Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Komunat kanë rol në zhvillim ekonomik

Ekziston një perceptim i përgjithshëm në Kosovë se zhvillimi ekonomik dhe punësimi janë të drejta ekskluzive dhe përgjegjësi e qeverisë qendrore dhe se komunat faktikisht nuk kanë kurrfarë roli në të.

Një qasje e tillë reflektohet edhe në kohë zgjedhjesh ku çështja që bisedohet më së paku është zhvillimi ekonomik.

Në të shumtën e rasteve, pretendentët për kryetarë të komunave kanë pak ose aspak njohuri për zhvillimin ekonomik dhe të pakët janë ata që mendojnë se roli i tyre është të krijojnë vende të reja të punës. Rëndom, kandidatët bëjnë premtime që lidhen kryesisht me ndërtimin e rrugëve të reja, objekteve të reja, kanalizimeve dhe shërbimeve tjera bazike por nuk kanë dëshirë të flasin se si këto investime do të krijojnë vende të reja të punës, e aq më pak të tregojnë plane konkrete se si do të gjenerohen këto vende pune.

Një hulumtim nga Lëvizja FOL i bërë me përkrahjen e projektit Enhancing Youth Employment (EYE), tregon se komunat ose niveli lokal kanë rol të madh në zhvillim ekonomik, rrjedhimisht në punësim.

Të gjeturat tregojnë se pothuajse çdo komunë në Kosovë përballet me numër të lartë të papunëve të cilët në të shumtën e rasteve nuk paraqiten fare në sportelet regjistrimit si të papunë pasi nuk kanë shpresë se mund të punësohen. Agjensia e Statistikave të Kosovës (ASK) për 2016 raportoi se papunësia qëndroi në 28%, kurse në mesin e të rinjve ajo qëndroi në 50%.

Në mesin e të rinjve të papunë, ata që nuk janë në edukim, në ndonjë trajnim, praktikë apo në çfarëdo programi është 28%, ose përkthyer në numra i bie në 100 mijë të rinj.

Pra, nga mbi 200 mijë të rinj të papunë në Kosovë, 100 mijë prej tyre nuk janë duke ndjekur asnjë shkollim, trajnim apo çfarëdo programi i cili do t’i aftësonte ata për të gjetur një vend pune.

Në terma social kjo shifër e të rinjve përbën shqetësim serioz për shëndetin e shoqërisë për faktin se ata/ato mund të përdoren për qëllime të ndryshme nga grupe të ndryshme. Në 2015 ne pamë se si kjo armatë e njerëzve të rinj e të papunë u vërshua drejt Bashkimit Evropian duke kaluar kufirin ilegalisht, dhe se shumë të rinj të tjerë u përdorën nga grupe të ndryshme religjioze për të përhapur ideologjitë e tyre.

Në hulumtimin e Lëvizjes FOL janë adresuar dy gjetje kryesore që tregojnë se komunat kanë rol në zhvillim ekonomik dhe në punësim. E para janë politikat për punësim dhe zhvillim të sugjeruara nga Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OBEZH) dhe së dyti janë kompetencat ligjore që derivojnë nga ligji për vetëqeverisje lokale në Kosovë.

Sipas OBEZh, në mesin e politikave të cilat komunat apo qeveritë lokale mund të ndjekin për të krijuar vende të reja të punës janë: ofrimi i informatave për ekonominë lokale; krijimi i zonave ekonomike lokale; incentivat me taksa dhe tatime; subvencionet dhe grantet.

Pothuajse të gjitha këto politika janë në kompetencat e komunave në Kosovë dhe janë të definuara me ligjin për vetëqeverisje lokale.

Neni 17 i ligjit për vetëqeverisje lokale në Kosovë thekson se komunat “kanë kompetenca të plota dhe ekskluzive, për sa i përket interesit lokal, duke i respektuar standardet e përcaktuara në legjislacionin e zbatueshëm, në fushat që vijojnë: a) zhvillimin lokal ekonomik; h) ofrimin e arsimit publik parashkollor, fillor dhe të mesëm, duke përfshirë regjistrimin dhe licencimin e institucioneve edukative, punësimin, pagesën e rrogave dhe trajnimin e instruktorëve dhe administratorëve të arsimit; s) çdo çështje që nuk është përjashtuar shprehimisht nga kompetenca e tyre, apo që nuk i është përcaktuar një autoriteti tjetër.

Pika e fundit e nenit 17 mbështetet me nenin 15 të ligjit që ka të bëjë me parimin e subsidiaritetit. Ky parim është shumë i fuqishëm dhe nuk është futur aksidentalisht në ligj. Ky parim është fuqizuar sidomos në Bashkimin Evropian dhe rregullon shumë mirë nivelin e kompetencave mes nivelit qendror dhe atij lokal. Sipas nenit 15, komutan i ushtrojnë kompetencat sipas parimit të subsidiaritetit, që nënkupton se çdo kompetencë e cila nuk është ekskluzive e nivelit qendror dhe që duke vepruar në nivel lokal mund të arrihet qëllimi më mirë se në nivel qendror, atëherë duhet të ushtrohet nga niveli lokal.

Në kuptimin e zhvillimit ekonomik dhe punësimit, këto kompetenca janë jashtëzakonsisht të rëndësishme.

Megjithatë, komunat nuk i kanë përbrendësuar këto kompetenca në mungesë të njohurive dhe vullnetit dhe kryetarët e komunave nuk ndjejnë përgjegjësi kur vie puna te zhvillimi ekonomik dhe punësimi.

Pothuajse në të gjitha zgjedhjet lokale, premtimet për punësim kanë qenë jo duke premtuar plane konkrete që do të gjeneronin vende pune nga bizneset, por për t’u punësuar në institucione publike. Jo zyrtarisht, partitë politike dhe pretendentët për kryetarë komune i premtojnë elektoratit se do t’i punësojnë në shkolla, spitale, komune dhe institucione tjera publike lokale duke e mbushur e stërmbushur administratën lokale.

Pretendentë të tillë nuk kanë vizion për zhvillim ekonomik dhe punësim dhe tregojnë se nuk i kuptojnë madje as kompetencat e komunave në gjenerimin e vendeve të reja të punës.

Sipas ligjit për vetëqeverisje lokale dhe sipas politikave të promovuara nga OBEZH, komunat duhet të përdorin autonominë mbi taksat lokale për të motivuar dhe nxitur bizneset e reja dhe ato të huaja që të investojnë dhe të veprojnë në komunën e tyre; duhet të ofrojnë informata lidhur me tregun dhe ekonominë e komunës, duhet të promovojnë infrastrukturën e tyre; duhet t’u tregojnë kompanive përparësitë e të investuarit në komunën e tyre; duhet të krijojnë zona të veçanta ekonomike ku bizneset dhe qytetarët ndërverprojnë; duhet të ofrojnë subvencione dhe grante si dhe qasje në kredi lokale për bizneset të cilat kanë potencial për zgjerim dhe gjenerime të vendeve të reja të punës.

Ndër kompetencat më të rëndësishme ndoshta është ajo e edukimit ku komunat kanë rol direkt. OBEZH thekson se edukimi dhe shkathtësitë luajnë rol qendror në pajisjen e të rinjve me shance për punë. Në këtë drejtim, qendrat e aftësimit profesional si dhe mbështetja e bizneseve që ofrojnë trajnim në vendin e punës janë themelore për të siguruar punësim të qëndrushemëm.

Siç e pamë më lartë, në Kosovë mbi 200 mijë të rinj janë të papunë, kurse rreth 100 mijë nuk janë duke ndjekur asnjë program shkollimi/trajnimi. Komunat mund të përdorin kompetencat e tyre për të trajnuar këta të rinj përmes qendrave të kompetencës dhe përmes qendrave të aftësimit profesional apo duke dhënë grante për bizneset që trajnojnë/punësojnë këta të rinj.

Sipas studimit të Lëvizjes FOL, shkollat e aftësimit profesional, dhe qendrat e kompetencës, edhe pse të shumta në numër, nuk janë duke ofruar as shkollim dhe as aftësim pasi kurikulat e tyre nuk janë të integruara me kërkesat e bizneseve. Në fakt, sipas studimeve të EYE, të rinjtë nuk i kushtojnë fare rëndësi qendrave të aftësimit profesional pasi diplomat që i marrin nuk ju garantojnë vende të punës.

Qendrat e aftësimit profesional dhe ato të kompetencës janë dështim jo vetëm i nvelit qendror, por dështim i kryetarëve të komunave të cilët nuk kanë vizion se si t’i përdorin asetet dhe kompetencat lokale për të gjeneruar zhvillim ekonomik dhe punësim.

Përgjegjësia në zhvillimin ekonomik dhe në punësim është përgjegjësi edhe e komunave dhe është koha që qytetarët të kërkojnë nga niveli lokal dhe sidomos nga pretendentët për kryetar të komunave, jo vetëm planet për shërbime bazike, por edhe për planet e tyre në zhvillim ekonomik dhe punësim.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.