Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Kosovarët, shqiptarët e Malit të Zi dhe studentët nga Presheva: Aksionerët e vërtetë të rrugës së Kombit

Foto nga Freepik

Duket se edhe ky sezon veror turistik do të kalojë pa taksë në Rrugën e Kombit, pasi revolta e Kukësit në Prill, e zbrapsi qeverinë të niste vjeljen e taksës së shpallur prej 5 eurosh për kalim.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka deklaruar se do të ketë një lehtësim të pagesës për të ashtuquajturit “përdorues të shpeshtë” të rrugës.

Në fillim, kur taksa nisi të vilet u tha se do të zbatohet një projekt pilot prej 6 muajsh, për të parë se kush është përdorues i shpeshtë i autostradës nga Miloti në Morinë.

Por pas protestës së ashpër, ku u dogjën edhe kabinat e pagesës, u vendos apriori që të ashtuquajtur  përdorues të shpeshtë janë banorët e bashkisë Kukës, asaj Has e zonave përreth.

Dhe madje u fol, edhe pse nuk ka asgjë zyrtare, se taksa për banorët e Kukësit do të jetë 100 lekë afërsisht 80 cent.

Por realisht këtu kemi të bëjmë me një vendim dukshëm të diktuar nga rrethanat, mjaft populist dhe fare të studiuar, i cili nuk rrok as parimin e gjithëpërfshirjes, por as atë të së vërtetës mbi parimin që po ndiqet, pra atë të “përdoruesit të shpeshtë”.

Kjo pasi përveç Kukësit përdorues të autostradës, janë edhe banorët e bashkisë së Mirditës, por veçanërisht thelbi apo “kafshata e madhe” e përdoruesve, janë banorët e Kosovës.

Rruga e Kombit, që prej hyrjes së saj në përdorim, e ka vërtetuar tashmë se nuk është një korridor i mirëfilltë ekonomik, por një arterie e komunikimit njerëzor më shumë se të kapitaleve mall.

Por lëvizja njerëzore ka brenda dhe kapitalin që ata sjellin me vete.

Shkurt e saktë; banorët e Kosovës, janë realisht “përdoruesit e shpeshtë” të “Rrugës së Kombit”.

Që prej vitit 2009, rruga nga Miloti deri në Morinë frekuentohet thuajse gjithë vitin në mbi 70 përqind të saj nga qytetarët e Kosovës që lëvizin mbi të gjitha për të kryer udhëtime të shkurta në Shqipëri, kryesisht për fundjava, por jo vetëm.

Pjesa tjetër e udhëtuesve nga Kosova janë ato gjatë sezonit turistik ku fluksi është marramendës.

Sipas të dhënave vjetore që regjistrohen nga Policia e Kosovës, në 3 muaj kosovarët që udhëtojnë për në Shqipëri gjatë verës i kalon 1 milionët, natyrisht me hyrje me dalje.

Këtu duhet shtuar edhe numri i madh i emigrantëve të Kosovës, që përdorin rrugën e Kombit për të vizituar familjet e tyre gjatë verës, duke kaluar nga Kroacia, Mali i Zi, Shkodra, Lezha e më pas në rrugën Milot-Morinë.

Duke pasur parasysh këtë fakt thelbësor, mund të thuhet pa frikë se qytetarët e Kosovës janë “aksionerët” numër një të Rrugës së Kombit.

Ata janë përdoruesit më të shpeshtë të saj, që kalojnë çdo kategori tjetër.

Rruga u ndërtua për të pasur sukses edhe si koridor ekonomik, por deri tani mund të thuhet se ky aspekt  ende nuk ka sjellë frytet e saj, edhe pas 9 vjetësh që ky aks vital është vënë në përdorim.

Ndërkaq, vendimi i qeverisë shqiptare për të vendosur tarifë përdorimi duke mos biseduar, kontaktuar, apo dëgjuar asnjë grup interesi apo shoqëror, e mbi të gjitha përfaqësuesit legjitim të Kosovës, është krejtësisht arrogant dhe pret në besë ata që rrugës i japin kuptim.

Studimi për të thithur tarifën e rrugës duhet bërë i plotë dhe gjithëpërfshirës, ndoshta duke e vëzhguar me hollësi për 6 muaj se kush janë ata që e rrahin “”Rrugën e Kombit”.

Tarifa si parim vendoset për  përdoruesit normal të një aksi i cili gjithashtu nuk është alternative e vetme e kalimit, pra ekziston paralelisht një aks rrugor pa pagesë.

Nëse autostradat e Kroacisë ne i paguajmë sa herë kalojmë, kjo nuk është njësoj me fluksin që ndodh në rrugën e Kombit.

Nëse një kategori  e caktuar e përdor këtë aks rrugor në mënyrë permanente, pasi edhe nuk ka alternativë tjetër lëvizjeje, nuk kemi të bëjmë me përdorues, pasi ky grup hyn tek frekuentuesi dhe kontribuesi i përditshëm i saj.

Banorët e Kosovës, kryesisht fundjavave i japin “Rrugës së Kombit” kuptimin se ai aks është arterie nacionale, përndryshe mbetet një rrugë lokale, e cila nuk justifikon aspak atë investim gjigant prej 1 miliard e kusur eurosh.

Plus shifrës gjigante që rruga kërkon për mirëmbajtje, e kthen këtë ndërmarrje në një aset që kërkon investim strategjik, por edhe qasje të tillë, duke komunikuar dhe respektuar “aksionerët” e saj.

Vendosja e tarifës prej 5 eurosh për qytetarët e Kosovës për një kalim, i rëndon shumë buxhetit të familjeve.

Siç dihet frekuentuesit më kryesor të rrugës janë familjarët që kalojnë një fundjavë në Tiranë, Durrës, Lezhë, apo gjetkë, duke shpenzuar në Shqipëri pjesë të buxhetit të tyre në strukturat e shërbimit apo hotelerisë.

Kam biseduar me familje të shumta nga Kosova që udhëtimin e fundjavës në Shqipëri e kanë kthyer në një rutinë tashmë.

Një javë e kalojnë në Tiranë, një tjetër në Pogradec, më pas në Berat, pastaj Lezhë, Shkodër, Korçë.

Kryetari i bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo, deklaroi në dhjetor gjatë një takimi me një grup të Unionit të Gazetarëve Shqiptarë se numri i turistëve nga Kosova është dyfishuar dhe priste që në 2018-n të ketë një katërfishim.

Këtë parashikim, kryebashkiaku e merrte direkt nga kërkesat që strukturat hoteliere të Korçës e merrnin nga qytetarë të Kosovës çdo ditë.

Pa folur këtu për “armatën” gjigante të kosovarëve që zgjedhin bregdetin shqiptar për pushimet verore, duke rritur ndjeshëm buxhetin e familjeve që mbahen nga turizmi.

Shto këtu bizneset e qytetarëve të Kosovës në qendrat e mëdha pushuese të Shqipërisë që janë kontribues të mëdhenj dhe direkt të buxhetit të shtetit të Republikës së Shqipërisë, pra hotele, bare, restorante, agjenci udhëtimi, qendra shërbimesh etj, që janë në një numër të madh.

Plus që një pjesë jo e vogël e qytarëve të Kosovës janë shtetas të Shqipërisë, që votojnë dhe paguajnë detyrimet që u takojnë me ligj.

Vetëm në Tiranë, sipas të dhënave të INSTAT kanë blerë apartamente mbi 35 mijë qytetarë të Kosovës, pa përmendur  Durrësin, Golemin, Gjirin e Lalzit, Shëngjinin, Velipojën, Vlorën, Sarandën, Pogradecin, ku edhe pse s’ka shifra të sakta flitet për numra me shumë zero.

Politikanë, intelektualë, biznesmenë, gazetarë nga Kosova kanë vilat dhe apartamentet e tyre verore në Shqipëri, por edhe qytetarë të shumtë.

Me një fjalë, qytetarët e Kosovës, janë kthyer tashmë në një realitet permanent të Republikës së Shqipërisë.

Që kontribujonë fuqishëm në GDP-në e Republikës, media kosovare me qendër në Prishtinë që kanë filialet e tyre në Tiranë ku japin e marrin të ardhura.

Që do të thotë se nuk guxon që kjo pjesë tashmë e rëndësishme e realitetit të Shqipërisë të mos jetë pjesë e konsultimit për një aks rrugor që ajo është përdoruese edhe aksionere.

Por përveçse shqiptarët e Kosovës, aksionerë të rrugës së Kombit janë edhe shqiptarët e Malit të Zi, ulqinakët dhe malësorët, por edhe banorët e Plavës e Gucisë, të cilët në shumicë punojnë në Prishtinë, Gjakovë, Pejë, e zonat përreth dhe lëvizin në fundjavë pambarimisht gjatë vitit në rrugën e Kombit për të mbërritur destinacionet e tyre familjare.

Gazetarë, punonjës të administratës, organizatave të shoqërisë civile, madje edhe biznesmenë por edhe profesionistë që punojnë në industri, ndërtimtari, etj, janë një numër i konsiderueshëm shqiptarësh të Malit të Zi, banorë të Kosovës, që destinacionet familjare i kanë të përçdojavshme.

E njëjta gjë mund të thuhet edhe për shumë studentë nga Presheva që në Tiranë kanë mbushur universitetin publik por kryesisht private në degën e mjeksisë, stomatologjisë dhe laborantëve të imazherisë.

Pra, një taksë 5 euro pa u konsultuar me kosovarët, e në fakt jo vetëm ata por edhe shqiptarët e Malit të Zi dhe të Preshevës, jo vetëm që nuk është zgjidhje por është arbitrare që në gjenezë.

Rrugët sesi mund të zgjidhet pagesa, që natyrisht është e nevojshme për mirëmbajtjen e kësaj rruge që shqiptarët e kanë paguar si “frëngu pulën”, janë të pafundme.

Nëse ka vullnet, zgjidhjet mund të gjenden në disa forma, por kurrë duke anashkaluar konsultimin me përfaqësuesit legjitim të Kosovës, pra qeverinë e Republikës, por natyrisht me aktorë e grupe interesi që përfaqësojnë shoqërinë.

Kjo sjellje ka shumë gjasa që të prodhojë edhe një energji të re “patriotike” për të rritur edhe më shumë jo vetëm komunikimin njerëzor ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, por mbi të gjitha ajo që nuk po ndodh, bashkëpunimi ekonomik për t’u bërë një treg mallrash dhe kapitalesh për të dalë në Europë si vlerë e shtuar.

A nuk bëjnë kështu vendet e ish-Jugosllavisë që kanë luftuar e janë shfarosur mes njëri-tjetrin?

Një komunikim apo konsultim do të sjellë edhe ndryshimin e mentalitetit që të mos ketë barrierë mes dy vendeve tona por facilitete, qoftë për qytetarët qoftë edhe për biznesin.

Përndryshe piramida  e kufirit që u shkatërrua gjatë Luftës së Koshares nuk do të kishte asnjë kuptim, nëse do të vazhdojnë të ngremë mure të reja.

Tirana në radhë të parë, pasi e ka detyrim jo vetëm kushtetues për shqiptarët që jetojnë jashtë kufirit, por qytetarët e Kosovës janë aksionerë me titull të plotë të Republikës së Shqipërisë…

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.