Shumë është folur për korrupsionin si problem këto kohë. Madje jo vetëm si problem, por edhe si shkaktar i shumë të këqijave: varfërisë, papunësisë, mos-liberalizimit të vizave, e kështu me radhë.
Mirëpo pyetja fundamentale që duhet shtruar, besoj; e që, mjerisht, është duke u injoruar në përgjithësi nga kolumnistë të ndryshëm këtu në Sbunker (1, 2 and 3) është: A duhet konceptuar korrupsionin thjesht dhe vetëm si problem, apo si simptomë e modelit ekonomik neoliberal që na është imponuar në periudhën e pasluftës?
Në pikëpamjen time, është kjo e fundit.
Sepse korrupsioni – duam apo jo ta pranojmë – ka qenë dhe vazhdon të mbetet pasojë e drejtpërdrejtë e privatizimeve të egra që kanë ndodhur mbas vitit 2000 e këtej.
Sepse çfarë ka ngjarë?
Në vend se privatizimi të ulë nivelin e korrupsionit në vend – tek e fundit, kjo ka qenë arsyeja kryesore pse na thuhej se duhet privatizuar ndërmarrjet publike dhe shoqërore, ai vetëm sa e ka thelluar atë. Madje jo vetëm që e ka thelluar, por që besa është shndërruar edhe në shkaktarin kryesor të varfërisë dhe papunësisë në vend.
Në fakt, këtu konsiston edhe problemi me qasjen e gabuar të luftimit të korrupsionit nga ana e organizatave të shoqërisë civile, institucioneve vendore dhe ndërkombëtare. Ngase duke u marrë gjatë gjithë kohës vetëm me luftimin e korrupsionit si pasojë, e jo me luftimin e neoliberalizmit si problem, korrupsioni nuk ka pasur si të minimizohet.
I vetmi subjekt politik, mendoj, që e ka luftuar modelin ekonomik neoliberal; dhe rrjedhimisht, korrupsionin si pasojë e tij, ka qenë dhe mbetet Lëvizja Vetëvendosje.
Pse po them kështu?
Sepse, për dallim nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare; për dallim nga organizatat e shoqërisë civile dhe partitë politike; për dallim nga gazetarët dhe analistët, Lëvizja Vetëvendosje nuk është marrë vetëm me luftimin e korrupsionit, por edhe me kundërshtimin e modelit neoliberal; i cili, siç e përmenda më lart, është shkaktari kryesor i korrupsionit, varfërisë dhe papunësisë në vend.
Këtu, realisht, qëndron edhe pasaktësia e një akuze të kahmotshme që i bëhet Lëvizjes Vetëvendosje, se gjoja ajo nuk merret me korrupsionin por vetëm me tema të mëdha: bashkimi kombëtar, negociatat me Serbinë, demarkacioni me Malin e Zi, asociacioni serb, e kështu me radhë.
Mirëpo e vërteta është se Lëvizja Vetëvendosje është marrë gjatë gjithë kohës me këtë gjë. Por, meqenëse ajo është marrë më shumë me kundërshtimin e modelit ekonomik neoliberal, e më pak korrupsionit si pasojë e tij, është krijuar përshtypja e gabuar se Vetëvendosja nuk është duke e marrë fare me luftimin e korrupsionit.
Për më tepër, Vetëvendosja jo vetëm që ka folur në vazhdimësi kundër modelit ekonomik neoliberal dhe korrupsionit; por ka marrë hapa konkretë në luftimin e tyre.
Shikojeni Komunën e Prishtinës, ta zëmë – komunë kjo që sot merret si shembull i qeverisjes me duar të pastra (ka dërguar mbi 100 dosje në prokurori; ka bërë hapjen e shumë çerdheve publike me bazë në komunitet (term ky që i flakëron neoliberalët); ka bërë hapjen dhe rregullimin e qendrave të mjekësisë familjare; është duke e bërë rregullimin i transportit publik (që pritet në ditët dhe muajt në vijim); ka krijuar dhe ndriçuar hapësira të shumta publike; ka bërë ndalimin e ndërtimeve pa leje – të cilat, po të vazhdonin si në hyqmin e shkuar Lidhjes Demokratike të Kosovës, do të bënin që Prishtina të shndërrohej në një qytet si ai i Napolit në filmin e famshëm të Francesco Rosi-t, “Hands over the City” (1963)).
E të mos përmendim mbajtjen e protestave, demonstratave dhe aksioneve kundër privatizimeve të shumta; rrahjet, arrestimet, burgosjet, e të tjerë e të tjerë.
Pra, unë mendoj se janë gazetarët dhe analistët, jo Lëvizja Vetëvendosja, ata që duhet akuzuar pse nuk po flasin mjaftueshëm për nivelin e korrupsionit. Sepse, për dallim nga Vetëvendosja, këta kurrë një fjalë të vetme nuk e kanë thënë kundër hegjemonisë neoliberale në Kosovë; e cila, siç e nënvizova më lart, është burimi kryesor i korrupsionit. Madje jo vetëm që nuk e kanë bërë një gjë të tillë –që nuk janë pozicionuar kundër modelit ekonomik neoliberal, por shpeshherë kanë ditur të shndërrohen edhe në instrumente të legjitimimit të tij.
***
Po përse korrupsioni është konceptuar si problem, e jo si pasojë, s’do mend se ky është një problemi i madh.
Nga pikëpamja ime ekzistojnë katër arsye kryesore pse është konceptuar kësisoji. E para, konsideroj, ka të bëjë kryekëput me instrumentalizimin e korrupsionit për të privatizuar ndërmarrjet publike dhe shoqërore, më kollaj e më lirë.
Sepse, cili ka qenë arsyetimi pse një ndërmarrje publike dhe shoqërore është privatizuar?
Korrupsioni dhe nepotizmi. Ja, këto kanë qenë dy arsyet e vetme.
Arsyeja e dytë, mendoj, ka të bëjë edhe me dialogun me shtetin serb. Duke qenë se konjuktura ekzistuese në pushtet është përfshirë në afera të shumta korruptive dhe kriminale (kujtojeni përgjimet e fundit, ta zëmë), bashkësia ndërkombëtare e ka përdorur korrupsionin thjesht si armë për të shantazhuar udhëheqësit kosovarë: fillimisht, për të pranuar dialogun pa kushte me Serbinë, dhe më pas, për të pranuar marrëveshjet e dëmshme në kurriz të subjektivitetit shtetëror të Kosovës.
Si thotë populli: e kanë pasur bishtin të zënë me derë.
Arsyeja e tretë, në gjykimin tim, ka të bëjë me justifikimin e prezencës së misioneve ndërkombëtare në Kosovë: UNMIK-ut dhe EULEX-it. Siç pranohet gjerësisht, ka qenë pikërisht niveli i lartë i korrupsionit dhe krimit të organizuar që është përdorur si arsyetim për praninën e misioneve ndërkombëtare; ndonëse, më duhet të shtoj, misionet e tilla nuk kanë bërë asgjë, ama bash asgjë për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Madje jo vetëm që nuk kanë bërë asgjë; por, ç’është më e keqja, janë zhytur edhe vetë në korrupsion si mos më keq.
Dhe arsyeja e fundit, besoj, ka të bëjë me krimet e supozuara të luftës.
Në ç’kuptim?
Në kuptimin që, duke dashur të procedojnë rastet e krimeve të supozuara të luftës në Kosovë, dhe duke menduar se komandantët e UCK-së gëzojnë përkrahjen e popullit, misionet ndërkombëtare kanë vepruar si në vijim: fillimisht, le t’i lejojmë komandantët e luftës të korruptohen dhe të kriminalizohen. Kështu, ata do të humbasin përkrahjen që gëzojnë në popull; dhe më pas, ne mund të bëjmë çfarë të duam me ta: t’i arrestojmë, burgosim, dënojmë, e të tjerë e të tjerë.
Dhe kështu ka ndodhur, realisht: shumica e komandantëve të luftës sot gjenden ose në burgje, ose duke u tërhequr zvarrë proceseve gjyqësore për krimet e supozuara të luftës. Ndërkaq korrupsioni e krimi i organizuar vazhdojnë të përhapën edhe më tej.
Këto, në mendimin tim, janë arsyet kryesore pse korrupsioni është konceptuar si problem, e jo si pasojë direkte e modelit ekonomik neoliberal që është imponuar pas-lufte.
Prandaj është koha e fundit që të pozicionohemi kundër këtij modeli të përçudshëm ekonomik; i cili, si asgjë tjetër në vend, është shkaktar për mjerimin gjithëmbarshëm shoqëror, ekonomik dhe politik.