Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Ku rriten flamurat e zvogëlohen njerëzit

Kah këqyri shoh nji plagë lufte. E mendja m’shkon te do marre që i kemi grumbullue ndër këto vjeta, për të cilat nuk ekziston nji flamur aq i madh që kish mujtë me i mbulue. Asht marrja e harresës me të cilën po dojmë “me bo paqen”. Kjo m’dhem ma së shumti. Nuk po i numroj nji kah nji. Por paramendojeni nji njeri, e s’kam nevojë ishalla me ju thanë që edhe grueja asht njeri; paramendojeni qysh gjithë kto vjeta në terrin ma të thellë të kujtesës së saj të luftës, kjo grue e mbanë trishtimin ma të madh të jetës pa ia thanë kurrë najkujt nji fjalë. A e paramenduet? Gjithë kto vjeta pa i kallxue kurrkujt, me e lehtësue veç pak veten. A e dini pse? Se tutet. Ka mbijetue përvoja trishtuese e dhimbje të hatashme në luftë, dhe veç ajo e di qysh i ka pshtue torturatve. E kush e di sa dhimbje tjera i ka përjetue mas luftës, dhe i ka mbijetue me forcë e shum mund dhe u tutë atëherë me folë,  e tutet sot me folë. Prej kujt a? Prej neve tutet. Prej familjes, prej teje, prej meje. E ndodhë, kur e ka gjetë forcën me e mujtë pak tutën, nuk ka gjetë vesh. Ka ndodhë. Dhe po ndodhë. Pse a? Sepse, kurrkush nuk asht aty për te. Kahnjiherë mendohem, e thom me vete, a thu a ka provue najherë kjo grue me ia folë dhimbjen flamurit, ose shtyllës që mban flamurat tanë krenarë, në këtë tokë ku njeriu shtetin nuk e pat kurrë shtyllë; në këtë tokë ku njeriut nuk i ka metë shum shtyllë ma, as si shpresë, me mbështetë as shpirt as trup, jo se jo, me e mbështetë pak dhimbjen e madhe të luftës? Jo, konfliktit. Por luftës. Pikë.

Por pavarsia asht pavarësi, festa asht festë, nuk po ua përmendi marret tashti nji kah nji. Diku thellë brenda vetes e kuptoj edhe kacafytjen për flamura. Asht krizë njerëzore. E kuptoj si boshëllëk të nji jete që bahet në krizë të vazhdueshme të gjetjes së kuptimit. E kuptoj si mshefje prej dështimit me krijue nji botë që e kemi andrrue ku kuptimi i njeriut kishte me kenë vlera ma e madhe shoqnore. E flamurat? Flamurat kishin me kenë aq të të vetkuptueshëm, saqë të parandësishëm. Kur luftat e vërteta të jetës dhembin shum, ma lehtë asht me u marrë me simbole. E kuptoj. Por pavarësia, asht pavarësi, festa asht festë. Nuk due tashti me këtë rast, me ua përmend marret nji kah nji nji. Me e dijtë, ua kisha përmend sa po na kushton krejt kjo eufori. Sa po na kushtojnë shifrat pllastike të shkepuna koti, si zbukurim koti, pa shije nërpër qytet? Sa po na kushtojnë organizimet e shumta, letrare, artistike, më tha e të thash. Sa po na kushton llogoja, sa po na kushton koncerti, sa po na kushton gjithçka, neve që s’kemi kurrgja? Kush e di? Qindra mijë euro ndoshta?! Por, ky asht muhabet tjetër. Krejt çka mujë me thanë asht, pavarësia jonë e zorshme ke boll, e vetkuptueshme hiç. Me shum vujtje. Dhe aq sa kemi ecë nuk kemi mrri shum. Por edhe bash të kundërtën me e thanë, “qysh s’kemi ec shum, boll kemi mrri”, nuk asht ma pak e vërtetë. Krejt m’varet qysh zgjedhë ti me pa, e ku je tue këqyrë dhe mbi të gjitha m’varet prej asaj se, kur sheh sa thellë prekesh. Mue personalisht, më duhen te dyjat me i besue, për me mujtë me ecë përpara. E nuk asht zgjedhje. Asht kusht për me mujtë me rindërtue nji lumtuni në këtë tokë, tue gjetë kuptim në të kaluemen e saj, e tue kuptue e tue mësue prej saj. Nji kuptim që në vend se me u kapë për flamura, kapet për njerëz.

Në këto dhetë vjet shtet në Kosovë, e njiqind e kusur në Shqipni, kurrgjo nuk e mbulon marren tonë për heshtjen ndaj viktimatve të luftës; viktimatve të diktaturës të Enver Hoxhës (të cilit do idiotë hala ja festojnë ditëlindjen, paramendojeni!); për ndihmën që s’ua dhamë kurrë, për mashtrimet që ua dhamë çdo ditë, për mungesën e drejtësisë ndërkohë që patriotikisht i pamë tue u harrue e tue u vjedhë deri në dinjitet. As flamurat. Kurrgjo nuk e mbulon marren tonë për pasuninë që “trimat” e masluftës, liderat e kohës demokratike, komunistat e vjetër, tanët, banën në kurriz të të varfunve e në kurriz të të ardhmes, në kurriz të viktimatve; për përmendoret që i ngritën vetes mbi dekë të tjetrit; për lulet që i lëshuen mbi vorre të fëmijëtve të vramë në luftë e nuk ia ndërtuen as nji park në paqe atyne që mbetën gjallë; ndërkohë që ua dhunuen librat me idiotësi të skajshme dhe krejt na bashkë ua modeluem mbijetesën e egër në xhungllën e “kush â ma i forti”. E ma i forti asht aj që ka ma shum. E ma shum ka aj që asht ma i forti. Nuk këputet ky rreth i dreqit prej vetes.

Mos ta mashtrojmë veten. Nuk ekziston nji flamur aq i madh me mbulue kaq shum marre. Kot shtyheni ju për flamura. Por, e kuptoj që ma lehtë asht me u shty për flamura, se për ide qysh me ua ba jetën ma të mirë njerëzve në këtë vend. Sepse, e para të vjen si kangë e trashëgueme, të mjafton veç nji kerr ku mundesh me i ngjitë flamurat, edhe bahesh patriot rrugëtve të ndotuna të këtij veni. E për të dytën, nuk mjafton me pasë, por duhesh me ditë me e ba, e duhesh me e pa të ardhmen pa e harru të kalumen, e duhesh me dashtë njeriun, tue e harrue edhe veten.

Prandaj, un sot si shqiptare e refuzoj çdo formë patriotizmi. E rezervoj për vete veç të drejtën këtë gjuhë të nanës me e shkrujtë qysh di ma së miri. Dhe me e dashtë. Dhe në këtë gjuhë ju thom sinqerisht, gzue pavarësinë për të cilën ranë e vuejtën shum njerëz, e mos e merrni kurrë të vetkuptueshme. Por mos harroni, që me e gzue deri tash ma së shumti e kanë gzue hajnat e injorantët që na udhëhoqën e po na udhëheqin. Njerëz të untë e të paedukuem. Njerëz të padijtun. Të egër si Kanuni që i rriti. Por për aq sa vlen, krejt këta janë bisha që i rritëm na, sepse na jemi tue u marrë ma shum me ngritje flamurash nëpër rrethrrotullime, se sa me ngritje rrogash për xhepat e tyne. Veç për xhepat e tyne.

Flamurat s’kanë gojë me piskatë. Por në anën tjetër, as njerëzit që u mbuluen me to, nuk po piskasin. Nashta edhe po piskasin, por s’po nihen. Sepse, ata i kujtojmë kur neve na duhet nji mashtrim me maskue dështimin tonë me ndërtue këtë vend. Çka kujtohet sa për politikë veç për sy të kamerës, prej zhurmës të vetrandësisë të protagonistëve në këtë shfaqje, nuk nihet. Nuk mundet me u ni. Dheu i tokës tande s’asht edhe aq i lehtë qysh thojnë.

E përderisa këta protagonistë të kësaj drame politike mbesin përgjegjës për krimet e tyne, na jemi përgjegjës për lirinë e tyne e robnimin tonë. Sepse, mbas gjithë atyne krimetve që banën mbi ne, ata janë të lirë, sepse na po e pranojmë robnimin tonë.

Nashta, gabimi jonë asht që kur mendojmë për marrëdhanien tonë me vendin tonë, na thojmë: s’kemi tjetër, kjo asht toka jonë. Por kahnjierë s’asht keq edhe me mendue, që as ajo s’ka tjetër, veç neve na ka. Kur dojmë me ia nisë na me e kujtue plagën e njeriut të saj, për me e kuptue që pa atë njeri kjo tokë nuk do kishte kurrfarë kuptimi?

Kur shoh njerëzit tue u zhagitë me dhimbjet e luftës të mbylluna brenda vetmisë të tyne, sepse tuten me folë, sepse tuten prej familjes, prej teje, prej meje, flamurin e shoh si mashtrim. Në betejat e mia shpesh thom po me dijtë që kurrë dritë me sy nuk shoh, nuk du me u ndalë. Çmimin ia kam mësue kësaj pune. Asht vetmi. Nuk i tutna. Por kur shoh njerëzit tue u zhagitë nëpër tokë me dhimbjet e luftës të mbylluna brenda vetmisë të tyne, dhe ishalla s’kam nevojë me ju thanë që edhe gratë janë njerëz, ka momente kur piskas në kupë të qiellës veç për me e bind veten që jam gjallë: boll ma!

Megjithatë m’dhem syni kur i shoh tue u zhagitë nëpër tokë flamurat. E ato zhagiten nëpër tokë shpesh, se njerëzit që i vendosin ato nëpër sheshet e jetës tonë për me na mashtrue pak, nuk i njohin as ligjet e fizikës, por dojnë me na bind që ia dijnë peshën flamurit. E ndër këto vjeta lirie ku njeriu shkilet çdo ditë, m’dhem syni tash edhe kur i shoh flamurat tue value. I vetmi flamur që du me iu nënshtrue, asht aj ku shkruhen dhimbjet e popullit tem, që me mujtë ky popull me u çlirue prej detyrimit me i heshtë plagët e me iu ba rob mohimit të së vërtetës në dorë të diplomacisë të kriminelëtve në njanën anë, e në dorë të Kanunit në anën tjetër. U morrëm vesh që s’kam nevojë me ju thanë, që ky popull ka edhe gra.

Mos të mashtrohemi kot. Flamurin munden me e ba të madh sa të dojnë, dhe me e ngritë nalt sa të dojnë, cilin të dojnë, aj ka me mbetë i vogël përderisa njeriu i tokës mbi të cilën gjuen hijen aj flamur, zvoglohet çdo ditë deri ma edhe në skamjen e andrratve e të shpresës, se jo veç të bukës. A e dini sa shtetas shqiptarë kërkuen azil së fundi nëpër vendet e Bashkimit Evropian? A e dini që shtetasit e Shqipnisë që kërkojnë azil në Bashkimin Evropian radhiten ndër dhetë shtetet me përqindje ma të naltë të azilkërkuesitve? A e dini sa shtetas të Kosovës s’kanë pare me shku jasht për shërim, e vdesin përshkak të trajtimit të keq mjekësor në Kosovë? A e dini që shumica e shtetasitve të Kosovës nuk janë politikanë të cilëtve qeveria ua paguen faturat mjekësore? A e dini që në Kosovë grueja des gjatë lindjes së fëmijës përshkak të neglizhencës së mjekëtve dhe kurrkush nuk shkon në burg? A e dini që fëmijët tanë nuk dijnë me lexu? A e dini që ministrat tanë nuk dijnë me lexu? A e dini sa gra u vranë prej krenarisë burrnore së fundmi? A e dini sa gra nuk mujnë me hy në punë, veç pse janë gra? A e dini sa gra përjashtohen prej punës, ve veç pse janë gra? Pra, për me e thanë shkurt, kur flamuri me urdhën prej nalt, të fluturon mbi krye me ta dhanë ty iluzionin e madhështisë, në dehjet e mashtrimit kolektiv, mos këqyr në qiell, por këqyr përreth varfninë të cilën aj flamur po e mbulon me hije, për me e pa sa i vogël ti si njeri je në sy të tyne, e për me e pa, sa e sa ma i vogël je si njeri, nëse je grue.

Po pra, ky s’asht problem flamurash, asht krizë njerëzore. Asht piskamë e boshllëkut që gufon në jetat tona. Jetat tona që janë nji zhagitje e përditshëm në përpjekje me gjetë kuptim në diçka që na rrethon. E me dekada neve na rrethojnë politika idiote që e kanë ngulfatë mendjen tonë brenda vleratve e simboletve kombëtare të cilat na përfaqësojnë, tue mos lanë vend për naj ide të re ku njerëzit luftat me dëshmue dashninë për vendin nuk i bajnë me flamura, por me mend. Ja pra ku takohemi në rrethrrotullime, aty ku ndalet ora. Por, asht ma lehtë kështu. Ma lehtë për me ikë prej përgjegjësisë me i përfaqësue na ato. Fundi i fundit, me kangë krejt e dojmë mamëdheun. Me futboll gjithashtu. E tue pasë parsysh që fjalët e mëdhaja nuk i kursejmë as në muhabete të kota, kur vjen puna me veprue, veprat s’kanë qysh tjetër pos me reflektue krejt varfninë e mendjes tonë.

Me dashtë, me dashtë asht vështirë. Se me e thanë asht lehtë. Prandaj, pytja s’asht qysh duhet me u dok flamuri mbi krenat tona, por qysh duhet me u dok njeriu mbi krenat tona. Kjo pytje ka kenë githmonë, ajo ma e randësishmja. Por, e kuptoj, seriozisht e kuptoj, flamuri ndërrohet ma lehtë, se kryet e njeriut.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.