Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Kujtesa në margjina të rrëfimit zyrtar – Pjesa II

Disa shembuj të muzealizimit të përkohshëm “të përhershëm”

Foto nga ekspozita “Na ishte një herë që kurrë mos qoftë” kuruar nga Blerta Hoçia, në kujtim të 1133 fëmijëve të vrarë si pasojë e luftës në Kosovë 1998-2000.

Pjesën e parë mund ta lexoni këtu.

Ashtu sikurse në rrëfimin zyrtar të shtetit, edhe në atë jozyrtar ka një prevalencë të rrëfimit të heronjve dhe të luftës, megjithatë këtu – ndryshe nga rrëfimi institucional – kanë zënë vend edhe rrëfime të tjera, të lindura spontanisht nga nevoja, ndoshta për të manifestuar traumën, për të bashkëndarë edhe luftën e pas luftës: atë me veten.

Në lidhje me kujtesën e luftës dhe ballafaqimin me të kaluarën, memorializimi përgjithësisht është i lënë në duar të vetëfinancimit dhe të mundësisë personale, duke u fokusuar, siç u përmend, në heronjtë e rënë në luftë, pjesëtarë të UÇK-së, ku Shoqata e Veteranëve të Luftës, por edhe thjesht miq e familjarë, në mënyrë spontane, apo duke marrë pëlqimin e komunave përkatëse, komisionojnë dhe ngrenë shtatore dhe memoriale për individë të posaçëm, përgjithësisht meshkuj, që janë dalluar për meritat dhe heroizmin në luftë. E gjithë kjo përzgjedhje është arbitrare dhe jo detyrimisht shpreh dhe përfaqëson interesat e komunitetit të gjerë.

Nën këtë frymë informaliteti janë ndërtuar si bustet e statujat, ashtu edhe disa nisma të shtëpive-muze dhe ekspozitave që përkujtojnë viktimat civile apo ngjarjet traumatike. Këto nisma janë rezultat i përkushtimit më së shumti të familjarëve, të cilët me durim dhe sakrificë kanë ruajtur secilin centimetër të hapësirës fizike të mbetur, e cila është e vetmja gjurmë e prekshme e tragjedisë. Falë kësaj qëndrese dhe durimi, sot brezi i ri dhe publiku i gjerë kanë mundësinë të përballen me të kaluarën përmes artefakteve të ruajtura, ashtu si kanë qenë dhe ashtu si i kanë lënë viktimat. Paralelisht, këto shtëpi-muze dhe memoriale ofrojnë tregime dhe histori që, edhe pse fragmentare, janë në gjendje të përkujtojnë një periudhë që nuk duhet të harrohet.

E tillë është (për të përmendur vetëm disa nisma të cilat fatmirësisht janë permanente) Shtëpia e Familjes Qerkezi – që është një monument i trashëgimisë kulturore i ruajtur nga vetë zonja e shtëpisë, Ferdonija, e cila është njëra nga familjarët e shumtë të të zhdukurve të luftës. Gjithashtu, Shtëpia Muze e Fadil Muqollit, i cili për më shumë se 20 vjet arriti ta mbrojë hapësirën nga koha dhe kushtet atmosferike. Kjo shtëpi tashmë ka hyrë në mbrojtje të AMMKM-së. Tjetër shembull është Muzeu i Martirëve të Familjes Berisha, që vetëm në vitin 2021 është shndërruar në një muze të vogël në vendndodhjen e masakrës, Piceria Kalabria, nismë kjo e familjarëve, e realizuar me ndihmën e donacionit privat.

                             

Duke ndjekur këtë shteg të hapur më parë nga vetë familjarët e viktimave civile, Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë (FDHK) vendosi – së bashku me mbështetjen e tyre – të punojë në një ekspozitë dedikuar fëmijëve të vrarë dhe të zhdukur si pasojë e luftës.

Na Ishte Njëherë Që Kurrë Mos Qoftë është titulli i ekspozitës që u hap më 13 maj 2019 dhe që vazhdon të jetë e hapur edhe sot, me synimin se një ditë do të bëhet e përhershme, duke shpresuar që nuk do të jetë e nevojshme t’u kthehen mbrapsht familjarëve gjësendet dhe objektet personale të atyre fëmijëve, e bashkë me to të heshtohen edhe rrëfimet që ato gjësende me aq kujdes i përjetësojnë. Ekspozita i dedikohet një fëmijërie të ndërprerë, prandaj edhe titulli nis ashtu si nisin përrallat. Fatkeqësisht, këto rrëfime nuk janë fiktive si përrallat, por histori të gjalla të mizorive të luftës.

Ekspozita ndahet në tri hapësira, ku secila është në shërbim të këtij botëkuptimi mbi kujtesën dhe memorializimin. Në hyrje shtrihet muri i një korridori të gjatë, ku janë të shkruar emrat e 1133 fëmijëve që u vranë ose që mbeten të pagjetur si pasojë e luftës. Në të majtë dëgjohet një zë që vjen nga një dhomë e errët. Është zëri i Gramoz Berishës, i mbijetuar i masakrës në Picerinë Kalabria, në Suharekë. Ai rrëfen historinë se si ia ka dalë të arratiset nga kamioni ku forcat serbe po transportonin kufomat e familjarëve të tij. Dhoma e vogël është lënë qëllimisht e errët, që edhe publiku ta përjetojë disi këtë udhëtim që vetë Gramozi, në atë kohë 8-vjeçar, e kishte bërë në errësirë, duke mos guxuar të hapte sytë e të kuptohej që kishte qenë gjallë. Në dhomën kryesore, rrëfimi i luftës u është lënë gjësendeve personale të fëmijëve. Secili nga këto objekte kujton fëmijërinë në vitet ‘90 dhe njëfarë jetese ku lehtë e gjejmë veten, sa në modelet e këpucëve, sa në rrobat me mbishkrime në to, apo në punimet unike të drurit të bëra vetë, që shërbenin si lodra dhe që ishin edhe një tregues i pagabueshëm i një varfërie të skajshme që bashkëndahej në heshtje.

Në ekspozitë shfaqen fotografi nga fotoreporterë të njohur të kohës dhe një seri me video në gif, e prezantuar në 9 ekrane, ku shihen fragmente nga lajmet e televizioneve të kohës. Imazhet e ofruara këtu nuk janë imazhe të dhunës apo prova të atrociteteve mbi të mbijetuarit apo viktimat. Në çdo moment shkrepja fotografike shndërrohet në armë me aftësi të dyfishtë: të dëshmojë dhe të poshtërojë viktimën, duke e ngrirë dhe dokumentuar çastin e asaj dhune. Fotografitë, ashtu si secili objekt tjetër në ekspozitë, janë aty me një qëllim të caktuar: të rrëfejnë historitë në mënyrë të dinjitetshme.

Duke qenë se këto nisma u përkasin familjarëve ose organizatave joqeveritare, pa një përpjekje institucionale serioze në mirëmbajtjen dhe avokimin e qëndrueshmërisë së tyre, me kalimin e kohës ato mund të zhduken pa lënë gjurmë dhe shumë lehtë ekuilibrat e brishtë të ngritur gjatë kësaj periudhe tranzicioni të manipulohen negativisht. Në tentativën për të rishkruar një histori të lavdishme të kombit, janë lënë të papërfaqësuara viktimat e shumta civile që rrezikojnë të mbeten një numër në statistikat e të dhënave të organizatave humanitare. Për nga sasia e përmendoreve të dëshmorëve kuptohet se rrëfimi zyrtar është fokusuar në përfaqësimin në hapësira publike të heronjve duke shpalosur një histori të të fortëve. Brezi i ri që do të mësojë për luftën në Kosovë mund të mos jetë i aftë të kuptojë dinamikat e vërteta të luftës, të masakrave e të vuajtjeve të popullsisë civile.

Këta artikuj janë prodhuar në bashkëpunim ndërmjet “Forum Civil Peace Service – Kosovo” dhe Sbunkerit.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.