Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Lufta kundër luftës

“E natën e mramtë, qi e kishin pasë njet me na hjekë pi atyhit, t’iu kanë hi grave. Pej qatyhit ia kom mërzi ushtrisë. Po pse bre, kur e kanë ni atë britmë, s’vijshin me na i qi nanën tetanëve me ka ni plum? Bile naj plum me na e dhanë. Në shtatë anë jonë shku britmat atë natë. Përmi niqind e kusur femna qi jonë dhunu atë natë”, rrëfen Baca B (83-vjeçar) për natën kur gruan e tij, bashkë me shumë tjera, forcat serbe i kishin ndarë nga familjet dhe i kishin dhunuar. Ai tregon për gjendjen shëndetësore shumë të keqe të gruas së tij që nga dita kur u dhunua. Gjithashtu tregon se si është përballur dhe po përballet me këtë problem, pothuajse i vetëm, pa ndihmën institucionale.

“E veta, ‘Menstracionet kur i ke pasë?’ M’tha, ‘I kom pasë qe dy herë’. Thashë, ‘Ngo çka po t’thom: gabim t’madh bon ti qi tenton me ba dishka’. Tha, ‘Pse’? Thashë, ‘Ti duhesh me konë e knaqtë qi shtatzanë s’je’. Se m’thojke kom mujtë me metë shtatzanë. Thashë, “Tash jeta vazhdon, kto sene munet e duhet m’i përballu njeri’. Mas nja tri orëve p’i thom, ‘Ne dish që ka Zot dikun, unë jam betu n’Zot, veç unë e ti e Zoti m’i ditë këto punë mas ditës sotit. Mas ditës sotit, këto punë mshelen. Thashë, ‘Për mu mshelen, po edhe ti duhesh m’i mshelë e m’i hjekë pi kres. Duhesh me marrë vendim, se unë e kom pru qet vendim edhe po t’propozoj martesë’”.

Kështu rrëfen Besimi, i cili ishte i plagosur në luftë dhe qe shtrirë në spital, ku takon një vajzë të re, e cila i rrinte mbi krye vëllait të saj, po ashtu të plagosur. Ai tregon se si kishte vendosur t’i propozonte martesë vajzës, pasi ajo i kishte treguar se ishte dhunuar seksualisht nga forcat serbe dhe se donte të vetëvritej. Besimi tregon për vështirësitë që ka kaluar përgjatë këtyre dy dekadave dhe se si është dashur ta mbajë sekret dhunimin e së shoqes. Se si ajo disa herë kishte tentuar të bënte vetëvrasje dhe ky çdoherë i ishte ndodhur pranë.

“Ia kom ni britmën deri që o lodhë. Britma e tij hala n’vesh më rrin. (…) Kur jom shku unë, e kom gjetë të alivanosun, të përgjakun shumë, teshat e shkyme në tana anët. Shokë e poshtë i zhveshun”, tregon Nita për ditën kur forcat serbe futen në shtëpinë e saj dhe burrin ia ndajnë në dhomë tjetër, e maltretojnë, e rrahin dhe e dhunojnë. Ajo flet për vështirësitë e jashtëzakonshme për ta kaluar së bashku si familje këtë traumë.

Këto copëza rrëfimesh janë shkëputur nga libri me përmbledhje intervista/rrëfime “Përtej dhimbjes, drejt guximit*”, rrëfime për traumën e dhunës seksuale në luftë. Dhjetë rrëfimet që gjenden në këtë përmbledhje tregojnë për një të kaluar shumë të trishtë dhe për një të tashme shumë hidhët. E trishtë sepse aty rrëfejnë njerëz të afërt të viktimave të dhunës seksuale. Rrëfejnë për trishtimin që i kaploi në momentin kur e kuptuan se burri, gruaja, motra, e vëllai u janë dhunuar seksualisht nga forcat serbe. E hidhët sepse edhe për 22 vjet pas luftës, këto viktima, të afërmit e tyre, jetojnë me dronë se do të përfundojnë në anën tjetër të moralit shoqëror.

Për gjithë këto vite janë vetëm tri gra të cilat publikisht kanë dalë dhe kanë rrëfyer për krimin që forcat serbe kanë kryer mbi to, kurse konsiderohet se në vendin tonë janë diku njëzet mijë gra të dhunuar seksualisht dhe diku një mijë burra. Për këto krime monstruoze (me aq sa kam njohuri) ende askush nuk është thirrur para drejtësisë. Lufta e këtyre viktimave të dhunës seksuale dhe e familjarëve të tyre për  të mbijetuar, për të ecur përpara, është për admirim, mirëpo për ne si shoqëri dhe shtet është edhe për t’u ndier keq dhe përgjegjës për gjithë pasluftën. Çka kemi bërë ne si shoqëri dhe si shtet për Bacën B, Besimin, Dardanin, Hasijen, Lulin, Meritën, Nitën, NN, Pëllumbin, Refikin, Shpejtimin dhe Skënderin (emra të koduar të personazheve reale, rrëfimet e të cilëve gjenden të përmbledhura në këtë libër), përveçse ua kemi garantuar heshtjen.

Të mos flasin për krimin që u ka ndodhur, sepse kjo na turpëron si shoqëri (sic!). Dy gisht ftyrë i kemi, prandaj u thuhet të heshtin. Morali ynë është që ta fshehim këtë krim që është shkaktuar dhunshëm nga forcat ushtarake dhe paramilitare serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë. Nderi i shoqërisë e i kombit duhen ruajtur. Disa krime lufte që t’i shkakton armiku janë për lapidar, lavdi e histori, kurse disa krime tjera, sikurse dhunimi seksual, janë për përçmim.

Të vdekurit e kanë parë fundin e luftës, kurse këto viktima të dhunës seksuale janë çdo ditë në ballafaqim, në luftë. Sikurse nuk fillon për të gjithë në të njëjtën kohë, po ashtu lufta edhe nuk përfundon për të gjithë po në të njëjtën kohë. Mbase për dikë fillon kur ajo të përfundojë. Dikush tek pas luftës merr vesh për të afërmin e vrarë. Dikush nuk ia di as varrin, e dikush pret t’i kthehet i afërmi i gjallë. Këtë dhimbje të përzier me ankth e njohin vetëm ata që e kanë përjetuar, ne të tjerët mund ta marrim vetëm me mend. Pra, lufta nuk i ‘trajton’ të gjithë njësoj. Ajo të gjithë i prek, por secilin në mënyrën e vet. Dikë e lëndon fizikisht, dikë shpirtnisht, e dikë nga të dyja anët. Mirëpo, është interesant se edhe paqja nuk i ‘trajton’ të gjithë njësoj. Disa i shpallë heronj, disave u ndan mirënjohje e dekorata, kurse disave ua ndan heshtjen. Dikujt i leverdis lufta, e dikujt i leverdis paqja (sic!). Dikush u vra në luftë, e dikush vuan edhe në paqe. Besa dikush u pasurua në luftë, e dikush në paqe (sic!).

Epo, për dikë paqja është lufta kundër luftës, sepse përjetimet e tyre, lufta personale e tyre fillon pasi ‘lufta e madhe’ të përfundojë. E tillë është edhe lufta e këtyre personazheve të sjella në këtë tekst dhe e mbi njëzet mijë viktimave të dhunës seksuale. Ato dhe ata luftojnë çdo ditë që atë që ua shkaktoi lufta ta mundin. Dhe si? Vetëm duke u ballafaquar. Viktimat e dhunës seksuale kanë nevojë që të dëgjohen dhe shoqëria kosovare e ka borxh që t’u japë zë, kurse shteti i Kosovës e ka përgjegjësi që t’i trajtojë dinjitetshëm dhe të luftojë që kriminelët të vihen pra drejtësisë. Përderisa nuk ndodh asnjëra, atëherë ne do të mbesim pengje të së kaluarës dhe të njeri-tjetrit.

*Përtej dhimbjes, drejt guximit, rrëfime për traumën e dhunës seksuale në luftë, është realizuar nga forum ZFD programi në Kosovë dhe Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT).

Author

  • Dritan Dragusha

    Dritan Dragusha është i diplomuar në filozofi, në Universitetin e Prishtinës. Dritani është i fokusuar në teori të kulturës dhe gjithashtu në letërsi, kinema dhe muzikë. Po ashtu, merret edhe me gazetari. Është kolumnist i rregullt në platformën online "sbunker.net". Ka qenë edhe mësimdhënës i filozofisë dhe etikës në "The British School Kosova". Bashkautor në projektin kulturor televiziv "Filozofema", në Radio Televizionin e Kosovës. Aktualisht Dritani është autor dhe moderator i emisionit "Prizma", në televizionin T7.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.