Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Konflikti Izrael-Palestinë, pa fund në horizont

Njëri nga konfliktet më të gjata e më të diskutuara të kohërave moderne është ai mes Izraelit dhe Palestinës, i cili vazhdimisht gjen vend nëpër kryetitujt botërorë. Sulmet sporadike kanë qenë të vazhdueshme gjatë viteve të fundit, por sulmi më i fundit, që filloi më 7 tetor 2023, ishte ndër më të përgjakshmit në këto 75 vjet konflikti.

Grupi militant palestinez Hamas – i cili udhëheq Gazën që nga viti 2006, pas fitores në zgjedhje – filloi një seri sulmesh të orkestruara në territorin izraelit, të cilat u morën jetën rreth 1,400 izraelitëve dhe rezultuan me pengmarrjen e rreth 200 personave.

Si kundërpërgjigje, Izraeli filloi një seri sulmesh ajrore në Gaza, që rezultuan me rreth 6,500 viktima, prej të cilëve mbi 2,000 fëmijë. Numri kaq i lartë i viktimave vjen si rrjedhojë e faktit që ushtria izraelite bombardimet i bën në një zonë urbane, ndër më të populluarat në botë, me afërsisht 7,500 banorë për kilometër katror, e ku gati gjysma e popullsisë është nën moshën 18-vjeçare. Ndërkaq, sulmeve ajrore izraelite nuk u kanë shpëtuar as çerdhet, shkollat e spitalet.

Për më tepër, shteti i Izraelit i ka urdhëruar 1.1 milion palestinezë në Gaza t’i lëshojnë shtëpitë e tyre dhe të zhvendosen në jug të Rripit të Gazës. Një kërkesë e tillë, përpos që është cilësuar si e papranueshme nga popullsia palestineze, e tillë është cilësuar edhe nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB).

Popullsia në Gaza jeton në atë që është cilësuar si një burg i hapur, mbi të cilin rëndon një embargo e vendosur nga Izraeli, ku hyrje-daljet e mallrave janë të kufizuara, ku ka mungesë elektriciteti, uji të pijshëm, ushqimi e barnash, e ku shifrat e papunësisë janë ndër më të lartat në botë. Kjo situatë dëshpëruese, padyshim, krijon mundësi të arta për grupet militante të rekrutojnë të rinj, të cilët, të dëshpëruar nga perspektiva e tyre, zgjidhjen e shohin te vazhdimi i rezistencës dhe lufta për pavarësi për territoret palestineze.

Gjeneza e konfliktit Izrael-Palestinë

Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, lëvizja Zioniste parashihte themelimin e një shteti hebre në territoret e Palestinës, për të siguruar mbijetesën e popullit hebre. Palestina u zgjodh si destinacion, sepse cilësohet si vendi i origjinës së popullsisë hebraike.

Gjatë asaj periudhe, tokat palestineze ishin nën administrimin britanik, në atë që njihet si Mandati Britanik i Palestinës. Qeveria britanike, qysh në vitin 1917, u kishte premtuar liderëve zionistë, nëpërmjet të së ashtuquajturës Deklaratë e Balfour-it, se do ta njihte Palestinën si shtëpi për popullsinë hebraike.

Realizimi i këtij premtimi filloi me të përfunduar Lufta e Dytë Botërore, kur hebrenj nga e gjithë bota filluan të dyndeshin në tokat palestineze.

Më 1947, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së kishte aprovuar planin për ndarjen e Palestinës, nëpërmjet së cilit do të formoheshin dy shtete, ai i Izraelit dhe i Palestinës. Ky plan u konsiderua i papranueshëm nga popullsia palestineze, e cila nuk dëshironte formimin e një shteti izraelit në territoret e saja.

Plani asnjëherë nuk u jetësua, e megjithatë shteti i Izraelit shpalli pavarësinë më 14 maj 1948, në ditën kur përfundoi Mandati Britanik mbi Palestinën.

Shtetet fqinje arabe e kundërshtuan ashpër këtë gjë dhe i shpallën luftë Izraelit. Si rezultat, ushtritë e Jordanisë, Egjiptit, Sirisë, Irakut dhe Libanit, ua mësynë territoreve palestineze, por kjo iniciativë ushtarake rezultoi e pasuksesshme.

Marrëveshja për Armëpushim u arrit më 1949, ndërkaq territoret e ngelura të papushtuara nga Izraeli u morën nën kontroll nga Egjipti (Rripin e Gazës) dhe Transjordania (Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor).

Në vitin 1967, marrë parasysh rritjen e kërcënimeve dhe retorikës për pushtimin e Izraelit nga ana e presidentit të Egjiptit, Gamal Abdel Nasser, ushtria izraelite kishte nisur një sulm të befasishëm kundër Egjiptit në njërën anë, me ç’rast kishte nxjerrë jashtë funksionit të gjithë Forcën Ajrore Egjiptiane në çështje orësh, dhe në anën tjetër kishte nisur sulmet kundër ushtrisë jordaneze në lindje dhe asaj siriane në veri.

Kjo luftë më vonë do të njihej si “Lufta Gjashtëditore”, në të cilën forcat izraelite, duke i zënë në befasi shtetet përreth, arritën që të zgjeronin territorin e tyre në mbi dyfish, duke i marrë nën kontroll Rripin e Gazës dhe Gadishullin e Sinait nga Egjipti, Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor nga Jordania, si dhe Rrafshnaltën e Golanit nga Siria.

Për të shmangur përsëritjen e ngjarjeve të tilla, me ndërmjetësimin ndërkombëtar, Izraeli kishte arritur marrëveshje të paqes me Egjiptin, Jordaninë dhe Sirinë. Po ashtu, me ndërmjetësim ndërkombëtar, ishin filluar edhe Akordet e Paqes në Oslo, të cilat e krijuan Autoritetin Palestinez, i cili do t’i administronte territoret në Bregun Perëndimor dhe ato në Rripin e Gazës.

Në Oslo u arrit që të nënshkruhej edhe njohja e ndërsjellë, në të cilën Organizata për Çlirimin e Palestinës (PLO) e njihte shtetin e Izraelit, ndërsa Izraeli e njihte PLO-në si përfaqësuese legjitime të popullit palestinez. Mirëpo, vrasja e kryeministrit Yitzhak Rabin në vitin 1995 e bëri të pamundur implementimin e Akordeve të Oslos.

Qeveritë izraelite që e pasuan Rabinin kanë vazhduar ta neglizhojnë kërkesën e palestinezëve për shtetësi, ndërkaq kanë vazhduar zgjerimin e kolonive të reja në territoret palestineze, ani pse kjo është në kundërshtim me ligjet ndërkombëtare.

Qëllimi i shtetit të Izraelit është copëtimi i mëtejmë i territoreve palestineze, në mënyrë që ta bëjë të pamundur zgjidhjen me dy shtete, e cila mbështetet edhe nga Shtetet e Bashkuara.

E ardhmja e konfliktit Izrael-Palestinë

E vërteta është se ky konflikt nuk mund të mbarojë derisa të dyja palët vazhdojnë të insistojnë në qëndrimet e veta, kurse civilëve palestinezë u mohohen të drejtat elementare njerëzore. Zgjidhja e vetme e qëndrueshme do të ishte ajo e dy shteteve, por e cila do të kërkonte koncensione nga ana e Izraelit, duke liruar territore të cilat i ka pushtuar ndër vite.

Politikat izraelite të apartheidit dhe dhunës sistematike ndaj popullsisë palestineze duhet të marrin fund, në mënyrë që të krijohet mirëbesim dhe mundësi për të gjetur zgjidhje për këtë konflikt. Tani për tani, kjo gjë duket shumë larg realitetit.

Përderisa sulmet e grupeve militante drejtuar civilëve izraelitë janë të papranueshme, e madje të neveritshme, të tilla janë edhe veprimet e ushtrisë izraelite, e cila në emër të ‘vetëmbrojtjes’ efektivisht po kryen një gjenocid ndaj civilëve palestinezë në Gaza, duke mos i kursyer këtu fëmijët, gratë e pleqtë – gjë që përbën shkelje flagrante të të drejtave të njeriut dhe kategorizohet si krim lufte.

Vazhdimi i këtij konflikti ka kosto jashtëzakonisht të madhe, veçanërisht për civilët izraelitë e palestinezë, të cilët i vuajnë më së shumti pasojat. Drejtësia për viktimat është e nevojshme, por ajo nuk mund të bëhet nëpërmjet sulmeve terroriste të Hamasit ndaj popullsisë civile izraelite në njërën anë, e as nëpërmjet terrorizmit të sponsporizuar shtetëror izraelit ndaj popullsisë civile në Gaza dhe në Bregun Perëndimor, në anën tjetër.

Mekanizmat ndërkombëtarë, si OKB-ja, kanë dështuar në këtë konflikt 75-vjeçar, si dhe kanë humbur kredibilitetin në pamundësinë e tyre për të mbrojtur viktimat civile, të cilësdo etni qofshin ato.

Tashmë është koha që bota të mos vazhdojë t’i mbajë të mbyllur sytë ndaj krimeve të luftës që po ndodhin atje – nga cilado palë qofshin ato – dhe sa më parë të ndërhyjë për të gjetur një zgjidhje për ta ndalur mizorinë.

Vazhdimi i mëtejmë i këtij konflikti, përpos mizorive dhe vuajtjeve që i përshin në vetvete, paraqet rrezik edhe për eskalim të situatës në të gjithë Lindjen e Mesme, marrë parasysh që sot ndikimi amerikan në atë pjesë të botës është zbehur, ndërsa ndikimi i Rusisë dhe Kinës ka njohur vetëm rritje.

Për më tepër, shtetet përreth Izraelit kanë investuar shuma marramendëse nëpër ushtritë e tyre, duke e bërë këtë situatë një recetë për katastrofë. Një zgjerim i konfliktit përtej Izraelit dhe Palestinës do të kishte pasoja të paimagjinueshme dhe do ta çrregullonte përfundimisht rendin ekzistues botëror.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.