Presidenti rus njihet për akuzat e shpeshta kundruall Perëndimit, duke e cilësuar shpeshherë si imperialiste dhe hipokrite. Megjithatë, sjellja e saj karshi fqinjve ka qenë e vendosur shpeshherë në paradoks me këtë premisë. Ai nuk ka hezituar që të përkrahë financiarisht edhe disa qeveri tejet të korruptuara në rajon. Poashtu, ai ka shantazhuar ekonomikisht dhe politikisht autokratët që kanë hezituar që t´i nënshtrohen interesave ruse. Kur këto mjete nuk kanë funksionuar, Rusia nuk ka hezituar për të përdorur fuqinë e saj të fortë. Kështu, ndër vite, Rusia ka pushtuar Gjeorgjinë, ka aneksuar Krimenë dhe ka përkrahur aktivisht seperatistët rusë në rajonet e tjera të Ukrainës lindore. Ajo ka ndërmarrë këto veprime nën pretekstin e mbrojtjes së sferës së saj së influencës dhe nën ruajtjen e interesave të sigurisë ruse, por në të vërtetë, këto veprime kanë pasur efektin e kundërt, sidomos në rastin e Ukrainës. Këtë veprime kanë dëmtuar substancialisht lidhjet kulturore, politike dhe sociale të popullit rus dhe ukrainas.
Ukraina është tani më e vendosur se kurrë që të jetë pjesë e NATO-s dhe BE-së. Në këto rrethana, Putini ka vlerësuar kërcënimin për një konfrontim të hapur ushtarak, si alternativë të fundit për të ndalur aspiratat euro-atlantike të Ukrainës. Megjithatë, pozicionet diametralisht të kundërta e kanë vështirësuar substancialisht gjetjen e një zgjidhjeje që do të de-eskalonte situatën. Pavarësisht refuzimeve nga autoritetet ruse për të pranuar se kanë synim për të pushtuar Ukrainën, fakti se 180 mijë ushtarë të saj ndodhen në pozicion sulmues në kufi me Ukrainën krijojnë një përshtypje tjeter.
Në këtë situatë, duket që Kremlini e ka ndarë mendjen. Konflikti nuk do të mund të anashkalohet nëse kërkesa ruse për garantimin e mosinkuadrimit të Ukrainës në NATO nuk plotësohet, gjë që është bërë e qartë që nuk do të ndodhë. Andaj, Rusia tanimë veçse ka vendosur për përshkallëzimin e konflikit me vendimin e saj të fundit që të njohë pavarësinë e dy rajoneve ukrainase (të ashtuquajturat Republikë të Donetsk-ut dhe atë të Luhansku-t), të cilat kanë një numër të konsiderueshëm të qytetarëve rusë. Njohja e pavarësisë të këtyre dy rajoneve seperatiste do të ketë rol të dyfishtë. Së pari, do të shërbejë si justifikim për pushtimin e Ukrainës. Në njërin skenar, Rusia do të mund të kërkojë nga Ukraina që të tërheqë trupat e saja të armatosura nga hapësira territoriale e rajoneve separatiste ose të pregatitet për konfrontim me trupat ruse, të cilat sipas veçse janë urdhëruar që të hyjnë në territorin e këtyre rajoneve, nën pretekstin e mbrojtjes së seperatistëve rusë nga ajo që Kremlini interpreton si „sulm ukrainas ndaj popullësisë ruse“.
Autoritetet ukrainase nuk kanë se si të përgjigjen pozitivisht kësaj kërkese për tërheqjen e trupave të saj, edhe po të ekzistonte vullneti politik në Kiev (gjë që nuk mund të ekzistojë). Kjo, sepse çdo dakordim për largim të trupave nga rajonet seperatiste në Ukrainë do të nënkuptonte shkeljen e Kushtetutës së vendit dhe njohje de facto të rajoneve seperatiste si të pavarura. Stabiliteti politik në Ukrainë do të prishej dhe Ukraina do të përballej me probleme serioze të brendshme politike. Poashtu, nuk ekziston asnjë garanci që Rusia nuk do të shpikte ndonjë pretekst tjetër për të pushtuar Ukrainën, edhe nëse kjo e fundit do të pajtohej me kërkesat e papranueshme ruse. Për më tepër, ky veprim do të kishte një ndikim të tmerrshëm në moralin e ushtrisë dhe popullatës ukrainase. Të gjitha këto do të motivonin edhe më shumë Rusinë për të rritur kërkesat nën kërcënimin e përshkallëzimit të situatës.
Me një fjalë, Rusia do të vendoste qëllimshëm Ukrainën në një pozitë shumë të palakmueshme, e cila në lojën e shahut njihet si „Zugzwang“, ku çdo lëvizje e mundshme e kundërshtarit është në disfavor të tij. Në këto rrethana, pavarësisht se çfarë vendimi do të mirrnin autoritetet ukrainese, situata për Ukrainën do të përkeqësohej në mënyrë të konsiderueshme.
Në një skenar tjetër, është lehtë e imagjinueshme që të inskenohen pretekse sikur sulmet kundrejt ushtrisë ruse apo qytetarëve rusë, që pastaj të justifikohet pushtimi rus i Ukrainës. Përderisa ende nuk dihet saktësisht se si do të rrjedhin gjërat në të ardhmën e afërt, ve njohja e pavarësisë së rajoneve ukrainase ka qartësuar diçka: në Evropë me shumë gjasë do të ketë luftë.
Së dyti, Rusia dhe Serbia do të kenë interes të veçantë për të tentuar krijimin e paraleleve në mes të rastit të shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe atë të rajoneve seperatiste ukrainase. Rusia veçse ka filluar të përfshijë Kosovën në ekuacion. Ajo do të provojë të paraqesë aleatët tanë si hipokritë, duke qenë që ata njohën Kosovën si të pavarur ndërsa Rusinë do e vendosin nën sanksione të rënda për njohjen e pavarësisë së rajoneve ukrainase. Kosova nuk duhet të rreshtë së theksuari dallimin drastik në mënyrën se si ka ardhur tek shpallja e pavarësisë së Republikës sonë. Forcat ushtarake dhe paramilitare serbe kryen gjenocid ndaj popullësisë civile shqiptare. Vranë fëmijë, gra dhe pleq. Shkatërruan çdo të mirë materiale tonën dhe përdhunuan mbi 20 mijë gra shqiptare. Të njejtën e bënë edhe në Kroaci dhe Bosnje e Hercegovinë. Krimet e saj janë të dokumentuara mjaft mirë.
Në anën tjetër, sjellja e qeverisë së Ukrainës është diametralisht e kundert në raport me atë të Serbisë. As edhe një raport i vetëm kredibil ndërkombëtar nuk ofron indikacione për një situatë ndryshe. Përkundrazi, Ukraina ka shpejtuar tranzicionin e saj drejt demokracisë dhe ështe më e hapur e më miqësore se më parë për të gjithë qytetarët e saj. Për më tepër, askush nuk do të mund të besojë që një Ukrainë shumë më e dobët se Rusia, do të ishte e gatshme të sulmonte seperatistët rusë apo popullësinë ruse, në kohën kur ajo është e rrethuar në tri anë nga më shumë se 180 mijë ushtarë rusë. Edhe po të mos kishte fare forca të armatosura ruse në kufi, një supozim i tillë do të konsiderohej si marrëzi.
Në fund, Kosova do të përdoret si levë për të përçarë dhe dobësuar pozicionin e BE-së, duke marrë parasysh faktin se ka mospajtime në lidhje me statusin ndërkombëtar të Kosovës brenda vendeve anëtarë. Autoritetet e Republikës së Kosovës duhet të shfrytëzojnë këtë mundësi për të arritur të kundërtën: të forcojë pozicionin e saj ndërkombëtar dhe të rikthejë vëmendjen e aleatëve perëndimorë tek rëndësia e integrimit përfundimtar të Kosovës, sidomos në NATO dhe më vonë dikur edhe në BE.