Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Mbret për mbretër

Udhëtimi terapeutik i përshkruar si ilaç për depresion e kishte shpjerë udhëtaren viktoriane në Malci, ku ajo kishte ra në dashuri me shqiptarët dhe kompleksitetin e tyre antropologjik. Kur e kishte pyetur një bajraktar të një fisi pse ai nuk ndërmerrte diçka për ta ndryshuar zakonin që prodhonte anomali, nga të cilat vuante edhe vetë fisi i tij, kryeplaku shqiptar iu kishte përgjigjur: unë do ta bëja, por nëse unë e bëj, fiset tjera nuk do ta bëjnë dhe si rezultat fisi im do të mbetet në disavantazh, një situatë që do të kishte efektin e kundërt me atë të qëllimit tonë.

A nuk është ky farë lloj menaxhimi i riskut arsyetimi i figurave publike të administratës dhe subjekteve politike në Kosovë sot? A nuk është ky kapaku i shoqërisë civile me ish-këshilltarët e pushtetit, të cilët nga ambiciet më banale i janë bashkangjitur idesë aktiviste të shpëtimit romantik nga regjimi oligarkik? Po ta pyesnim gjithsecilin për diçka tjetër përtej konturave të aktualitetit të gjendjes së situatës në rajon, të përbëre nga shtetet fqinje, do ta merrnim të njejtën përgjigje, vetëm në trajtë të invertuar: nuk është e mundur që Kosova të imagjinohet më ndryshe nga fqinjët. Sepse nuk është e mundur, edhe nuk duhet! Aq më tepër, po të bëhej më ndryshe, do ta vënte veten në situatë të pafavorshme. Kështuqë, Kosova medoemos duhet ta ketë një Thaç analog të një Gjukanoviqi, Vuçiqi, Gruevski dhe Ramë. Pushtetet tona duhen të jenë medoemos të korruptuara sepse ekonomia e rajonit është korrupsion. Një çasje tjetër e papërfytyrueshme, më e ndershme dhe e butë, do të jetë mosbesuese dhe qesharake. Pra, shteti ynë duhet të vazhdoj të jetë pa mirëqenie shoqërore, pa sundim ligji, pa mjedis të mbrojtur, pa sistem shëndetësor, pa punësi, i izoluar dhe pa dinjitet, i mbështjellë me krim, zhvatje dhe dhunë, i ushqyer me shpresa të rrejshme, sepse me kësi lloj fqinjësh, po e aplikuam një model më ndryshe, një, ai nuk do të pajohej me lukth, dhe dy, të tjerët do të na hanin pa pjekë.

Emri që ia vëmë këtij realiteti në kor me zëdhënësit e projektit Perëndimor është: tranzicion. Ky emër përbrenda kontekstit tonë e ka ngjyrën e antonimit të vet: stagnim.

Nga i njëjti udhëtim i anglezes në fillimit të shekullit të kaluar, njërit fis i vidhet një kalë nga fisi fqi. Kur e marrin vesh se ku është kali dhe kush e ka vjedhur, njëherë e lavdërojnë shkathtësinë e fisit fqi për t’ua vjedhur kalin, dhe më pas kuvendojnë për ta hartuar planin se si ta (ri)vjedhin kalin e vet. Pra, aftësia për të vjedhur, jo që nuk është krim, por përkundrazi, shkathtësi dhe virtyt.

A nuk është pikërisht kjo logjika sharlatane e dikujt që e lavdëron aftësinë dhe gambitin e një sharlatani tjetër dinak për ta fituar lojën për t’u bërë mbret? A nuk është ky thelbi i rregullave të lojës në komunitetin e ligjit konsekuencialist, atë të xhunglës, ku rezultati i justifikon mënyrat e realizimit? Vetëm se, në rastin tonë ekziston një gremç: rezultati, apo goli, nuk është moral, as i mirë, por rrjedh nga kënaqësia libidore në aftësinë për t’ia ngulur tjetrit për përfitim personal, qartë në dëm të interesit të përbashkët publik, nga i cili rrjedhin pastaj, edhe zhvillimi ekonomik, edhe mirëqenia shoqërore.

Filozofi kosovar, Shkelzen Maliqi, një gjentelmen dhe mik i nderuar, veteran i shoqërisë civile, njohës i mirë i rrethanave politike, jo pa arsye këshillëtar i Edi Ramës për Ballkan, e nderon shkëlqesinë e vasalitetit tranzicional duke e bërë këtë karshi barazimit të pozitës dhe opozitës përçarëse, të fundit që nga frontet kundërshtare bashkohen në ambiciet për pushtet, ndërsa si  rrjedhojë e shembullit (të Jahjagës) e dedukton shpresën për paraqitjen e një brezi te ri (politikanësh).

Pyetja ime është kjo: pse nuk e themi atë që e thonë statistikat, dhe, aq më keq, eksperienca në terren? Si mundet njeriu ta thotë një fjalë të mirë për një kokë shteti që përgjatë mandatit gjysmë decenial ka figuruar ekskluzivisht si mashë për të mos lejuar ndryshimin e statuskuosë? Tmerrohem kur miqt e mi të shoqërisë civile më thonë që shkëlqesia e saj nuk kishte vjedhur paranë publike, nuk kishte bërë skandal korrupsioni dhe kishte promovuar gratë. Për mendimin tim, ta thuash një fjalë të mirë sepse ai, apo ajo përfaqësuese e unitetit të shtetit, nuk kanë uluritur dhe nuk kanë kafshuar njerëz me kërcënime, nuk ua kanë ngulur kthetrat në fyt, është sikur ta rrisësh çmimin e mallit për ta ofruar pastaj si të zbritur çmimin e tij real. Thjesht, padrejtësi civile. Mashtrim.

Deklarata cinike e Xhavit Halitit për shoqërinë civile nuk ka qenë e vërtetë, por shoqëria civile medoemos po del të jetë e vërteta e tij. Ndonëse për arsye joautentike, logjika që vie nga shoqëria civile për bashkëveprim të pushtetit me opozitën është shumë me vend. Them joautentike pikërisht sepse në anën tjetër, vetë shoqëria civile është në bashkëveprim me gjithçka që është gabim me pozitën dhe opozitën. Ajo ekziston si riafirmuese dhe racionalizuese e ekzistencës së tyre nëpërmjet interpretimit unilateral dhe monopolizimit të diskursit analitik, variacionet e vetme të së cilit janë prognozat e veprimeve dhe rezultateve të luftërave për pushtet.

Imagjinojeni një skenë fantastike: Shoqëria civile zgjohet një mëngjes dhe atë ditë e tutje nuk merret më me vetëdijësimin dhe pohimin e ekzistencës politike të asnjë nga akterët e kabaleve (lexo: subjekteve) që e kanë baglosur Kosovën, nga rruga te institucionet, prej 81-tës, apo edhe më herët, prej 74-tës. Ashtuqë, e gjithë shoqëria civile me organizatat joqeveritare dhe të pavarurit, artistët dhe shkrimtarët, i gjithë kajmaku intelektual që e njohim, nga ata që janë me një kembë në varr, deri te ata që janë aq të zëne me aktivizëm në luftë për ta revizionuar univerzitetin, saqë e kanë harruar paraqitjen e provimit për indeks, unanimisht, sikur nën ndikimin narkotik të një formule magjike, e vënë në rrotullim një moratorium kognitiv ndaj të gjitha subjekteve politike, të gjithave pa përjashtim, duke vepruar dhe deklaruar sikur nuk i kuptojnë.

Në shikim të parë kjo na duket sikur heqje e tokës nën këmbët e sistemit; kësaj strukture politike të korrupsionit të egër klientelist dhe kriminal. Por shumë shpejt kuptojmë që forcat që i lidhin aparatuset shtetërore dhe ideologjike na e zbresin një zgjidhje: ambasada amerikane, zyrat e BE-së, ministritë, shkollat, mediat, familjet, etj, mobilizohen për ta zbuluar fajtorin. Mitet e konspiracionit trillohen, deshërit e kurbanit sakrifikohen dhe aparatusi shtetëror e prodhon një lajmëtar që lajmëron një krizë të re. Një shoqëri civile që sërish fillon t’i kuptoj këta tupa që shtiren herë mbretër, herë shpëtimtarë. Një shoqëri civile që sërish i interpreton, i afirmon, i qorton, i propozon dhe i prognozon. Pas kësaj shpallet edhe kthimi i rendit civil, hiqet ora policore dhe vazhdon agjenda e stabilitetit dhe banalitetit opinionist. Dhe, ndonëse shoqëria jonë progresive ketë e din edhe më mirë, ajo vazhdon trusjen bythës dhe përtej kufijve të Rubikonit nuk lodron.

Për ketë arsye, atëherë, pasi që Thaçi do të kurorëzohet mbret, dhe pasi që ne jemi xhevahiret e kurorës së tij, dhe pasiqë duhet të jemi shume të lumtur për ketë, sepse virtytet e tij kanë qenë përherë avatar më eklaktant i etikës së kaosit të kënaqësive të komunitetit tonë, unë propozoj që prezantuesi më sfidant dhe më i popullarizuar i debateve të televizionit tonë, z. Adriatik Kelmendi, t’ia bëj ceremoninë e fronzimit – vënien e kurorës në kokë. T’ia prezantoj regaljet: stupcin dhe fjalorin e gjuhës angleze, që ceremonia të ketë përmbyllje me një simbolizëm që i flet kohës dhe hekurit të hallkave, të cilat rrapëllojnë një qark vicioz, të bashkëfajësisë tonë, nga i cili mund të dalim vetëm nëse e shohim përnjëmend që dalja nga kriza nuk do të thotë asgjë me shumë se kthim në katastrofë .

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.