Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Manovra e Europës me Kinën

Marrëveshja e re BE-Kinë nënvizon një pyetje themelore për rendin botëror pas pandemisë: Si duhet të menaxhohen marrëdhëniet strategjike dhe ekonomike mes fuqive të mëdha që kanë rregullime shumë të ndryshme institucionale dhe politike? A mund të mbesin demokracitë besnike ndaj vlerave të tyre përderisa përfshihen në tregti dhe investime me Kinën?

Kur po përfundonte viti 2020, Bashkimi Europian dhe Kina njoftuan për kompletimin e Marrëveshjes Gjithëpërfshirëse për Investime [Comprehensive Agreement on Investment – CAI] mes dy gjigantëve ekonomikë. Kjo “do të jetë marrëveshja më ambicioze që Kina ka bërë ndonjëherë me një vend të tretë”, mburrej Komisioni Europian në njoftimin zyrtar.

CAI i jep firmave europiane qasje të zgjeruar në tregjet kineze, largon (ose zbut) kërkesat e qeverisë kineze mbi sipërmarrjet e përbashkëta dhe transferet e teknologjisë në disa sektorë, dhe premton trajtim të barabartë me ndërmarrjet shtetërore dhe transparancë më të madhe rregullative. Për më tepër, qeveria kineze ka ndërmarrë disa obligime rreth qëndrueshmërisë ambientale dhe të drejtave të punës, posaçërisht duke u pajtuar të bëjë “përpjekje të vazhdueshme e të shtuara” për të miratuar Konventën e Punës së Detyruar.

Në letër, kjo është fitore jo vetëm për industrinë europiane, por gjithashtu për të drejtat e njeriut. Por CAI nuk është pritur pozitivisht në të gjitha anët. Reagimi amerikan është endur prej zhgënjimit e deri te armiqësia e hapur. Për zyrtarët e administratës në ikje të Trump-it, vendimi i Europës është parë si dorëzim ndaj fuqisë ekonomike kineze dhe si fitore e rëndësishme diplomatike për këta të fundit.

Por edhe shumë të moderuar të tjerë, përfshi këshilltarin për siguri kombëtare të presidentit të zgjedhur Joe Biden, ishin poashtu të tronditur. Administrata në ardhje e Biden-it do të kishte parapëlqyer të paraqesë një front të përbashkët karshi Kinës, duke arritur së pari marrëveshje me Europën.

Për të tjerët, ishte naiviteti i dukshem lidhur me premtimet e të drejtave të njeriut në Kinë që shkaktoi pezmatim. Ish kryeministri belg dhe deputeti i Parlamentit Europian Guy Verhofstad tha në Twitter se “çdo nënshkrim kinez për të drejtat e njeriut nuk është i denjë as për letrën në të cilën vendoset.”

Marrëveshja e re BE-Kinë nënvizon një pyetje themelore për rendin botëror pas pandemisë: Si duhet të menaxhohen marrëdhëniet strategjike dhe ekonomike mes fuqive të mëdha që kanë rregullime shumë të ndryshme institucionale dhe politike? A mund të mbesin demokracitë besnike ndaj vlerave të tyre përderisa përfshihen në tregti dhe investime me Kinën?

Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, duhet të dimë dy fakte. Së pari, është e pamundur të imagjinohet shkëputja totale e ekonomisë kineze nga ekonomitë e Perëndimit pa shkaktuar katastrofë ekonomike. Së dyti, vendet Perëndimorë nuk mund të bëjnë shumë, individualisht a kolektivisht, për ta ndryshuar modelin ekonomik shtetëror të Kinës ose regjimin shytpës ndaj të drejtave të njeriut dhe të punës.

Marrëveshjet tregtare dhe të investimeve nuk mund të transformojë Kinën në një ekonomi të tregut të stilit perëndimor apo ta kthejnë në demokraci. Shpresa jonë është që të kërkojmë një regjim të ri global që njeh diversitetin e rregullimeve ekonomike dhe politike pa dëmtuar shumë fitimet nga tregu dhe investimet ndërkombëtare.

Asnjëra nga këto nuk nënkupton se kur bashkëpunojnë me Kinën në sferën ekonomike, vendet perëndimore duhet t’i lënë anash çështjet politike e të të drejtave të njeriut. Thjesht, kjo do të thotë se SHBA-ja dhe Europa duhet të ndjekin qëllime më të kufizuara, më të arritshme dhe gjithsesi më të argumentueshme.

Dy prej këtyre qëllimeve janë të rëndësisë më të madhe. Së pari, rregullat e tregut dhe investimeve duhet të sigurojnë që firmat dhe konsumatorët nuk bëhën drejtpërdrejt bashkëfajtorë në shkeljet e të drejtave të njeriut në Kinë. Së dyti, rregullat e tilla duhet të mbrojnë vendet demokratike nga praktikat kineze që mund të dëmtojnë rregullimet institucionale vendore mbi punën, ambientin, teknologjinë, dhe sigurinë kombëtare. Qëllimi duhet të jetë që të përkrahen dhe mbrohen vlerat e Perëndimit, e jo që këto të eksportohen.

Pra, pyetja e rëndësishme rreth CAI nuk është se a do të jetë në gjendje BE-ja të ndryshojë kahjen e sistemit ekonomik kinez ose të përmirësojë regjimin e të drejtave të njeriut dhe të drejtave të punës. Edhe nëse trajtimi i pakicës së ujgurëve myslimanë përmirësohet, shtypja e disidentëve dhe e fjalës së lirë do të vazhdojë. Edhe nëse Kina miraton Konventën për Punën e Detyruar dhe zbaton masat e saj – që vështirë se do ngjajë – liderët kinezë nuk e kanë ndërmend të njohin sindikatat e pavarura. Pyetja relevante është se a ka hequr dorë BE-ja nga liria e saj për të ndjekur politika që do të kufizojnë bashkëfajësinë në shkeljet e të drejtave të njeriut dhe punës apo të mbrojë sigurinë kombëtare europiane dhe standardet e punës.

Komisioni Europian pretendon se CAI i mundëson BE-së të ruajë “hapësirën politikbërëse,” veçanërisht në sektorët “e ndjeshëm” si energjia, infrastruktura, bujqësia, dhe shërbimet publike. Në fusha të tjera, BE-ja veçse është mjaft e hapur ndaj investimeve kineze. Kjo ngre pyetjen se çfarë mendon qeveria kineze se po arrin me ketë marrëveshje.

Përgjigjja duket se ka të bëjë me atë se Kina po blen siguri karshi restriksioneve të ardhshme në Europë. Marrëveshja përmban një skemë arbitrazhi që u mundëson palëve të depozitojnë ankesa për shkelje kundër njëra tjetrës. Nëse konsultimet nuk arrijnë të zgjidhin çështjen, mosmarrëveshjet do të sillen para panelit të arbitrazhit me procedurat specifike për respektimin e aktvendimeve. Përderisa Komisioni Europian e sheh këtë si mekanizëm për parandalimin e mospërmbushjes së zotimeve të palës kineze, për qeverinë kineze kjo mund të shërbejë gjithashtu si mjet për të sfiduar barriera specifike për futje në treg të firmave kineze.

Korniza për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve është thelbësore për çdo rend botëror funksional. Por çka nëse, për shembull, një vend europian do të ndalojë një firmë kineze që trajton keq punëtorët e saj, ose që operon në Xinjiang? Franca tashmë kërkon që kompanitë e mëdha franceze që operojnë jashtë vendit, të veprojnë në përputhje me normat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe ambientit.

Çka ndodh nëse vendet europiane ndërmarrin masa më të ashpra për të parandaluar që të operojnë në BE fimat kineze që kanë praktika problematike ambientale dhe të punës? A do t’i konsiderojë mekanizmi i arbitrazhit këto rregullime si në pajtueshmëri me CAI? Poashtu, sa do të merren parasysh nga panelet përjashtimet e qasjes në treg që kanë për bazë “sigurinë kombëtare”?

Përgjigjet e këtyre pyetjeve nuk janë të qarta. Shumëçka varet nga teksti përfundimtar i CAI, dhe nga shkalla të cilën panelet e arbitrazhit do të zgjedhin të prioritizojnë qasjen në treg para të vetë-quajturit “qëllim publik” të vendeve anëtare.

Sido që të jetë, as dëshira e SHBA-së për të krijuar një front të përbashkët kundrejt Kinës, as realiteti se CAI nuk do të arrijë të krijojë një Kinë më të lirë e më të orientuar kah tregu, nuk janë argumente të vlefshme kundër CAI dhe marrëveshjeve të tjera të tregut dhe investimeve. Nuk duhet të vlerësojmë CAI nga pikëpamja se a i mundëson Europës të eksportojë sistemin dhe vlerat e saj. Duhet ta vlerësojmë nga fakti se a e lejon Europën të mbetet zot i sistemit dhe vlerave të saj.

***

Artikulli origjinal ne Project Syndicate.

***

Image

 

Ky artikull mbështetet nga “Sbunker” përmes projektit të financuar nga Ambasada Amerikane. Mendimet e shprehura këtu janë të autorit dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.