuhë të huaj.

Një tjetër dëshmi i qasjes  totalitare të shtetit pseudo-islamik është qasja ndaj të kaluarës dhe monumenteve duke dashur që të fshijnë të kaluarën për të ndërtuar një narrativë të tyre historike në mënyrë që të dominojnë të ardhmen (duke përdorur këtu qasjen e Santayanes).  Shkatërrimi i qytetit të Palmirës që listohet si trashëgimi botërore e UNESCO-s, i muzeut të Mosulit apo i një numër të madh objektesh kulti të krishtera e shiite nuk dallon shumë nga revolucioni kulturor i Mao Ce Dunit i cili fatkeqësisht u imitua me zell të madh edhe në Shqipëri. Mund të thuhet pa frikë që shkatërrimi më i madh i monumenteve në Shqipëri ka ndodhur gjatë komunizmit kur frymëzuar nga gardistët e kuq kinezë tek ne u zhdukën objektet e kultit në kuadër të shndërrimit të Shqipërisë në të parin vend ateist në botë. Gjithashtu me shkatërrimin të frymëzuar nga ideologjia totalitare të pazareve si dëshmi të pranisë së traditës së ekonomisë së tregut dhe pronës private në vend si dhe me shkatërrimin e pallateve apo sarajeve të të pasurve të Shqipërisë për të eliminuar dallimin mes klasave.

Kur flitet për anti-semitizmin kjo urrejtje ka qenë shtyllë e ideologjisë së fashistëve por edhe shtetet komuniste e sponsorizonin anti-semitizmin e shumë grupet terroriste marksiste kishin një dimension të qartë anti-semite sikurse e dëshmon  masakra në aeroportin izraelit të Lodit e bërë prej tre japonezë të Ushtrisë së Kuqe Japoneze në 30 Maj 1972  apo lidhjet e ngushta të Rote Armee Fraktion gjermane me terroristët palestinezë.

Siç shihet janë të shumta përafërsitë që dëshmojnë për dimensionin totalitar të ISIS-it dhe pasi kemi përcaktuar premisën se ky regjim barbar është një sistem politik totalitar atëherë bëjmë mirë të analizojmë përse bashkatdhetarët tanë joshen nga totalitarizmi i ISIS-it dhe vendosin të luftojnë për këtë kauzë perverse e çnjerëzore të këtij regjimi.

Shpjegimin më të mirë na e jep psikologu gjerman Erich Fromm i cili pasi ia doli të arratisej vetë prej Gjermanisë totalitare pak kohë pas ardhjes në pushtet të nazistëve shkroi në vitin 1941 një libër të titulluar “Arratisja nga Liria” ku përpiqet të shpjegojë përse kaq shumë qytetarë ishin të tërhequr prej ideologjisë totalitare naziste.  Ai vuri në dukje se është pjesë e natyrës njerëzore frika e të qenurit i lirë dhe prandaj ka njerëz që preferojnë t’i nënshtrohen një autoriteti sesa të mbaj përgjegjësi personale për jetën e vetë.  Këta individë përjetojnë një ndjenjë ngarkese lirisë për të zgjedhur dhe mungesës së pengesave  dhe prandaj kultivojnë mendime dhe sjellje qe u japin atyre një ndjesi sigurie. Fromm shkruan se shumë individë të tillë vendosin të largohen prej lirisë për të zgjedhur dhe përpiqen që dikush apo një institucion tjetër të marrë vendime për ta duke iu larguar kështu edhe kontrollit dhe përgjegjësive personale.

Ai dallon tre mekanizma arratisje, i pari është autoritarizmi që nënkupton një tendencë për të hequr dorë nga pavarësia personale duke iu nënshtruar një force sipërore autoritare. Këtë mekanizëm e përshkruan si sado-mazokizëm sepe kombinon dëshirën për të kontrolluar sjelljen e të tjerëve por edhe gatishmërinë për tiu bindur e disiplinë urdhrave që vijnë nga autoriteti. Mekanizmi i dytë është destruktivizmi që nënkupton një personalitet që dëshiron të shkatërrojë diçka që nuk e fut dot nën kontroll.  Ky destruktivizëm kamuflohet shpesh me fjalët dashuri, detyrë, moral , ndërgjegje dhe patriotizëm.  I treti është konformizmi që përkthehet në heqjen dorë prej individualitetit në mënyrë që të përmbushin dëshirat e të tjerëve, që të duken më popullor dhe të denjë për shoqërinë por edhe duke hequr dorë nga mendimi i lirë i cili mund t’u provokojë ankth.

Sot të tre këto mekanizma apo tendenca gjenden shumë të pranishme në popullin tonë qoftë në Shqipëri e qoftë në Kosovë dhe kultivimi i shoqërisë sonë kundër autoritarizmit, destruktivizmit dhe konformizmit duhet parë si një masë parandaluese shumë e rëndësishme.  Shoqëria shqiptare nuk duhet të ri indiferente ndaj tendencave autoritare të disa aktorëve politik,  ndaj prirjes së pranimit të dhunës dhe destruktivitetit si mjet politik si dhe ndaj mentalitetit konformist që s’pranon diversitetin dhe pluralizmit të mendimit sepse këto elemente shërbejnë si katalizatorë të një klime që nxit mobilizimin e atyre që vendosin të “arratisen nga liria” dhe përqafojnë totalitarizmin.

Nëse duam ta luftojmë ISIS-in  në trojet shqiptare, ne luftën nuk duhet ta bëjmë vetëm me formë represive me armë sikurse u mposht totalitarizmi fashist 70 vite më parë por edhe me antidotin kryesor kundër totalitarizmit, që është liria. Që ISIS të sfidohet siç duhet ai duhet të goditet aty ku e ka rrënjën pra tek ideologjia totalitare dhe duke e sfiduar në tregun e ideve. Sistemi liberal demokratik që përpiqemi të ndërtojmë ka padyshim papërsosmëri që meritojnë të adresohen mirëpo qasja nihiliste ndaj këtij sistemi ekzistues është një ushqim për mentalitetin totalitar.   Kjo do të thotë që duhen nxjerrë në pah perversitetet, mashtrimet, falsifikimet, mizoritë dhe qëllimet e vërteta të regjimit totalitar të ISIS-it.  Por ajo që është më e rëndësishme është që në shoqërinë tona të promovohen ato vlera që ISIS lufton si liria, demokracia, toleranca, paqja  e tregu i lirë.

 

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.