Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Me kujtesë kundër vdekjes

“Rrëfimet e vërteta shkruhen vetëm me lot”, kështu shprehej shkrimtari rumun, Emil Cioran, kur fliste për raportin e tij me harresën. Duket sikur kjo sentencë është përtej tij, përtej secilit madje, sepse ky nuk është një varg që i përket vetëm një individi, apo vetëm një kombi. Jo! Është varg që përshkruan një gjendje, një ndjenjë që në terma etikë i përket metafizikës së pafajësisë, e asaj pafajësie që nuk ka kujt t’i drejtohet dhe mbetet sikur një ishull që përbrenda ka një vullkan i cili vazhdimisht vjell zjarr. Ky varg duket se është shkruar për ata që nuk duan të harrojnë dhe për ata që s’mund të harrohen (megjithatë, Cioran flet se si ai dëshiron të harrohet). Ata që nuk duan të harrojnë, kanë ardhur në përfundimin se harresa është më e keqe se vdekja, prandaj luftojnë me çdo kusht që të kujtojnë, edhepse kujtesa në raste të tilla shkakton dhimbje. “Rrëfimet e vërteta shkruhen vetëm me lot”, duket se është shkruar për ata që i mbijetuan Holokaustit, të cilët besonin se harresa e asaj katrahure ishte më e tmerrshme sesa dhomat e gazit. Pse? Sepse nëse harresa triumfonte mbi kujtesën, atëherë, si do të mund të përshkruhen përjetimet e tmerrit të miliona hebrenjve që i detyronin drejt vdekjes. Mbase, edhe njeriu kur pëson krizë nervore dhe e humb kujtesën, sado të ketë qenë i dijshëm dhe i vetëdijshëm, që nga i çast ai pëson diçka në fundament, pra, të qenit qenie e ndërgjegjshme dhe i përgjegjshëm. Prandaj, ata që i mbijetuan krimeve të nazizmit ishin shumë të ndërgjegjshëm për atë që ju ndodhi dhe morën përgjegjësi që mos ta harrojnë, por ta kujtojnë.

“Në komunitetin tonë na është dhënë një detyrë e veçantë…, t’i kujtojmë emrat e të vdekurve. Këta emra i ruajtëm në kujtesë, përmes një kënge. Meqenëse kishte shumë emra, u zgjodhën dhjetë të moshuar si grupi i kujtesës. (…) I kthyen emrat në këngë që zgjatë pesë ditë, për t’i mbajtur në mend më lehtë dhe pesë rabinë (sepse pesë rabinët tjerë u vranë, e me ta shkuan edhe emrat që ata i kishin në kujtesë) me radhë çdo vit e këndojnë këtë këngë”, kjo është një pjesë nga filmi The Song of Names, i regjisorit François Girard, kur flet për Treblinkan, kampin e përqëndrimit. Nëpërmes këngës i shpallet luftë harresës. Askund dhe askush nuk e ka shkruar me mirë se sa populli hebre historinë e të mundurve, historinë e të vdekurve. Jo të heronjve, por të viktimave. Thuhet se historinë e shkruan i forti, ama me gjakun e viktimave, madje, edhe manipulatori bëhet pjesë e asaj historie po me gjakun e viktimave. Po kush e shkruan historinë e viktimave? Normalisht që i forti (sic!), vetëm se i shndërron të gjithë në numra. Viktimat nuk llogariten si njerëz, si cilësi, por si numra, si sasi. Merrni dhe shikoni librat e historisë, aty do t’i gjeni ‘heronjtë’ që kanë emra dhe mbiemra, madje të gravuar, dhe shkoni te viktimat, nuk do ta gjeni as një emër për bé, kurse në numra po. Me qindra, mijëra e miliona numra që shënjojnë viktimat e pafajshëm. Njerëz të shndërruar në numra vdekjeje, kurse hebrenjtë ishin njerëz të gjallë që i kishin shndërruar në numra. Por, jo. Ata si të gjallë e si të vdekur ishin viktima. Ata që nuk shpëtuan nga ata që mbijetuan nuk u lejuan të mbesin numra. Të mbijetuarit ua rikthyen emrat të vdekurve, ua hoqën numrat, pra ua dhanë dinjitetin që e kishin para se vrasësi t’i shndërronte në numra.

Edhe drama jonë ngjan shumë me dramën që gjatë Luftës së Dytë Botërore iu shkaktua popullit hebre. Edhe ne këtu në Kosovë patëm një luftë me dhjetëramijëra viktima, madje dhe më shumë heronj. Pllaka e gurë mermeri me lloj-lloj formash, e emra të gravuar me lloj-lloj fontesh, po ashtu, të gravuar edhe nëpër libra të historisë, madje këtu bëhet garë mes të gjallëve për ta futur secili heroin e vet brenda kopertinave të historisë (sic!). Kurse viktimat e tjera disa janë të vdekur (afro 13000), disa të dhunuara seksualisht (20000), disa të dhunuar seksualisht (rreth 1000), shumë të zhdukur, e shumë të sakatuar. Mirëpo, gjithë këtyre viktimave askush emrin nuk ua di (përveç të afërmve të tyre), sepse për ta nuk flitet si për të parët, por flitet si për të vdekurit, pra, si numra. Kur njeriun e shndërrojmë në numër, krijon një distancim emocional me të, sepse numri nuk ngjall emocion dhe kjo ishte një nga mënyrat që regjimi nazist kishte krijuar distancim më njerëzoren. Është ndryshe të thuash ma sillni filan fishekun para skuadrës së pushkatimit, e ndryshe të thuash se sot në turnin e natës në krematorium i futëm numrat nga 1209 deri te numri 2359. Ndryshe është kur dikush të thotë se ma kanë vrarë çikën, djalin, nënën apo babanë, e ndryshe është kur themi se në luftën e fundit në Kosovë okupatori serb la të vdekur afro 13mijë viktima. E para të ngjallë emocion, kurse e dyta të informon.

Pra, ka ardhur koha që t’u japim të vdekurve mundësinë, që mos të vdesin përjetësisht nga harrimi. Nëse jetën ua mori armiku, ne po ua mohojmë të drejtën që të kujtohen. Armiku i vrau fizikisht, ndërsa ne, duke mos i kujtuar, po i vrasim edhe metafizikisht. Përgjatë këtyre 20 viteve, kush më pak e kush më shumë, e të gjithë tepër, jemi mburrur me lavdin prej fitimtarit. Me tonelata mermer, beton e bronz e kemi rënduar tokën, duke piskatur sikur këndesi mbi pleh, se sa të fortë ishim, a në fakt të gjithë, i madh e i vogël, luftëtarë dhe refugjatë (ikanakë), të rënë me pushkë, e të vrarë në fushë, që të gjithë ishim viktima. Ata që vdiqën, e ne që shpëtuam, apo na shpëtuan, ishim dhe jemi viktima dhe kjo nuk duhet të na bëjë të ndihemi keq para askujt. Në fakt, atyre që na bënë një gjë të tillë duhet t’u vijë turp. Ne ishim të turpëruar, kurse ata që na viktimizuan janë turpi dhe vazhdojnë të jenë të tillë, sepse nuk e pranojnë atë çfarë na shkaktuan. Neve nuk na ndihmuan për shkak se ishim të fortë, por sepse ishim viktima të një dhune të padrejtë.

Prandaj, sikurse te filmi i lartcekur The Song of Names, që përmes këngës kujton emrat e viktimave, edhe ne duhet të fillojmë (seriozisht) që ta ndërtojmë një muze, një memorie kolektive ku do ta vendosnim kujtesën e gjithsecilit, në mënyrë që ata që nuk e dinë këtë histori, të njoftohen me të, ata që nuk kanë dëgjuar, ta dëgjojnë, ata që nuk e pranojnë, ta lexojnë dhe ata që ende nuk kanë lindur ta mësojnë. Vetëm kështu do të mund të ketë pajtim, sepse vetëm kështu do të mund të mësohet e vërteta dhe do të bëhemi më njerëzorë. Përndryshe, histeria për t’u futur si heronj në histori do të vazhdojë.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.