Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Lufta në Ukrainë, luftë e grave

Pushtimi i Ukrainës nga Rusia ka rikthyer debate në qarqe akademike dhe të politikave mbi konceptin e realpolitikës dhe gjeopolitikës, i cili debat disa vite më parë dukej i tejkaluar. Anëtarësimi i Suedisë në NATO, një vendi me histori më shumë se 200 vjeçare të “neutralitetit ushtarak” e dëshmon pikërisht këtë. Por lufta në Ukrainë ka rikthyer edhe një debat po aq të vjetër akademik e shoqëror – rolin e grave në ushtri dhe në përgjithësi në çështje të sigurisë.

Imazhe të grave ukrainase në uniforma ushtarake pushtuan mediat ndërkombëtare, me tituj si “Gratë ukrainase shpejtojnë ta mbrojnë Ukrainën” (Agence France Press, 2022); “Gratë ukrainase qëndrojnë të forta përballë pushtuesit rus” (O’Grady dhe Khudov, 2022); “Gratë ukrainase janë vullnetare për të luftuar, jo për të ikur” (Miranda, 2022). Ky narracion na risjell vëmendjen te “militarizimi i grave”, njëkohësisht duke na rikujtuar që pjesëmarrja e grave në ushtri është diçka e ”jashtëzakonshme”. Që nga viti 2014 gratë e Ukrainës janë paraqitur vullnetarisht në ushtri, ndërsa sot sistemi mbrojtës i Ukrainës numëron më shumë se 60,000 gra; rreth 43,000 janë pjesëtare të ushtrisë nga të cilat 5,000 janë në pozita luftarake dhe rreth 19,000 si punëtore civile. 

Pas pushtimit nga RusiaUkraina fillon të bëjë ndryshime në legjislacion për ta përmirësuar qasjen në ushtri për gratë. Presidenti Zelensky në adresimet e tij u drejtohet edhe burrave dhe grave si “mbrojtës të vendit”. Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës thotë se ka filluar të zbatojë politika për t’i rehatuar sa më shumë gratë derisa janë në shërbim, duke përfshirë këtu akomodim të veçantë, si dhe uniforma të dizajnuara posçërisht për to. 

Në këtë kontekst, çfarë na tregon numri i rritjes së grave në ushtrinë ukrainase? Në literaturën feministe argumentohet se nëse ekziston pabarazi e madhe gjinore në kohë paqeje, kjo natyrisht se do të reflektohet edhe në kohë lufte, duke i vendosur gratë në pozitë më të ndjeshme por edhe duke shënuar rritje të krimeve ndaj tyre. Historia, në anën tjetër, na tregon se në kohën e pas-luftës, edhe nëse gratë kanë marrë pjesë në çfarëdo mënyre në ushtri dhe luftë, shoqëria mjaft shpejt i rikthen ato në rolet e mëparshme gjinore. Pra, testi i vërtetë i emancipimit shoqëror nuk ka të bëjë me atë se a marrin pjesë gratë në ushtri, por se si i trajton shoqëria ato pasi luftës. 

Cynthia Enloe në “Dymbëdhjetë Mësime Feministe të Luftës” [Twelve Feminist Lessons of War, 2023] tregon në detaje situatën e grave në Ukrainë para dhe gjatë konfliktit. Për shembull, gratë në Ukrainë kanë arritur ta zhdukin gati në tërësi analfabetizmin (në vetëm 10%). Për më tepër, në fillim të shekullit të kaluar më shumë gra ukrainase studionin në universitete dhe paralelisht gjenin punë. Mirëpo, në nisje të luftës së tanishme, Enloe shpjegon që gratë në Ukrainë ishin larg së qeni të barabarta me burrat: për shembull vetëm pesë gra, nga njëzet e pesë në total, qenë pjesë e qeverisë. Njëkohësisht, statistikat tregojnë se në Ukrainë vetëm 51% e grave kishin punë që paguheshin, në krahasim me 62% të burrave, ndonëse më shumë se gjysma e familjeve në Ukrainë varen nga gratë. Për disa kjo mund të duket si emancipim, por në realitet nuk është ashtu, sepse në Ukrainë gratë paguhen rreth 23% më pak se burrat. Rrjedhimisht, lufta i gjeti gratë e Ukrainës më të varfra sesa burrat. 

Megjithëkëtë, plot gra iu bashkuan ushtrisë. Disa prej tyre tani raportojnë se përballen me seksizëm brenda institucionit, shpesh duke dëgjuar nga kolegët burra se ato “do të duhej të ishin në shtëpi për t’u kujdesur për familjen”. 

Ekziston një bindje e përgjithshme se ushtria është fushëveprim i burrave dhe institucion “maskilist”. Mbase ushtria dhe lufta janë dy prej temave për të cilat studiuesit/et feminist/e pajtohen më së paku. Në fakt, analiza feministe për ushtrinë dhe luftën i ndan studiuesit/et feminist/e në dy kampe të mëdha: në njërën anë, janë ata që thonë se lufta dhe ushtria janë institucione në thelb maskiliste dhe përfshirja e grave në to nuk përbën akt emancipues domosdoshmërisht. Ky grup ka prirje të esencializojë burrat dhe gratë në “të dhunshëm” dhe “paqësorë”. Kampi tjetër e pranon se ushtria është institucion i hegjemonisë mashkullore, por e sheh pjesëmarrjen e grave në ushtri si akt emancipues jo vetëm për to, por edhe për institucionin e ushtrisë në përgjithësi. Sipas kësaj pikëpamjeje, gratë nuk janë thjesht dhe vetëm viktima të luftës, por edhe agjente të dhunës. 

Në këtë drejtim, studiuesit janë të interesuar të kuptojnë se si riprodhohen këto diskurse, dhe si ndikojnë këto diskurse në performativitetin e gjinisë (për burrat, gratë e personat jobinarë) më tepër sesa pse gratë vendosin të marrin pjesë në ushtri dhe në luftë.

Fakti që gratë ukrainase në numra aq të mëdhenj rrezikojnë jetët për mbrojtjen e vendit, qëndron në kundërshti të thellë me stereotipët gjinorë, përmes të cilëve jemi mësuar t’i shohim gratë si “viktima civile” të luftës dhe burrat si “mbrojtës” e “luftëtarë”. Është i qartë dhe i pakontestueshëm fakti se në masën më të madhe gratë janë viktima të luftës, në veçanti të përdhunimit si mjet lufte. Mirëpo, përfshirja e grave ukrainase në ushtri reflekton një trend global të ngritjes së numrit të grave në ushtri, gjë që e ndëlikon edhe më shumë kontekstin para, gjatë dhe pas luftës. 

Edhe pse gratë historikisht kanë marrë pjesë në ushtri, ndonëse jo direkt në luftë, ato kanë qenë të përfshira në operacione ushtarake dhe në pjesën administrative të ushtrisë. Më tepër se kaq, gratë gjatë kohës së luftës, për shkak të ndarjes tradicionale të “roleve” gjinore, detyrohen të rrinë në shtëpi dhe të kujdesen për fëmijët dhe të moshuarit duke u bërë kështu drejtpërdrejt cak i armikut.  

Kontributi i grave, por gjithashtu edhe krimet e luftës ndaj tyre, u njohën për herë të parë edhe formalisht në vitin 2000 kur Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara kaloi Rezolutën 1325 mbi Gratë, Paqen dhe Sigurinë. Me gjithë kritikat për (mos)implementimin e saj, Rezoluta shënon një hap historik drejt formalizimit të asaj që ne sot e njohim si Agjenda për Gratë, Paqen dhe Sigurinë. 

Megjithatë, kjo Rezolutë nuk e adreson luftën, por në fakt e mirëmban statuskuonë, duke bërë thirrje për përfshirje sa ma të madhe të grave në proceset e “ndërtimit të paqes”, përderisa njëkohësisht e njeh faktin që gratë në masë të madhe janë viktima të luftës. Rezoluta 1325 e qartëson që pas kohës së luftës gratë duhet të përfshihen direkt në ndërtimin e paqes dhe në vendim-marrje në nivelet më të larta. 

Gruaja e Parë e Ukrainës Olena Zelenska përmbledh rolin e grave në ushtrinë ukrainase duke thënë: “rezistenca jonë, ashtu sikur fitorja jonë e ardhshme, ka marrë një fytyrë feminine”. Gratë në ushtrinë e Ukrainës po sfidojnë çdo ditë narrativën seksiste mbizotëruese jo vetëm të Ukrainës, por edhe të një sistemi të tërë ndërkombëtar, i vendosur të punojë kundër agjencisë së grave. Me gjithë margjinalizimin në kohë “paqeje”, këto gra janë të dedikuara të tregojnë që nuk janë thjesht ”viktima” por kanë agjenci mbi jetën e tyre. Ato janë tashmë në një pozitë thuajse perfekte për ta dërguar këtë rikonceptualizim të roleve gjinore përtej luftës. Mbetet të shihet nëse forcat patriarkale do t’u rezistojnë edhe atëherë. 

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.