Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Ki met. Nxine hapin.

Etimologjia e fjalës katastrofë tregon se ajo rrjedh nga greqishtja dhe ka kuptimin e kthimit mbrapa. Pas shekullit të XVI ajo merr kuptimin e përmbysjes, apokalipsit, të një ndodhie të skëterrshme. Pse? Sepse para shekullit XVI ishte mesjeta – periudha më e errët, primitive e mizore që njeh qytetërimi ynë. Të kthehesh mbrapa nënkupton të përjetosh katastrofën, të tmerrshmen. Këtë e rrezikon shoqëria jonë. Ajo mund të rikthehet në primitivitetet e dikurshme, vetëm sepse dikujt që ka lexuar dy libra letërsie, i teket të dekorojë paragjykimet e mendimet e një mase të paformuar e analfabete. Kjo është Kimete Berisha, e cila së fundi e bëri një përqeshje publike për feministët marshues të Prishtinës. Ajo, në dy postime të saj në Facebook këmbëngultazi interesohet për arsyen e marshimit të grave në Prishtinë. “Presidenti Trump është i zgjedhur nga populli i tij dhe nuk u takon grave të Kosovës të merren me të. Çka po ju hyn juve në udhë ai, kur as nuk u ka përmendur që jeni gjallë”, shprehet ajo.

Opinionistes së rregullt të të gjitha fenomeneve natyrore e shoqërore i pengoka angazhimi i ‘amazonkave’ siç na quan ajo. Duke operuar me ndjesitë më të mynxyrshme e paragjykimet më tribale të njerëzve për të mbledhur vëmendje, ajo përqeshë në mënyra mizore. Iu referohet marshuesve të së shtunës si lesbike apo gra të divorcuara. I akuzon pjesëmarrësit në protestë për servilizëm dhe profiterizëm.

Marshi i grave i të shtunës i cili mblodhi më shumë se gjysmë milioni njerëz në kryeqytetin e politikës botërore Washington, DC, për të ritheksuar se të drejtat e grave janë të drejta të njeriut, dhe për të protestuar ndaj kërcënimit që presidenti i ri i SHBA-ve përfaqëson ndaj këtyre të drejtave (mos u hutoni), nxiti debate të reja dhe riktheu debate të vjetra. Dhe ndërsa këtu në Amerikë, feministe e gra të cilat nuk e konsiderojnë vetën pjesë të lëvizjes, debatojnë në mënyrë konstruktive për problemet e lëvizjes dhe nevojat për gjithëpërfshirje, në Kosovë përfshirja e grave në këtë moment të mirëpritur u komentua me përbuzje e përqeshje nga e gjithëdijshmja, e paprekshmja Kim.

Ndërsa këtu flitet me qasje konstruktive në përpjekje për të përmirësuar realitetin e grave jo vetëm në Amerikë, por kudo në botë, Kimi nuk mërzitet. Asaj i intereson të përfitojë adhurimin e ndjekësve të saj të etur për dramë, tragjikomedi, të cilët në këmbim tentojnë t’ia ‘respektojnë’ statusin e saj prej beqareshe duke e quajtur zonjushë. A i bën përshtypje Kimit perceptimi i martesës si status superior social kundrejt të qenit grua beqare? Ndjekësit atë e shohin në dy gjendje përkatësie: si zonjushë, Kimi i përket babës; si zonjë, do t’i përkiste burrit të saj. Por Kimetja ka misione më të mëdha, ti forcojë edhe më tutje këto trajta seksiste duke u renditur në anën e errët të rrjeteve shoqërore, si reflektim i realitetit shoqëror kosovar të frikshëm.

Kimi paraqitet e guximshme, e gjithëdijshme, me informacione të klasifikuara për lartmadhërinë e saj, së cilës ne i përkulemi. Por, vetëm atëherë kur të na tregojë si qëndron ndërgjegjja e saj kur krenohet kur flet për gratë si armike të njëra tjetrës. Roxane Gay do t’ia bënte një pyetje të thjeshtë: “Mos është vallë problemi tek ti Kim? Thirri pakëz ndërgjegjes.”

Në Amerikë u tha që gratë e bardha organizohen e marshojnë vetëm kur të drejtat e privilegjet e tyre rrezikohen. Sigurisht që ka vend për kritikë kur, ndonëse feminizmi mëton të jetë gjithpërfshirës, kjo lëvizje nuk ishte aty kur gratë protestonin kundër brutalitetit policor ndaj afrikano-amerikanëve. Kimi nuk çan kokën për kritikë përmbajtësore. Me rëndësi me e njoftë George Sorosin si paren e kuqe. Asaj, jo që nuk ia ndien për gratë bashkëqytetare, trupi i të cilave cenohet çdo të lumen ditë, por madje rreshtohet fuqishëm mbrapa burrave më të tmerrshëm, goja e të cilëve nxjerr vrer, si tipi i Donald Trump.

Sa lexon komente idioteske, do t’ishte mirë ta shfletonte Seksin e Dytë të Simone de Beauvoir. Aty do ta gjente veten t’fundosur thellë n’patriarkalitet. Aty do ta kuptonte pse i sheh gratë si “tjetra” e Sorosin si boshtin. Aty do ta kuptonte sa poshtërsisht ka rënë viktimë e miteve të patriakatit i cili të thotë që gruaja është thelbësisht ashtu si është. Kimi është mirë të lexojë ngapak! Ajo më pyet mua “sa pare kushton shprehja e frikës?”, eunë po e pyes a ka çmim që e zvogëlon injorancën tënde?

Kjo mendësi e Kimit votoi Trumpin në Amerikë dhe vetëm 10 ditë pas fitores së Trump, janë shënuar 876 raste të incidenteve të dhunës. E ftoj ta ngre kokën pak nga komentet konformiste, injorante dhe të paktën të informohet. Marshi i së shtunës në asnjë mënyrë nuk mund të quhet vetëm i grave amerikane. Mbi 673 marshe në gjithë botën u organizuan dhe mblodhën më shumë se 5 milionë protestues të cilët protestuan për të drejtat e grave. Të drejtat e njeriut. Qysh me ia vizatu këtë Kimit? Quhet solidaritet. Në mos më besoftë mua, le t’i besojë Martin Luther King Jr. i cili porosiste “Padrejtësia diku, është padrejtësi çdoku”. Ta zëmë që seksizmi, ksenofobia e Trump për të cilin Kimi flet sikur t’ishte rritë bashkë me të n’lagjet e Manhattan-it, nuk më prek. Unë prapë do të dilja. Ajo pesë pare nuk i jep që miliona gra amerikane nuk kanë të drejtë aborti. Por Kimi është special. Mirëpo logjika e saj ka probleme fundamentale. Dhe po qe se gratë në Amerikë do të përdornin të njëjtën logjikë që ajo përdor, “nuk më prek mua, nuk më intereson mua”, cili do t’ishte fati i saj? Gratë në të Zeza të Beogradit nuk e kishin logjikën e saj. Pse Kimi nuk i nxjerr dokumentet e klasifikuara që i posedon dhe t’na iluminojë? Cila është lidhja e tyre me Sorosin? Çka po thotë Sorosi?

Feministet kosovare nuk e kanë logjikën e saj. Ato feministe që Kim tenton t’i fyejë, e t’i poshtërojë, kanë luftuar për të drejtat e saj dhe do të luftojnë edhe nesër kur të drejtat e saj do të cenohen. Kim po na fton t’i shohim burrat tanë të paqenë. Unë e ftoj të lexojë për lëvizjen feministe. Si paraqitet gruaja shqiptare n’kinematografinë shqiptare? Cila është gjendja e grave aktore? A ka gjini buxheti në MKRS? Nuk është se s’ka hapësirë. Të punojë. Të kontribuojë. Pse është Kimi aq e inatosur?

Lëvizja feministe në Kosovë është e hapur edhe për të, ashtu siç kohëve të fundit i ka dhënë hapësirë dhe rol kyç vajzave e grave të reja të cilat nuk i njeh se nuk i intereson. Nuk është lehtë për lëvizjet, sidomos ato me bazë në Ballkan, të hapen kundrejt fytyrave dhe mendjeve të reja. Shiko lëvizjet që prihen nga burrat, mozomakeq, ende me figura të skaduara. Gratë feministe në Kosovë kanë mendësi tjetër funksionimi, nuk i ka askush faj Kimit që është moskuptuese, shumë e zënë me Sorosin e Trumpin. Ironia qëndron tek përdorimi i metodave të njëjta të komunikimit me këtë të fundit. Nxitje e masave përmes komunikimit bosh, urrejtës. Ndaj kujt se?! Vetvetes.

Gratë tona protestuan kundër presidentit amerikan dhe iu bashkëngjitën marshit të grave protestuese në Washington për disa arsye. Po i përmend vetëm tri. Neve na takon të merremi me Trump sepse ai mendon që ngrohja globale është shpikje e kinezëve, dhe e gjithë bota do të ndikohet nga roli dhe qasja e SHBA-ve në këtë çështje. Gratë ndikohen më shumë se burrat nga efekti i ngrohjes globale. Tutje, të marrim në përgjithësi personalitetin e tij kontravers dhe problematik në lidhje me marrëdhëniet e SHBA-ve me jashtë. Gratë në Kosovë mund të ndikohen në shumë drejtime, nëse ta zëmë SHBA vendosë të tërhiqet nga NATO, apo nëse kemi rritje të terrorizmit ashtu siç parashohin ekspertë të sigurisë. Si mendoni se do të trajtohemi si shtet me shumicë muslimane?

Gratë protestuese kosovare protestuan kundër atyre burrave që i thanë grave t’tyre “mshele gojën se s’din ti” pasi lexuan statusin e Kimit. Këto gra protestuan kundër burrave që e trembën një çikë që kthehej nga biblioteka mbramë duke i thënë “ta ha pi*hin”, pasi e lexuan statusin e Kimit. Këto gra protestuan kundër pasigurisë ekonomike të shumë grave në Kosovë, të cilat s’guxojnë të ndahen prej burrit abuzues që ia ka pëlqy Kimit këtë status.

Shumica e atyre grave që protestuan nuk i frikohen as Trump-it e as shqiptarëve që ‘po i ngucin moralisht’. Këto gra protestuan kundër atyre shqiptarëve misogjinist të cilët Kim sot po i fuqizon. Është e dhimbshme me sa lehtësi dikush që ka aq shumë ndjekës ne Facebook e përdorë një gjuhë të tillë me aq pakujdesi dhe përqeshje. Ndoshta Kim personalisht i ka privilegjet dhe nuk ka nevojë për protestë, dhe mendon që askush nuk ka nevojë për atë përfaqësim.

Kam pasur rastin të lexoj disa shkrime të saj, dhe e di që ka dëshirë të tregohet. Na fascinoi kur e përmendi Madonnën (të gjithë duartrokasin, disa nga rreshti i parë ngrihen në këmbë). Andaj, në stilin e Kim po e përfundoj duke cituar disa vargje të Martin Niemoller që thonë:

“Kur nazistët i ndoqën komunistët, unë qëndrova i heshtur
nuk isha komunist
kur i mbyllën në qeli social-demokratët
qëndrova i heshtur
nuk isha social-demokrat.
Pastaj kur erdhën për sindikalistët
nuk ngrita zërin
nuk isha sindikalist.
Kur erdhën për hebrenjtë
qëndrova i heshtur
nuk isha hebre.
Kur erdhën për mua
askush nuk mbeti që ta ngrisë zërin.”

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.