Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Kush dhe pse është i korruptuar?

Progresi nuk është i pamundshëm. Megjithatë është shumë, shumë i vështirë. Në procesin e zhvillimit dhe transformimit të ekonomisë së Kosovës, lufta kundër korrupsionit është bërë prioritet për çdokënd që dëshiron ta përmirësojë vendin ku jeton. Korrupsioni, zakonisht i përkufizuar si ‘abuzim i pushtetit të besuar për përfitime private’, është bërë fjalë e zakontë në debatet politike, mediat popullore dhe bisedat mes miqve në tavolinat e kafenesë. Ky term i gjerë – që zakonisht nënkupton sjellje të shtyrë nga vetinteresi, pa marrë parasysh dëmin që i bëhet mirëqenies publike – shihet si shkaktar i një varg ‘sëmundjesh’ shoqërore, që variojnë nga humbja e fondeve publike tek ‘kapja’ e pushtetit publik, nga shkalla e lartë e papunësisë tek rritja e pabarazisë.

Pasojat e korrupsionit janë të lehta për t’u parë. Por, pse ka korrupsion dhe kush korruptohet? Cilët faktorë ndikojnë në mirëmbajtjen e korrupsionit? Si i arsyetojnë aktet korruptive individët e korruptuar?

Racionalizimi

Nga perspektiva psikologjike, për të shpjeguar se përse njerëzit korruptohen duhen shqyrtuar mekanizmat e ndryshëm mbrojtës që përdor një individ i angazhuar në akte korruptive. Mekanizmat mbrojtës janë strategji psikologjike që përdoren nënvetëdijshëm për ta mbrojtur një individ nga ankthi që vjen si pasojë e ndjenjave, mendimeve ose e akteve të papranueshme, përfshirë aktet korruptive. Nga qasja psikanalitike, kuptojmë se njerëzit përdorin mekanizmat mbrojtës për të mbrojtur egon nga ndëshkimi i superegos. Një nga mekanizmat mbrojtës është racionalizimi. Njerëzit racionalizojnë ose justifikojnë sjelljet e ardhshme ose ato të kaluara korruptive për t’i bërë ato të pranueshme për veten dhe për të tjerët.

Në anën tjetër, në kontekstin e korrupsionit, racionalizimi mund të shihet edhe përbrenda fushës së psikologjisë sociale. Këtu teoria mbi disonancën kognitive përdor nocionin e racionalizimit në adresimin e tensioneve ndërmjet veprimeve dhe vetë definimeve normative në një paradigmë epistemologjike më ndryshe sesa ajo psikanalitike. Premisa themelore e teorisë së disonancës kognitive është se nëse një individ ka dy kognicione që janë psikologjikisht inkonsistente, ose nëse sjellja e një individi është inkonsistente me një kognicion, personi do të përjetojë disonancë dhe, për shkak se kjo është gjendje e padëshirueshme, ai ose ajo do të përpiqet ta reduktojë atë në çdo mënyrë të mundshme.

Megjithëse racionalizimi në shumicën e rasteve mund të shihet si justifikim post hoc për veprimet e kaluara korruptive, prapëseprapë ka pasoja që e ndikojnë edhe të ardhmen. Justifikimi i korrupsionit, sidomos publikisht, mund ta rrisë paqartësinë rreth gjykimeve etike dhe në këtë mënyrë ta zvogëlojë edhe më tej besimin social. Megjithatë, një shqetësim më i menjëhershëm është se racionalizimet për korrupsionin çojnë në korrupsion të mëtejshëm. Kur individët e angazhuar në një akt korruptiv i shpjegojnë veprimet e tyre në mënyra të tilla që e zvogëlojnë atë akt, bëhet më e lehtë për ta dhe për të tjerët që të kryejnë akte të tjera të ngjashme që do të mund të justifikoheshin me pretekstin e njëjtë. Pra, racionalizimet dhe aktet korruptive bëhen të ndërsjella.

Teoria mbi shkëputjen morale

Teoria e Albert Banduras mbi shkëputjen morale u zhvillua për të shpjeguar se përse disa individë janë në gjendje të marrin pjesë në sjellje çnjerëzore pa ndonjë shqetësim të dukshëm. Sipas kësaj teorie, individët me nivele të larta të shkëputjes morale i përdorin rregullisht mekanizmat kognitivë për t’i riorganizuar veprimet e tyre ashtu që t’ua minimizojnë atyre vlerat dhe esencën etike. Kësisoj, ata i eradikojnë përkohësisht proceset e tyre vetërregulluese, të cilat psikologjia social-kognitive pretendon se e qeverisin sjelljen individuale morale tek individët. Deri më sot, kjo teori ka mbetur kryesisht si shpjegim teorik për të përshkruar dhunën politike dhe ushtarake.

Psikologia Celia Moore ishte e para që përdori shkëputjen morale për të shpjeguar korrupsionin. Shkëputja morale sipas saj luan rol në inicimin e korrupsionit duke lehtësuar dhe shpejtuar vendimmarrjen joetike për të çuar përpara interesat personale. Gjithashtu supozohet se shkëputja morale është faktor në lehtësimin e të kryerit të akteve korruptive për shkak se e ul vetëdijësimin e individëve rreth pasojave dhe akteve joetike që ata i ndërmarrin. Gjithashtu kur shkëputja morale përdoret për të shpjeguar korrupsionin supozohet se ajo kontribuon në vazhdimin e korrupsionit për shkak se kur individët kanë prirje më të madhe për t’u shkëputur moralisht, ata kanë prirje edhe që t’i avancojnë interesat personale, pa marrë parasysh se në çfarë mënyre e bëjnë atë.

Shmangia e pasigurisë

Në psikologjinë kulturore, shmangia e pasigurisë ka të bëjë me mënyrën sesi kulturat e botës ndryshojnë në sasinë e tolerancës që kanë ndaj paparashikueshmërisë. Kur bëhet fjalë për tolerancën e paparashikueshmërisë, fushat me të cilat merret shmangia e pasigurisë më së shumti kanë të bëjnë me teknologjinë, ligjin dhe fenë. Së fundi, ka filluar të aplikohet edhe për të shpjeguar korrupsionin. Hofstede përcakton shmangien e pasigurisë si “shtrirje në të cilën pjesëtarët e një kulture ndjehen të kërcënuar nga pasiguria ose situata të panjohura”.

Korrupsioni mund të shihet si një mekanizëm për të reduktuar pasigurinë. Në situata ku rezultatet janë të pasigurta, korrupsioni mund të shërbejë për të siguruar një rezultat më të sigurt. Për shembull, zyrtarët komunalë në zyret e lejeve për ndërtim mund të kenë potencial për përfitime të paligjshme duke shkaktuar vonesa dhe rrjedhimisht pasiguri në përpunimin e aplikacioneve. Ryshfeti, në këtë rast, e zvogëlon pasigurinë në kontraktimin e shërbimeve komunale.

Prandaj mund të supozohet se sa më e madhe të jetë nevoja e shmangies së pasigurisë në një vend, aq më i lartë do të jetë niveli i korrupsionit. Meqenëse rregullat shoqërore dhe kulturore e përcaktojnë dhe e kufizojnë sjelljen, individët pastaj fillojnë të besojnë se është e nevojshme që të veprojnë përmes kanaleve joformale për t’i arritur objektivat e tyre personale. Pasi të krijohen këto modele korruptive, përjetësohen dhe vazhdohen për shkak se thyerja e këtyre modeleve do të rikrijonte pasiguri.

Tiparet e personalitetit

Dëshmitë eksperimentale gjithashtu sugjerojnë se karakteristikat specifike të personalitetit mund të jenë faktor për korruptim. DeCelles konkludoi se njerëzit që abuzojnë me pushtetin që iu është besuar kanë tendencë të kenë identitet të dobët moral, ndërsa Levine argumenton se ata kanë ‘mendim moral primitiv’ sepse e vlerësojnë besnikërinë personale para rregullave formale.

Për më tepër, disa studime ekonometrie theksojnë se tipare të caktuara të personalitetit kanë korrelacion me nivele të larta të korrupsionit. Studimet e tilla përdorin të dhëna nga databazat të cilat regjistrojnë variabla kulturore që rendisin vendet e ndryshme të botës në terma të orientimeve morale, karakteristikave kulturore dhe karakteristikave të personalitetit të qytetarëve të tyre. Gjetjet e këtyre studimeve tregojnë se nivelet e larta të neuroticizmit, indeksit të distancës së pushtetit, maskulinitetit dhe shmangies së pasigurisë brenda popullsive specifike lidhen pozitivisht me fenomenin e korrupsionit, ndërsa nivelet e larta të ekstroversionit janë karakteristikë e shoqërive me nivele të ulëta të korrupsionit.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.