Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Lufta kundër terrorizmit dhe OJQ-të

Zhvillimet politike të muajve të fundit kanë zaptuar diskursin publik aq sa asnjë zhvillim tjetër i rëndësishëm nuk depërton në vëmendjen e opinionit publik. Një nga këto është mbyllja e 16 organizatave jo-qeveritare me një vendim të Ministrit të Brendshëm, me dyshimin se janë angazhuar në aktivitete që ndërlidhen me terrorizëm. Pak para kësaj, njëra nga bankat komerciale në Kosovë bllokoi llogaritë bankare të disa OJQ-ve kosovare, shumica nga të cilat financohen nga qeveritë e shteteve perëndimore për projekte të ndryshme në fushën e demokratizimit. Vitin e kaluar, 14 nga OJQ-të tashmë të mbyllura ishin suspenduar për një vit me një vendim të Departamentit për OJQ, pas kërkesës së organeve të sigurisë.

A luftohet terrorizmi duke shkelur ligjin?

Në shikim të parë, të gjitha vendimet e mësipërme mund të vlerësohen si të domosdoshme – nëse jo të vonuara – në luftimin e ekstremizmit dhe parandalimin e akteve terroriste në Kosovë dhe përtej. Në teori, edhe mund të jenë. Megjithatë, problemi qëndron se secili prej rasteve të përmendura më sipër është plotësisht i paligjshëm. Mbylljen e OJQ-ve, përveç vet anëtarëve të vet, mund ta bëjë vetëm gjykata e në asnjë mënyrë një ministër. Nuk ka arsye që i jep të drejtë një të emëruari politik t’ia ndërpresë jetën një organizate të pavarur. Ngjashëm është edhe me suspendimin – madje duke mos qenë fare e mundshme me ligjet kosovare, Qeveria u kujdes që vetëm disa ditë para suspendimit të 14 OJQ-ve në vitin 2014 ta përfshijë këtë “mundësi” në një udhëzim administrativ që ishte (dhe mbetet) në kundërshtim me ligjin bazë për OJQ. Përsëri, nuk ka arsye që i jep të drejtë një shërbyesi civil të suspendojë organizatat e pavarura, për më tepër për një periudhë një vjeçare. Ndoshta duke marrë mësim nga Qeveria, edhe një kompani private u’a bllokoi mjetet dhe u’a ndërpreu shërbimet financiare një numri të madh të OJQ-ve, pa paralajmërim dhe pa asnjë arsye bindëse. Edhe kjo, në kundërshtim të plotë me ligjet e aplikueshme, madje edhe me vet marrëveshjen në mes të bankës dhe OJQ-ve kliente.

Në secilin prej rasteve të mësipërme Ministri, shërbyesi civil ose banka kanë mundur ta dërgojnë rastin në gjykatë dhe me procedurë të përshpejtuar t’i arrijnë po ato rezultate, nëse dyshimet e tyre do të ishin vërtetuar. Për më tepër, secili prej tyre ka një bazë ligjore që do t’i mundësonte veprim të menjëhershëm në raste të dyshimit të bazuar. Por, për arsye të ndryshme nuk e zgjodhën rrugën ligjore.  Duke mos e bërë këtë, së bashku e dëshmojnë një trend shumë të rrezikshëm për shoqërinë tonë – shtypjen e të drejtave qytetare në emër të luftës kundër terrorizmit.

Ligji për lakmi (nga…?)

Edhe po ta zbatonin ligjin, përsëri trendi nuk është që do të ndryshonte shumë. Kosova ka vite që ka rregullativa ligjore për parandalimin e financimit të terrorizmit. I fundit është Ligji për parandalim të shpërlarjes së parave dhe financimit të terrorizmit, i miratuar më 2010. Përveç tjerash, është ndër ligjet e pakta në Europë që përmban obligime të veçanta për OJQ-të, ndërsa për nga niveli i kufizimeve do t’ia kishin lakmi edhe mjaft vende autoritare të Azisë apo Afrikës. Sa për ilustrim, asnjë OJQ nuk guxon të pranojë mbi 1,000 EUR brenda një dite nga një donator pa marrë leje paraprake nga Njësia për Inteligjencë Financiare, ndërsa kjo njësi ka 30 ditë afat për t’iu përgjigjur kërkesës për leje, pa asnjë kriter mbi të cilin do ta bazonte lejen ose refuzimin eventual. Edhe më të rënda janë dënimet për shkeljen e këtij kufizimi – dyfishi i shumës së pranuar dhe deri në 2 vite burg. Po, po, 2 vite burg për pranim të fondeve pa marrë leje nga shteti – qofshin këto edhe fonde që paguhen nga vet shteti.

E mira në këtë të keqe është që ky ligj më në fund është hapur për ndryshim dhe ka disponim pozitiv për të larguar një pjesë të dispozitave kufizuese. Megjithatë, ende dominon qasja që OJQ-të duhet të ndahen si njëri nga pak sektorët që kanë kufizime të veçanta, pavarësisht që nuk ka asnjë analizë të rrezikut për financim të terrorizmit nga ky sektor.

Rezultatet

Kosova nuk është e para që ka miratuar ligje të tilla. Duke filluar nga vet SHBA-të me “Aktin patriotik”, periudha pas 11 shtatorit 2001 është karakterizuar me shkelje të të drejtave qytetare në emër të luftës kundër terrorizmit. OJQ-të, si bartës të organizimit qytetar, kanë qenë shpesh herë më të goditurat nga këto masa, ndërsa shumë vende e kanë keqpërdorur këtë situatë për t’i heshtur organizatat kritikuese ose ato që kanë kërkuar llogari për qeverisjen e tyre. Megjithatë, nuk ka nevojë për ndonjë analizë të thellë për të parë rezultatet e kësaj qasje – niveli i ekstremizmit dhe radikalizmit të dhunshëm nuk ka pësuar rënie. E kundërta ka ndodhur gjithandej, përfshirë edhe Kosovën. Ligji i vitit 2010, e as shumë ligje tjera në vende të ndryshme që kanë kufizuar organizatat jo-qeveritare nuk e kanë penguar terrorizmin, por definitivisht vazhdojnë të rëndojnë punën e sektorit jo-qeveritar.

Më në fund këtë e kanë kuptuar edhe vendet të cilat janë në krye të luftës kundër terrorizmit. Shumë dokumente e veprime të kohëve të fundit nga mekanizmat ndërkombëtar të luftës kundër terrorizmit e vlerësojnë thelbësore fuqizimin e shoqërisë civile si mjet parandalues i ekstremizmit të dhunshëm. Në një dokument mbi qasjen shumë-sektorale në luftimin e ekstremizmit të dhunshëm, Forumi Global Kundër Terrorizmit thekson që “fuqizimi i shoqërisë civile në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm prodhon rezultate më efektive, ndërsa bashkëpunimi i qeverive me partnerët jo-qeveritarë i sjell kësaj lufte burime shtesë”. Ngjashëm, organizmi ndër-qeveritar që cakton standarde të kësaj fushe (FATF), tashmë ka evidentuar raste të shumta të keqpërdorimit të rekomandimeve të tyre për shkeljen e të drejtave qytetare, ndërsa në vlerësimin e shteteve për masat e marra ka filluar ta trajtojë edhe (keq)rregullimin ndaj sektorit jo-qeveritar.

Përkrahja në vend të kufizimit

Radikalizimi dhe shndërrimi në persona të dhunshëm që potencialisht kryejnë akte terroriste paraqet një proces shumë kompleks dhe ndikohet nga shumë faktorë, përfshirë ato socio-ekonomik. Sigurimi i mjeteve financiare për të kryer aktin terrorist (që sipas institucioneve të kësaj fushe shpesh herë janë vetëm disa qindra euro) paraqet vetëm fazën e fundit para vet aktit. Vështirë të imagjinohet rasti kur disa qindra euro (me supozimin teorik që këto kanalizohen nëpërmjet OJQ-ve) do të mund ta parandalonin dikë të hidhte veten (dhe të tjerët) në erë, nëse veç ka vendosur për një gjë të tillë si pasojë e shumë arsyeve tjera.

E për trajtimin e “arsyeve tjera”, nuk ka sektor më të përshtatshëm se OJQ-të dhe grupet e komunitetit. Çka mund të parandalonte më mirë radikalizimin e një të riu sesa përfshirja sociale? Çka mund të dëmtonte më shumë terrenin për rekrutim të “terroristëve potencial” sesa edukimi i djemve dhe vajzave? Çka mund ta hapte mendjen e atyre që janë të bombarduar me “të vërteta absolute mbi botën” sesa liria e shprehjes, mendimi kritik dhe aktivizmi qytetar? Të gjitha këto e shumë të tjera të ngjashme janë aktivitete të përditshme të OJQ-ve, të cilat normalisht do të duhej të përkraheshin nga shteti. Aktualisht ndodh e kundërta, ndërsa rezultati i vetëm është bërja më e vështirë e punës së OJQ-ve.

Lufta kundër terrorizmit dhe sektori jo-qeveritar nuk e kundërshtojnë njëra tjetrën. Përkundrazi, i dyti është i domosdoshëm për të parën. Kjo qasje duhet të futet në mendjen e vendim-marrësve tanë dhe të përkthehet në ligje, politika e veprime përkrahëse për sektorin jo-qeveritar dhe grupet e komunitetit. Momenti për këtë ka qenë dje, ndërsa nesër mund të jetë vonë.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.