Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Marrëdhëniet Izrael-Turqi: 1950-1980 (II)

Marrëdhëniet Izrael-Turqi: 1950-1980 (II)

Pse marrëdhëniet e ngrohta në fillim mes Turqisë dhe Izraelit nuk mbizotëruan edhe në vitet e mëpasshme? Cilët ishin shkaktarët e aleancës së viteve 50’, më pas stagnimit në vitet 60’ dhe ftohjes në vitet 70’? Çfarë faktorë ishin vendet arabe, ShBA dhe BRSS në marrëdhëniet Izrael-Turqi?  Duke u fokusuar në ngjarjet kryesore që determinuan temperaturën e marrëdhënieve mes dy shteteve në fjalë, në paragrafët e mëposhtëm do të trajtohen shumë shkurtimisht marrëdhëniet ne mes viteve 1950-1980.

Vitet 50’

Vitet e 50-ta shënojnë një intensifikim të marrëdhënieve mes Turqisë dhe Izraelit. Të pozicionuar në Bllokun Perëndimor, të dy shtetet kishin interes të zhvillonin raporte të qëndrueshme me njëri-tjetrin. Është e rëndësishme të theksohet se në këtë fazë Turqia pëson një ndryshim dramatik në sistemin e saj politik. Prej sistemit shtetëror njëpartiak, Turqia kalon në sistem demokratik dhe partia themeluese e Turqisë moderne  dhe e liderit historik Mustafa Kemal Ataturkut, CHP  (Partia Republikane e Popullit) rrëzohet nga pushteti në zgjedhjet e lira në vitin 1950, për t’u zëvendësuar nga DP (Partia Demokratike) e Adnan Menderesit. Edhe pse ky proces u përcoll me ndryshim të premisave të politikbërjes së brendshme, në politikën e jashtme në nivel orientimi Turqia nuk ndryshoi.

Arsyet e vazhdimit të raporteve të mira mes dy shteteve në vitet e pesëdhjeta mund të përmbledhen në katër pika. E para, të dy shtetet si model zhvillimi kishin modelin perëndimor. E dyta, ShBA, duke e mbushur shpejtë vakumin e fuqisë të lënë nga Britania në Lindjen e Mesme, mëtonte të themelonte marrëdhënie të qëndrueshme ekonomike dhe politike me aleatët e saj në regjion. Kështu, për të dy aleatët, në këtë kuadër,  u krijuan kushtet për bashkëpunim të ndërsjellë. E treta, shtetet arabe kishin mbajtur një qëndrim kundërshtues ndaj pjesëmarrjes së Turqisë si pjesë e misionit të OKB-së në Luftën e Koreve, e cila pjesëmarrje kishte shërbyer si katalizator për integrimin e Turqisë në NATO. Si kundërpeshë, Turqia i kishte dhënë përparësi marrëdhënieve me Izraelin. E fundit, Izraeli ishte i përkushtuar në raportet me Turqinë. Sa për ilustrim, diplomati i rryer izraelit Elihu Sasson, pas Washingtonit, Londrës dhe Parisit ishte emëruar atashe ushtarak në Ankara.

Marrëdhëniet ekonomike në vitet e 50’ mes dy shteteve u ndërtuan në bazën e eksport-importit të produkteve që i mungonin njëri-tjetrit. Derisa Izraeli importonte nga Turqia pambuk, duhan, tekstil, minerale, mish dhe peshk, eksportonte në Turqi mallra si pajisje elektrike shtëpiake, materiale ndërtimore, ilaçe dhe materiale kimike. Poashtu, Turqia merrte nga Izraeli edhe kamionë, buldozer, traktorë të cilat Izraeli i siguronte nga shtetet e Europës Lindore. Pas vitit 1954, për shkak të politikave të mira bujqësore, Izraeli produktet bujqësore fillon t’i prodhojë vetë dhe, si pasojë, për herë të parë balanci tregtar fillon ta favorizojë Izraelin në dëm të Turqisë. Megjithatë, marrëdhëniet ekonomike mbetën stabile deri ne vitet 90’.

Atmosfera e marrëdhënieve politike në këto vite u përcaktua nga tri ngjarje: Pakti i Bagdadit, Kriza e Suezit dhe Pakti Periferik. Pakti i Bagdadit u themelua në vitin 1955 me sponsorizimin e ShBA-ve në mes Turqisë, Irakut, Iranit dhe Britanisë dhe ishte një aleancë ushtarake regjionale. Për shkak që në fillim shtetet e tjera arabe e kundërshtuan formimin e këtij pakti, Izraeli ishte tërhequr nga një qëndrim kundër. Megjithatë, tri zhvillime kishin ndikuar ripozicionimin kundërshtues të Izraelit. E para,në punimet e Paktit shprehej qartazi qëndrimi për “mirëqenien dhe sigurinë e arabëve”. Këto shprehje dhe të ngjashmet e saj, Izraelin e kishin bezdisur. E dyta, kryeministri irakian kishte deklaruar se Izraeli kurrë nuk do të pranohet në pakt. E treta, në vizitën në Damask kryeministrit turk Menderes kishte deklaruar se në rast të sulmit të Izraelit ndaj shteteve arabe, Turqia do të merrte anën e arabëve. Kështu, marrëdhëniet e tensionuan dhe ranë në pikën më të ulët sa që niveli i përfaqësimit në Ambasadën e Izraelit në Ankara u degradua.

Me Krizën e Kanalit të Suezit të vitit 1956, me ç’rast Britania, Franca dhe Izraeli e kishin sulmuar Egjiptin për shkak të vendimit të nacionalizimit të kanalit nga ky i fundit, në opinionin publik turk ishte formuar ideja e Izraelit si shtet agresor. Përmes një deklarate ministri turk i punëve të jashtme Zorlu kishte kritikuar këtë veprim dhe, madje, kishte nënshkruar një dokument ku dënoheshin veprimet e izraelit. Nga ky moment e tutje, marrëdhëniet mes dy shteteve do të ftohen dhe niveli i përfaqësimit diplomatik do të degradohet edhe më tej.

Rrëfimi i idesë së Paktit Periferik nisë nga ardhja në pushtetin egjiptian me puç e Xhemal Abdulnaserit, nga bashkimi i Sirisë me Egjiptin nën emrin Republika e Bashkuar Arabe dhe nga raportet e afërta ushtarake që kishin filluar t’i ndërtonin këto të fundit me BRSS-në. Kryeministri izraelit Ben Gurion, duke i perceptuar këto ngjarje si kërcënim, kishte propozuar paktin ku përfshiheshin shtetet në periferi të shteteve arabe. Për më tepër ShBA-të, për ta kundërpeshuar tanimë prezencën e shtuar sovjetike, e përkrahën këtë pakt. Më 28 gusht të vitit 1958 në Ankara, në një takim top-sekret mes kryeministrave Menderes dhe Gurion, ku diplomatët kishin shërbyer si kamarierë, Turqia pranon të përfshihet në pakt. Sipas studiuesit Omer Kurkcuoglu, Turqia pranoi të jetë pjesë e paktit së pari për shkak që kishte qëllim ta kundërbalanconte Republikën e Bashkuar Arabe (Sirinë dhe Egjiptin). Së dyti, në të njëjtin vit në Irak kishte ndodhur një puç dhe Iraku ishte larguar nga Pakti i Bagdadit. Këtë Turqia e perceptoi si kërcënim ndaj sigurisë. Së treti dhe më së rëndësishmi,  ShBA-të donin që Turqia të bëhej pjesë e paktit. Produkti më me peshë i këtij pakti ishte formimi i një rrjeti të inteligjencave të shteteve përkatëse. Me këtë pakt marrëdhëniet do të normalizoheshin, deri në vitet ‘60 ku do të marrin disa kthesa dramatike.

Vitet ‘60

Vitet e 60 dhe 70 shënojnë një rënie të fuqisë të Bllokut Perëndimor dhe ngritje të Bllokut Lindor dhe të Botës së Tretë. Sidomos lufta e humbur në Vietnam dhe efektet e saj kishin ngjallur reagim kundërshtues së brendshmi dhe prishje të imazhit së jashtmi. Efektet e rënda ekonomike të luftës poashtu ndikuan në rënien e fuqisë së SHBA-ve. Çmimet e naftës pas luftës arabo-izraelite kishin fluturuar nga 3 dollarë për litër në fiilim vitet 70’, në 30 dollarë në vitet 80’ (Shoku i Naftës).  Argument tjetër i rënies së fuqisë është edhe devalvimi i dollarit amerikan dhe shthurja e sistemit të Bretton Woods. BRSS, në anën tjetër, ishte hapur në Lindjen e Mesme, ishte afruar kah Oqeani Indian. Shtetet e dala bga procesi i dekolonizimit (Bota e Tretë), për ta ruajtur pavarësinë e brishtë kishin refuzuar t’i bashkohen njërit bllok ose tjetrit duke tentuar të përfitojnë nga të dytë. Kjo periudhë shënon intensifikimin e aktiviteteve të Botës së Tretë.

Studiuesit turq këtë periudhë për politikën e jashtme turke e emërojnë si “vitet e vendosmërisë”, “e autonomisë relative” dhe politikës së jashtme shumëdrejtimëshe për shkak të vendimeve turke të cilat ishin në shpërputhje me interesat dhe vendimet e bllokut. Kjo për shkak të rënies së varshmërisë ekonomike ndaj shteteve perëndimore dhe për shkak të fillimit të hapjes së marrëdhënieve me Botën e Tretë. Në anën tjetër, Izraeli ishte i angazhuar me kërcënimet ekzistenciale që vinin nga shtetet arabe. Studiuesja Ofra Bengio konsideron se, si në shumicën e herave, edhe kësaj here marrëdhëniet turko-izraelite duhet të shihen nën dritën e trekëndëshit Izrael-shtetet arabe-Turqi dhe vullnetit të venimmarrësve turk sepse Izraell i izoluar dhe i kërcënuar e shihte Turqinë si vendin potencialisht aleat në regjion.

Dy ngjarje kryesore në marrëdhëniet turko-izraelite spikasin në vitet 60: Lufta arabo-izraelite e vitit 1967 dhe djegia e Xhamisë Aksa në vitin 1969. Në maj të vitit 1967 forcat egjiptiane ishin stacionuar në gadishullin e Sinait pranë kufirit me Izraelin. Duke e perceptuar këtë si casus belli (shkak i luftës), më 5 qershor 1967 forca ajrore e Izraelit sulmoi në të njëjtën kohë fushat ajrore egjiptiane, siriane dhe jordaneze, duke shkatërruar përkatësisht 304, 53 dhe 28 aeroplanë, kryesisht në tokë. Duke fituar epërsi të plotë ajrore, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit okupuan Sinain dhe Bregun Perëndimor.

Turqia në këtë luftë, që ndryshe njihet me emrin Lufta Gjashtë Ditore, për katër arsye kishte përvetësuar një qëndrim mbështetës ndaj arabëve: e para, Turqia po ballafaqohej me problemin e Qipros dhe kishte për qëllim ta përdorte të drejtën e intervenimit. Të zhgënjyer nga kundërshtimi amerikan (Letra e Johnson-it) Turqia kalon në një diplomaci shumë-drejtimëshe dhe, kështu, synon përfitimin e mbështetjes së vendeve arabe. E dyta, AP (Partia e Drejtësisë) synonte marrjen e përkrahjes të pjesës konservatore dhe fetare. E treta, rritja e interesit ekonomik nga vendet arabe e shprehur në fundvitet 60’ dhe vitet 70’. E fundit, në mesin e viteve 60’ forcat komuniste dhe të majta ishin fuqizuar ndjeshëm në Turqi. Për shkak që Izraeli ishte një aleat i padiskutueshëm i SHBA-ve, ato ushqenin një antipati ndaj saj. Ky qëndrim pro-arab gjatë kësaj lufte vërehet edhe në kundërshtimin e lejimit të përdorimit të bazave ushtarake të NATO-s në Turqi për t’i ndihmuar Izraelit. Për më tepër, gjatë luftës Turqia kishte ndihmuar vendet arabe me ndihma ushqimore në vlerë 100 mijë Dollarë dhe pas luftës me një ndihmë 500 mijë Dollarë. Edhe në sesionet në OKB ministri i jashtëm turk Çaglayangil ishte shprehur kundër zgjerimit të territorit përmes okupimit dhe kishte kërkuar nga Izraeli “të tërhiqej menjëherë nga tokat e okupuara” dhe kishte votuar në disa raste në favor të vendeve arabe. Megjithatë, marrëdhëniet me Izraelin, edhe pse mund të vlerësohen si të stagnuara në këtë fazë, ato nuk u prenë.

Djegia e një pjese të Xhamisë Aksa më 21 gusht 1969 kishte nxitur reagimin e botës myslimane e cila e konsideron këtë xhami si vendin e tretë të shenjtë. Kryeministri Demirel kishte deklaruar se në këtë rast është “pranë vendeve myslimane” dhe kishte marrë pjesë në grupin e shteteve që kërkonin diskutim për këtë çështje në Këshillin e Sigurimit. Këshilli kishte marrë vendim që kundërshtonte cilësimin e Izraelit ndaj Jerusalemit si tokë e saj. Jashtë kësaj, Turqia morri pjesë edhe në Samitin Islam ku u morr vendim kërkesa e tërheqjes së Izraelit nga Jerusalemi Lindor, por doli kundër vendimit për prerjen e marrëdhënieve me Izraelin. Ministri Çaglayangil në deklaratën përfundimtare deklaroi se kundërshtimi ndaj Izraelit është në proporcion me kundërshtimin e vendosur në OKB. Kjo ishte një tregues se Turqia nuk dëshironte t’i prishte më tutje raportet me Izraelin.

Vitet 70’

Marrëdhëniet në këto vite karakterizohen me ftohtësi për shkak të dy ngjarjeve kryesore: Lufta arabo-izraelite e vitit 1973 dhe Organizata e Çlirimit të Palestinës (OÇP). Më 6 shtator të vitit 1973 Egjipti dhe Siria kishin lansuar një sulm të befasishëm ndaj Izraelit. Turqia edhe pse zyrtarisht kishte deklaruar neutralitet, kishte ndihmuar vendet arabe në disa forma. Çështja qipriote, mbështetja e kërkuar nga vendet arabe për të, nevoja për naftën arabe dhe ndjekja e aktiviteteve të OÇP-së nga opinioni publik turk mund të përmenden si arsye për këtë mbështetje.

Më 1975 Ankaraja zyrtare e kishte njohur OÇP-në si përfaqësuese legjitime të palestinezëve. Kjo ishte shkaktare e ftohjes së mëtejme të marrëdhënieve. Izraeli e konsideronte OÇP-në terroriste. Kjo ftohtësi vërehet edhe në votimin pro të Turqisë në vendimin e Asamblesë të OKB-së e cila e cilësonte cionizmin si racizëm. Madje në vitin 1979 me ftesë zyrtare nga kryeministri turk Ecevit, Jasir Arafat kishte hapur degën e OÇP-së në Stamboll. Edhe në procesin Camp David ku u arrit marrëveshja për paqe mes Egjipt-Izrael Turqia kishte kërkuar tërheqjen nga territoret e okupuara nga kjo e fundit.

Këto vite për Turqinë kishin shërbyer si një pendim dhe falje nga mëkati fillestar i njohjes ndaj Izraelit. Në vitet 80’ këto marrëdhënie të ftohta do të vazhdonin të dominonin, për t’ssu ngrohur pastaj në vitet 90’. Vitet 80’ dhe 90’ do të trajtohen në shkrimin e radhës.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.