Gary Kasparov e ka një mënyrë të thukët për të përmbledhur fatkeqësinë e 18 muajve të kaluar. “Kina na dha virusin,” më tha gjatë një bisede kampioni i shahut dhe aktivisti i të drejtave të njeriut. “Ndërsa bota e lirë na dha vaksinat.”
Nuk është e nevojshme të besosh në teorinë se zanafilla e pandemisë COVID-19 ka qenë në laborator në mënyrë që ta pranosh këtë: po të mos kishte qenë maskimi që zyrtarët kinezë u përpoqën ta orkestrojnë në ditët e hershme të krizës, mund të kishte pasur shans që virusi të ndalej. Përkundrazi, qeveria kineze filloi me rrena dhe ashtu ka vazhduar që atëherë, në kurriz të shëndetit publik kudo. Kina gjithashtu i ka shitur vendeve më të varfëra të botës vaksina që nuk funksionojnë aq mirë.
Këto fakte është mirë të merren parasysh përderisa Partia Komuniste e Kinës feston 100 vjetorin me spektakël të madhështisë e pushtetit. Lideri më militant dhe shtypës kinez që prej Mao Zedong-ut, Xi Jinping dha një fjalim ku trumbetoi “rigjallërimin e madhërishëm të kombit kinez,” ndërkohë që ngriti në qiell kontrollin e tërësishëm të partisë mbi politikën e vendit. Ai paralajmëroi ata që përpiqen “të bullizojnë, shtypin e skllavërojnë” se Kina “do t’u thyejë kokat” mbi “Murin e Madh të çelikut.”
Në fakt, askush nuk po përpiqet të bullizojë, shtypë apo skllavërojë Kinën. Shekulli i turpërimit ka kohë që ka mbaruar. Ky muaj shënon 50 vjetorin e vizitës së fshehtë të Henry Kissingerit në Pekin, e cila nisi një përpjekje e gjatë dypalëshe amerikane për të ndihmuar Kinën që të dalë prej thellësive ku e kishte katandisur lidershipi katastrofal i Maos. Përpjekja pati sukses në transformimin e një prej vendeve më të varfëra, në një prej më të pasurave në botë.
Përpjekja gjithashtu dështoi.
Pekini nuk e shfrytëzoi pasurinë ekonomike për hir të lirisë më të madhe politike. Nuk e përdori futjen në të ashtuquajturin rend global të bazuar në rregulla, në mënyrë që të luajë sipas rregullave. Nuk e kishte njëmend kur tha se i kishte premtuar Hong Kongut “një vend, dy sisteme.” Nuk mund t’i besohet që të respektojë partneritetet e biznesit dhe ato akademike pa vjedhur pronën intelektuale në masë të madhe. Nuk i ka kthyer skemat zhvillimore në vendet e cënueshme që prej Ekuadorit te Mali i Zi në themele të qëndrueshme të vullnetit të mirë të ndërsjelltë, në vend se në eksploatim të njëanshëm.
Sjellja e pafrenuar e Pekinit jep përshtypjen e fuqisë. Është bërë klishe të thuhet se ngritja e Kinës është “e pandalshme,” po aq sa ishte ajo e Gjermanisë para pak më shumë se një shekulli. Rrjedhimi logjik është se bota thjesht duhet të pranojë listën e madhe të kërkesave, përfshirë pretendimet detare në Detin e Kinës Jugore dhe ribashkimin (po qe nevoja përmes forcës) me Tajvanin.
Megjithëkëtë, përshtypjet e fuqisë mund të turbullojnë realitetet e dobësisë, çarjet e fshehta pas fasadave hijerënda.
Për Pekinin, çarja është se regjimi është i bazuar në rrena. Nuk janë vetëm rrenat historike, sikurse mospërmendja në fjalimin e Xi-së e Urisë së Madhe Kineze, Revolucionit Kulturor dhe katastrofave të tjera, në të cilat Mao vrau plot 80 milionë njerëz. Nuk janë as vetëm rrenat politike, sikurse fushata e egër propagandistike për të fshehur shkeljet mizore të të drejtave të njeriut kundër ujgurëve në Xinjiang.
Problemi i vërtetë me rrenat është se një regjim që gënjen papushim, me kohë fillon ta gënjejë edhe veten. Siç kanë raportuar Steven Lee Myers dhe Chris Buckley vitin e kaluar, zyrtarët shëndetësorë në Ëuhan “fshehën informacione nga sistemi raportues kombëtar” nga frika se do të zemëronin keq qeverinë qendrore. Pekini mësoi për shpërthimin e infektimeve vetëm nga sinjalizuesit që botuan dokumentet online. Pothuajse e njëjta vlen edhe për aspekte të tjera të qeverisjes kineze, që prej të dhënave të falsifikuara eknomike deri te standardet e korruptuara të sigurisë.
Ky nuk është problem i ri. “Sunduesit e vendeve totalitare natyrisht se dëshirojnë të jenë të informuar mirë, por përsëri e përsëri dhe në mënyrë të pashmangshme ata bien pre e rrenave të veta dhe pësojnë disfata të papritura,” shkruante filozofi polak Leszek Kolakoëski më 1983. “Të zënë në kurthin që e kanë ndërtuar vetë, ata kërkojnë kompromise të ngathëta mes nevojës së tyre për informacion të vërtetë dhe operacioneve gati automatike të një sistemi që prodhon rrena për çdokënd, përfshirë edhe vetë shpikësit e atyre rrenave.”
Se si do ta rrezojë sistemin aparati i rrenave të Pekinit është e pamundur të parashikohet. Por nuk ka dyshim se e molis qenësisht sistemin si të tërë. E vërteta, në formë e informacionit të saktë, është thelbësore për të gjeneruar besimin shoqëror që është bazë e shoqërive të shëndetshme. Regjimit të Kinës i mungojnë të dyja.
Bota e lirë i ka problemet e veta me keqinformimin dhe politikën e pandershme. Prapëseprapë, ne ende kemi një treg mjaft konkurrues të ideve, saqë e vërteta depërton shpejt. Ende kemi konsideratë të mjaftueshme për ndershmërinë politike, saqë me kohë e shporrëm të pandershmin. Sa për vaksinat, kemi zhvilluar ato më të efektshmet sepse kemi shkëmbyer informacionin haptas, kemi bashkëpunuar lirshëm, konkurruar lirshëm, testuar ndershëm.
Xi Jinping mund të mendojë se një ditë, një sistem i disiplinuar dhe i kontrolluar kinez do të mposhtë një botë të lirë, koti dhe joserioze. Dikur, Nikita Khrushchev e kishte një mendim të ngjashëm. Gjë për ta kujtuar në kohë të vetëdyshimit perëndimor.
***
Artikulli origjinal në New York Times, më 5 korrik, 2021
***
Ky artikull mbështetet nga “Sbunker” përmes projektit të financuar nga Ambasada Amerikane. Mendimet e shprehura këtu janë të autorit dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.