Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Liberalizimi i vizave në horizont

Një vendim pozitiv përfundimtar për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës duket të jetë në horizont. Një mundësi e tillë ndoshta mund të jetë edhe takimi i radhës i Këshillit Europian më 23-24 qershor, që gjithashtu rastis me  konferencën e nivelit të lartë të BE-së me liderët e Ballkanit Perëndimor. Përderisa në këtë takim BE-ja pritet të jetë shumë dorëlirë ndaj Ukrainës, (bazuar në rekomandimin pozitiv të Komisionit Europian), humbja edhe e këtij rasti nga ana e BE-së për të marrë një vendim pozitiv për Kosovën, do të ishte edhe një gabim strategjik në qasjen e saj ndaj popullit më pro europian në Europë. Megjithatë, një lëshim i tillë kurrsesi nuk do ta befasonte askënd, sepse do të ishte vetëm edhe një gafë më shumë në listën e lëshimeve të mëdha të politikës europiane në raport me Kosovën dhe kosovarët. Fatkeqësisht, lista e veprimeve jo të drejta të BE-së në relacion me Kosovën është tepër e gjatë për ta shtjelluar këtu, por mjafton të theksohet fakti se pesë shtete anëtare ende nuk e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran.

Sido që të jetë, një dozë optimizmi duhet ta kemi, jo vetëm për faktin se Kosova ka kohë që ka përmbushur të gjitha obligimet e saj, por edhe për shkak se aktualisht është krijuar një kontekst gjeopolitik i ri i favorshëm, si rezultat i agresionit ushtarak të Rusisë  në Ukrainë  dhe përfundimit të cikleve zgjedhore në shtetet anëtare të BE-së, të cilët bartin barrën kryesore për politikën e jashtme dhe të sigurisë në kuadër të BE-së (p.sh. Franca). Përkundër këtyre rrethanave favorizuese, ende nuk ka siguri se vendimi për heqjen e vizave për Kosovën do të merret gjatë këtij takimi. Një gjë e tillë sigurisht që varet nga vullneti politik i vetë shteteve anëtare të BE-së, të cilat së voni kanë dhënë sinjale pozitive, që mund të lexohen dhe kuptohen nga çdokush që u kushton vëmendje zhvillimeve politike në kontinent.

Një vendim pozitiv për Kosovën, i cili është i pashmangshëm, kurdo që të merret, do të jetë tepër i vonuar për Kosovën, por shumë i merituar nga qytetarët e saj. Pra, një vendim pozitiv i BE-së nuk mund të konsiderohet si një favor i ri që i bëhet Kosovës, krahasuar me favoret e vetëkuptueshme që i bëhen Ukrainës dhe shteteve tjera që janë pjesë e integrimit në BE. Se Kosova është trajtuar dhe vlerësuar ndryshe dhe me rreptësi në përmbushje të kushtëzimeve asimetrike me rajonin është tashmë fakt i mirënjohur. Pra, pavarësisht përmbushjes ekselente të këtyre kritereve nga ana e Kosovës, vendimi ka mbetur peng i vendimmarrësve të shteteve anëtare të BE-së, të cilët në kalkulimin e tyre kanë futur edhe variabla plotësisht jashtë kompetencave dhe ndikimit të Kosovës.

Pavarësisht kësaj eksperience të hidhur, një vendim pozitiv i shumëpritur dhe i vonuar për  qytetarët e Kosovës është i drejtë dhe i domosdoshëm në këtë moment, jo vetëm për arsye praktike, por edhe për të mbajtur të gjallë ëndrrën europiane, që unë, si shumë të tjerë në Kosovë, ende e ushqejmë, pavarësisht dëshpërimit që vjen duke u shtuar për arsyen e thjeshtë të ngurrimit të BE-së për të ndërmarrë hapat e nevojshëm për të tejkaluar ngecjen e përgjithshme të procesit të integrimit europian.

Fatkeqësisht, Kosova vazhdon të reflektojë një ambient të stërpolitizuar përbrenda. Armatat e vjeljes së meritave dhe fajësimeve ngrihen sa hap e mbyll sytë, qoftë edhe për më të voglën çështje, duke rrezikuar që çdo gjë të reduktohet në një meme, në rastin më të mirë. E tillë ka qenë edhe vetë përvoja ime, kur së bashku me shërbyesit civilë të cilët kanë pasur privilegjin të punojnë në ketë proces, më të drejtë i jemi gëzuar vendimit të Komisionit Europian në vitin 2016 për rekomandimin formal për liberalizimin dhe përmbushjen e kritereve në përputhje me udhërrëfyesin, i cili i është dhënë Kosovës që më 2012. Pra, në total deri sot kemi dhjetë vite të procesit zyrtar për liberalizimin e vizave, gjë që paraqet një rekord të llojit të vet, pa numëruar vitet e shumta të lobimit që i kemi bërë si shtet edhe para se të fillonte fare procesi.

Për të përmbyllur këtë proces, janë dashur të përmbushën hiç më pak se 95 kushte, të cilat kanë prekur pothuajse çdo aspekt të funksionimit të institucioneve tona shtetërore. Mijëra zyrtarë dhe shërbyes civilë shtetërorë janë meritorë për përmbushjen e kritereve, ndërsa unë kam pasur nderin që të mbikëqyr dhe koordinoj një fazë të përmbushjes së këtyre kritereve gjatë periudhës sime të shërbimit si ministër. Këtë përkushtim dhe punë të palodhshme të administratës shtetërore duhet ta kujtojmë e të jemi falënderues kurdo që mundi i tyre të shpërblehet me vet liberalizimin e vizave.

Sigurisht që ky proces do të përmbyllet një ditë, por i njëjti tashmë e ka një histori të gjatë e të mundimshme. Kjo ka bërë, që të jenë shumë të paktë ata të cilët në një mënyrë apo tjetër, nuk e kanë dhënë kontributin e tyre në kuadër të këtij rrugëtimi maratonik. Me siguri që në proces kemi bërë edhe gabime e kalkulime të gabuara, që na kanë humbur mundësi paraprake, siç ishte rasti me dialogun për liberalizim të vizave për vendet e partneritetit lindor të BE-së, kur Kosova humbi rastin të jetë pjesë e paketës. Dështimi i ratifikimit të marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi dhe shpërthimi i dhunës në Kuvend, iu dha shteteve anëtare të BE-së pretekst të mjaftueshëm për t’i lenë të izoluar qytetarët e Kosovës.

Patjetër se ky proces na ka dhënë edhe mundësi të shumta për mësim. Për mua, një nga mësimet kryesore është që konkurrenca dhe betejat e brendshme politike nganjëherë kanë potencial negativ, sepse, po të ndërtonim konsensus të mirëfilltë rreth kësaj çështjeje nuk besoj se do të kishim pritur për një vendim të tillë kaq gjatë. Një tjetër mësim i rëndësishëm konsiston në faktin se për interesin e përgjithshëm nacional, ka nevojë për konstruktivitet nga të gjitha forcat politike parlamentare. Për ta forcuar një argument të tillë, me lejoni të bëj një pyetje të thjeshtë që është relevante për secilin nga ne. A do mund të krijohej një momentum pozitiv për liberalizimin e vizave tani, në rast se edhe sot do të kishim pamje të shëmtuara të dhunës dhe tymit e gazit lotsjellës nga Kuvendi i Kosovës?

Kështu, përfundimisht, duhet mësuar dhe kuptuar  që vendimet e mëdha nuk mund të bëhen nga një qeveri e vetme, porse ato ndërtohen mbi punën e njëra-tjetrës, mbi një bazë solide të punës institucionale nga shërbimi civil dhe jopolitik në përgjithësi, duke e përfshirë këtu edhe rolin e pazëvendësueshëm të shoqërisë civile dhe medias.

Për fund, për të gjithë ata që nuk do të mund ta tejkalojnë vetën e do të na rishfaqin në rrjetet sociale atë sekuencën e hapjes së shampanjës nga viti 2016, kur së bashku me shërbyesit civilë të shtetit festuam rezultatin e punës së tyre kolosale, e cila kulmoi me vendim për rekomandimin pozitiv të Komisionit Europian për liberalizimin e vizave, ju them të mos lodhen shumë se shampanja tjetër do të hapet kurdo që merret vendimi nga ana e Këshillit Europian.  Dhe do t’iu them edhe një herë urime të gjithëve që kontribuuan në këtë proces, ndërsa do të jem përherë mirënjohës ndaj qytetarëve të Kosovës për mbështetjen dhe durimin e tyre. Ky vendim jo vetëm se do t’ua lehtësojë udhëtimet e tyre në zonën Shengen në të ardhmen, por edhe do të japë edhe një fije shpresë se një ditë edhe Kosova do të mund të realizojë qëllimin e vet të anëtarësimit në familjen europiane “kurdo që rrethanat objektive lejojnë një gjë të tillë”.

Bekim Çollaku ka qenë ministër i Integrimit Europian (2014-2016) dhe aktualisht është sekretar për integrime Euro-Atlantike i Partisë Demokratike të Kosovës.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.