Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Kosova në ndërrimin e moteve

Përçarjet shoqërore ndikojnë negativisht në zhvillimin e Kosovës. Në një kohë difuze si kjo e tashmja sa i përket kahjes që duhet të marrë shoqëria, u takon liderëve politikë dhe intelektualë që të ravijëzojnë një vizion me qëllimin e zëvendësimit të anomisë shkatërruese që mbizotëron në Kosovë.

Edhe këtë vit, ndërrimi i moteve Kosovën e gjen ende në udhëkryq. Përkundër shpresave dhe lutjeve, urimeve dhe pritjeve, Kosova as këtë vit që po lëmë pas nuk shënoi ndonjë sukses në konsolidim të shtetit. Bilanci i këtij viti mbetet zhgënjyes. I kujtojmë këtu dështimet me demarkacionin me Malin e Zi, ku u miratua në parlament një delimitim i ri i panevojshëm i kufirit, nën një presion te paarsyeshëm nga jashtë, por mbi të gjitha, me një premtim për liberalizim të vizave.

Demarkacioni, edhe pse shumë qesharake dhe absurde për t’u besuar, u caktua si kusht për liberalizim të vizave. E natyrisht, kosovarët, duke dashur që mundësisht të marrin ndonjë vizë, jo vetëm për vizitë jashtë vendit, por duke shpresuar se përmes asaj vize të gjejnë mundësinë e ikjes së përhershme nga Kosova, për viza janë në gjendje të japin gati gjithçka. Dikush që mezi pret të ikë nga vendi i tij, normalisht se nuk çan kokën se a po humb territor apo jo.

Dëshira e qytetarëve për të ikur nga vendi është dështim më i dhimbshëm se edhe vetë humbja e territorit. Tragjike për Kosovën është se nuk janë vetëm kategoritë e varfëra të shoqërisë që duan të ikin. Çdo ditë e më shumë dëgjojmë nga profesionistë të ndryshëm që duan të largohen për në perëndim. Mjekë, avokatë e bankierë. Profesora e juristë. Gazetarë e artistë. Nuk e di a mund të jetë ndonjë zhvillim tjetër më i dëmshëm se ky fenomen i ikjes. Në vend se politika kosovare pas themelimit të shtetit të ndjekë shembullin e krijimit të shtetit të Izraelit për t’i kthyer kosovarët në vendlindje, Kosova ka arritur t’i largojë jo vetëm ata që vullnetarisht janë kthyer nga shtetet tjera, por ka ardhur në pikën që edhe ata qytetarë që nuk e kanë lëshuar vendin as gjatë luftës, sot, në qeverisje të politikanëve tanë, duan të ikin sa më parë që munden. Jeta e përditshme në Kosovë është bërë e padurueshme psikologjikisht, ekonomikisht dhe fizikisht.

Mungesa e sigurisë njerëzore në gati të gjitha sferat e jetës ka shkaktuar deziluzionim te qytetarët. Institucionet kosovare ende nuk kanë arritur të ofrojnë qasje të barabartë dhe të drejtë në drejtësi për të gjithë qytetarët njësoj. Mungesa e sigurisë ekonomike, e një arsimi kualitativ dhe një shëndetësie humane vazhdimi i listës së dështimeve dhe arsye për ikjet. Një prind i përkushtuar s’do mend se brengoset për të ardhmen e fëmiut të tij. Është e dosmosdoshme dhe urgjente që të investohet sa më shpejtë në fushat e lartpërmendura.

Një tjetër dështim i këtij viti ishte ndarja e Lëvizjes Vetëndosje në dy kampe. Një numër i madh i qytetarëve filluan të zhvillonin prapë një fije shprese duke e përcjellur rritjen e VV-së. Kjo nuk kishte të bënte vetëm me VV-në si të tillë, por edhe me vetë faktin se një ndryshim qenka ende i mundur. Kur në pikun e suksesit nga ky subjekt filluan të shpërfaqen armiqësitë mes individëve të caktuar dhe ofendimet e akuzat e ndërsjella pasuese, kjo la një shije të hidhur zhgënjimi te shumica e qytetarëve, pa marrë parasysh tendencen e tyre politike e partiake. Nga ky subjekt ishte pritur shumë, sepse ishin vetë VV-ja që e caktuan një standard të lartë komunikimi dhe debati.

Mos të harrojmë listat e fryera të veteranëve. Kjo aferë shembi te shumëkush edhe vlerësimin për kontributin e luftëtarëve. Ata që ishin parë si patriotë e luftëtarë të lirisë, tani dolën të ishin profiterë ordiner të luftës. Të paktën një numër i madh i tyre. Tani nuk mund të dije sigurtë se kush kishte luftuar vërtetë e kush vetëm përfitonte nga skemat dhe beneficionet.

Përgjithësisht, vërehet një humbje e besimit në njëri-tjetrin. Qytetarët nuk kanë më mirëbesim as në institucione, por edhe me shumë peshon mungesa e mirëbesimit të ndërsjellë njerëzor. Vendi ynë është bërë pothuajse një shtet hobesian, ku mbretëron paradigma “homo homini lupus est” (njeriu për njeriun është ujk). Pas çdo iniciative dyshohet se qëndron ndonjë arsye apo qëllim për përfitim personal. Ka humbur besimi në të mirën njerëzore dhe është rritur zhgënjimi e dëshpërimi.

Dështimi në Interpol ishte gjithashtu një hallkë tjetër në vargun e dështimeve. Poashtu revokimet e njohjeve të shtetësisë së Kosovës nga disa shtete.

Kemi pësuar përçarje mes vete jo vetëm në politikë të brendshme. Edhe sa i përket politikës së jashtme, ka pasur përplasje mes akterëve politikë. Qasja ndaj dialogut dhe pozicionimi i Kosovës ndërkombëtarisht kanë qenë arsyet e përplasjes. Presidenti i shtetit dhe kryeministri në njërën anë kanë shprehur qëndrime të kundërta sa i përket formatit të dialogut dhe idesë së ndryshimit/korrigjimit të kufijve. Presidenti dhe opozita, në anën tjetër, janë përplasur rreth pyetjes se a është legjitim vetë-emërimi si kryenegociator i presidentit.

Kemi pësuar përçarje jo vetëm politikisht. Edhe debati rreth rolit të Shqipërisë për Kosovën ka qenë dhe mbetet një dështim, çdoherë kur hapet si temë. Sikurse të qenit kosovar dhe shqiptar të kundërshtonin njëra-tjetrën. Unë që jam shqiptare kosovare, a jam më pak shqiptare e më shumë kosovare, apo më shumë kosovare e më pak shqiptare? Apo duhet të quhem kosovare shqiptare? A do të kishte rëndësi kjo? A do të përbënte ndonjë dallim? Nuk e kuptoj pse duhet t’i theksojmë dallimet e të tematizojmë gjëra, trajtimi i të cilave në këto kohëra është shumë kontraproduktiv.

Fatkeqësisht, çdo mundësi për të thelluar ndasitë e për ta përçarë popullatën tonë edhe ashtu të vogël në numër, shfrytëzohet deri në maksimum. Kur edhe festa e ndërrimit të moteve, që është kremtuar që në kohërat pagane, para se të ekzistonin religjionet, fillon të sulmohet si një festë që po e largoka njeriun nga besimi dhe nëpër qytet shpërndahen pamfleta kundër festimit të Vitit të Ri – atëherë tendencat për përçarje fetare janë vërtetë alarmante. Asnjë njeri nuk duhet të mendojë se religjioni ta siguron jetesën, edhe pse është një pjesë e rëndësishme shpirtërore për besimtarët. Por nëse nuk funksionon shteti, institucionet nuk do të mund të sigurojnë as respektimin e të drejtës për lirinë fetare. Për të funksionuar shteti, duhet të respektojmë liritë fetare të secilit qytetar, e jo të nxisim urrejtje mes feve.

Përçarjet shoqërore në Kosovë ndikojnë negativisht në shoqëri. Në një kohë difuze si kjo e tashmja sa i përket kahjes që duhet të marrë shoqëria, u takon liderëve politikë dhe intelektualë që të ravijëzojnë një vizion me qëllimin e zëvendësimit të anomisë shkatërruese që mbizotëron në Kosovë.

Por, përkundër listës së gjatë të dështimeve, unë besoj thellësisht se koha jonë është duke aguar. Lëvizjet e fundit në politikën globale e bëjnë të pritshme një zgjidhje përfundimtare të çështjes së Kosovës. Tani është e rëndësishme që të zhvillohet një strategji madhore kombëtare, të zbërthehet në një strategji të politikës së jashtme dhe të zhvillohen kampanja vetëdijësuese rreth dëmit njerëzor dhe gjenocidal të Sërbisë në Kosovë e Ballkan. Shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ka qenë ndarje prej Serbisë, por rregullim i një aneksimi të padrejtë dhe trajtimi mizor të popullatës shqiptare. Serbia duhet së pari të jetë e sinqertë me vetveten dhe të ju tregojë qytetarëve të vet se i ka ushqyer me propagandë e përralla. Kosova duhet ta bëjë të qartë se nuk ka nevojë të kërkojë njohje nga Serbia, sepse shtetin veçse e kemi shpallur. Nuk na bëhet vonë a na njeh Serbia apo jo. Problemin me precedent nuk e kemi ne, as Amerika. E ka Rusia dhe Kina. Kështu që le të mirren vesh Amerika me Rusinë e Kinën, e jo ne me Serbinë. Këtu bëhet fjalë për shtrirje të sferës së influencës, një betejë mes Lindjees dhe Perëndimit. Nuk është veç lufta e jonë. Kështu që dialogu duhet të ndryshojë formatin.

Dhurata më e mirë për këtë fundvit për Kosovën është aktivizimi i Gjykatës Speciale. Besoj dhe shpresoj shumë që largimi nga skena i disa individëve dhe lëkundja e perandorive të tyre kriminale do të ketë efekt çlirues për Kosovën. Ta festojmë këtë fundvit si fillimi i fundit të shtypjes së Kosovës nga jashtë dhe nga brenda. Qoftë viti i ardhshëm një vit i suksesit dhe prosperitetit! Gëzuar!

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.