Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Maidan 2014: Si u shndërrua Ukraina në një “shtet nacist” në vetëm disa muaj

21 nëntori shënon përvjetorin e nëntë të Ditës së Dinjitetit dhe Lirisë në Ukrainë. Në këtë ditë të vitit 2014, ukrainasit nisën një protestë, duke mos mundur ta duronin më kaosin. Në këtë artikull do të shpjegojmë pse ngjarjet e nëntë vjetëve më parë janë vendimtare për të kuptuar se çka po ndodh sot në Ukrainë dhe se si obsesioni i Putinit për rejting të lartë çoi deri te një luftë e madhe në Europë.

Revolucioni i Dinjitetit, apo siç njihet ndryshe Euromaidan, është stërmbushur me legjenda madhështore. Vetë protesta është kthyer në një mit të gjallë.

Ukraina nuk është Rusi: Parashikimi i Kuçma-s

Presidenti rus Vladimir Putin ushqeu një mëri të madhe kundër Ukrainës qysh nga viti 2004. Pastaj, gjatë zgjedhjeve presidenciale, Putini i dha mbështetje të jashtëzakonshme Viktor Janukoviçit, që ishte shumë i ngjashëm me vetë Putinin, por disi më i menaxhueshëm. Janukoviçi donte të krijonte një Rusi të vogël nga Ukraina, ishte i zhytur në korrupsion dhe nuk do të jepte dorëheqje derisa të vdiste.

Për Putinin ishte jetike që Ukraina, si një nga vendet kryesore të ish-BRSS-së, t’i ngjante Rusisë së tij ashtu që të bëhej i mundur rikrijimi i Bashkimit të Ri Sovjetik. Putini dha maksimumin e tij për ta bërë Janukoviçin president në vitin 2004. Më 22 nëntor të vitit 2004, në orën dy të mëngjesit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Ukrainë raportoi se pas numërimit të 33% të votave, atëherë kryeministri Janukoviç po printe me 50% të votave, ndërsa Jushçenko mori 46%. Sidoqoftë, exit poll-et treguan numra krejtësisht të ndryshëm.

Ukrainasit u indinjuan nga falsifikimet në raundin e dytë të zgjedhjeve dhe bënë protesta masive, të cilat çuan deri te përsëritja e zgjedhjeve. Propaganda ruse po shtynte në mënyrë agresive të gjitha llojet e dezinformatave lidhur me ngjarjet në Maidan. Gruaja e Viktor Janukoviçit tha se protestuesit po hanin “portokaj amerikanë të mbushur me drogë.” [“Nakolotye apelʹsiny”].

Edhe atëherë, Vladimir Putini këshilloi presidentin e asokohshëm Leonid Kuchma që “thjesht t’i shpërndante të gjithë ata nga Maidani.” Por, Kuchma u përgjigj me qetësi: “Ukraina nuk është Rusi. Këtu nuk ju ec dot.” Fjalët e Kuchma-s u bënë të vërteta në vitin 2014.

Protestat e Maidanit – makthi i Putinit

Janukoviçi u bë president duke mposhtur Julia Timoshenkon në raundin e dytë të zgjedhjeve të vitit 2010. Gjatë sundimit të tij katërvjeçar, Janukoviçi uzurpoi aq shumë pushtet sa jeta nën regjimin e tij në Ukrainë u bë e padurueshme, ndërkohë që raportet për korrupsionin masiv nuk kishin të ndalur. Kabineti i tij kishte lidhje tejet të ngushta me Rusinë dhe shumë nga ministrat madje as nuk flisnin në gjuhën ukrainase. Bizneset e vogla u shtypën, derisa rezervat e arit dhe valutave u shkrinë vrik në shërbim të jetës luksoze të zyrtarëve publikë. Pastaj pasoi një rusifikim masiv në të gjitha sferat e jetës. Opinioni publik mbështeti kursin europian, që e bëri Janukoviçin “të rrudhet si një butak në kripë” [“Kak už na skorovodke”].

Në anën tjetër, ai u mbështet nga Putini, që fuqishëm e kundërshtoi integrimin europian të Ukrainës. Për Putinin, një Ukrainë e dobët ishte një Ukrainë e menaxhueshme.

Janukoviçi premtoi që Ukraina do ta nënshkruante Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit (MSA) me BE-në, në samitin e ardhshëm në Vilnius, më 28-29 nëntor të vitit 2013. Megjithatë, më 21 nëntor, Kabineti i Ministrave të Ukrainës miratoi një dekret që pezullonte MSA-në. Autoritetet nisën një sulm masiv informacioni kundër kësaj marrëveshjeje. Kjo shkaktoi zemërim ekstrem tek ukrainasit, që çoi në protesta paqësore më 22 nëntor të vitit 2013. Kjo është arsyeja pse protesta përfundimisht u quajt Euromaidan.

Protesta nuk qe masive, por në mbrëmjen e 30 nëntorit, Janukoviçi nisi shpërndarjen e dhunshme të protestuesve. Në orën katër të mëngjesit, afro 100 protestuesit që gjendeshin në Maidan, 300 ushtarë të armatosur i rrethuan dhe i rrahën me shkopinj. Si rrjedhojë, 84 protestues u lënduan, përfshirë këtu 17 studentë. Të nesërmen, dhjetëra-mijëra njerëz erdhën në Maidan. Qeveria ishte në telashe.

“Na i rrahët fëmijët? Atëherë ne do të rezistojmë”, ishte motori i ri i protestës. Janukoviçi përshkallëzoi situatën duke ndjekur urdhrat e Putinit. Fillimisht ai miratoi “ligje tiranike”, që shkaktuan valë të re zemërimi, dhe përfundimisht vendosi të qëllonte mbi protestuesit. Sipas vlerësimeve të ndryshme, nga 18-20 shkurti i vitit 2014, 78 deri në 83 aktivistë u vranë në Maidan dhe më shumë se 20 të tjerë vdiqën nga lëndimet e marra. Ata ne i quajmë “Njëqindëshja Qiellore” (një pllakë memoriale me të gjithë emrat dhe fytyrat e tyre midis qendrës së qytetit të Kievit).

Për fat të keq, vrasësit nuk u gjetën dhe nuk u sollën kurrë para drejtësisë. Janukoviçi iku në Rostov, duke vjedhur kamionë të mbushur me para e duke plaçkitur vendin deri në asht. Sot, rezidenca e Janukoviçit është një muze i korrupsionit për këdo që dëshiron ta shohë shkallën bizare të lakmisë së tij.

Ishte pikërisht gjatë protestave të Maidanit që propaganda ruse nisi të prodhojë numër të pafundmë falsifikimesh e lajmesh të rreme. Dhe është pikërisht kjo koha kur “nazistët në Ukrainë” u bënë narrativa kryesore. Protestuesit nuk ishin qytetarë të rëndomtë, por “radikalë të krahut të djathë”. Në fund të fundit, ukrainasit “normalë” nuk do ta kundërshtonin kurrë Rusinë. U shfaqën imazhe të sajuara dhe të falsifikuara të “radikalëve ukrainas” që dërgonin autobusë të mbushur me ekstremistë në rajonet rusisht-folëse, për ta përshkallëzuar situatën. Legjendat për autobusët me nazistët ukrainas qarkullonin në çdo cep të vendit. Pavarësisht elementeve individuale të ksenofobisë në shoqërinë ukrainase, nuk gjendet dot mbështetje e gjerë për nazizmin dhe ideologjinë ultra të djathtë as në qeveri, as në ushtri dhe as te të zgjedhurit.

Si u kthye Krimea në “portin e shtëpisë”

Putini përfitoi nga dobësia e Ukrainës në fund të shkurtit të vitit 2014. Ai ndihmoi Janukoviçin të arratisej dhe pastaj sulmoi Ukrainën. Fillimisht, Putini aneksoi Krimenë. Asokohe, ishte lëvizje strategjike për të rritur rejtingun e tij, i cili kishte rënë pas protestave në sheshin Bolotnaya më 2011. Maidani nuk mund të lejohej të ishte një storie suksese sepse kjo do t’u tregonte rusëve se ata mund të bënin të njëjtën gjë me Putinin. Maidani duhej të dështonte dhe aneksimi i Krimesë duhej të ishte arsyeja për këtë. Aneksimi i Krimesë supozohej të dështonte Maidanin në sytë e rusëve. Ata duhej të shihnin se revolucioni nuk çoi në pasoja të mira në një vend fqinj me një autokrat të ngjashëm në pushtet. Putini krijoi një narrativë që Ukraina ka humbur territoret e veta për shkak të protestës. Revolucioni është i barabartë me kolapsin shtetëror.

Para vitit 2014, shtypja e rusisht-folësve në Krime apo Donbas nuk përmendej kurrë. Asnjë nga mediat nuk u interesua vërtet për pozicionin e rusëve në Ukrainë. Kjo narrativë u shpik gjatë Maidanit për të justifikuar praninë ruse në Ukrainë.

Putini organizoi një referendum të rremë, ku 123% e qytetarëve të Sevastopolit shprehën vullnetin për t’u bashkuar me Rusinë! “Referendumi” u organizua brenda dy ditësh dhe mediat ruse pretendonin triumfalisht se “Krimea është kthyer në portin e shtëpisë”, pra në Rusi.

Edhe pse është e vërtetë që Krimea dikur i përkiste Perandorisë Ruse dhe Republikës Socialiste Sovjetike, në vitin 1954 u transferua në RSS. Kur Ukraina fitoi pavarësinë, Krimea mbeti autonome dhe me të drejta të zgjeruara. Ideja e secesionit të Krimesë ka qenë gjithmonë margjinale në gadishull. Për shembull, partia pro-ruse “Uniteti rus” në vitin 2010 fitoi veç 4% në parlamentin e Krimesë.

Me këtë aneksim, Putini rriti rejtingun e tij. Ai e mori Krimenë, e poshtëroi Ukrainën dhe u bë hero në sytë e popullit të tij. Rusët harruan korrupsionin, rritjen e GDP-së dhe shkeljen e të drejtave. Për ta, Putini ishte fituesi. Por, demokracia post-sovjetike në Ukrainë dështoi rëndë. Frika më e madhe e Putinit është të rrëzohet nga një protestë masive.

Pushtimi rus i Donbasit në pranverën e vitit 2014 është një vazhdim shumë logjik i aneksimit të Krimesë. Çështja e Krimesë u harrua kur shpërtheu një luftë e tmerrshme në Ukrainën Lindore. Presidenti rus ka krijuar një vatër të përhershme të paqëndrueshmërisë, që përshkallëzohet sipas dëshirës së tij.

Gjatë këtyre tetë vjetëve, Rusia i mbajti Ukrainës shkelmin në fyt, duke demonizuar autoritetet dhe njerëzit e saj në televizione. Ukrainasit po shndërroheshin në nacistë gjithnjë e më të këqij dhe autoritetet e zgjedhura ukrainase u bënë “drogaxhinj të Kievit”.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.