Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Luftë e pafundme për një fund të historisë për të ardhmen

“Politika është vazhdimi i luftës me mjete të tjera” [1] – thotë Michel Foucault gjatë analizës së pushtetit në një ligjëratë në College de France. Domethënë, konceptimi i paqes është krejt i pavend. Nuk ka paqe. Ka vetëm luftë që dallon në mjete. Ky formulim i Foucault-së është një përmbysje dhe jo një tautologji e asaj që thoshte von Clausewitz se “Lufta s’është gjë tjetër veç vazhdimi i politikës me mjete tjera”. Politika është një metodë lufte por jo e kundërta, lufta një metodë politike. Nëse nga ky pikëshikim dalim në trojet ballkanike, duke u ndalur te Serbia e Kosova, vërejmë se metodat e luftës së tyre kanë qenë shumë të dobëta, vetërrënuese, të paefektshme – krejtësisht për interesa të forcave të brendshme. Dhe vazhdojnë të jenë të këtilla edhe sot e kësaj dite – sepse po të njëjtat forca vijojnë të fitojnë.

Sëmundja e të dyja shoqërive është konceptimi ciklik i historisë – si rrjedhojë, ndërtimi i së ardhmes me anë të së kaluarës. Bindja e gabuar se “historia që nuk mësohet do të përsëritet”. E gjithë lufta historiografike e dy vendeve zhvillohet në argumentimin se kush është vendësi e kush i ardhuri në Kosovë. Por përbrenda shoqërive lufta është e mekur, përplasja e forcave është e vogël, përmbysja e ligjërimeve dhe të vërtetave nuk ndodh. Progresistët janë në humbje.

Ajo që kosovarët ndjejnë kur iu kanoset rreziku i një ripushtimi a një lufte vrasëse nga Serbia është një mazohizëm i turpshëm. Si në rastin e një qirjeje a një rrahjeje përulëse ku derdhen makthet e kompleksit të inferioritetit. Por, po njëjtë ndihen edhe serbët. Shkaku i kësaj qëndron në kultivimin e një qëndrimi prej viktime, e një të dobëti të vrarë mizorisht. Serbët i vranë mbi 10 mijë shqiptarë më 1999 por e mbajnë veten si viktima të asaj ngjarjeje. Viktimizimi i shqiptarëve është po aq absurd.

Kombet ballkanike në përgjithësi vuajnë nga ngucjet mazohiste të fantazisë. Prandaj, shumë lehtë këto kombe bëhen dhunuese e vrasëse që e mbajnë veten për viktima të pafaj. Të pyetur nga Trocki më 1912 se përse po i masakrojnë shqiptarët me të cilët kishin jetuar në paqe për shumë kohë, serbët ishin përgjigjur naivisht: “nuk e dimë”. Është njësoj si të pyesësh një të dashuruar se përse e dashuron atë që e dashuron. Ai/ajo nuk e di. Schopenhaueri duke analizuar metafizikën e dashurisë fliste për njëfarë “instrumentalizimi të individëve për hesape të species”. Pikërisht për këtë po flasim, megjithëse në pyetje janë hesapet e një force të caktuar brenda një shoqërie. Arsyeja e shoqërisë terrohet në kësi rastesh sepse katastrofa që prodhohet në imagjinatë, nga këto forca fituese brenda shoqërive, është e tmerrshme. Dalja nga ky terr e nga këto ndjesi bëhet vetëm kur kjo forcë del në humbje dhe kur përpunohen mjete të reja e hapen fronte të reja lufte.

Është e trishtë të shohësh një komb kaq të ri si Kosova, në një gjendje kaq të rehatuar, me kaq pak dinamikë zhvillimesh, ose me një rrjedhë të këtillë zhvillimesh, me një shoqëri kaq lehtë të mashtrueshme, në një rrethanë ku raporti i forcave është krejt i pabarabartë.

Incidentet e fundit mes Kosovës dhe Serbisë janë treguesi më i mirë se kush po e fiton luftën përbrenda dy shoqërive tona. E kaluara është në fitore ndërsa ajo që mund ta quajmë “horizonti i ri i pafundmë”, në humbje. Vendet e vogla i frikohen pikërisht këtij horizonti të ri që kërkon përcaktim, dhe për pasojë të ardhmen e mendojnë dhe e trajtojnë sikurse aztekët fatkeq, si një rikthim ciklik të së kaluarës. Konceptimi i përcaktimit është i përjashtuar. Ashtu edhe konceptimi i inovacionit. Nuk ka nevojë për gjëra të reja, për definime të reja. E vetmja gjë e nevojshme bëhet rikthimi i asaj që ishte. Në rastin tonë, rikthimi i frikave të njëjta, i ëndrrave të njëjta (Shqipëria e madhe si shembull), i konceptimeve të njëjta. Për këtë arsye, brohoritma e famshme e tifozerisë kuq-e-zi “O sa mirë me qenë shqiptar” mund të kuptohet si një shfryrje për një papërcaktueshmëri, si një kënaqësi për dembelinë që e mban në një vend, për një rikthim të bukur e të lumtur në të shkuarën. E nesërmja mbetet kështu peng i së djeshmes.

Mjafton të thuhet që zbulimi i Amerikës u bë nga një komb shumë i madh si Spanja. Dhe pikërisht Spanja, e fitoi luftën ndaj aztekëve (ani pse kishte shumë më pak trupa) sepse ishte e aftë të përfytyronte diçka të pandodhur më parë, diçka trishtueshëm të re (sepse çdo gjë e re është e trishtueshme). Ndërsa aztekët dhe Montezuma si mbret i tyre mbeten robër të besimit se gjithçka që po ndodhte, ishte një rikthim i asaj që kishte ndodhur. Spanjollët u përfytyruan paraprakisht si fitues e zotër, sepse kështu i mësonte historiografia azteke.

Ligjërimet prapakthyese janë si kurrherë të zëshme në këtë kohë. Klisheja se “historia që nuk mësohet do të përsëritet” po shkruhet prej shumë njerëzve për të treguar se duhet t’i kthehemi të shkuarës (mësimi është veç një alibi sepse ajo që nënkuptohet nuk është një proces reflektiv e kritik). Fakti që PDK-ja është partia e parë në Kosovë pavarësisht skandaleve, fakti që i gjithë ligjërimi i saj i dikurshëm i trashëguar nga LPK-ja (e majta primitive dhe bashkimi kombëtar me Shqipërinë) ka fituar artikulues mjaft të përkushtuar (Vetëvendosje), fakti që edhe në partitë e tjera ka mbështetës ose zëdhënës të po këtij ligjërimi (AAK e ka ngritur çështjen e demarkacionit) tregon për ‘në-fitoren’ e këtij konceptimi ciklik të historisë. Kosova po ecë tepara duke shikuar prapa. Dhe prandaj, i gjithë ai përparim është një historiomorfim. Pra, përcaktimet bëhen nga elementët e së kaluarës tonë.

Dhe, është e lehtëkuptueshme se forcat prapakthyese ligjërimore e thërrasin në ndihmë armikun e madh, Serbinë. Forca e saj shpaloset përmes ngucjes së fantazive tona të inferioritetit, të një dhune a qirjeje përulëse. Të një riviktimizimi të padinjitetshëm. Dhe kësisoj, rafinon edhe mendjet jokritike të turmave. Ishte e lehtëkuptueshme se të dhunuarat e të dhunuarit seksual të 1999-ës do të merrnin një trajtim të heshtur meqenëse ata janë lloji i padëshirueshëm i viktimës.

Por, e keqja ose e mira e gjithë kësaj lufte është se forcat nuk fitojnë apo nuk humbin kurrë. Lufta nuk mbaron. Nuk ka flamur të bardhë. Ato janë në një luftë që nuk rresht. Edhe nëse e humbë çdo betejë. Prandaj, ose janë në fitore ose në humbje. Por jo, të fituar ose të mundur.

Rezultati se fryma liberale, multietnike, progresive (me gjithë paradokset që ndryhen në të) është në humbje tregohet edhe nga gjithë ajo që thuhet, mund të thuhet ose thjesht që ndjell kurreshtje në parlamentin e Kosovës. Është në përdorim termi i sovranitetit, territorit, ndarjes e mbrojtjes territoriale, asociacionit të komunave serbe, demarkacionit me Malin e Zi, nënshtrimit, presionit ndërkombëtar, tradhtisë kombëtare. Në parlament ka një teatralitet rrëqethës ku aktorët e forcës në-fitore bëjnë të pamundurën të përdorin simbole, provokime, të ngucin ndjesitë e spektatorëve. Qytetarët e Kosovës mbeten të gozhduar para televizorëve të tyre.

Se ligjërimi i neopdk-istëve të Vetëvendosjes kërkon ngucjen e ndjesive të kosovarëve tregon edhe përdorimi i fjalëve serbe gjatë retorikës së tyre. “Zajednica” ishte epigraf i gjithë ligjërimit (dhe veprimtarisë) politik të saj në katër-pesë vitet e fundit. Ndërkohë, sesa në-humbje ose sesa i dobët, i shpërfillur, jo kurreshtjendjellës e joprovokues është ligjërimi progresiv (po e fusim këtu edhe zhvillimin ekonomik, liberalizmin, zhvillimin kulturor e sportiv) tregon moskalimi i pragut zgjedhor prej AKR-së (Pacolli duhet ta ketë të qartë se motoja e kampanjës së Trump-it ishte “Bëje Amerikën të madhe, PËRSËRI”), dështimi i FER-it, rrudhja e LDK-së, riformimi intelektual i Shpend Ahmetit, Dukagjin Goranit dhe disa njerëzve tjerë me prapavijë progresiste. Është e qartë se pa PËRSËRI-në e Trumpit, nuk mund t’i fitosh zgjedhjet as në Kosovë. Ilir Deda nuk pranoi të cicëronte PDK-në e retushuar të Vetëvendosjes, nuk pranoi të bëhej një ndër gurët e atij murit (siç pranuan të tjerë), por tash për tash ai është në-humbje. Edhe nëse merr pjesë në zgjedhje, do të jetë i humbur. Por lufta vazhdon dhe është e ashpër.

Mosliberalizimi i vizave ka një shkak në dukje të çuditshëm: demarkacionin. Kjo është tregues se BE-ja ka interes të forcojë projektin e internacionalizmit liberal në Kosovë. Demarkacioni e rrezaton tematikën e një pushteti destruktiv, prapakthyes. Po njëjtë edhe Asociacioni. Prandaj, as nuk pranohet e as nuk mbështeten nga ndërkombëtarët.

Nëse i rikthehemi të pakapërcyeshmit George Berkeley marrim vesh se dhuna fizike është vetëm një përjetim subjektiv. Pra, nëse dikujt i teket të na rrahë, ai nuk na jep tjetër veç ndjesisë për atë rrahje. Ky qëndrim që degdiset në solipsizëm, pavarësisht nëse e besojmë ose jo, na mëson rëndësinë e provokimit të ndjesive tona. Kemi të bëjmë me luftë pra, edhe në këto momente. Sepse ndjesitë tona nuk rreshtin së provokuari dhe nuk kanë dallim nga ato që mund t’i quajmë si përjetime fizike, dhunë seksuale, plagë, sakatime apo edhe vrasje. Nuk ka paqe. Reshtje të luftës. Duhet ta përjashtojmë si koncept. Dhe po ashtu, është e rëndësishme të shkulim nga vetja dëshirën për rehati.

Ekziston një luftëtar interesant i kësaj lufte në-humbje progresiste dhe emri i tij është Ibrahim Rugova. Rugova ishte një pseudopacifist për shkak se lëvizja e tij politike ishte në momente mjaft dinamike dhe mjaft e fortë. Pushteti i tij politik ishte shumë i madh, po aq sa humbja e tij. Madje, Rugova shtroi një politikë krejt të re dhe jo-ciklike kur mbante qëndrim hezitues e gati-refuzues ndaj piskamës gjithshoqërore për luftë me mjete ushtarake. Por, faktet tregojnë se ai ishte i humbur madje edhe në kampin e tij. Nuk e kishte asnjë bashkëmendimtar. Ngjashëm me Hamletin, që i vetëm hezitonte dhe për pak sa nuk refuzoi të kryente detyrimin e tij shoqëror që madje i kishte konstruktuar edhe një fantazmë (fantazma e babait të tij nuk shihet vetëm prej tij): të kryente hakmarrjen për babanë e vrarë.

Hamleti është një personazh i rëndësishëm sepse shtron ngurrimin dhe hezitimin për të bërë atë që duhej bërë. Për të përmbushur ciklin. Ai arrin të konceptojë atë që nuk kishte ndodhur më parë: domethënë, edhe ta dinte se babanë ia kishte vrarë xhaxhai edhe të mos bënte asgjë. Rugova, po ashtu mund të konceptonte atë që nuk kishte ndodhur më parë: një çlirim përmes një lufte me metoda joushtarake. Demonstratat e vitit 1981, për shembull, demonstrojnë se ligjërimi që iu mvesh LPK-së (paraprijëse UÇK-së dhe PDK-së) ishte dominues në shoqërinë tonë. Por Rugova ishte humbës në luftën e armatosur të 1999-së, ishte humbës në fitoret e partisë së tij, ishte humbës në pozicionin e tij prej presidenti. Kjo humbje reflektohet edhe në refuzimin e tij këmbëngulës për të nderuar e vizituar varrin e heroit të shpallur të kësaj shoqërie, Adem Jasharit.

Fakti që mbishkrimin “Kosova është Serbi” e kemi të regjistruar si një provokim dhe jo si një primitivitet që duhet shpërfillur në mendjet tona, zbulon dobësinë e Kosovës, zbulon orientimin e saj kah e kaluara. Frika nga e reja e pakonceptueshme, nga madhësia e pafundme e një të ardhme të pazbuluar, mbulohet, heshtet e ndrydhet përmes kultivimit të ndjesive të thella mazohiste a inferioriste. Prandaj klisheja bajate përsëritet pafund: “historia (pjesa e keqe e saj) që nuk mësohet përsëritet”. Por në rast se mësohet (që nënkupton mimetizimin), kjo nuk nënkupton një ecje tepara. Përkundrazi, kjo nënkupton revidimin e humbjes së kaluar, ndreqjen e një gabimi në nivel taktik. Kësisoj, nëse mësojmë aspektet taktike të kundërshtarit ne fitojmë dhe mbahemi në të njëjtën luftë duke i dhënë të drejtë ligjërimit prapakthyes.

Mësimi i historisë ishte synim edhe nga mbreti i aztekëve, Montezuma. Këtu qëndronte njëherit pushteti i tij si mbret i aztekëve, por po ashtu në një trajtë të padëftuar edhe disfata nga e reja e pakonceptueshme, spanjollët. Montezuma, thotë Todorov, ishte hezitues për luftën ndaj spanjollëve. Megjithatë ai e lidhë këtë qëndrim me fenë e tij. Është e lehtëkuptueshme se kjo është e lidhur edhe me pushtetin e tij mes aztekëve megjithëse Todorov nuk e thotë. Nëse do të pranonte realitetin se spanjollët ishin diçka krejt e re dhe do të mobilizonte ushtrinë, atëherë konceptimi historik i aztekëve do të prishej, do të thërrmoheshin themelet e fesë së tyre, dhe për rrjedhojë Montezuma do ta gjente veten si një heretik, si një cicërues i një ligjërimi të pamundur.

Do të ishte mirë që kosovarët të mos i kushtonin asnjëfarë rëndësie klithjes së thënë dëshpërimisht nga do serbë prapambetës “Kosova është Serbi”. Fundja, reagimet e këndejme krenare e emocionale se “Kosova nuk është Serbi” apo edhe më keq “Kosova është Shqipëri” nuk japin asnjë efekt. Krejt e kundërta në fakt, i japin faktoritet pohimit të serbëve sepse janë pjesë e të njëjtin ligjërim. Provokueshmëria është shenjë komunikimi. Të ndihesh i provokuar nënkupton të komunikosh me provokuesin. Të kuptohesh me të. Pra, provokueshmëria është një komunikim mes ligjërimeve prapakthyese.

Por, edhe vet paefektshmëria e tradhton të provokuarin shqiptar. Ajo që kryen punë në mbrojtjen dhe zhvillimin e një kombi, në fund të fundit, është vetëm politika e zgjuar që e përdorë forcën e armatosur në mënyrë shenjuese, për të dhënë mesazhe. Armata më e fortë në botë, ajo e Shteteve të Bashkuara, e ka pasur efikasitetin e saj më të lartë jo në fushat e demonstrimit të asaj force, Vietnam, Irak apo Afganistan, por në përdorimin e saj domethënës, në tavolina diplomatësh. Bombat atomike ta zëmë, e kanë shpëtuar botën nga luftëra të reja botërore e rajonale shkatërrimtare vetëm duke ndjellë frikën dhe duke prodhuar imagjinatën të cilën veç e kemi për efektet e saj. Kosova duhet të ndërtojë forcën e armatosur por jo për të luftuar e për ta shkatërruar me një shtet tjetër, ashtu siç në fakt është më e mundshme të ndodhë, por për ta përdorur në mënyrë shenjuese në forcimin e pozitës në rajon.

Kosova është një shtet që ka përpara vetes një fat të papërcaktuar qysh më parë. Kosovarët janë një komb i ri, në formim e përcaktim të vetvetes. E ardhmja e saj nuk duhet të vizatohet sipas të kaluarës. E ardhmja e saj duhet të konceptohet si krejt e re, e ndryshme, e panjohur. Dhe në këtë kuptim, e gjithë ajo që mund të bëhet është një zhvillim dhe forcim i këtij shteti. Shtensionimi i raporteve ndëretnike është një hap i domosdoshëm. Çdo veprim i politikanëve shqiptarë në të mirë të serbëve të Kosovës ka qenë i nxitur dhe kontrolluar nga politikanët ndërkombëtarë.

Nuk e di nëse kjo ide e pareferencë në historinë tonë është e mundur. Nuk dua të besoj te parashikimi i së ardhmes (parashikuesit e së ardhmes në kulturën azteke ishin historianë, domethënë ekspertë të së kaluarës) sepse ajo mund të jetë diçka krejt e re dhe prandaj e panjohur. Dhe sepse ajo që ishte, përsëritja e asaj që ka ndodhur, nuk më intereson.

Kosova nuk duhet të bëhet gati për luftë të armatosur – siç porositë prapakthyesi Albin Kurti. Kosova duhet të jetë e aftë të konceptojë një të ardhme krejt të re, pa asnjë referencë në të kaluarën.

________________

[1] Foucault, Michel, Pushteti dhe Dija, ISP dhe Dita 2000, përkthyer nga Orges Azizi dhe Persida Asllani, faqe 89

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.