Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Kosova ka mundur të dalë edhe më keq në PISA

Apo pse reagimet e politikbërësve dhe akterëve të arsimit ishin kundërthënëse e paradoksale, dhe si pjesëmarrja në PISA 2015 ndihmon në ofrimin e argumenteve të bazuara në dëshmi për atë se cfar? rezultati mund të pritet në vlerësimet e ardhshme të PISA-s në vend se të shërbehemi me hamendje dhe retorikë boshe?

Përderisa u vërejt një tronditje dhe reagim i gjerë i publikut kosovar ndaj publikimit të rezultateve të vlerësimit PISA 2015 dhe performancën e ulët të nxënësve kosovarë aty, reagimet nga politikbërësit arsimorë dhe palët e përfshira të arsimit ishin edhe më të pakta edhe më të përziera, por dominoi një qasje paradoksale, ose nga mosdija se si të adresohen gjetjet nga vlerësimi PISA 2015 për Kosovën ose nga përpjekja për hedhur mjegull që përgjegjësia në të njëjtën kohë edhe t’u takojë të gjithëve edhe askujt. Në njërën anë u tha (nëpër media të ndryshme të paktën nga një drejtor shkolle, një drejtori komunal arsimi, dhe nga udhëheqësit e MASHT) se rezultati i nxënësve kosovarë në vlerësimin PISA 2015 ka qenë i pritur. Në vetvete deklarime të tillë janë shqetësuese sepse nëse vërtetë ka qenë e ditur që performanca e nxënësve të Kosovës do të ishte aq e ulët, pse ka munguar mobilizim shumë më i madh paraprak i akterëve institucionalë arsimorë që të bëhet diçka rreth kësaj çështje.

Në anën tjetër, nga të njëjtit akterë arsimorë u deklarua se edhe pse rezultatet e tilla të ulëta janë pritur, ato nuk paraqesin realitetin e shkollave të Kosovës, pasi sipas tyre, të rinjtë e Kosovës janë inteligjentë dhe gjendja është më e mirë se kjo që u shpërfaq nga PISA 2015. Deklarime të tillë janë kundërthënëse thellësisht dhe ndoshta ashtu sikur PISA që tregojë mungesën e shkathtësive të aplikimit dhe rezonimit në mesin e 15 vjeçarëve, ato tregojnë mungesën e shkathtësive të njëjta në mesin e popullatës së rritur. Është e palogjikshme të thuhet që rezultatet edhe janë pritur të jenë të tilla, edhe që ky nuk është realiteti në sistemin shkollor të Kosovës. Në fakt, realiteti mund të mos jetë ky, por nëse ai është ndryshe gjasat janë që ai të jetë edhe më i keq sesa që është dhënë me rezultatet e PISA-s 2015.

Fatmirësisht, në vend që të shërbehemi më hamendje dhe përgjithësime të pabaza, procesi i PISA-s na mundëson të arrijmë në përfundime të bazuara në dëshmi lidhur me atë se në ç’gjendje është sistemi arsimor dhe se a mund të priten përmirësime në të ardhmen e afërt. Për të ilustruar këtë, duhet t’i kthehemi çështjes se sa reprezantative ishte mostra e Kosovës në PISA 2015 dhe mund të marrim shembullin e Kroacisë për të treguar se si mostra ndikon në performancën e shteteve pjesëmarrëse në PISA.

Në Kroaci edhe pse e ranguar shumë më lartë se shtetet ballkanike në PISA 2015, rezultati mesatar i nxënësve në shkencë atje ishte 475, rreth 20 pikë më i ulët se mesatarja e OECD-së. Duke u munduar të shfajësohen për këtë ‘dështim’ të sistemi arsimor, zyrtarët arsimorë atje deklaruan se mostra e nxënësve kroatë ishte shumë reprezentative ku në PISA 2015 u përfaqësuan 91% e 15 vjeçarëve të grup-moshës së targetuar nga PISA dhe se faji për rezultatin e ulët bie mbi nxënësit minoritarë dhe ata me nevoja të veçanta arsimore të cilët kishin performuar më dobët se nxënësit tjerë kroatë. Deklarime të tilla shkaktuan debate të gjera në Kroaci dhe u kthyen në bumerang për shkak të përpjekjeve të zyrtarëve për të shmangur përgjegjësinë institucionale në njërën anë, dhe për të tëhuajsuar e fajësuar dy grupe të caktuara nxënësish si të ndryshëm prej nxënësve tjerë në sistem në anën tjetër.

Në fakt, në pothuaj të gjitha shtetet pjesëmarrëse në PISA, grupet e margjinalizuara të nxënësve performojnë në nivel më të ulët krahasuar me nxënësit tjerë në sistem. Shtetet që arrijnë performancë të lartë (si Finlanda për shembull) arrijnë që performancën e këtyre grupeve të margjinalizuara ta ngrisin në nivel më të lartë dhe të krahasueshëm me nxënësit tjerë përmes përfshirjes dhe përkrahjes së vazhdueshme institucionale. Një qasje e tillë inkluzive, fokusohet në përshtatjen e sistemin arsimor që t’iu shërbejë më mirë të gjithë nxënësve të përfshirë në arsim, në vend të fajësimit të tyre për kontributin në rezultatet mesatare të një shteti. Dhe si ndërlidhet kjo me Kosovën?

Derisa mostra në Kroaci ishte reprezentative prej 91%, në Kosovë mostra ishte shumë më pak reprezentative me vetëm prej 71%, që është më e ulët se mesatarja e OECD-së prej 89%, e po ashtu edhe me e ulët se e secilit shtet pjesëmarrës në rajon. Për shembull, në Maqedoni mostra ishte përfaqësuese prej 95%, në Shqipëri prej 84% dhe në Mal të Zi prej 90%, e megjithatë këto shtete u ranguan më lartë se Kosova. Përqindja më e lartë në mostrën reprezentative tregon edhe nivelin e përfshirjes së 15% vjeçarëve në shkollim në kohën e vlerësimit PISA por edhe nivelin e përfshirjes së 15% vjeçarëve në vetë vlerësimin PISA. Që si rrjedhojë paraqet pasqyrë më të plotë dhe më reale të performancës së 15 vjeçarëve brenda një shteti. Në rastin e Kosovës, në grupin prej 29% të 15 vjeçarëve të pa mbuluar nga vlerësimi PISA hyjnë nxënësit me nevoja të veçanta arsimore, nxënësit serbë dhe potencialisht edhe ata që kanë braktisur shkollimin. Çfarë do të thotë kjo për Kosovën?

Duke u bazuar në masën e përfaqësimit të mostrës së Kosovës në PISA 2015, mund të përfundohet se performanca e 15% vjeçarëve në vlerësimin PISA është treguese e nivelit të performancës së grupit prej 71% të përfaqësuar në PISA. Dhe duke e ditur që performanca e atyre që nuk janë përfaqësuar në PISA zakonisht pritet të jetë me e ulët sesa mesatarja e një shteti, kjo tregon që rezultati real dhe më i saktë i nxënësve në sistemin arsimor të Kosovës ka mundur të jetë edhe më i ulët se ky që është publikuar në PISA 2015 sikur mostra të ishte më reprezentative.

Siç kam argumentuar më parë në sbunker, edhe pse PISA kundërshtohet nga akademikët për shkak të pasojave negative që politikat e bazuara vetëm në PISA mund të kenë për sistemet arsimore, saktësia e matjeve të vlerësimit PISA nuk kontestohet.

Me fjalë tjera, performanca e nxënësve të Kosovës në vlerësimin PISA 2018 nuk do të varet vetëm nga përmirësimi ose përkeqësimi i performancës së sistemit arsimor si tërësi, por edhe nga përfaqësueshmëria e mostrës pjesëmarrëse në vlerësim. Pasi rezultatet e vlerësimit PISA 2018 nuk do të publikohen deri në dhjetor të vitit 2019 – plot tri vite prej tani – dhe me gjasë deri atëherë ministri aktual i arsimit mund të mos jetë në postin e njëjtë, mund të presim të dëgjojmë retorikë të njëjtë edhe pas tri vitesh, që rezultatet në PISA t’i atribuohen udhëheqësve paraprak, ose që realiteti i shkollave nuk është ai që do të pasqyrohet nga PISA. Gjithçka që të mund të thuhet, që në fund përgjegjësia të bie mbi të gjithë dhe mbi askënd në të njëjtën kohë!

 

_________

Më shumë nga tema PISA:

Dukagjin Pupovci – PISA–tronditja dhe PISA–këndellja

Dren Pozhegu – PISA dhe fronti i fundit i shpresës

Ardiana Shala Prishtina – Në PISA katastrofë, por qymyri i Kosovës asht ma i miri n’botë

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.