Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Korrupsioni, perceptimi dhe MCC

“Kosova humbi qindra miliona nga fondi amerikan MCC për shkak të korrupsionit”. Ky pa dyshim ishte lajmi më tragjik i javës që shkoi. Edhe ky, si shumë lajme të tjera të rëndësishme, përfundoi pa ndonjë debat përmbajtësor mbi shkaqet dhe pasojat e vendimit të MCC.

Sepse asnjë temë – as ajri i ndotur, as gjendja e arsimit dhe as zhvillimi ekonomik – nuk ngjallin debat të madh në Kosovë nëse disi nuk lidhen për Serbinë, flamujt, kufijtë apo ndasitë fetare (temat që nxehin gjakra).

Programi i Millenium Challenge Corporation (MCC), të cilin si mundësi në Kosovë e solli ish-Presidentja Jahjaga, ishte dhe mbetet një ndër mundësitë më të mira për t’i dhënë impuls zhvillimit shumë të nevojshëm të vendit. Kjo për shkak të modelit të veçantë të intervenimit të kësaj agjencie amerikane.

Për dallim prej USAID-it i cili si institucion i ndihmës zhvillimore është më pak i politizuar dhe shtrihet gati gjithandej në botë, MCC është organizatë pak më ideologjike dhe politike. Ajo ka për synim që t’i shpërblejë aleatët e SHBA-ve që zbatojnë reforma demokratike dhe kanë qeverisje të mirë.

MCC vjen me një shumë të madhe në formë granti, investon në dy apo tri fusha kyçe që e pengojnë zhvillimin, dhe largohet pas nja pesë vitesh për të mos u dukur më. Shuma e përgjithshme e mjeteve që MCC kishte ndarë për shtatë vende të përzgjedhura paraprakisht për vitin 2016 ishte 1 miliard dollarë. Kjo lë të supozohet se Kosova do të mund të përfitonte investime në mes të 100 – 150 milionë dollarëve.

MCC kryesisht lë gjurmë në infrastrukturë fizike, ndërsa në rastin e Kosovës u fol për mundësinë e investimeve në stimulimin e prodhimit të energjisë së ripërtëritshme apo në sistemet e ujitjes në bujqësi.

Ky është një dallim i madh me agjencitë e tjera zhvillimore që janë prezente në Kosovë prej vitit 1999, të cilat nga viti në vit zbatojnë programe (më të vogla) të asistencës teknike (këshilla, trajnime) apo infrastrukturë të nivelit mikro.

Këto të fundit, sado që kanë luajtur rol shumë të rëndësishëm për ndërtimin e infrastrukturës ligjore, institucionale dhe për krijimin e bazës së njohurive (statistikave dhe analizave) për gjendjen në vendin tonë – duke e marrë parasysh mungesën e kapaciteteve tona vendore – tashmë kanë hyrë në fazën kur prodhojnë shumë letra dhe vende pune për konsulentë, e shumë pak ndikim në terren.

Kjo sepse vazhdojmë të mos kemi qeveri që sillen si zot shtëpie dhe që i orientojnë këto fonde brenda një vizioni vendas dhe koherent zhvillimor. Kjo mungesë lidershipi i lë hapësirë çdo sharlatani ndërkombëtar që me dy tre vizita në Kosovë të na përcaktojë prioritetet e investimeve nga ndihmat.

E them këtë si dikush që prej gati një dekade e siguron jetesën prej kësaj „industrie“ dhe që përjeton zhgënjime të njëpasnjëshme me orientimin dhe ndikimin e fondeve zhvillimore ndërkombëtare.

MCC jepte shpresë për diçka më ndryshe dhe më të madhe. Por tani me vendimin e fundit të Bordit të MCC, të udhëhequr nga Sekretari John Kerry, duket sikur ky premtim do të jetë e vështirë që të përmbushet.

Kosova nuk është pranuar për kontratën e menduar në fillim, atë „Kompakt“ – ku mund të siguroheshin investimet e mëdha në infrastrukturë – por do të mbështetet përmes kontratës më të kufizuar „Threshold“.

Përmes programit „Threshold“ vendi ynë do të ndihmohet kryesisht për t’i përmirësuar problemet që na pamundësuan hyrjen në kontratë „Kompakt“ – për t’i forcuar kapacitetet e institucioneve për qeverisje të mirë, deri sa të jemi të gatshëm për „Kompakt“.

Pra me sa duket po vjen edhe një program i dhënies së këshillave si shumë të tjera deri tash. Sipas zërave brenda ekipit të MCC, si dhe disa deklaratave publike të ekipit vendas, ka gjasa që një nivel i investimeve kapitale të ruhet edhe përmes programit „Threshold“. Por është e qartë se një shans për intervenim masiv gati se u humb.

Cilat janë arsyet? Kosova nuk u përfshi në programin „Kompakt“ për shkak se kemi shënuar rënie në indeksin e kontrollit të korrupsionit, të cilin MCC e merr për bazë për të mbështetur një vend ose jo, dhe i cili matet sipas një metodologjie të vendosur paraprakisht dhe të njëjtë për të gjitha vendet.

Ky indeks ndërtohet mbi disa nën-indikatorë. Në rastin e Kosovës, nga 9 nën-indikatorë që vlerësohen, Kosova ka shënuar rënie të dukshme në vetëm njërin prej tyre – më konkretisht në sondazhin e perceptimit të korrupsionit të kompanisë Gallup.

Një problem tjetër i cili thuhet të ketë pasur ndikim në vendimin e bordit është edhe fakti se MCC investon vetëm në shtete të klasifikuara si „të varfëra“. Kosova në fakt është vetëm 50 dollarë larg kufirit prej 4,000 dollarësh të ardhura për kokë banori (që na klasifikon si me të ardhura „mesatare“).

Bordi i MCC është dashur pra që t’i mbyllë sytë dy herë për ta shtyrë përpara Kosovën në programin „Kompakt“: të injorojë ngecjen në indeksin e kontrollit të korrupsionit dhe të injorojë faktin se Kosova nga viti 2017, kur programi do të fillonte, me gjasë statistikisht nuk do të kategorizohej si shtet i varfër.

Sidoqoftë, temë qendrore e debatit ishte moskalimi i indeksit të kontrollit të korrupsionit, i cili bazohet në të dhëna të vitit paraprak. Pra, qytetarët e Kosovës i thanë një ankete në vitin 2015 (e cila u raportua sivjet) se në vendin tonë është rritur korrupsioni, dhe MCC, për shkak të metodologjisë së saj, vendosi se Kosova nuk e meritonte programin „Kompakt“.

A ishte vendimi i bordit të MCC i drejtë? Kjo, gjithsesi, nuk është punë e jona. Paratë janë të taksapaguesve amerikanë.

Ndoshta ky ishte një mesazh i fortë dhe i nevojshëm politik për këndelljen e elitës sonë politike. Një shuplakë e Departamentit të Shtetit për kulturën e pandëshkueshmërisë së të fuqishmëve (korrupsionit të nivelit të lartë).

Ndoshta, siç thonë disa burime nga Uashingtoni, elita jonë politike nuk i dha aleatit të vet më të madh as edhe një arsye politike për t’i mbyllur sytë para indeksit të korrupsionit (që gjithmonë mund të arsyetohet me argumente metodologjike), duke mos i përmbushur kushtet e Victoria Nuland për demarkacionin dhe riformatimin e qeverisë.

Por nëse shikohet vetëm nga prizmi i metodologjisë së përdorur për ta matur korrupsionin, MCC vendosi drejtë sepse e dëgjoi zërin e qytetarëve të Kosovës që folën në një anketë.

Në këtë pikë vlen të hapet edhe një debat tjetër. A është ky zë i qytetarëve matës objektiv dhe i drejtë i nivelit korrupsionit? Pra a është metodologjia e bazuar në perceptim e drejtë?

Nëse është, a i bie kjo se ne si vend jemi shumë më të korruptuar se vendet ku MCC ka program „Kompakt“, si Tunisi, Armenia, Burkina Faso, Benini, Kenia, Liberia apo Moldavia (një vend ku para dy vitesh zyrtarë të shtetit bashkë me zyrtarë bankash zhdukën miliarda dollarë në skemën më të madhe mashtruese të Evropës lindore)?

Personalisht mendoj se nuk jemi më të korruptuar se asnjëri prej këtyre vendeve. Madje, përkundër nivelit mjaft të lartë të korrupsionit dhe përshtypjes që dominon në opinion, në shumë aspekte jemi më mirë se rajoni, sidomos në nivelin e korrupsionit mikro (gjatë përballjes me shërbimet publike).

Sado që korrupsioni në Kosovë në shumë nivele është gangrenë institucionale që duhet luftuar pa kompromis, matja e tij përmes anketës i jep hapësirë tendencës sonë për ekzagjerim. Dhe ky ekzagjerim buron prej frustrimeve të akumuluara ndër vite – korrupsionit gjithsesi ekzistent, por edhe papunësisë, mospërfilljes së elitës politike, izolimit, urrejtjeve partiake, klanore, etj.

Kryeministri Mustafa u përqesh para pak kohësh kur tha se „korrupsioni në Kosovë ishte çështje perceptimi“. Pa dyshim se korrupsioni nuk mund të reduktohet në çështje perceptimi. Pasuria e elitave politike, që nuk arsyetohet nga të ardhurat, nuk është vetëm perceptim.

Por mënyra se si Transparency International apo Gallup e masin dhe krahasojnë korrupsionin në mes të vendeve të botës është gjithsesi përmes perceptimit të qytetarëve të këtyre vendeve. Dhe Kosova pra është vendi me shpërputhjen më të madhe në mes të perceptimit për korrupsionin në vend dhe përjetimit të drejtpërdrejtë të tij.

Ndërkohë që në anketën e Transparency International jemi në top treshin e vendeve e botës që thonë se korrupsioni është problemi kryesor në vend (65% prej nesh mendojnë kështu), jemi gjithashtu  vendi ku njerëzit më së paku kanë përjetuar situata korruptive (kanë dhënë ryshfet) në Europë lindore –vetëm 10% (krahaso me Shqipërinë, 34%, apo Bosnjen, 27%).

Të njëjtin shqetësim me metodologjinë vlerësuese të MCC e jep në një analizë e Sarah Rose nga instituti prestigjioz Center for Global Development me bazë në DC. Thotë Rose: „Anketa e Gallup i pyet njerëzit nëse u duket se korrupsioni është i përhapur në vendin e tyre. Është çmenduri që bordi i MCC mund të mendojë të tërhiqet nga Kosova thjesht për shkak se ne një vit të caktuar një numër pak më i madh i kosovarëve mendojnë se ka shumë korrupsion. Sidomos kur dihet se zakonisht ekziston një shpërputhje e madhe në mes të perceptimeve dhe përjetimeve të drejtpërdrejta të korrupsionit.“

Me fjalë të tjera, anketat e perceptimit nuk janë mjet objektiv i matjes dhe krahasimit mes vendeve për problemin në fjalë.

Merreni  si shembull perceptimin tonë për cilësinë e arsimit. Nëse 75% të qytetarëve të Kosovës i thanë një ankete se sistemi fillor i arsimit është cilësor (sipas anketës MOSAIC të UNDP-së në vitin 2015),  testi objektiv PISA na e dëshmoi të kundërtën, se sistemin fillor e kemi katastrofal.

Pse e paskemi keq perceptimin tonë për arsimin, dhe të drejtë perceptimin se jemi ndër më të korruptuarit në botë?

Kam përshtypjen se frustrimet sociale dhe politike me gjendjen në vend, që janë krejt legjitime, po na çojnë drejt vetëurrejtjes dhe po na bëjnë që përmes shprehjeve tona publike t’ia nxijmë vendit imazhin edhe më shumë se që e meriton.

Po ia nxijmë edhe më shumë se sa që kjo elitë politike tashmë ia ka nxirë – jo vetëm me korrupsion, por para së gjithash me paaftësi dhe me mungesë vullneti dhe vizioni zhvillimor. E këto të fundit janë probleme shumë herë më të mëdha sesa korrupsioni.

Janë probleme që ndoshta edhe kërkojnë shuplaka si kjo e fundit prej MCC, për të na këndellur të gjithëve nga paraliza dhe kllapia shpirtërore.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.