Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Lypësit si problem (i yni me vetveten)

Disa lutje për lëmoshë edhe shkojnë disi. (Sepse edhe ato mund të jenë të llojllojshme, xhani im.) Ndonjë lutje është e gjatë, është me ndërprerje, e mësuar përmendësh, tamam liparaçke. Këtij edhe nuk është vështirë të mos i jepet, ky është liparak i rryer, liparak i vjetër, i zanatit, është i mësuar, dhe mendon se, po të mos ia japesh, ai e kapërcen këtë disi. Kurse ndonjë lutje është e pamësuar, e vrazhdë, e tmerrshme – sikur ja, kjo e sotmja.” – Dostojevski, Njerëzit e Mjerë

Çuditërisht, debati mbi lypësit në shoqëritë e sotme shpërthen vetëm atëherë kur ata bëhen njëfarë pengese, qoftë edhe estetike, për më të privilegjuarit ndër ne. Tek atëherë kur në Nju Jork bëhen arsye për vonesat e trenave, ose kur në Prishtinë bëhen zë e pamje e padurueshme për ndonjë individ, ata marrin formën e një problemi fizik e estetik që duhet të zgjidhet. Duhet të zgjidhet aq shpejtë sa mjaftohemi vetëm duke i fshehur në ndonjë birucë, ku, ndonëse mbesin të dukshëm, ne nuk shikojmë. Nisma të tilla në mbrojtje të estetikës, akustikës dhe të ligjshmërisë publike, nuk ka fort rëndësi ku nisin sa ka rëndësi ku ndalen. Ato mund të nisin edhe duke e larguar nga sheshi lypësin që pedantëve mund t’u ngjallë ndjenja shëmtie, e të vazhdojnë deri në përmbysjen e varfërisë e pabarazisë sistematike mes njerëzve. Mirëpo, kur ndalen aty ku kanë nisur, mbeten thjesht tentativa për fshehje.

Shumë njerëz nuk e konsiderojnë të bukur sheshin e Prishtinës, e sidomos kur e krahasojnë atë me sheshe kryeqytetesh të vendeve të zhvilluara. Por, ata, si gjithë të tjerët, nuk e kanë autoritetin të vendosin se çka është e bukur dhe çka e shëmtuar. Nocionet që ne i kemi për bukurinë, rregullin e rendin janë të konstruktuara shoqërisht. Kur flasim për sheshet dhe hapësirat publike, të qenit estetikisht të keqinformuar nuk na legjitimon luhatjet në vlerësime estetike për shkak të pranisë së një shtrese të caktuar njerëzish, a një aktiviteti të caktuar aty. Gjykimi estetik i kërkimit të lëmoshës na e humbë fillin social të fenomenit.

Gjetja gjeniale e lypësve është kuptimi i indiferencës së njerëzve që enden shesheve. Paratë që derdhen në kutinë e lypësve, nuk janë para solidariteti sa janë taksë për rehatinë e atyre që i japin. Kur japin lëmoshë, njerëzit e paguajn rehatinë e vet më shumë se mirëqenien e lypësit. Solidaritet do të ishte sikur shoqëria që vlon në sheshe, me kalimin e kohës, t’i integronte ata duke i marrë ku në punë, ku në banesë, ku në familje. Por ndodh e kundërta, ata bëhen pjesë e sheshit pa qenë të integruar në jetën dhe aktivitetin ekonomik e social që ndodh aty, kështu shoqëria nis t’i trajtojë si objekte. Në vend që të marrin shumë nga dikush, ata marrin nga pak e asgjë prej secilit. Ata jetojnë, pra, prej asgjësë që marrin nga shoqëria dhe janë shembulli që, siç thoshte Hygoi, përtej të jetuarit me pak është të jetuarit me asgjë. Duke jetuar gjatë në rrugë, ata njihen me njëri tjetrin dhe aktiviteti i tyre mund të merr formë aty-këtu të organizuar.

Gjetje qesharake e jona, që është argumenti kryesor i disave që i përbuzin, është se lypësit janë të organizuar në një rrjet kriminal, se ata dirigjohen prej kriminelëve për përfitimin e këtyre të fundit. Eureka! Paska qenë e mundur që ata të ishin lypës përnjëmend, por qenkan kriminelë! Ne nuk përtojmë t’i gjykojmë se si ata duken nga pamja estetike, pastaj gjykojmë efektin estetik që ka prania e tyre në sheshet dhe rrugët tona, por ndalemi këtu. Kur faktin se ata mund të na duken estetikisht dhe higjenikisht të ndryshëm nga ne, nuk e përtypim më tej në vetëdijen tonë shoqërore e politike, atëherë mund të mendojmë se ata si ‘problem‘ mund të trajtohen thjesht me masa policore. Përderisa ata jetojnë jashtë shumicës së marrëdhënieve ekonomike dhe sociale të shoqërisë, për ta nuk ka si të jenë në fuqi shumica e ligjeve, zakoneve dhe institucioneve që i rregullojnë këto marrëdhënie. E megjithatë, nuk ka dëshmi që tregon se ata janë shkelësit e ligjit, ose që janë shkelës më të mëdhenj se pjesa tjetër e shoqërisë. Ne themi se ata janë të manipuluar prej një sigurie naive që ne nuk jemi. Themi që ata janë të shfrytëzuar me presupozimin që në anën tonë, në anën “normale“ të shoqërisë, nuk ka shfrytëzim të njerëzve me qëllim përfitimi financiar. Kërkesa e jonë që ata të jenë thjesht lypës, të paorganizuar, pa hierarki, pa rrjete të informacionit, është brutale.

Duhet të kthehemi edhe njëherë te një arsye që e japin ata që janë tolerantë ndaj varfërisë, por jo ndaj lypësve: arsyeja e mosintervenimit nga organet shtetërore si policia. Policia nuk e ka aq të thjeshtë largimin e dikujt nga hapësira publike vetëm pse u drejtohet njerëzve me fjalë lutëse, ose vetëm pse është i palarë. Organizatat për mbrojtjen e të pastrehëve në Shtetet e Bashkuara, në rastet e ndërhyrjeve policore ndaj lypësve, i kanë konfrontuar gjykatat me të drejta kushtetuese si liria e shprehjes. Thirrja e institucioneve për largimin e lypësve prej sheshit është thirrje për kriminalizimin e këtij aktiviteti. Kjo, përveçse na përball me dilema morale, politike e filozofike, tregon shumë edhe se çfarë shoqërie mund të bëhemi.

Kriminalizimi i endacakërisë dhe kërkimit të lëmoshës ka një histori të gjatë. Deri në kohën e Revolucionit Industrial lypësit janë konsideruar si pjesë normale e shoqërisë dhe dhënia e lëmoshës është konsideruar si vlerë fetare. Me ardhjen e sistemit kapitalist dhe kalimin në një shoqëri të varur nga pagat, lypësit fillojnë të shihen si tepricë ose sëmundje e shoqërisë. Në kohët e sotme të megaqyteteve dhe globalizmit, qasja që i lidh të pastrehët dhe lypësit me rendin dhe kriminalitetin kryesisht mbështetet te teoria e ‘dritareve të thyera’ (broken windows), e prezentuar nga James Wilson dhe George Kelling më 1982, e cila mëton se shenja të vogla të sjelljes a pamjes antisociale dhe kriminale krijojnë një ambient urban që e inkurajon krimin. Individi, sipas kësaj teorie, i ndodhur në një hapësirë që duket e pamonitoruar dhe e parregulluar, siç janë lagjet ku ka shtëpi me dritare të thyera dhe me grafiti mureve, merr sinjalin që rreziku për t’u kapur në kryerje të krimit është i ulët. Kjo teori e vënë në praktikat policore është kritikuar për paragjykime klasore dhe racore. Gjtihashtu, teoria përshkohet prej rrezikut të arsyetimit të fortë shkaksor, për të cilin elaborojnë Rein dhe Winship më 1999 (shih po ashtu Thacher, 2004). Një kritikë tjetër ndaj qasjes së ‘dritareve të thyera‘ e ka elaboruar edhe Berard Harcourt (2001), ku vihet në pikëpyetje stabiliteti dhe saktësia e koncepteve si rendi dhe mungesa e rendit.

Ne mund t’i kemi bindjet tona për atë se çka është rendi, dhe se si ai duhet të mbretërojë në hapësirat publike. Por, natyrish, bindjet mund t’i kemi edhe të cekëta e të gabuara. Kërkimi i lëmoshës dhe endacakëria në shumë shtete e qytete, në periudha të ndryshme, janë ndaluar me ligj. Ekziston një diskutim i gjerë mbi të drejtat me të cilat ky aktivitet ndalohet ose lejohet. Në studimet e politikave sociale gjetje të ndryshme tregojnë se qytetet me politika më efikase të rishpërndarjes dhe me pabarazi më të ulët ekonomike e sociale priren që të mos i ndalojnë me ligj këto aktivitete (shih Smith, 2005). Ndalimin e këtyre aktiviteteve, ose të kësaj mënyre jetese e shtynë, në shumë raste, bizneset që operojnë në vende të frekuentuara ose në lokacione turistike.

Fshehja e të pastrehëve dhe lypësve nga hapësirat publike është i vetmi rezultat i garantuar i kriminalizimit të tyre. Në anën tjetër, shumë statistika tregojnë se tkurrja e hendekut të banimit të përballueshëm dhe politikat efikase të rishpërndarjes kanë efekte më të qëndrueshme në zvogëlimin e dukshëm të atyre që përfundojnë të pastrehë. Në kundërpërgjigje të atyre që i qasen kërkimit të lëmoshës prej teorisë së zgjedhjes racionale, kërkimi i lëmoshës, si aktivitet e ka prestigjin më të ulët nga të gjitha aktivitetet e tjera fitimprurëse, edhe trafikimi i drogës dhe prostitucioni renditen më lart në shkallën e prestigjit të profesioneve, prandaj është e vetëkuptueshme që askush nuk e bën këtë aktivitet i shtyrë nga dëshira më shumë se nga dëshpërimi (Smith, 2005). Vendimin për të kërkuar lëmoshë shumë lypës që janë intervistuar në studime të ndryshme ia atribuojnë mungesës së punës ose mungesës së dinjitetit në punat me paga minimale.

Në vendet ku ka të dhëna shihet se lypësit përgjatë aktivitetit të tyre përjetojnë përbuzje dhe ofendime të rënda nga kalimtarët. Në Kosovë kemi qindra përvoja personale që na tregojnë se shumë më kriminale se prania dhe aktiviteti i tyre në hapësirat publike është sjellja ndaj tyre dhe, në shumë raste, të menduarit rreth tyre. Lypësit janë shënjues të dështimit të shoqërisë, kur detyrohen të kërkojnë lëmoshë për të jetuar, edhe kur dirigjohen nga grupe kriminale që shfrytëzojnë mjerimin dhe cenueshmërinë e tyre. Lypësit, pra, janë problem i yni me vetveten.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.