Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Lumturia totalitare: Pjesa II

Foto nga Freepik.

Në pjesën e parë të esesë shtruam pyetjen nëse ajo që Böll përshkruan në tregimin e tij, “Fytyra ime e trishtë,” qëndron apo jo në kontekst të sistemeve totalitare. Pra nëse në sistemet totalitare njerëzit detyrohen të duken të lumtur e të trishtë nga ç’janë në të vërtetë.

Në pikëpamjen time, paçka mund ta kam dhe gabim, mendoj se po – që kjo që përshkruan shkrimtari gjerman qëndron për sa i përket sistemeve totalitare.

Për dy arsye kryesore.

Së pari, sepse teksa Böll flet për dënimin e parë të personazhit – vetëm dhe thjesht pse dukej i lumtur në përvjetorin e vdekjes së Udhëheqësit – nuk mendoj se ai është duke shpikur ndonjë gjë të re këtu. Mjaft të sjellim pamjet e regjistruara nga vdekja e diktatorit koreanoverior Kim Jong-il, në vitin 2011, si dhe ato me rastin e vdekjes së diktatorit Enver Hoxha në vitin 1985, për të parë sesi në regjime të tilla njerëzit detyrohen të vajtojnë me ngashërim, ofshe dhe gulçim vdekjen e Udhëheqësit dijeplotë:

 Vdekja e Kim Jong II                                                 Vdekja e Enver Hoxhës

Dhe arsyeja tjetër: sepse teksa Böll flet gjithashtu për ridënimin e personazhit – vetëm dhe thjesht pse dukej i trishtë – ai është duke konstatuar njëherësh një fakt të pamohueshëm rreth sistemeve totalitare: që në sisteme të tilla njerëzit përnjëmend detyrohen të duken të lumtur.

Sigurisht, Böll nuk na zbulon dot arsyet pse njerëzit në regjime të tilla detyrohen të duken të lumtur e të kënaqur – mirëpo kjo, besoj unë, nuk është diçka për të cilën duhet kritikuar atë. Përkundrazi, është diçka për të cilën duhet ta vlerësojmë – meqë, siç kanë argumentuar edhe filozofë të ndryshëm (p.sh., Martin Heidegger, Gilles Deleuze, Leo Strauss, Giorgio Agamben, e kështu me radhë), secila vepër serioze – qoftë ajo shkencore, letrare, poetike, artistike, filozofike, etj. – përmban përherë diçka  pathënë që kërkon të shpaloset, zhvillohet dhe përpunohet nga të tjerët. Bile Heidegger-i, si mendimtar i jashtëzakonshëm që ishte (jo rastësisht Hannah Arendt e quante “mbreti i fshehtë në mbretërinë e mendimit”), e kishte zakon të shkonte edhe një çikë më larg, duke e cilësuar të pathënën e një vepre shumë herë më të rëndësishme se të thënën e saj.[i]

Prandaj dhe në këtë kuptim, fakti që Böll nuk na shpalos dot arsyet pse njerëzit në regjime totalitare kushtëzohen të duken të lumtur nuk domethënë kurrsesi që ne si lexues të mos e bëjmë një gjë të tillë. Pra, që të mos spekulojmë (jo në sensin pezhorativ) rreth arsyeve të mundshme që çojnë sisteme të tilla në kushtëzimin e njerëzve për t’u dukur të lumtur e të kënaqur.

Për hir të hapësirës, dhe meqë nuk kam shumë nge, do të përpiqem të përmend vetëm katër sosh.

Së pari, mendoj që, në regjime të tilla, njerëzit detyrohen të duken të lumtur e të kënaqur sepse, kësisoj, ato arrijnë të fshehin ambientin totalitar që mbretëron në sisteme të tilla organike e të mbyllura. Në rastin e sistemit totalitar në Shqipëri (1945-1991), për shembull, njerëzit duhej të bëheshin sikur ishin më të lumturit e botës, sikur nuk kishin njohur lumturi më të madhe sesa në sistemin “komunist” – dhe, ç’është më interesantja, sikur i kishin gjitha të mirat e dynjasë! Ndryshe (nëse shfaqeshe i trishtë), mund të të akuzonin si njeri të pakënaqur me sistemin dhe, si rrjedhim, të përfundoje duke u kalbur burgjeve a kampeve të internimeve.[ii]

(Në mendimin tim, këtu konsiston edhe një dallim i rëndësishëm midis sistemeve totalitare në njërën anë, dhe poliseve apo qytet-shteteve greke në anën tjetër. Në sensin që, ndërsa të parat e konceptojnë lumturinë në terma instrumental – pra, si mjet apo instrument për legjitimimin e sistemit, poliset greke, nga ana tjetër, e shihnin lumturinë (eudaimonia) si qëllimin më të lartë të tyre. Pra, arsyen kryesore për të cilën ato ekzistonin).[iii]

Një arsye tjetër pse ma merr mendja që në regjime të tilla njerëzit detyrohen të duken të lumtur është që, në qoftë se shfaqesh i trishtë apo i brengosur, kjo (mund të) interpretohet nga “ruajtësit e ligjit dhe rendit publik” edhe si tendencë e rrezikshme drejt individualizmit – në sensin e merakut për fatin tënd personal e jo për atë të partisë, racës, kombit, ideologjisë, etj. Siç dihet nga kushdo, kjo nuk tolerohet kurrsesi në sistemet totalitare. Siç rrëfen në një rast edhe Fatos Lubonja – sërish në rastin e sistemit totalitar në Shqipëri:

Mbaj mend sesi një herë në rininë time e pata zbuluar se isha një krijesë individualiste. Kjo, natyrisht, binte ndesh me propagandën morale të asaj kohe që na thoshte se një njeri i mirë duhet ta mbajë kolektivin, grupin, partinë, socializmin, e atdheun mbi të gjitha. Si rrjedhim, më kujtohet se fillova të kisha dyshime rreth vetes time dhe të mendoja se isha një njeri i keq ngaqë kujdesesha për veten time dhe nuk isha gati të sakrifikoja për të tjerët – siç na thoshte Partia që proletarët dhe njerëzit e vërtetë [do të duhej të] bënin.[iv]

Për më shumë, të qenit i trishtë në sisteme të tilla bie në kundërti të plotë edhe me frymën e optimizmit që duhet të mbisundojë kudo sipas atyre që janë në krye të këtyre sistemeve. Pra që “njerëzit duhej të jenë plot gjallëri në jetë e në punë,” si dhe që “ta shikojnë të ardhmen me plot optimizëm dhe pa u trembur nga vështirësitë, të metat e pengesat e shumta që mund t’iu dalin rrugës.” Deri diku, mendoj se Kundera e ka kapur mjaft bukur këtë gjë përmes shakasë së famshme të Ludvik Jahn-it, personazhit kryesor te Shakaja: “Optimizmi është opiumi i llojit njerëzor. Mendja e shëndoshë kutërbon erë budallallëku. Rroftë Trocki!.”[v]

Dhe arsyeja e fundit pse mendoj që në regjime totalitare njerëzit detyrohen të duken të lumtur është që “të brengosur” dhe “të merakosur” mund të jenë vetëm udhëheqësit e partia. Arsyeja për këtë, besoj, është e thjeshtë për t’u kuptuar: duke u shfaqur serioz, të brengosur e të zymtë në publik, udhëheqësit në sisteme të tilla duan të krijojnë përshtypjen sikur ata janë me të vërtetë të brengosur, të merakosur e të shqetësuar për fatin e partisë, popullit, ideologjisë, kombit, e njerëzimit. Me fjalë të tjera, sikur atyre u ka rënë “barra e udhëheqjes,”[vi] siç do të thoshte Orwell-i, dhe jo pse ata duan të qëndrojnë në krye të sistemit.

Zaten (dhe po e mbyll me këtë), këtu konsiston edhe dallimi rreth mënyrës sesi udhëheqësit në sistemet totalitare dhe udhëheqësit në sistemet liberal-demokratike shfaqen në publik: ndërsa të parët shfaqen sikur janë të brengosur e të shqetësuar, të dytët vazhdimisht shfaqen të lumtur e të buzëqeshur. Arsyeja, besoj, është e thjeshtë për t’u dëshifruar: gjersa të parët, siç e ceka më lart, paraqiten kësisoj për të krijuar përshtypjen sikur ata janë me të vërtetë “të shqetësuar për hallet dhe brengat e popullit,” të dytët, ndërkaq, shfaqen të lumtur e të buzëqeshur sepse, kështu, duan të krijojnë bindjen e rrejshme sikur “gjithçka është duke shkuar në rregull” dhe, shumë shpejt, “ka për t’u bërë mirë edhe për ta.”

 

___________

[i] Shih M. Heidegger, “Plato’s Doctrine of Truth,” in Pathmarks, ed. William McNeill (Cambridge: Cambridge University Press, 1998), f. 155.

[ii] Këtë bindje e kam përforcuar sidomos nga leximi i veprave të Maks Velos: Hetimi (2010), Spaçi (2010) dhe Kohë Antishenjë (2005). Për fat të keq, meqë ka kaluar kohë e gjatë nga leximi i këtyre veprave, dhe duke qenë se veprat e Velo-s nuk i kam me vete por i kam lënë në Kosovë, e kam të pamundur t’i referohem burimit ku e thotë një gjë të tillë. Në cilindo rast, në njërën nga këto vepra duhet të jetë patjetër.

[iii] Për hir të argumentit, termin eudaimonia e kam përkthyer si lumturi, ani pse në anglisht ky term është përkthyer edhe si “mirëqenie,” “jetë e mirë,” “të jetuarit mirë,” “lulëzim njerëzor,” “veprim moral,” “soditje,” “jetë racionale,” etj.

[iv] Fatos Lubonja, “Privacy in a Totalitarian Regime,” Social Research, Vol. 68, No. 1 (Spring 2001), f. 44.

[v] Milan Kundera, The Joke (New York: Harper Collins, 1993), f. 34. Sqarim: Këtë vepër të Kundera-s e kam lexuar në shqip moti, mirëpo për shkak se nuk e kam me vete, më është dashur ta referencoj kopjen në anglisht. Kam përshtypjen që, përkthimi i saj në shqip, është dukshëm më i mirë se ai në anglisht.

[vi] George Orwell, Animal Farm (New York: Penguin Books, 2008), f. 43.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.