Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Korrupsioni – ky përbindësh i yni nën shtrat

Qe një ide për një lojë të tmerrshme të pijes: mblidhuni me shoqëri pranë televizorit, duke filluar nga ora 18.30, deri në orën 20.30, shikoni të gjitha lajmet e kanaleve kosovare me rend. Sa herë që në lajme përmendet fjala korrupsion, pini. Në momentin kur përfundojnë lajmet në 20.30, do të jeni relativisht të pitë – në cilëndo ditë.

Korrupsioni është temë qendrore në Kosovë. Dhe me të drejtë. Sidoqoftë, është e tillë jo për shkak të karakterit omniprezent në shoqërinë tonë, po për shkak të karakterit kushtëzues të cilin i kanë dhënë të tjerët për ne. Nga institucionet ndërkombëtare për anëtarësim, nga donatorët për arritje të marrëveshjeve të bashkëpunimit dhe sigurimin e donacioneve. Mirëpo, fatkeqësisht, rrallë ose kurrë nga vetë ne qytetarët si kushtëzim i zgjedhjeve dhe rizgjedhjeve.

Këtë vit, korrupsioni ka marrë përmasa diskutuese më të dukshme, sidomos kur luftimi i korrupsionit u bë parakusht për liberalizimin e shumëpremtuar të vizave nga Bashkimit Evropian. Luftimi i korrupsionit si term, jo vetëm që nuk është konkret ose lehtë i matshëm, ai po ashtu lë hapësirë për interpretim, e si i tillë, lë hapësirë që të pretendohet se i është shpallur luftë korrupsionit, kur kjo nuk është domosdoshmërisht e vërtetë. Kjo e bën shumë të lehtë të bëhen premtime, të cilat nuk mbahen, por gjithnjë të shtiremi, se ne si shoqëri jemi duke marrë masa drejt çrrënjosjes së një dukurie e cila jo vetëm na ka paralizuar në zhvillim ekonomik, por edhe në përparim shoqëror.

Kosova mbetet getoja e Evropës, tash kur edhe Ukraina e Gjeorgjia kanë marrë dritën e gjelbër për liberalizim. Kushtet tona kryesore mbesin luftimi i korrupsionit, dhe demarkacioni. Për këtë të dytën nuk mund të flas, por korrupsionin nuk jemi duke e luftuar. Korrupsioni nuk është duke u luftuar kur procedura e prodhimit të pasaportave biometrike, që janë parakusht për liberalizim, është skandal korrupsioni, e kur si rezultat i mosliberalizimit ka kanale alternative për marrjen e vizave, për veç 3500 euro. Nuk jemi duke e luftuar korrupsionin, jo vetëm pse këto gjëra ndodhin, po sepse ne si shtet e shoqëri kurrë nuk mbërrijmë me i dënu e me i çrrënjosë dukuritë e tilla, por bëhemi pjesë e tyre.

Përveç lëvizjes së lirë dhe trajtimit njerëzor nga BE-ja, korrupsioni, dhe luftimi i tij ishte edhe një ndër nënkushtet që Koorporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) i parashtroi për Kosovën, në mënyrë që të mbajmë statusin në programin ‘Compact.’ Të qenit pjesë e këtij programi, sipas udhëheqësve të MCC, për Kosovën do të përkthehej në 100-500 milion dollarë. Javën që kemi lënë pas, MCC e degradoi Kosovën në programin ‘Threshold,’ ku përfitimet mund të jenë të ngjashme me të Shqipërisë, rreth 13 milion dollarë, edhe pse MCC Kosova shpresojnë për program të ngjashëm me disa shtete tjera, ku përfitimet kanë arritur rreth 70 milion dollarë. Kosova nuk arriti të bindë MCC-në se jemi duke e luftuar korrupsionin. Dhe nuk jemi. Jo kur në investime kapitale jepen kontrata për ndërtime e për të shtruar rrugët me formulën: gjysmë çimento, gjysmë beton, e gjysma e krejt kontratës në xhepin tënd.

Gjithashtu nuk i kemi shpallur luftë korrupsionit, nëse kur të ndalë policia pasi që i ke shkelur të gjitha rregullat e komunikacionit, i dorëzon dokumentet me një 10 euro në mes të tyre dhe polici të lë të vazhdosh tutje. As nuk i kemi shpallur luftë korrupsionit nëse në një drejtim në Universitetin e Prishtinës shpallet konkursi për 50 studentë, e në fillim të semestrit janë pranuar 75. As nuk i kemi shpallë luftë korrupsionit nëse “e njoh njonin qe e njeh njonin qe për pak pare ma kry’n këtë punë.” Jo vetëm që nuk i kemi shpallur luftë korrupsionit, po e kemi pranuar si vaj motori për makinën e quajtur shoqëri kosovare. Ka ekonomistë të cilët besojnë që në shtete ku burokracia është e lartë dhe shteti është joeficient, korrupsioni në fakt përmirëson eficiencën dhe si rezultat ndikon pozitivisht në zhvillimin ekonomik. Kjo konsiderohet e vërtetë posaçërisht kur sektori privat e ka të vështirë funksionimin prej kërkesave dhe burokracisë së tepruar shtetërore. Në Kosovë, një argument i tillë është pak i tejzgjatuar, duke qenë që korrupsioni nuk luan vetëm rolin e përmirësimit të eficiencës në ekonomi. Korrupsioni, specifikisht gjuha korruptive është art në vete, siç është elaboruar këtu më herët. Dhe është pjesë integrale e një shoqërie, nëse korrupsioni është i pranueshëm.

Çka është ende më e vështirë është matja e korrupsionit dhe e luftës ndaj tij. Korrupsioni zakonisht matet me perceptim, dhe përdoren indikatorët e Transparency International e Bankës Botërore, për të përcaktuar nivelin e perceptimit të korrupsionit në një vend. Vet nuk jam adhuruese e matjes së çfarëdo dukurie me anë të perceptimit, duke qenë që janë të bazuar pikërisht në atë, perceptimin. Mirëpo, në ato vende ku korrupsioni është pjesë e përditshmërisë, ashtu si buka, jogurti, e qebapat, perceptimi është më afër realitetit se ç’mund të mendojmë.

Sipas Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International, Kosova renditet e 103-ta nga 168 vende të përfshira në këtë indeks. Një rangim i tillë, qoftë edhe me margjinë të gabimit prej 10%, e shfaq Kosovën si vend ku niveli i korrupsionit është brengosës. Dhe ky nivel brengosës i shtyn institucionet ndërkombëtare të na kushtëzojnë me luftim të korrupsionit. Ky nivel brengosës, po ashtu, e shtyn edhe shoqërinë civile të reagojnë. Po fakti që Kosova konsiderohet si vend me korrupsion të lartë është problemi, e jo fakti që reagohet rreth kësaj.

Në anën tjetër, nëse matja e korrupsionit me perceptim të qytetarëve nuk është mjaftueshëm e besueshme, vetë shoqëria civile në Kosovë ka prodhuar raporte e analiza të cilat përdorin metodologji e pyetje alternative për të matur korrupsionin në Kosovë. Instituti Riinvest, në shtator ka publikuar Vlerësimin e Korrupsionit në Kosovë, raport ky i cili përveç perceptimit gjithashtu ka matur edhe pranueshmërinë e korrupsionit në shoqëri në bazë të qëndrimeve ndaj korrupsionit, dhe përfshirjen në korrupsion. Kështu, nëse perceptimi i korrupsionit nuk është mjaftueshëm i besueshëm të na bindë, le t’i referohemi këtyre tjerave.

Në vitin 2016, rreth 22% të të anketuarve kanë deklaruar se kanë dhënë rryshfet, për dallim nga rreth 20% në vitin 2015. Po ashtu, mbi 27% të të anketuarve u është kërkuar rryshfet në 2016, ndryshe nga mbi 23% në vitin 2015. E përfshirja në korrupsion nëpërmes rryshfetit është kryesisht si rezultat i presionit për diçka të tillë, ku rreth 19% e popullsisë kanë deklaruar që kanë dhënë rryshfet me presion për korrupsion, për dallim prej 3% të cilët e kanë bërë këtë pa presion po me vetëdëshirë. Korrupsioni ka marrë forma të ndryshme, të holla, dhurata, apo favore për zyrtarët publik, ku kjo e para prin me 14%. Pjesëmarrja në korrupsion, qoftë me ose pa presion, e bën atë edhe të pranueshëm. Në Kosovë, prej vitit 2014, kur ishte 42%, pranueshmëria e korrupsionit ka shënuar ngritje, në 48%. Nga vendet në rajon, Maqedonia ka nivel të ngjashëm të pranueshmërisë, me 47%, dhe vetëm Shqipëria ka nivel më të lartë, me 54%. Niveli i korrupsioni nuk qenka i tëri përceptim. E perceptimi ynë që korrupsioni qenka problem nuk është i tëri gabim.

Korrupsioni, nuk është vetëm i perceptuar është me të vërtetë prezent, e ç’është më brengosëse, korrupsioni në Kosovë është i pranueshëm nga gati gjysma e popullsisë. Korrupsioni nuk është një përbindësh nën shtratin tonë shoqëror, të cilin prindërit na thonë ta injorojmë sepse është vetëm pjesë e imagjinatës tonë, korrupsioni vazhdon të mbetet, më shumë se kusht prej akterëve ndërkombëtarë, pengesë e cila po na ndalë së realizuari potencialet e planet tona si shoqëri.

_______

Ky artikull është kontribut ndaj projektit TLP Citizens Corps.

Vështrimet dhe opinionet e shprehura në këtë artikull i takojnë autorëve dhe nuk i reflektojmë medoemos politikat dhe qëndrimet zyrtare të TLP Citizens Corps. Supozimet e bëra brenda analizës gjithashtu nuk reflektojnë qëndrimin e cilitdo entitet qeveritar.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.