Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Krizat ciklike dhe prapambetja e theksuar e kulturës politike në Shqipëri

Kriza aktuale është duke nxjerrë në pah lakuriq brishtësinë, paaftësinë dhe papjekurinë e institucioneve tona demokratike, duke njollosur edhe më tej imazhin tashmë të dëmtuar të vendit tonë në arenën ndërkombëtare dhe duke demonstuar qartazi prapambetjen e kulturës sonë politike. Duket qartazi që vendi ynë ka ngecur në një qerthull apo në një situatë në-vend-numëro për sa i përket funksionimit të institucioneve tona dhe konsolidimit të kulturës sonë politike. Edhe pse po mbushen 30 vjet nga rënia e murit të Berlinit, realiteti politik po tregon se kemi ngelur ende shumë prapa për sa i përket kulturës politike. Të gjitha partitë janë provuar në pushtet apo në opozitë në Shqipëri dhe nuk dallojnë aspak nga mënyra si veprojnë. Para 15 vjetësh të gjithë thonin se problemi ishin Nano e Berisha e po të hiqeshin ata do lulëzonte Shqipëria. Prej kohësh ata janë hequr e zëvendësuar nga Rama e Basha dhe pak gjë ka ndryshuar në mënyrën sesi funksionon politika jonë. Kjo të lë të mendosh se nuk është thjesht çështje emrash të përveçëm apo logosh partie por një prirje më të mirëstrukturuar e gjithëpërfshirëse kulturore. Kultura politike në vetvete është një ndër nëndegët më të analizuara të shkencave politike dhe luan një rol të madh për të shpjeguar se përse Shqipëria ka ngelur në moçal për sa i përket konsolidimit të institucioneve demokratike.

Zanafilla e studimit të kulturës politike është viti 1963 kur dy akademikë të shquar Sidney Verba dhe Gabriel A. Almond që vinin prej dy universiteteve prestigjioze amerikane, Stanford dhe Yale, botuan një libër të titulluar Kultura Civile: një gur themeli i analizës së kulturës politike dhe ngelet ende sot një ndër librat më të cituar të shkencave politike. Ata vunë re se i njëjti sistem politik sillte rezultate krejt të ndryshme në vende të ndryshme dhe këtë gjë ia atribuonin kontekstit kulturor pra dallimeve në kulturën politike mes këtyre vendeve. Për ta kultura politike nënkupton orientimet politike të një shoqërie, pra qëndrimet ndaj sistemit politik, si dhe qëndrimet ndaj rolit të individit brenda sistemi. Hendeku mes institucioneve që kemi dhe kulturës politike ende ngelet shumë i gjerë dhe i thellë. Në rastin tonë duket qartë që edhe pse kemi pasur gjithfarë ligjesh të avancuara dhe reformash të hartuara me ekspertizë nga më e mira prej perëndimit, prapëseprapë ato ngelen në letër dhe vlerat ku bazohen, ende nuk janë mishëruar nga shoqëria jonë.

Historia bashkëkohore -e shkurtër- e demokracisë sonë, gjithnjë e më shumë, po i ngjan një historie ciklike me kriza që ripërsëriten në mënyrë të ngjashme. Pavarësisht se kush është në mazhorancë apo në opozitë sjellja politike dhe konflikti duken të paevitueshëm. Skena jonë politike ngjan e njëjta si para një dekade ku i vetmi dallim është ndryshimi i aktorëve që luanin rolet por skenari i dramës është pothuaj i njëjti. Me të njëjtin skenar por në role të kundërta, kryeministri aktual gjatë kohës që ishte lider i opozitës kërkoi në dhjetor të vitit 2006 që të shtyheshin zgjedhjet lokale të parashikuara e dekretuara për datën 20 janar 2007. Me meselenë e certifikatave të lindjes dhe me forcën e bojkotit opozita detyroi mazhorancën të bënte një marrëveshje politike që bëri të mundur shtyrjen e zgjedhjeve për datën 18 shkurt 2007.

Po ashtu të njëjtën ndjesi të fortë deja vu të krizave ciklike ta jep edhe çështja e zvarritjes së procesit të integrimit si pasojë e konfliktit të madh të brendshëm. Pikërisht atëherë kur pritet të merret një vendim për këtë çështje thelbësore për interesat e vendit tonë, ne gjendemi të zhytyr thellë në një krizë politike të rrezikshme e pa precedent. Nuk është rastësi që para pak ditësh, ministrat e Jashtëm të BE-së kanë lënë ta marrin në tetor vendimin lidhur me hapjen e negociatave për Shqipërinë. Përshkallëzimi i krizës aktuale është duke zbehur pritshmëritë për e çeljen negociatave për anëtarësim të Shqipërisë sivjet, njësoj sikurse para pak vitesh obstruksionizmi i opozitës socialiste vonoi për vite me radhë marrjen e statusit kandidat.

Asokohe socialistët ishin në opozitë e demokratët ishin në pushtet, klima konfliktuale ishte e ngjashme dhe për shkak të saj, opozita pengonte miratimin e atyre ligjeve që hapnin rrugën e marrjes së statusit të kandidatit. Në 2009, Shqipëria paraqiti kërkesën e saj zyrtare për antarësim në Bashkimin Europian. Mirëpo në një rast të paprecedent me vende në proces anëtarësimi, kjo kërkesë u refuzua disa vite rresht. Atëbotë opozita bojkotonte parlamentin dhe refuzonte të votonte ato tre ligje të shumëpërfolura të cilat ishin vendosur si kusht i pakapërcyeshëm nga Brukseli për të marrë statusin e kandidatit. Bëhej fjalë për të votuar me 3/5 e votave ligjin për administratën civile, heqjen e imuniteteve dhe gjykatat administrative.

Vetëm pasi opozita i votoi këto ligje Komisioni Evropian në tetor të vitit 2012, rekomandoi që Shqipërisë t’i jepej statusi i kandidatit të BE dhe në qershor të vitit 2014, Këshilli Europian i dha Shqipërisë statusin e kandidatit. Tanimë janë ndryshuar protagonistët dhe është kryeministri Rama ai që po akuzon opozitën për sabotim të integrimit evropian.

Me pak fjalë shikohet që pavarësisht rotacioneve të ndryshme politike, forcat politike sillen njësoj dhe nuk e ndryshojnë skenarin e lojës politike duke treguar për një kulturë politike goxha konservatore e të prapambetur që ende nuk i ka përqafuar ato tipare kulturore që shërbejnë si terren fertil për të kultivuar një demokraci të shëndoshë. Të gjitha këto vite të tranzicionit të stërzgjatur shqiptar kanë nxjerrë në pah si karakteristikë kryesore të kulturës politike shqiptare faktin që qeveria (pavarësisht se kush e drejton) e nënvlerëson ose margjinalizon sa herë që mundet opozitën dhe nuk e sheh pluralizmin dhe përfilljen e opozitës si një element thelbësor të sistemit politik të liberal demokracisë. Nga ana tjetër vihet re ekzistenca konstante e një opozite destruktive që provokon destabilitet sa herë që i leverdis dhe që për të ardhur në pushtet investon më shumë në nihilizëm e nxirrjen e kundërshtarit sesa në ofrimin e një alternative më të mirë politike me kuadro të rinj të pakomprometuar dhe ide novatore për të ardhmen.

Pavarësisht se estetikisht kemi ndryshime të mëdha krahasuar me fillimin e viteve ’90, në përmbajtje, karakteristikat bazike të kulturës sonë politike kanë evoluar shumë pak. Politikanët tanë sot duken të veshur më mirë pothuaj të padallueshëm nga homologët e tyre në perëndim mirëpo tiparet e sjelljes së tyre politike dallojnë si nata me ditën. Ata sillen sot shumë më të rafinuar, sofistikuar e artikuluar se në hapat e parë të tranzicionit, mirëpo fatkeqësisht, në thelb, mentaliteti i tyre ka ndryshuar shumë pak. Janë të gjithë politikanë të tranzicionit postkomunist që janë distancuar shumë pak nga reminishenca e regjimit diktatorial, për sa i përket mënyrës së funksionimit e mentalitetit.

Një analizë e orientimeve apo qëndrimeve të oplitikës shqiptare nxjerr në pah një sërë elementesh të kulturës politike që pengojnë konsolidimin e demokracisë liberale shqiptare. Të tilla janë: agresiviteti dhe gjuha e urrejtjes; mungesa e mirëbesimit dhe e respektimit të kundërshtarit; vështirësia për të arritur konsensus; pamundësia për të marrë në konsideratë prespektivën e palëve të tjera; lehtësia me të cilën përdoret dhuna e korrupsioni për të marrë e mbajtur pushtetin; tendenca për të blerë apo mbyllur gojën e zërit kritik nëpër media; frika e kërcënimi që ka më shumë rol sesa bindja me epërsinë e argumenteve; preferenca për gjuhën e forcës dhe konfrontimit përkundrejt dialogut dhe debatit konstruktiv; preferenca e përbaltjes përkundrejt përmbajtjes; tendenca për ta parë suksesin e tij si dështim të vetes e jo dobi për vendin; ngarkesa të tepruara emocionale që errësojnë arsyen dhe gjykimin e shëndoshë; debat i përqendruar tek sulmet personale e jo tek rrahja e ideve etj.

Gjithë kjo situatë ta jep një panoramë të zymtë e goxha fataliste. Nuk është aspak rastësi që dhjetëra mijëra shqiptarë po votojnë kundër elitës aktuale politike, nëpërmjet këmbëve të tyre duke braktisur vendin. Mirëpo duhet thënë gjithashtu se kultura politike nuk është statike dhe e ngurtë. Janë të shumta rastet e vendeve që kanë pasur një prapambetje edhe më të thellë se Shqipëria e ia kanë dalë në një kohë të shkurtër që të përmbysin të kaluarën e të përqafojnë vlera, bindje, parime e qëndrime të avancuara të denja për një vend demokratik. Të tilla kapërcime etapash i kanë bërë vende të ndryshme të Azisë si për shembull Korea e Jugut apo Japonia e pasluftës së dytë botërore. Por ato revolucione në kulturën politike në këto raste janë bërë nga ai soj liderësh politikë vizionarë e kurajoze të cilët ende nuk po shikohen në horizontin e elitës politike shqiptare. Elita aktuale politike e ka dëshmuar boll mirë se nuk është pjesë e zgjidhjes, por pjesë e problemit dhe është e kotë që të shpresohet ndonjë ndryshim pa ardhur gjenerata të reja politikanësh.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.