Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Kina është prapa projektit kontroverz të ndërtimit të kanalit ujor në Turqi

Burimi: Getty Images

Është raportuar se Turqia po përgatitet për partneritet me Kinën në ndërtimin e një kanali artificial paralel me Bosforin, projekt me imlplikime për Rusinë dhe Shtetet e Bashkuara në Detin e Zi.

Përderisa Turqia mbetet e ngujuar mes Perëndimit dhe Rusisë në një varg çështjesh strategjike, dilemat e saj mund të ndërlikohen edhe më shumë me futjen e Kinës në ekuacion, për faktin se Kina mund të ndërmarrë rol kryesues në financimin dhe ndërtimin e kanalit kontroverz turk në Detin e Zi.

Blerja e sistemeve ruse të mbrojtjes ajrore nga Turqia, procedurat ligjore amerikane kundër një banke publike turke për shkak të ndihmës së dhënë Iranit për të shmangur sanksionet e SHBA-së, zënkat me kurdët sirianë dhe sjelljet turke në Mesdheun Lindor, kanë çuar tek tensionet e paprecendentë në lidhjet Turqi-SHBA. Në orvatjet për të gjetur pak hapësirë për të manovruar, Ankaraja ka lëvizur së fundmi në drejtim të sanimit të marrëdhënieve me partnerët tradicionalë perëndimorë, duke theksuar vlerat e bashkëpunimit ushtarak dhe ekonomik.

Një mënyrë për ta bërë këtë mund të jetë përmes rolit të profilit të lartë turk në përpjekjet e NATO-s që të frenojë Rusinë në konfliktin e kësaj të fundit me Ukrainën. Turqia tashmë ka ndërtuar bashkëpunimin ushtarak me Ukrainën, përfshi furnizimin e Kievit me dronë dhe në janar mori komandën e Task Forcës për Gatishmëri të Lartë të NATO-s, të krijuar më 2014 për të frenuar Rusinë.

Në një lëvizje tjetër të hapur për të bërë për vete Perëndimin dhe në përputhje me strategjinë perëndimore për të shqetësuar Rusinë në Detin e Zi, Ankaraja po kërkon të përshpejtojë projektin e saj për të ndërtuar një alternativë artificiale ndaj Ngushticës së Bosforit, të quajtur Kanali i Stambollit, me qëllim që të hapë për diskutim, madje edhe ta anashkalojë Konventën e Montro-së të vitit 1936. Konventa rregullon tranzitin përmes Bosforit dhe Dardaneleve, të cilat formojnë një rrugë ujore kyçe që lidh Detin e Zi me Mesdheun. Ajo i jep Turqisë kontrollin e ngushticave, por mbështetet në rregulla strikte për anijet ushtarake që kufizojnë hyrjen e forcave ushtarake jobregdetare në Detin e Zi.

Kanali i Stambollit, i quajtur “projekt i çmendur” nga presidenti Recep Tayyip Erdogan, kur e përuroi së pari më 2011, ka tërhequr interesat kineze si pjesë e Nismës Rrip dhe Rrugë të Kinës. Firmat kineze tash i kanë vënë syrin tenderit për ndërtimin e kanalit, i cili vlerësohet të kushtojë më shumë se $9 miliardë.

Marrë parasysh mjerimin ekonomik të Turqisë, shumë kanë supozuar se problemet e financimit do të cungojnë projektin, por qeveria ka përgatitur befasi. Që prej 20 marsit, Ankaraja ka shpallur një amandament ligjor që shtron rrugën për ndërtuesit e Kanalit të Stambollit që të përfitojnë nga garancitë e shtetit, miratimi i planeve zhvillimore për projektin dhe përgatitjet për të ftuar ofertimet nga kontraktorët. Në fund, Erdogani deklaroi se ndërtimi do të fillonte në verë. “Kanali i Stambollit… do të jetë kanal i ri i frymëmarrjes për rajonin. Së shpejti do të lançojmë tenderët në faza dhe do të çajmë tokën në verë,” tha ai më 7 prill, duke shtuar se një qytet prej gjysëm milioni banorësh do të ngritet në brigjet e kanalit 45 kilometërsh.

Çfarë e shtyu Erdoganin që papritmas të përshpejtojë procesin? Sipas gazetarit turk Jale Ozengturk është oferta financiare e Kinës. “Mbështetja e kërkuar financiare po vjen nga Kina. Ankaraja po punon me zell në këtë çështje. Për momentin, janë katër propozime për tenderin e ardhshëm dhe të gjitha janë nga firmat kineze,” shkroi Ozgenturk më 9 prill. “Sigurisht, Kina do të financojë jo vetëm Kanalin e Stambollit, por gjithashtu edhe ndërtimin e saj, duke pasur parasysh firmat gjigande në sektorin e ndërtimit,” shtoi ai.

Sipas gazetarit tjetër të biznesit Serpil Yilmaz, huadhënësi kinez ICBC dhe banka britanike me bazë në Hong Kong HSBC, po përmenden si financues të mundshëm të projektit. Ndërkohë, uebfaqja për lajme financiare Finans 365 ka raportuar se ICBC po përpiqet të krijojë një konsorcium për të financuar ndërtimin e kanalit.

Në vitet e mëhershme, drejtori i degës turke të Bankës së Kinës kishte thënë se banka e tij ishte e gatshme të financonte projektet insfrastrukturore në Turqi, ndërsa raportet në media kanë përmendur China National Machinery dhe China Communications Construction mes firmave kineze të interesuara në Kanalin e Stambollit.

Sido që te jetë, duke u dhënë kinezëve tenderin për Kanalin e Stambollit, Turqia mund të përballet me një kurth, të ngjashme me lëmshin që u krijua rreth sistemeve raketore ruse S-400.

Së pari, rreziqet do të vinin nga mënyra e verprimit e kinezëve. Sipas mediave turke, propozimi kinez i para dy viteve përfshinte gati $65 miliardë, përfshi huatë për të financuar ndërtimin e kanalit dhe investime të tjera si pjesë e projektit.

Ndonëse ka shumë që e shohin si mit diplomacinë e ashtuquajtur “kurth i borxhit” të Kinës, kundërshtarët e opsionit kinez në Turqi përmendin kundërthëniet në Keni dhe Shri Lanka, ku projektet infrastrukturore kanë përfunduar në duart e kinezëve, pas dështimeve për të paguar huatë kineze. Në projekte të tilla, kinezët zakonisht japin hua dhe në të njejtën kohë marrin pësipër ndërtimin, duke shfrytëzuar kryesisht punëtorët dhe materialet nga Kina.

Në dhjetor të vitit të kaluar, ish ministri i jashtëm Ahmet Davutoglu, që tash është në krye të një partie opozitare, përmendi pretendimet se ekzistojnë plane për t’i dhënë tokë kinezve përreth Kanalit të Stambollit, duke paralajmëruar se një lëvizje e tillë “do të dëmtonte rëndë sovranitetin kombëtar dhe realizueshmërinë ekonomike.”

Për sa i përket rrezikut të dytë, Ankaraja duket se po e paraqet Kanalin e Stambollit si rrugë për të anashkaluar Konventën e Montro-së, duke shpresuar t’i afrohet Uashingtonit. Sidoqoftë, të dhënit e projektit kinezëve do t’i ofronte përparësi gjeostrategjike në pikëtakimin e Europës dhe Azisë, në kohën kur Shtetet e Bashkuara po përpiqen të përmbajnë Kinën. Kinezët, të cilët tashmë kanë shpenzuar para në rrugët strategjike si tuneli hekurudhor nën Bosfor dhe ura e tretë që lidh brigjet e saj aziatike dhe europiane, sigurisht se e shohin Kanalin e Stambollit si pjesë të çmueshme të projektit Rrugë dhe Rrip.

Dy projekte tjera të mundshme mund të rrisin vlerën e Kanalit të Stambollit për Nismën Rrugë dhe Rrip. I pari, që duket prospekt shumë i largët për momentin, është kanali që lidh Detin e Zi me Detin Kaspik, që shihet si portë hyrëse për në Azinë Qendrore. Tjetri është një kanal i ngjashëm me Kanalin e Stambollit, që do të ofronte alternativë për Dardanelet dhe i cili do të shtrihej prej hyrjes veriore të Dardaneleve deri te Gjiri i Sarosit në veri. Ky propozim u përmend vetëm si fusnotë në raportin vlerësues ambiental për Kanalin e Stambollit. Sidoqoftë, kjo duket si shenjë e një planifikimi të integruar.

Prospekti i mbështetjes financiare kineze lidhet me politikën e Ankarasë rreth çështjes së ujgurëve. Megjithë fushatën e intensifikuar të diasporës ujgure kundër Kinës, qëndrimi i Ankarasë ka qenë indiferent, e madje vlerësues ndaj Kinës. Më 10 mars, ligjvënësit e partisë në pushtet votuan kundër propozimit të partisë opozitare Partia e Mirë për hetim parlamentar rreth “praktikave jonjerëzore” kundër ujgurëve në Kinë. Ujgurët ndajnë të njejtat rrënjë etnike me turqit dhe në Turqi rajoni i tyre Xinjiang shpesh quhet Turkistani Lindor.

Politika e Ankarasë duket se ka trimëruar diplomatët kinezë që të qortojnë politikanët turq që përkrahin ujgurët. Më 6 prill, Ambasada Kineze në Ankara postoi një mesazh kërcënues në Twitter ndaj lideres së Partisë së Mirë Meral Aksener dhe kryetarit të Ankarasë Mansur Yavas pasi të dy përkujtuan “maskarën e Barenit” në “Turkistanin Lindor” më 1990. “Pala kineze kundërshton me vendosmëri çdo person apo forcë që sfidon sovranitetin dhe integritetin territorial të Kinës. Pala kineze rezervon të drejtën e saj për t’u përgjigjur në mënyrë të justifikueshme,” tha ambasada.

Në një fjalim në parlament disa ditë më parë, Aksener bëri me dije se planet zhvillimore për Kanalin e Stambollit ishin miratuar ditën kur ministri i jashtëm i Kinës vizitonte Turqinë. Duke iu drejtuar Erdogan-it, ajo pyeti, “A po gatuani diçka me Kinën prapa dyerve të mbyllura rreth Kanalit të Stambollit në këto kohë të vështira për kombin tonë? A po hiqni dorë nga të drejtat dhe nderi i turqve myslimanë në Turkistanin Lindor për ca miliarda dollarë?”

Gati dy vjet pas dërgesave të tyre, Erdogan-i ende nuk di se çfarë të bëjë me sistemet raketore S-400, pasi i bleu për t’u treguar partnerëve perëndimorë se Turqia ka edhe alternativa të tjera. Tash, a mund të kthehet projekti i ëndrrave për kanalin në një makth nëse Turqia bëhet bashkë me kinezët? Këto ditë, asgjë nuk është transparente në Ankara dhe ëndrrat e ëmbla nuk mund të merren për të qena.

***

Artikulli origjinal në Al-Monitor, më 12 prill 2021.

***

Ky artikull mbështetet nga “Sbunker” përmes projektit të financuar nga Ambasada Amerikane. Mendimet e shprehura këtu janë të autorit dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.