Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

KEDS: Dy vjet e gjysmë pas

U bënë mbi dy vite e gjysmë prej momentit të privatizimit të sistemit të shpërndarjes dhe furnizimit të energjisë elektrike në Kosovë – KEDS-it. Arsyeja për privatizimin e KEDS ishte rritja e performancës – pra uljen e humbjeve teknike dhe komerciale në rrjetin e shpërndarjes dhe të furnizimit, përkujdes për ambientin nga ulja e humbjeve, përmirësimi i shërbimeve, dhe menaxhim më i mirë i burimeve njerëzore. Për fat të keq, problemet në sektorin energjetik vazhdojnë të mbesin të mëdha dhe, mbi të gjitha, Kosova vazhdon të ketë ndërprerje të energjisë elektrike dhe furnizim jo stabil. Normalisht, do të ishte gabim t’i atribuohen të gjitha këto KEDS. Por pyetja është se çfarë efekti kishte privatizimi i KEDS kundrejt qëllimeve të privatizimit te tij?

Fillimisht, një pjesë e madhe e popullsisë dhe politikbërësve ishin kundër privatizimit të KEDS. Disa ishin kundër për arsyen e thjeshtë që një kompani aq e madhe dhe me rëndësi aq të madhe sa KEDS nuk do të duhej të ishte në duar private e aq më pak në duar të të huajve. Disa tjerë ishin në parim pro privatizimit por kundër çmimit poshtërues që u dha për të, sidomos pasi që vetëm në pesë vitet e fundit para privatizimit në KEDS ishin investuar rreth 55 milion euro ndërsa KEDS u shit me çmim prej 26.3 milion euro.

Një perspektive tjetër kundër privatizimit ishte fakti që pjesa e distribucionit është monopol natyror – pra janë vetëm një palë tela të rrymës dhe nuk ka kurrfarë kuptimi ekonomik që të jenë më shumë se një palë – dhe si i tillë duhet të mbetet në pronë publike. Tregu i lirë sjellë magjinë e vet për shkak të konkurrencës dhe jo për shkak të ndonjë karakteristike supernatyrale. Por në rastin e rrjetit të shpërndarjes nuk mund të ketë konkurrence andaj edhe nuk pritët që privatizimi të sjellë domosdo eficiencë ekonomike më të mirë. Përpos saj, privatizimi i KEDS i jepte edhe distribucionin edhe furnizimin të njëjtin pronar. Kjo mund të pengojë liberalizimin e tregut në fushën e furnizimit pasi që kompania e distribucionit, për nga kalon energjia elektrike për tek furnitori, mund të bashkëpunoj në mënyrë jo-fer me kompaninë e furnizimit në dëm të kompanive tjera të furnizimit. Në Kosovë kompania e shpërndarjes dhe e furnizimit ishin një dhe e vetme dhe iu ishte shitur të njëjtit pronar ndërsa tani janë dy por në pronësi të të njëjtit pronar.

Vonë në procesin e privatizimit të KEDS hyri edhe një argument tjetër: privatizuesi do të investojë 300 milion euro në rrjetin e shpërndarjes. Pra përveç atyre arsyeve tjera që u përmenden për privatizim, u shtua edhe kjo që privatizimi po sjellë investime të huaja. Dhe ashtu ndodhi: KEDS sot është i detyruar të investojë 300 milion euro gjatë 15 viteve të ardhshme. Mirëpo, investimet nuk kanë arsye të vijnë nga jashtë. Sektori i energjisë është i rregulluar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) – për shkak të monopoleve natyrale nevojitet një rregullator i jashtëm që të sigurohet një përformancë më e mirë. Ndër të tjera, rregullatori i energjisë i rregullon edhe të hyrat, investimet, kostot dhe fitimet e kompanive dhe pasi t’i ketë aprovuar të gjitha këto, rregullatori përcakton tarifat e energjisë. Pra, nëse duhen investime, KEDS mund t’i kërkojë rregullatorit lejim të hyrash më të larta në mënyrë që ato të hyra t’i shfrytëzojë për investime. Kësisoj tarifat rriten dhe bashke me to edhe investimet. Me fjalë tjera, investimet nuk kanë arsye të vijnë nga jashtë, por mund të gjenerohen nga tarifat. Pra nuk ka asgjë speciale për privatizuesin në këtë aspekt.

Sido që të jetë, procesi i privatizimit të KEDS sot është i përmbyllur dhe nuk ka çfarë të bëjmë më shumë në këtë aspekt. Ajo çfarë na mbetet neve është të mbikëqyrim përformancën e kompanive energjetike dhe të kërkojmë maksimumin e mundur nga to. Edhe pse është shumë herët për vlerësimin e KEDS, besoj që indikatorë të ndryshëm janë mjaftueshëm sugjestiv të përformancës së KEDS në këto 2 vite e 8 muaj si kompani private.

Së pari vlen të shikohen humbjet teknike dhe komerciale në rrjetin e shpërndarjes. Humbjet teknike – që shkaktohen prej bartjes dhe transformimit të energjisë në rrjet – ishin gjithmonë problematike për shkak të rrjetit energjetik të vjetruar dhe të dëmtuar. Për uljen e tyre duhen investime të mëdha në infrastrukture – andaj kushti që kompania private të investojë 300 milion euro është më se i mirëseardhur. Por çfarë ka ndodhë me humbet teknike gjate kësaj kohe? Humbjet teknike u zvogëluan për 0.28 pikë përqindje në vitin 2013 dhe 0.48 pikë përqindje në vitin 2014 – apo nga 16.32% në vitin 2012 në 15.56% në vitin 2014. A është e kënaqshme kjo ulje? Përgjigja sigurisht varet nga pritjet tona. Duke u rikthyer në qëllimin e privatizimit – pra rritjen e përformancës – ideja është që zvogëlimi i humbjeve të jetë më i madh pas privatizimit se para privatizimit. Për të bërë një krahasim, le të marrim të dhënat e humbjeve teknike gjatë kohës sa KEDS nuk ishte i privatizuar dhe të shohim se në bazë të trendit të uljes çfarë do të ishin humbjet sikur KEDS të mos privatizohej. Në bazë të kësaj analize të thjeshte del që KEDS do të përformonte pak gjë më keq sikur të mos privatizohej: humbjet do të zvogëloheshin vetëm 0.01 pikë përqindje në 2013 dhe 0.24 pikë përqindje në 2014 – pra në 2014 pa privatizim humbjet teknike do të ishin 16.09% ndërsa me privatizim humbjet në 2014 ishin 15.56%. Ekstrapolimi i trendit të humbjeve është tejet i thjeshtë dhe nuk merr për bazë faktorë tjerë; megjithatë të dhënat në këtë aspekt janë inkurajuese.

Por nëse e shtrijmë të njëjtën analize tek humbjet komerciale, rezultatet nuk janë aspak inkurajuese. Gjatë periudhës së KEDS-it të privatizuar, humbjet komerciale u zvogëluan për 0.87 pikë përqindje në 2013 dhe 1.56 pikë përqindje në vitin 2014 – apo nga 20.37% në vitin 2012 në 19.50% dhe 17.94% në vitin 2013 dhe 2014 respektivisht. Në skenarin pa privatizim të KEDS, në bazë të trendit të uljeve, humbjet komerciale do të zvogëloheshin 2.19 dhe 1.78 pikë përqindje në vitin 2013 dhe 2014 edhe pa privatizim të KEDS – pra nga 20.37% në vitin 2012 në 18.18% dhe 16.40% në vitin 2013 dhe 2014 respektivisht. Ndonëse ka një arsye të mirë për këtë: humbjet komerciale kanë të bëjnë me shumë me sundimin e ligjit sesa me menaxhmentin e KEDS. Nëse dikush bën kyçje ilegale apo nxihet duke vjedhur energji, ai/ajo nuk ka të bëj me KEDS por me ligjin. I takon KEDS t’i identifikoje këto raste, por gjykatave dhe policisë t’i ndëshkojë. Por sundimi i ligjit në Kosove është temë në vete – disi funksionon ndryshe për ndryshe për njerëz të fuqishëm e ndryshe për qytetare e rëndomtë. Megjithatë kjo të bën të mendosh edhe një herë për arsyet e privatizimit: humbjet më të mëdha janë ato komerciale që varen më shumë nga sundimi i ligjit sesa nga kompania energjetike. Do të kishte më shumë kuptim përforcimi i sundimit të ligjit sesa privatizimi për uljet komerciale.

Parë në total, pra humbjet komerciale dhe ato teknike, humbjet e energjisë elektrike do të uleshin më shumë sikur të vazhdohej me trendin e njëjte sesa që janë ulur me privatizimin e distribucionit dhe furnizimit. Pra, privatizimi jo vetëm qe nuk ka rritë përformancën por në fakt duket se po funksionon me dobët sesa kompania publike.

Një tjetër aspekt i përformancës ka të bëj me arkëtimin e energjisë së faturuar. KEK kishte probleme të mëdha sidomos pas luftës në arkëtimin e energjisë që kishte faturuar. Megjithatë, arkëtimi si përqindje e faturimit ishte rritur gradualisht deri në nivelin e rreth 90%. Pra, 1 nga 10 persona paguanin faturën e energjisë elektrike. Me privatizimin e KEDS, kjo shifër është rritu në rreth 95%. Në këtë aspekt, privatizimi i KEDS ka sjelle rritje të eficiencës, edhe pse është një absurd që duhet matur eficienca në atë se sa mund të rritet numri i faturave të paguara. Imagjino sikur dikush të shkojë tek një restorant, të drekojë dhe të refuzojë të paguaj faturën. Kjo s’ka të bëj shumë më privat apo publik, sa është çështje e sundimi të ligjit.

Kur jemi tek të hyrat, të hyrat maksimum të lejuara – mbi të cilat përcaktohen tarifat – gjithashtu kanë ndryshuar pas privatizimit të KEDS. Të hyrat maksimum të lejuara u rriten për vitin 2014 në 91.2 milion, nga 62.7 milion sa ishin një vit më parë. Në fakt, vetëm për vitin 2014 këto të hyra u rriten më shumë se sa për 6 vite rresht. Përpara së të vijmë në ndonjë konkluzion duhet të kemi parasysh që këtu përfshihen shumë faktorë, si profiti i kompanisë, zbritja e donacioneve dhe subvencioneve, rritja e investimeve, çmimi dhe sasia e eksportit dhe importit të energjisë, etj. Megjithatë, nuk besoj që kjo rritje ka të bëj shumë me faktorë strukturor, sepse tek e fundit nuk ka pasur ndryshime drastike në eksporte, importe, investime apo faktorë tjerë të ngjashëm që të shpjegojnë një rritje kaq drastike; besoj përgjigja është tek motivi i profitit tek kompania private. Sido që të jetë, e vërteta është që Kosova sot shpenzon shumë më shumë në shërbimet për shpërndarje dhe furnizim të energjisë elektrike se siç kishte shpenzuar deri në 6 vite më parë.

Për fund, shërbimet në relacion me publikun janë përmirësuar dukshëm pas privatizimit të KEDS. Edhe pse mund të argumentohet që këto shërbime janë sipërfaqësore dhe nuk përfaqësojnë thelbin e kompanisë, ato prape kanë një rol të rëndësishëm sidomos në kontekstin Kosovar. Përderisa reduktimet vazhdojnë, është pak më lehtësuese kur kompania përgjigjet mbi përgjegjësitë dhe situatën, apo se paku mundohet të tregojë mbi orët kur do të ketë reduktime. Gjithashtu, gjera të vogla si websajti dhe sistemi elektronik i pagesave të faturës, edhe pse nuk lehtësojnë barrën e faturës, bëjnë një dallim jo të vogël në informim dhe në komoditet.

Si konkluzion, mbetet herët të gjykojmë mbi përformancën e KEDS-it pas privatizimit. Kjo për shkak se shumë nga investimet kërkojnë kohë për t’i parë rezultatet. Megjithatë, disa nga indikatorët e elaboruar më lartë sugjerojnë që përformanca e KEDS nuk dallon shumë nga trendi i përformancës së KEDS para privatizimit. Në fakt sa i përket humbjeve komerciale, privatizimi veçse ka ngadalësuar trendin e uljes së humbjeve. Mirëpo, pa marre parasysh se çfarë është përformanca e KEDS tash, neve na mbeten pak opsione se çfarë mund të bëjmë. Ajo çfarë nuk mund të bëjmë është të kthejmë kohen dhe të mos e privatizojmë KEDS. Por ajo çfarë mund të bëjmë është të e shtojmë presionin tek KEDS dhe, më shumë se tek KEDS, tek Qeveria e Kosovës që të behët shumë më shumë në uljen humbjeve komerciale – ndër të tjera sundim më të rreptë të ligjit. Gjithashtu mund të shtojmë presion tek organet tjera, si rregullatori i energjisë, që të bëj mbikëqyrje me strikte ndaj KEDS dhe të sigurojë që të bëhen investime më intensive për uljen e humbjeve teknike.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.