Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Loja me shumë zero pas njëshit

Kosova ka marrë 25 herë më shumë mjete financiare dhe 50 herë më shumë trupa paqeruajtëse nga bashkësia ndërkombëtare në krahasim me Afganistanin. Vetëm nga Bashkimi Evropian, Kosova ka marrë ndihma në vlerë të 4 miliardë eurove. Përkundër këtij investimi në ndërtimin e kapaciteteve, pjesa më e madhe e shërbimeve janë kontraktuar nga jashtë, duke prodhuar kështu jo ndërtim të kapaciteteve, por blerje të kapaciteteve. Përkundër këtij investimi të madh, papunësia dhe varfëria, në njërën anë, dhe korrupsioni dhe krimi i organizuar, në anën tjetër, kanë shënuar shkallë të paprecedent të rritjes. Përtej këtyre dhe, ndoshta, barabar me këto probleme endemike, bashkësia ndërkombëtare ka dështuar që t’i japë perspektivë politike shoqërisë kosovare.

Gjatë viteve 2000-2005, teknokratët e UNMIK-ut flisnin për ndërtimin e kapaciteteve në Kosovë, kurse në praktikë bëhej fjalë për importimin e kapaciteteve nga vendet perëndimore në Kosovë, duke shpenzuar miliona dollarë për ekspertizë të jashtme për draftimin e politikave, e ligjeve dhe e strategjive në Kosovë. Politikat, strategjitë, ligjet u draftuan nga ekspertët ndërkombëtarë, pa konsultim me popullsinë dhe lidershipin vendor. Shpërfaqja e preferencave të votuesve për politikat publike dhe agjendën institucion-ndërtuese është konsideruar si një proces i padëshiruar, i panevojshëm dhe deri diku i rrezikshëm. Liderët politikë janë mbajtur përgjegjës vetëm kundrejt bashkësisë ndërkombëtare, duke e humbur thuajse krejtësisht kontaktin me qytetarinë dhe nevojat e popullsisë lokale. Kjo ishte një ikje nga llogaridhënia publike. Derisa UNMIK-u mund t’i shantazhonte liderët politikë me shkarkim dhe burgosje, këta të fundit mund ta shantazhonin UNMIK-un me destabilitet. Në këtë lojë ‘të shumës zero’ mes aktorëve ndërkombëtarë dhe lokalë, shndërrimi i nevojave të njëmendta të qytetarëve të Kosovës në politika publike dhe ofrimi i një perspektive ekonomike për Kosovën nuk kishte ndodhur.

Siç ka argumentuar D. Chandler (2006: 65):

“Në Ballkan, administratat ndërkombëtare jo vetëm që kanë operuar sipër sferës së politikës përfaqësuese por gjithashtu kanë kritikuar në mënyrë të vazhdueshme programet dhe personelin e partive kryesore politike dhe kanë argumentuar se ende nuk mund t’i besohet votës së elektoratit të Bosnjës dhe Kosovës […] procesi legjislativ ka qenë i udhëhequr nga ‘ekspertë’ teknikë dhe administrativë në Bruksel dhe Uashtington. Më pastaj politikat janë imponuar nëpërmjet Zyrës Ndërkombëtare të Përfaqësues të Lartë në Bosnjë dhe Kreut të Misionit të UN-it në Kosovë”.

Problemi me këtë qasje ishte shtrimi gabim i premisave, mbi të cilat ndërtoheshin institucionet e Kosovës. Problemi i Kosovës, në sytë e teknokratëve të UNMIK-ut, ishte problem teknik me ndërtimin e disa institucioneve (ndonëse me kompetenca shumë të kufizuara) dhe jo problem politik, se ku po ndërtoheshin këto institucione, dhe cili ishte qëllimi final i tyre. Me fjalë të tjera, a po krijoheshin dhe fuqizoheshin këto institucione përmes teknokratëve të jashtëm të UNMIK-ut që më pas t’i dorëzoheshin përsëri Serbisë, apo këto institucione po formoheshin dhe fuqizoheshin në mënyrë që Kosova të pavarësohej nga Serbia dhe UNMIK-u?

David Chandler e ka kritikuar qasjen teknokratike të shtetndërtuesve ndërkombëtarë. Sipas tij, shtetndërtuesit ndërkombëtarë e shohin shtetndërtimin si një proces të thatë teknik dhe shkencor të ndërtimit të kapaciteteve të shteteve, të dështuara apo fragjile. Një proces i tillë nuk kërkon konsensus popullor, për faktin se populli është më shumë spektator sesa aktor. Kjo qasje argumenton se shtetet kanë problem me kapacitete, dhe shtetndërtuesit ndërkombëtarë intervenojnë nga jashtë për t’i ndërtuar ato, në mënyrë që këto shtete t’i zgjidhin problemet ekonomike, sociale dhe politike të shoqërisë. Sipas kësaj qasjeje, shtetndërtuesit ndërkombëtarë i kanë të gjitha mjetet terapeutike, ligjore, administrative dhe burokratike për ta adresuar dështimin apo fragjilitetin e shteteve.

Me fjalë të tjera, shtetndërtuesit ndërkombëtarë e kuptojnë shtetndërtimin si një proces teknik të ndërtimit të kapaciteteve, dhe jo si projekt politik, që para së gjithash ka të bëjë me sovranitetin si pavarësi politike. Sovraniteti këtu nuk kuptohet, si një kategori politike dhe ligjore e një vendi, siç e definon Robert Jackson (1999: 32), por si një kategori teknike; pra, si kapacitet vetëqeverisës. Në rastin e Kosovës, sovraniteti si kategori teknike, pra i kuptuar si ndërtim i kapaciteteve i ‘shoqërisë së civilizuar kosovare’ për t’u integruar në bashkësinë ndërkombëtare, ishte konkretizuar përmes skicimit të 8 standardeve për Kosovën nga UNMIK-u. Kjo politikë njihej si politika e ‘standardeve para statusit’. Kosova përmes përmbushjes së këtyre standardeve presupozohej se do t’i shtonte kapacitetet vendore për fitimin e sovranitetit (‘earned sovreignty’), sovranitet të cilin e bashkushtronte (‘shared sovreignty’) me UNMIK-un.

Marrëdhëniet e UNMIK-ut me institucionet e përkohshme vetëqeverisëse të Kosovës ishin marrëdhënie ‘mësues-nxënës’. Freire shkruan se “mësuesi e paraqet vetveten tek nxënësit e tij si një e kundërt e domosdoshme; duke e konsideruar si absolute injorancën e tyre, ai e arsyeton ekzistencën e tij. Studentë, të tëhuajsuar sikur skllavi në dialektikën hegeliane, pranojnë injorancën e tyre si arsyetim i ekzistencës së mësuesit – por, për dallim nga skllavi, ata kurrë nuk e zbulojnë që ata e edukojnë mësuesin”. OKB-ja kishte mësuar pikërisht nga rasti i Kosovës dhe një pjesë të këtyre mësimeve do t’i zbatonte më vonë në Afganistan dhe Irak.

Paulo Freire dekonstruktoi praktikat, qëndrimet dhe marrëdhëniet mësues-nxënës në 10 kategori. Për qëllime praktike, po mjaftohemi t’i sjellim këtu vetëm 8, meqë numri i standardeve që Kosova (si Nxënëse) do të duhej t’i përmbushte para UNMIK-ut (si Mësues) ishin 8. Unë kam hequr fjalën mësues dhe nxënës nga 8 kategoritë e Freire dhe i kam zëvendësuar me UNMIK dhe Institucione të Përkohshme Vetëqeverisëse (IPVQ). Dhe rezultati që kam përftuar është ky:

UNMIK jep mësim dhe IPVQ-të mësojnë

UNMIK di gjithçka dhe IPVQ-të nuk din asgjë

UNMIK mendon dhe për IPVQ-të mendohet

UNMIK flet dhe IPVQ-të dëgjojnë – butë

UNMIK disiplinon dhe IPVQ-të disiplinohen

UNMIK zgjedh dhe zbaton propozimet e tij, IPVQ-të binden

UNMIK vepron dhe IPVQ-të e kanë iluzionin e veprimit nëpërmes veprimit të UNMIK

UNMIK zgjedh përmbajtjen e kurrikulës (Standardet Para Statusit), dhe IPVQ-të (që nuk janë konsultuar) adaptojnë atë.

Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në shkurt të 2008, që u shoqërua me reduktimin e pranisë së UNMIK-ut dhe vendosjen e vonuar të EULEX-it, në tërë territorin e Kosovës, ekzistonte një pritshmëri e përgjithshme se EULEX-i do t’i fuqizonte kapacitetet vendore, zvogëlonte ndikimin e politikës në gjyqësor, luftonte korrupsionin dhe krimin e organizuar, adresonte rastet e vjetra të krimeve të luftës, dhe ta shtrinte kontrollin në gjithë territorin e Kosovës, duke përfshirë pjesën veriore të vendit. Shtatë vjet pas vendosjes së EULEX-it në Kosovë, rezultatet e këtij misioni mbeten minimale.

Në bashkëpunim me shtetndërtuesit e jashtëm, Kosova ka miratuar mekanizma të shumtë për ta luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, por vullneti i politik i lidershipit kosovar për të mbështetur këta mekanizma vazhdimisht ka munguar. Në sektorin e drejtësisë ka pasur ndërhyrje të vazhdueshme politike për të mos e zbatuar në plotni ligjin, kur bëhej fjalë për rastet e profilit të lartë. Po ashtu, mekanizmat e vendosur dhe strategjitë e përpiluara qoftë për luftimin e korrupsionit (Strategjia kundër Korrupsionit 2013-2017), qoftë për luftimin e ekonomisë informale, pastrimit të parave dhe financimit të terrorizimit (Strategjia Kombëtare e Republikës së Kosovës për Parandalimin dhe Luftimin e Ekonomisë Joformale, të Pastrimit të Parave, Financimit të Terrorizimit dhe Krimeve Financiare 2014-2018), kanë mbetur të pazbatuara për shkak të mungesës së ndarjes së mjaftueshme të mjeteve financiare.

Koeth (2010:244) ka provuar t’i shpjegojë shkaqet dhe origjinën e korrupsionit dhe të krimit të organizuar në Kosovë  “me një kulturë të konspiracionit, e cila u shërbente taktikave mbijetuese në një ambient të armiqësuar, të karakterizuar me marrëdhënie të dobëta me autoritetet. Këto autoritete, qofshin osmane, jugosllave apo serbe, perceptoheshin si shtypëse dhe si sundues të huaj e kolonialë, kundrejt të cilëve familja e zgjeruar, klani dhe grupi i gjerë etnik shërbente si mbrojtje”. Megjithatë, në përvjetorin e nëntë të pavarësisë së Kosovës, korrupsioni ende vazhdon të jetë pengesë e zhvillimit dhe e demokratizimit të shoqërisë kosovare.

Siç theksoi së fundi Nënkryetarja e Parlamentit Europian Ulrike Lunacek (cituar nga Dialogplus.ch) “ekzistojnë tendenca për t’i pëkrahur ata politikanë, me të cilët jemi adaptuar tashmë – dhe pse ata nuk i respektojnë premtime e tyre sa i përket sundimit të ligjit […] unë kërkoj vazhdimisht që BE-ja dhe shtetet anëtare të mos i japin përparësi stabilitetit para zhvillimeve demokratike”. Afërmendsh, njëra prej arsyeve për tërheqjen e EULEX-it nga luftimi efikas i korrupsionit dhe i krimit të organizuar, sidomos tek rastet e profilit të lartë është frika e perceptuar që një veprim i tillë mund të shkaktojë destabilitet në Kosovën e paspavarësisë. Kjo frikë dita-ditës po shihet se nuk është reale.

Pas pavarësisë, ka një rikonfigurim të pushtetit ndërkombëtar, por, loja mbetet e njëjtë. Loja e ‘shumës zero’ po prodhon zero perspektivë. Zero perspektivë në luftën kundër korrupsionit. Zero perspektivë në luftën kundër krimit të organizuar. Zero perspektivë në zhvillimin e vendit. Çadaptimi me korrupsionin dhe krimin e organizuar mbetet zgjidhja e vetme. Stabiliteti kërcënohet pikërisht nga normalizimi i krimit dhe i korrupsionit. John Steinbeck citohet të ketë thënë se frika nga humbja e pushtetit të korrupton, dhe jo domosdo pushteti. Duke e shfrytëzuar pushtetin si levë private dhe jo si instrument publik të adresimit të nevojave të qytetarëve, lidershipi politik në Kosovë po e shndërron ‘lojën e stabilitetit të shumës zero’ në një ‘lojë financiare me shuma zero’. Pra, në një garë se kush po e keqpërdor më shumë pushtetin publik për interesa private. Në një garë se kush grumbullon më shumë zero pas njëshit në llogari private. Në një mandat. Me frikën se mund të mos ketë mandat tjetër. Kurse EULEX-i si një mision për ‘mentorim, monitorim dhe këshillim’ në fushë e sundimit të ligjit në Kosovë, po vazhdon ta ‘monitorojë’ këtë lojë joligjore.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.